14.1 C
Pristina
Friday, November 8, 2024

A mundet të bashkekzistojë pastërtia e një besimi përkrah një ambienti të ndotur afetar?

Më të lexuarat

Natyrshëm teksa isha në një familje, ku për shkak të varfërisë edhe ambienti rrethues i jetës së tyre linte shumë për të dëshiruar, më erdhi ndërmend një pyetje: intelekti, besimi i pastër, a ka gjasa të rritet i shëndetshëm në një ambjent të ndotur moralisht? Këtu gjithashtu përveç anës individuale më vjen ndërmend edhe ana shoqërore, në veçanti ajo e cila ka të bëjë me disa  vende tona fqinje, siç është për shembull Greqia, ku sipas raportimeve të shumë miqve dhe familjarëve, të cilët jetojnë apo kanë jetuar andej liritë fetare (pra të besimeve të tjera) në atë vend barazohen me 0 apo edhe më poshtë zeros.

Sot jetojmë në një kohë ku për shkak të së keqes që mbizotëron, ne si besimtarë kënaqemi që dikush të ndjeki një kulturë besimi të caktuar, që mundet të mos jetë edhe e jona, kjo për arsye të kulturës së përgjithshme që fetë përcjellin si oponente ndaj ambjenteve amorale dhe afetare, që po lulëzojnë dita-ditës, por në këtë përzgjedhje nuk do të thotë, se ne jemi të kënaqur me atë x fe, por kjo për të përjashtuar dëmin më të madh. Këtu ligjshëm mundet dikujt t’i lindi pyetja, se përse Islami dallon nga ajo apo kjo fe tjetër, e cila kulturalisht ofron pothuaj të njëjtat gjëra?

Përgjigja e kësaj pyetje është shumë e kollajtë, dikur nuk ekzistonte ky kompromis pasi edhe cektësia morale ishte më e pakët dhe gjërat po ashtu ishin më të qarta, por sot duke parë edhe nga e kaluara përgjigja që unë do të jepja do të ishte kështu: Islami është e vetmja fe e cila në momentet e mbizotërimit të saj vepron nëpërmjet parimit universal “…. dhe të mos u shtyjë urrejtja ndaj një populli e t’i shmangeni drejtësisë; bëhuni të drejtë sepse ajo është më afër devotshmërisë. Kini dro Allahun, se Allahu di hollësisht për atë që veproni. “ Maide 8.

Pra po të hedhësh kokën pas shikon se në momentet delikate të ekzistencës së një kulture tjetër jo-Islame apo në momente të mbizotërimit të saj, janë  thyer shumë kufinj në emër të asaj që sipas rastit e kanë quajtur drejtësi. Ndërsa Islami i urdhëron pasuesit e vet nëpërmjet këtij postulati, që kurdo dhe kudo të tregohen të drejtë dhe mos t’i kapërcejnë kufijtë sido që të rrjedhin situatat.

Diku lexova rreth historisë së bashkjetesës midis  muslimanëve dhe të krishterëve kuptohet në ambjentet e këtyre të fundit dhe më bëri përshtypje intoleranca që mosbesimi ka ndaj pastërtisë së besimit. Këtu po sjell të shkurtuar disa dëshmi rreth kësaj: “Në veprën e tij Historia e Inkuizicionit, Lorente përmend shembuj të konvertuarish në muslimanë, që fshikulloheshin me kamzhik deri në vdekje dhe më pas hidheshin në burgje të pista pasi vazhdonin të merrnin abdestet e përditeshme (pra për shkak të pastrimit)… meqenëse larja ishte zakon pagan të gjitha banjat publike biles edhe ato private u shkatërruan.” Historia e civilizimit 2/44.

Vazhdimisht feja jonë ka kërkuar të mirën dhe tolerancën në çdo ambjent dhe kohë me të cilën ka bashkëjetuar, përkundër ashpërsisë së ambjentit asnjëherë nuk ka reaguar me të njëjtën monedhë, porse është përpjekur të zbresi në zemër të atij problemi, duke u përpjekur të kuptojë, se kush janë shkaqet që e kanë ndezur dhe njëkohësisht t’i eleminojë, që në  formimin e tyre këto shkaqe pasi çfarë vjen më tej kësaj është e vështirë të rekuperohet. Madhështia e besimit padiskutim që ka fuqinë t’i parfumosi edhe situatat më të vështira, dhe për këtë më kujtohet ngjarja e cila ka të bëjë me fillimet e kësaj feje, ku Ibn Abasi thotë: ”Kurejshët i thanë të Dërguarit të Allahut: Kërko nga Allahu që ta shndërrojë Safanë në flori, dhe nëse Safaja shndërrohet në flori ne do të pasojme ty. I Dërguari e luti Zotin dhe i erdhi Xhibrili alejhi selam dhe i tha: “Zoti yt të bën selam e të thotë: “Po deshe, ne do ta shndërrojmë Safanë me flori, por ai i cili është mohues do ta dënoj me një dënim që askënd nuk do ta kisha dënuar. Po deshe do të hap për ta derën e pendimit dhe të mëshirës.” I Dërguari tha: “Hap derën e pendimit dhe të mëshirës.” (Sahih Tergib ue Terhib 3134).

Disa shembuj edhe nëse nuk ekzistojnë duhen krijuar, por është shumë i vështirë realizimi apo ndjekja e këtyre shembujve në mjedise të ndotura ideologjikisht, prandaj edhe natyra njerëzore në vende të tilla trishtohet edhe nga pengesat më të vogla, që has në rrugëtimin e saj, ndërsa  ambjentet me “klimë” të pastër e ndjejnë erën e parajsës pas çdo hapi që hedhin. Për këtë më kujtohet, se Profeti alejhi selam tha: Dikush pa një degë peme në rrugë dhe tha: -Betohem  në Allahun, se do ta largoj këtë degë peme, që të mos i pengojë muslimanët.- Pastaj e largoi dhe për këtë fitoi xhenetin”. Muslimi, kapitulli i Mirësisë 128.

Prindërit janë ata që ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në besimin e fëmijëve të tyre. Nëse prindi është musliman, atëherë edhe fëmijët e tyre do të jenë të tillë. Nëse prindi është hebre, i krishterë, hindus apo budist, atëherë edhe fëmijët të tillë do të jenë. Nëse prindi adhuron idhujt me shumë gjasa edhe fëmija i tij idhujt ka për të adhuruar. Kur njerëzit thirren për të adhuruar vetëm Allahun e Lartësuar ata e refuzojnë këtë thirrje me pretekstin, se adhurimin e idhujve e kanë të trashëguar nga prindërit e tyre. Madje këtë pretekst ata e ruajnë me një fanatizëm të tepruar, saqë është shumë e vështirë t’ia shkulësh nga mendja këtë bindje dhe imitim të verbër. I gjen njerëzit, që më shumë i besojnë fjalëve të baballarëve të tyre, se sa fjalëve të Profetëve apo thirrësve në rrugë të Allahut. Me këtë ata i japin një lloj hyjnizmi dhe shenjtërimi fjalëve të baballarëve të tyre, duke i përçmuar kështu ato të njerëzve të mirë. Imitimi i verbër i baballarëve do të thotë që: Njeriu ta mohojë udhëzimin hyjnor. Allahu i Lartësuar thotë: “Po ashtu, në çdo vend që Ne kemi dërguar paralajmërues para teje, pasanikët e atij vendi thonin: Ne i kemi gjetur etërit tanë në këtë fe dhe po ndjekim gjurmët e tyre. (Çdo i dërguar) thoshte: Po sikur unë t’ju kem sjellë (një fe) më të ndriçuar se ajo e të parëve tuaj?! Ata thanë: Ne e mohojmë mesazhin me të cilën jeni dërguar.” Zuhruf 23.

Kur u shpall ajeti: “Dhe paralajmëroje farefisin tënd më të afërm”, Resulull-llahu a.s. hipi në Safa dhe filloi të thërriste: “O pasardhësit e Fihrit! O pasardhësit e Adit! O kurejshitë!”, dhe kështu me radhë, derisa ata u tubuan. Disa nuk mundën t’i përgjigjen thirrjes së tij, prandaj dërgoi dikë, që t’i lajmëronte se cilët janë ata. Erdhi Ebu Lehebi, e erdhën edhe kurejshitët. Resulull-llahu a.s. tha: -“Si mendoni, po t’ju thosha, se në luginë gjendet kalorësia, e cila do t’iu sulmojë, a do të më kishit besuar?”- Ata u përgjigjën: -“Ne do të të besojmë, se ti kurrë nuk na ke gënjyer.”- Atëherë ai tha: -“Dijeni se unë jam i dërguar tek ju, që t’ju tërheq vërejtjen për vuajtjet e rënda dhe ndëshkimin që ju pret.”- Ebu Lehebi tha: -“Të shkoftë huq pjesa e mbetur e ditës! A për këtë na ke ftuar?”- Allahu xh.sh. atëherë shpalli: “Le të shkatërrohet Ebu Lehebi.”

Kujto, ambjenti i pistë të bën pis edhe idetë, t’i korrupton edhe mendimet, saqë një gjë e bukur përcillet si një banalitet. Dikush për shembull duke  qenë pjesë e një ambjenti të tillë, i shikon besimtarët që i falen Zotit, duke iu përkulur në sexhde dhe në ruku me një përshkrim nga më banalët, ndërsa ai që jeton në këtë ambjent besimi ndjen shkallën më të lartë të kënaqësisë dhe pastërtisë shpirtërore, kur e jetëson këtë veprim përgjatë namazit të tij.

Këtu kemi dy shembuj, ku besimtari nuk del nga njëri prej tyre. I pari është shembulli i djelmoshave të shpellës, kur ata u larguan nga ambjenti i ndotur në mënyrë që mos t’ju ndryshonte peshorja e matjes së gjërave. “Kur djelmoshat u strehuan në shpellë e thanë: “O Zoti ynë, na dhuro nga ana Jote mëshirë dhe na përgatit udhëzim të drejtë në tërë çështjen tonë!” Kehf 10.

Ndërsa shembulli i dytë është ai i besimtarit nga familja e faraonit, i cili e fshehu besimin duke iu frikësuar Allahut me sa mundësi kishte. “Një njeri besimtar nga familja e faraonit që e fshihte besimin e vet tha: “A doni ta mbytni një njeri vetëm pse thotë Zoti im është Allahu…” Gafir 28

Rrapi është një pemë madhështore, që mundet të jetojë 1000 vjet. Mirëpo nuk ka fruta. Madje nuk bën as për dërrasë, por vlen vetëm si dru zjarri. Kurse ulliri, megjithëse në pamje të jashtme nuk ka ndonjë madhështi të veçantë, një vit pasi mbillet fillon të lidhë kokrra. Po ashtu  edhe njeriu, edhe nëse jeton gjatë  por pa fryte e çon veten dëm, ndërsa njeriu i mençur duhet të jetë si pema e ullirit të japë fryte pa humbur kohë. Transmetohet se Profeti alejhi selam ka thënë: Duart janë tre llojesh (sipas bujarisë që kanë në dhënie): Dora e sipërme (pra ajo është dora e Allahut, e cila është më e larta dhe më bujarja në dhënie e furnizim ndaj robërve të vet, pra sido që të jetë bujaria e Allahut është mbi atë të robërve), pastaj është dora e dhënësit që e pason atë (pra atë të Allahut në bujari), dhe e fundit është dora e poshtme e atij që lyp, prandaj jep të mirën dhe mos e ngushto veten (nga të dhënit)”. Sahih Ebu Daud.

Por si mundet që në rrethana të një ambjenti të ndyrë moralisht, të dalesh prej problemeve apo shqetësimeve pa ndihmën e shkaqeve, të cilat Zoti i ka vendosur për të dalë prej situatave të tilla? Si mundet të kesh një jetë dinjitoze deri në fundin e saj pa ndërmarrë këto shkaqe? Ndoshta këto janë pyetje dhe përgjigje bashkë, por për ta ilustruar marrim  shembullin ku të gjithë dijetarët flasin se: kur njeriu preket nga xhinët duhet që edhe vetë i sëmuri për një shërim më të shpejtë dhe afatgjatë të ndërmarri disa shkaqe, si psh, të përpiqet që t’i mbështetet Zotit me lutje dhe duke falur namazin, duke bërë duatë e mëngjesit dhe të mbrëmjes, apo duke iu larguar sa më tepër gjynaheve të ndryshme dhe duke bërë sa më tepër punë të mira. Pra vetëm kështu bashkë me këndimin e Kuranit, që i bëhet të sëmurit mundet që shërimi të jetë sa më efektiv. Në të kundërt do e ketë të vështirë shërimin e shpejtë dhe të plotë. Dhe imagjino nëse ky person jeton në një ambjent të ndotur, ku imoraliteti, mosbesimi, falli, etj. etj. janë shtuar dhe e kanë rrethuar këtë person, padyshim që sëmundja e tij do të jetë shume e vështire të kalojë pa bërë dëme të rënda në brendësinë e tij, apo edhe në aspektin social të vetë ambjentit ku ai jeton. Profeti alejhi selam thotë: “Do të vijnë sprova, të cilat do të zbusin njëra-tjetrën. Do t’i vij sprova dhe besimtari do të thotë: Kjo është shkatërruesja ime! Më pas ajo do të largohet. Do të vijë përsëri sprova e ai do të thotë: Kjo është! Kjo është! Ndaj kush dëshiron t’i largohet Zjarrit dhe të futet në Xhenet, le ta presë vdekjen duke besuar tek Allahu dhe Dita e Fundit, e le të sillet me njerëzit ashtu siç do të dëshironte që ata të silleshin me të…” (Muslimi nr. 1844). Padyshim se një hendikap në vende të tilla bëhet si një plagë në përjetësi, ndërsa një semundjeje të vetme i shtohen edhe 10 të tilla për shkak të gjendjes së kësaj shoqërie.

Por aspekti më i rëndë i të keqes është si puna e atyre bimëve që rriten me hormone, sado që ti të mbjellësh farat e këtyre produkteve, duke i rritur në mënyrë natyrale prapë nuk do ta kenë shijen e frutit fillestar, pasi e keqja është ndërthurur me gjenetikën e kësaj bime.

Sipas Uilliam Xhejmsit, psikolog amerikan feja na jep siguri dhe lumturi në jetë, ndërsa në marrëdhënie me të tjerët është burim dashurie. Mungesa e besimit, dashurisë sjell urrejtje. Urrejtja sjell sëmundje. Njerëzit e sëmurë kanë nevojë për t’u shëruar dhe jo për të shkruar histori të shtrembëruara…

Realisht kam menduar gjithmonë, se nëse njeriu ndodhet në vende të tilla, apo gjendje të tilla  zgjidhjen ndaj trysnive të ambjentit mundet ta gjejë vetëm në kuptimin e drejtë të teksteve fetare dhe t’i largohet çdo keqinterpretimi apo çdo nxitimi në kuptim. Ibn Tejmije thotë: “Nuk kemi si qëllim me “pasuesit e hadithit” ata që e dëgjojnë hadithin, e shkruajnë atë apo e transmetojnë, por kemi si qëllim çdo person, që e mëson hadithin e njeh atë, e kupton në çështjet e jashtme dhe të brendshme dhe e pason atë në të gjitha sferat e jetës në çështjet e jashtme dhe të brendshme”. Mexhmuu fetaua 4/45. Në një hadith meukuf nga Sehl Ibn Sadi tregohet, se kur është folur për havarixhët është thënë: Zemrat e tyre janë zemra të ë huajve (eaxhim), ndërsa gjuhët e tyre janë ato të popullit tonë (arabëve).” Pra me kuptimin se duhet që tekstet t’jua përkthesh, interpretosh, edhe pse janë arabë. Imam Ahmedi thotë: Feja e pejgamberit Muhamed është ahbare (me lajmërime nga Allahu dhe profeti), sa zbatim i mirë për njeriun janë atharet. Mos u largoni nga hadithi dhe pasuesit e tij, sepse logjika është terr dhe hadithi është dritë. Ndoshta njeriu i humbet gjurmët e udhëzimit, por dielli qëndron lart e shndrit.” Ibn Abdul Berr në Xhamiu bejan el ilm ue fadlihi 1459.

Jetesa e gjatë në këto ambjente ka rrezikun më të madh atë që kur njeriu të ndërrojë jetë të jetë i rrethuar nga një ambjent i disfavorishëm për gjallërimin e besimit aq të nevojshëm në ato momente, ndërkohë që në ato momente nevojitet një besim sa më i qëndrueshëm, në mënyrë që edhe fjala e fundit të jetë: La Ilahe Il Allah, dhe jo dyshimet të cilat ambjenti t’i transmeton edhe në ato çaste të vështira. Tek dijetarët ky e ka emrin kufri, mosbesimi i dyshimit dhe si argument ata japin historinë e dy shokëve të kopështit në suren Kehf për të cilët Allahu thotë: “Ai hyri në kopështin e tij, duke i qenë i padrejtë ndaj vetvetes dhe tha: Nuk besoj se ky (kopësht) do të zhduket ndonjëherë dhe nuk ma merr mendja se Dita e Kijametit do të vijë ndonjëherë, por edhe sikur të kthehem tek Zoti im, do të më presë një e ardhme më e mirë..” Çfarë trishtimi!!…

Ndërsa nga ana tjetër po ta kthesh kokën mbas në histori gjen faqe të mbushura plot sesi të parët tanë për shkak edhe të ambjentit pozitiv rikujtues iu mundësohej ta thonin atë fjalë, duke e konfirmuar besimin e tyre. Allahu na bëftë prej atyre që me besim e shqiptojnë atë fjalë në fund të jetës së tyre.

Por shpresa është ajo që e karakterizon njeriun kudo dhe kurdo, ndërsa për besimtarin ajo është si spiranca, e cila pavarësisht furtunave nuk shkëputet kurrë. Profeti alejhi selam thotë: “Kush ka një të kaluar të mirë dhe atë ia prish ndonjë gjynah, atëherë ai prapë është prej besimtarëve.” Hakimi 1/59, Tirmidhiu 4/465. Kjo për të mbetur gjithmonë i lidhur me atë litar, i cili të nxjerr nga errësira e këtyre ambjenteve, dhe vetëm nëpërmjet këtij “litari”, të cilin njeriu nuk duhet ta lëshojë kurrë, edhe nëse dobësohet kapja pas tij herë pas here. Allahu i garanton njeriut vazhdimsinë e jetës nëpërmjet vërtetësisë së argumenteve, e për këtë Ai thotë në Kuran: “…e të shkatërrojë me argument atë që u shkatërrua dhe ta bëjë të jetojë me argumente atë që jetoi. Allahu vërtet dëgjon e di.” Enfal 42

Nga hoxhë Alban Gorishti

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit