2 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Liberalizimi i vizave do të ndryshojë historinë e punëtorëve në sektorin privat të Kosovës

Më të lexuarat

Nga 1 janari 2024, kur nis së vërteti liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, punëtorët e sektorit privat në Kosovë, pavarësisht natyrës së punës, kushtimisht do të trajtohen ndryshe, gjithsesi më dinjitetshëm dhe puna e tyre do të vlerësohet, që do thotë do të kenë paga më të mëdha se deri më tani dhe kurrsesi 170 euro sa ishte paga minimale në Kosovë deri tani. Edhe punëtori nga Kosova do të ketë alternativa zgjedhjeje, ndërsa punëdhënësit duket se alternativa e vetme i mbetet trajtimi i punëtorëve siç duhet dhe siç e meritojnë, ose të mbesin pa ta.

Duhet thënë qartë se liberalizimi i vizave për kosovarët (më në fund, si çështje, praktikisht e përmbyllur), do ta ndryshojë rrënjësisht historinë e punëtorëve në sektorin privat të Kosovës.

Tani e tutje, më saktësisht nga 1 janari 2024, kur nis së vërteti liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, punëtorët kosovarë, të punësuar në sektorin privat, pavarësisht natyrës së punës, detyrimisht do të trajtohen ndryshe, gjithsesi më dinjitetshëm dhe puna e tyre do të vlerësohet më realisht, që do thotë do të paguhen më shumë, pra do të kenë paga më të mëdha se deri më tani dhe kurrsesi 170 euro sa ishte paga minimale në Kosovë deri tani. Këtë ndryshim, së paku, do ta kushtëzojë liberalizimi i vizave, sikundër që do ta imponojë trajtimin më të mirë gjithanshëm të punëtorëve në sektorin privat. Me trajtim më të favorshëm të punëtorëve, pos pagave më të pranueshme, nënkuptohen edhe pagesat e orëve shtesë të punës, pagesat për punën gjatë vikendeve, pagesat e punës në orët e natës, përkujdesja për ushqimin e të punësuarve dhe veshmbathjen e tyre në procesin e punës, udhëtimin e tyre, shtëpi-vendi i punës dhe anasjelltas, kontratat e punës etj.

Ndryshe, lehtësisht punëdhënësit privat do të mbesin pa krahë pune. Punëtorët kosovarë që deri tani detyrimisht kanë “ulur’ kokën të punojnë sipas diktateve të punëdhënësit, pas liberalizimit të vizave, pa një pa dy mund t’i thonë lamtumirën, sepse, do t’iu krijohen mundësitë reale që ta provojnë të punojnë, qoftë edhe përkohësisht, në secilin vend të Europës Perëndimore. Dhe, mos të gënjehet ndokush nga punëdhënësit se me lehtësi dhe me kosto të lirë mund të zëvendësohen punëtorët “ikanak”. Nëse ndonjë pronari privat i shkon ndërmend se do të kompenzojë lehtësisht mungesën e punëtorëve kosovarë me punëtorë nga Lindja e Largët, nga Pakistani e Bangladeshi, Turqia e nga vende të tjera, e kanë gabim, sepse, në çfarëdo kushtesh të angazhimit të punëtorëve nga këto vende, punëtorët “e importuar” do të kushtojnë më shumë.

Ndërkohë, frika e braktisjes së Kosovës, respektivisht rrezikimit për të pasur mungesë të punëtorëve në kompanitë e shumta private kosovare, është reale. Ky rrezik dhe alarmi për të është shpërfaqur që në ditët e para pas përfshirjes edhe të Kosovës me pandeminë COVID 19 dhe pasojave të saj, kur Europa mbarë, e sidomos shtetet e forta ekonomikisht dhe financiarisht shpërfaqën shqetësimin e tyre për mungesën evidente të punëtorëve të të gjitha lëmive dhe tok me këtë i zbutën në përmasa të pabesueshme mundësitë e punësimit të të huajve, aq të papranueshëm deri në këtë kohë.

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, tha së fundi për medien e vendit, se kompanitë private në vend kanë mungesë të theksuar të punëtorëve të kualifikuar. Ai përmendi edhe shifra konkrete të ‘ikanakëve”, duke shtuar se “ikja e të rinjve mbetet shqetësim për ta ngase që nga viti 2021 mbi 100 mijë persona e kanë lëshuar Kosovën”.

Ndërsa, sipas njohësve të rrethanave, në vitin 2022 edhe përkundër shumë procedurave për t’u pajisur me viza pune, vendin e kanë lëshuar rreth 60 mijë qytetarë të Kosovës, kryesisht të rinj dhe të reja.

Sipas Azemit, ndonëse pronarët nuk duan të deklarohen për këtë çështje, mungesa ka në çdo sektorë, por ka edhe raste kur punëtorët e munguar të kualifikuar zëvendësohen me sish pa kualifikime përkatëse. Ai ka njoftuar se ka nisur të ndodhë një rritje e vogël e pagave te disa punëdhënës, por shqetësuese, sipas përfaqësuesit të Sindikatës së Punëtorëve Privat, mbeten pagat e punëtorëve teknik, të angazhuar për të kryer shërbime si kontraktues nga institucionet qendrore dhe të cilët edhe më tutje vazhdojnë të paguhen deri në 180 euro.

Në këto raste, pra, nga janari 2023 nuk ka më pse të shprehet ndonjë shqetësim ose brengë. Pronarët e kompanive, qofshin ato edhe pastruese, që paguajnë punëtorët 180 euro për një muaj, me doemos që do të mbesin pa punëtorë.

Liberalizimi i vizave do të tronditë në përmasa të mëdha tregun e punës, ndërsa nëse punëdhënësit e Kosovës nuk janë koshientë për këtë, pasojat do t’i bartin pikë së pari vetë ata, e pastaj në mënyrë zingjirore, shoqëria dhe shteti. Pastaj, ata duhet ta kenë të ditur se si do të gjenden dhe çfarë do të bëjnë më tutje. Por, duhet ta kenë shumë të qartë se kur të nisin të udhëtojnë pa viza qytetarët e këtij vendi, tregu i këtushëm i punës do të çrregullohet ndjeshëm. Ndërsa, ndjeshmëria, respektivisht shkalla e këtij çrregullimi do të varet shumë edhe nga secili punëdhënës kosovar. Punëtorët e Kosovës do të hamendësohen për ta braktisur vendin e tyre të punës këtu, vetëm atëherë kur kthehet vëmendja e punëdhënësit te ta, kur ata do të trajtohen siç e meritojnë dhe sa realisht e kanë vlerën. Ndryshe, me liberalizimin e vizave dhe me liberalizimin e skajshëm të mundësive të punësimit në Gjermani, në Itali, shtet ky i cili po alarmon se urgjentisht i nevojiten 1 milionë punëtorë, është e pamundur të ndalet hovi i braktisjes së vendeve të punës në Kosovë.

Është llogari e thjeshtë: Pse të qëndrojë këtu një punëtor me 170 euro në muaj, kur dihet se shumica e çmimeve të të gjitha produkteve të nevojshme për një familje, e sidomos të produkteve elementare ushqimore, kanë kosto, pak a shumë të përafërt me çmimet ne shumicën e shteteve të Europës, ose goxha më të larta se atje? Prandaj, goxha shumë mbetet edhe në dorën e punëdhënësve tonë, zbutja e problemit të shkaktuar nga ikja e punëtorëve në vendet ku ofrohen kondita më të favorshme për ta. Nëse, pa humbur kohë, nis trajtimi i tyre më denjësisht, që nënkupton kushte më të mira dhe paga më të pranueshme, gjithsesi, do të ketë më pak “ikanakë”. Ose, në njëfarë mënyre, do të ndikohet që mos të përmbushen parashikimet ogurzeza se nëse sektori privat vazhdon të trajtojë punëtorët me kushtet aktuale që janë përtej minimaliste, që në vitin e parë pas liberalizimit, “tregu i punës” në Republikën tonë do të varfërohet deri në 150.000 punëtorë. Këto janë faktet e rrjedhojave dhe zhvillimeve të pritshme pas udhëtimeve pa viza të kosovarëve, që edhe pse zyrtarisht thuhet se këto udhëtime duhet të shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme, dhe në asnjë rast nuk nënkuptojnë leje pune ose përfitime të tjera, kosovarët dihet, do t’i shfrytëzojnë më së shumti për të punuar, qoftë edhe përkohësisht, qoftë edhe 90 ditë sa mundëso qëndrim regjimi pa viza i udhëtimeve.

Ndërsa, deklarat e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimit, të bëra menjëherë pas nënshkrimit të vendimit për liberalizimin e vizave, se “liberalizimi i vizave do të mundësojë kontakte midis njerëzve, do të forcojë lidhjet tona me BE-në, do të konfirmojë përkushtimin e BE-së për rajonin dhe do të rrisë aktivitetet biznesore, arsimore dhe kulturore për qytetarët tanë”, janë më shumë llafe kurtoazie të shprehura në raste solemne, si të ishte ai i nënshkrimit të lirisë së lëvizjes pa viza.

Natyrisht se liberalizimi i vizave pritet të ketë edhe ndikim pozitiv në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik dhe social të Kosovës. Paratë e fituara në vendet e punës, gjithandej në shtetet ku do të ngarendin kosovarët pas 1 janarit të 2024-tës, fillimisht ata do t’i sjellin në vendlindje, te familjet e tyre. Ky është fitimi i parë, qoftë edhe fare simbolik, në zhvillimin e mundshëm ekonomik nga regjimi i lirisë së udhëtimit. Liberalizimi i vizave për Kosovën do të ofrojë mundësi të tjera të mira, sidomos për bizneset.

“Në aspektin ekonomik, komuniteti i biznesit do të ketë mundësi për kontakte dhe partneritet të ri me kompani europiane, por në të njëjtën kohë, edhe për ofrim të shërbimeve, sepse shumë kompani prodhuese në Kosovë nuk kanë pasur mundësi lëvizjeje deri tani, çfarë edhe ka bërë që të presin për shërbime, apo gjëra të tjera, thonë njohësit e rrethanave. Përfaqësues të asociacioneve ekonomike të vendit, madje parashikojnë se liberalizimi do t’i kursejë Kosovës rreth 20 milionë euro në vit. E gjithë kjo, për shkakun se, sipas tyre, “qytetarët paguanin kosto shumë të lartë financiare kohore për të marrë një vizë biznesi, për bashkim familjar, vizë turistike apo pune, ndërsa termini për viza kishte kosto të lartë”.

Megjithatë, liberalizimi i vizave do të ketë edhe kosto, domosdo, për Kosovën e brishtë, e cila megjithë varfërinë evidente dhe më të madhen në Europë, ka shpenzuar jo pak për të pasur këta punëtorë, për të shkolluar ata dhe për t’i aftësuar për tregun e punës. Por, tani më nuk ka dilema, as hamendësime të mëtutjeshme, tani e tutje edhe në Kosovë punëtorët nuk mund të paguhen “me një copë bukë” si në të kaluarën, siç thotë përfaqësuesi sindikalist. Tani e tutje, edhe punëtori nga Kosova ka alternativa zgjedhjeje. Ndërsa punëdhënësi duket se ka të vetmen alternativë: të trajtojë punëtorët siç duhet dhe siç e meritojnë, ose të mbesin pa ta./buletiniekonomik/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit