5.9 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Karakteristikat e bankimit islam

Më të lexuarat

 

Karakteristikë bazë e bankimit islam është besimi në prezencën Hyjnore, e cila është shtytje kryesore për futjen e etikës në aktivitetet ekonomike. Myslimanët besojnë që janë në lidhje direkte me Zotin, i Cili sheh e dëgjon dhe shpërblen për punë të mira dhe ndëshkon për punë të këqija. Duke i ditur këto fakte, njeriu shpreson në ndihmën dhe bekimin e Zotit në çdo lëvizje të rëndësishme: ndihma ndaj të varfërve, jetimëve, moslejimit me kamatë në huadhënie, ruajtja e mjedisit etj., të gjitha këto aktivitete janë respekt ndaj Krijuesit dhe, për veprimin e tyre njeriu, shpreson shpërblimin e Tij. Kërkimi i kënaqësisë së Krijuesit është një forcë motivuese për të gjitha aktivitetet ekonomike për të mirën e shoqërisë.¹

Qasja islame rreth ekonomisë bazohet në kornizë etike dhe shoqërore, përveç asaj ekonomike. Ajo prezanton lëvizjen e ekonomisë prej një ekonomie të bazuar në borxh në një ekonomi të bazuar në partneritet. Ekziston korniza e hallallit dhe haramit, nëpërmjet të cilave kanë për t’u praktikuar të gjitha aktivitetet ekonomike. Një aktivitet, i cili në ekonominë kapitaliste do të konsiderohej produktiv, për arsye se ka kërkesë dhe ka profit prej tij, si p.sh. pijet alkoolike, bixhozi, etj., është i papranuehëm në ekonominë islame, për shkak se është në kundërshtim me rregullat e Sheriatit. Qasja islame e biznesit është shumë e ashpër kur vihet në pikëpyetje lejueshmëria dhe legaliteti i biznesit.
Dimensioni etik dhe moral janë të pandara në skemën e aktiviteteve financiare, qofshin ato në mënyrë institucionale apo dhe private.²
Bankimi islam është një sistem i financimit në mënyrë aksionare dhe i bartjes së rrezikut, jo vetëm një huadhënie dhe huamarrje.

Kthimi (fitimi) bazohet në produktivitetin dhe suksesin e projektit. Ky sistem kërkon që të gjithë aktorët ekonomikë të jenë aktivë dhe nuk lejon që një kategori të jetojë nga pasuria kur huadhënësi shfrytëzon huamarrësin. Ky është një dallim i madh nga sistemi kapitalist, në të cilin i tërë sistemi financiar bazohet në kamatë, dhe kamata e gjeneruar ndërton një klasë e cila bëhet barrë në progresin e shoqërisë dhe çon në humbjen e potencialeve produktive, gjë që është shenjë e padrejtësisë ekonomike dhe shoqërore.³
Dhe si përfundim, mund të thuhet se modelet islame të financimit, të përshtatura nga bankat dhe institucionet financiare islame, kanë arritur sukses mjaft të madh, ndonëse veprimtaria e tyre zhvillohet kryesisht në ambiente të ekonomisë konvencionale. Suksesi i bankave dhe institucioneve financiare islame është arritur me gjithë vështirësitë e caktuara, të shkaktuara nga mungesa e një mekanizmi të përshtatshëm ligjor dhe institucional, i cili do të mbështeste veprimtarinë e këtyre bankave.
Nuk ka dyshim se, posa të kompletohet infrastruktura e përshtatshme institucionale, shkalla e suksesit të tyre do të jetë edhe më e
madhe.

Autor: Dr. Islam Hasani

DITURIA ISLAME

______________________________________________

[1] Syed Nawab Haider Naqvi, Islam, Economics, and Society, (London: Kegan Paul International, 1994) f. 15.
[2] Rafik Issa Bekun, Islamic Business Ethics, (Herndon: International Institute of Islamic Thought, 1995) f., 35.
[3] Samir Abid Shaikh, “Islamic Banks and Financial Institutions: A Survey”, Journal of Muslim Minority Affairs, Vol. 17, No.1, f.97.

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit