6.9 C
Pristina
Monday, December 5, 2022

Në mes fesë dhe kombit – Nga Justinian Topulli

Më të lexuarat

Materiali i mëposhtëm është një sprovë rreth qasjes sonë si muslimanë shqiptarë, ndaj fesë dhe kombit.

Feja dhe kombi është një temë që mbetet gjithmonë aktuale, edhe për faktin se ka gjithmonë paqartësi e keqkuptime, si nga ata që janë fetarë, ashtu edhe nga të tjerët, ndaj nuk e shohim të tepërt ta sqarojmë në mënyrë të zgjeruar.

Pyetjet më të shpeshta që shtrohen para nesh, janë se çfarë qëndrimi kemi ne si besimtarë karshi kombit dhe atdheut? A i japim përparësi besimit apo kombit?

Për të pasur një panoramë më të qartë dhe të kuptueshme të kësaj çështjeje delikate, do të kërkoja durim nga lexuesit, deri në fund të shkrimit. Sigurisht, kjo trajtesë ndoshta nuk është shteruese në çdo aspekt dhe normalisht që do të ketë edhe keqkuptime dhe refuzime, por pavarësisht tyre, e ndjej të domosdoshme të shprehem për të, në mënyrë të detajuar.

Çfarë është feja?

Mund të jepen një numër i shumtë përkufizimesh për fenë, nisur nga këndvështrimi që e sheh atë, por ajo që na intereson këtu, është se feja është e vërteta e Krijuesit, e ardhur tek njerëzit përmes fjalës, mësimeve, parimeve morale dhe normave që Ai i kumtoi me anë të profetëve të Tij. Feja është e vërteta sublime që orienton se si duhet të rregullohen marrëdhëniet njerëzore me Krijuesin, me veten dhe me botën që na rrethon. Sigurisht, me këtë të vërtetë kuptojmë fenë e ardhur nga Zoti ndër shekuj e të përfunduar dhe përmbyllur nga Islami dhe Profeti i tij.

Feja në përgjithësi, cilado qoftë ajo, i përgjigjet pyetjeve ekzistenciale që ka çdo njeri në jetë, kush jam, nga vij, pse jetoj, ku do të shkoj, çfarë ka përtej kësaj bote…etj., pyetje, të cilat janë të njëjta për të gjithë njerëzit, pavarësisht kombit apo origjinës që i përkasin. Drama e ekzistencës njerëzore është e njëjtë për të gjithë, ajo është individuale dhe vjen logjikisht para çdo përkatësie, cilado qoftë ajo, etnike, kombëtare, sociale, etj. Kështu që sipas këtij rendi logjik, përkatësia kombëtare, etnike dhe të tjerat dalin në plan të dytë.

Përparësia e fesë

Ne të gjithë, para së gjithash jemi krijesa të Zotit, dhe jetën tonë të përditshme e ndërtojmë mbi bazën e disa parimeve morale universale, pavarësisht fesë, besimit apo mosbesimit. Ndërgjegjja jonë e brendshme e miraton drejtësinë dhe e dënon padrejtësinë, edhe nëse për këtë drejtësi ka nevojë një i huaj, apo edhe nëse një padrejtësi e ka kryer një i afërm. Kjo, sepse jeta njerëzore ka nevojë për disa parime morale universale, dhe këto parime burojnë nga natyra jonë e brendshme e lindur (fitrah), por sidomos nga feja, e cila për mijëra vjet ka rrënjosur në kulturën dhe traditat njerëzore dashurinë për të mirën, bamirësinë, dhembshurinë, drejtësinë etj., pavarësisht racës apo etnisë që i përkasim.

Përveç kësaj, feja është gjeneza e mbrujtjes së kulturës dhe qytetërimit të popujve të botës. Kështu që nisur nga kjo, njerëzit i janë referuar ndër shekuj së pari fesë, si një referencë sublime dhe më parësore sesa kombi apo shteti, sepse bashkësia njerëzore, qoftë fis, etni, komb apo shtet, duhet domosdoshmërisht të ngrihet mbi disa parime morale, pavarësisht gjuhës, përkatësisë gjeografike apo fisnore. Dhe garanti më i mirë i ruajtjes, kultivimit dhe trashëgimisë së këtyre parimeve është feja. Ajo e ka përmbushur këtë mision për mijëra vjet. Për më tepër, fetë me origjinë semite, që janë edhe fetë më të mëdha botërore, por jo vetëm ato, pohojnë se njerëzit rrjedhin nga një paraardhës i përbashkët, kështu që edhe nga kjo qasje, feja del në plan të parë, sepse nëse njerëzit kanë të gjithë një prejardhje të përbashkët, atëherë ato që kanë më shumë rëndësi për ta, janë pikërisht parimet dhe normat morale dhe jo prejardhja që është e njëjtë. Zoti thotë në Kuran: “O njerëz! Ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, që të njiheni mes jush. Nuk ka dyshim se më i miri tek Allahu, është më i devotshmi në mes jush.” (el-Huxhurat: 13)

Në këtë rrjedhë të natyrshme dhe logjike të gjërave, edhe një nga etërit themelues të kombit shqiptar, ideologu më i madh ndoshta i nacionalizmit shqiptar, Sami Bej Frashëri, në manifestin e tij nacionalist “Shqipëria çka qenë, ç’është dhe çdo të bëhet” shprehej duke thënë në rreshtat e fundit të tij:
“Të mos rrimë më të mpitë e të ngrirë, të lëvizim duar e këmbë, të tundemi e të lëkundemi, të ecim dëlirë në udhën e Perëndisë, në udhën e së drejtës:
PERËNDIJA, E DREJTA, KOMBI, GJUHA!
SHQIPËRIA, SHQIPTARIA!
Ja qëllimi ynë! Ja puna jonë e shenjtëruar! Ja besa jonë! Gjithë ata që kanë këtë qëllim janë vëllezërit tanë!” (f. 96)

Kjo tregon se nacionalizmi shqiptar, besimin në Zot e kishte pjesë jetësore të tij, fakt ky, që është injoruar qëllimisht nga historiografia zyrtare, sidomos ajo komuniste, me të cilën janë formuar edhe brezat e sotëm. Edhe pse në vetvete nacionalizmi është një lloj feje civile, i ngjizur në epokën e modernitetit, e këtu nuk bën përjashtim as ai shqiptar, përsëri Samiu këtu, para kombit dhe Shqipërisë vendos Zotin dhe drejtësinë, dhe nuk i sheh si të ndarë prej tij. Madje fakti që i vendos të parët, tregon pikërisht atë, se një komb e një shtet nuk mund të ngrihet pa pasur në themel të tij së pari besimin në Zot dhe parimet morale, siç është drejtësia. Pra në thelb, besimi në Zot dhe parimi moral i paraprijnë kombit dhe përkatësisë etnike, qoftë kjo shqiptare apo diçka tjetër, sepse ne, së pari jemi qenie humane që kemi nevojë t’i japim kuptim jetës dhe të jetojmë si njerëz e të jemi të drejtë, para se të jemi shqiptarë dhe të kemi gjuhën, traditat dhe zakonet tona.

Kështu që slogani “Feja e shqiptarit është Shqiptaria”, përveçse është formuluar në një kontekst të caktuar historik, që synon të nxisë bashkimin e shqiptarëve, nuk ka aspak si qëllim të përcaktojë themelet e ndonjë feje me emrin “shqiptari”, por të mbrojë identitetin kombëtar shqiptar dhe tërësinë territoriale të shqiptarëve nga zhbërja që i rrezikohet nga shovinizmat fqinjë.
Nga kjo që thamë deri më tani, kuptohet qartë edhe përgjigjja ndaj pyetjes se çfarë raporti ka një besimtar me kombin e tij. Feja përmbush nevojën e tij të domosdoshme shpirtërore për kuptim dhe parime morale, ndaj dhe vjen e para, ndërsa kombi përmbush nevojën e tij sociale për bashkësinë shoqërore, pa të cilën njeriu nuk mund të jetojë. Dhe sigurisht një logjikë e tillë vlen për çdo njeri, pavarësisht besimit që ka ai. Parimet morale të njeriut dhe kuptimi i tij mbi jetën qëndrojnë para përkatësisë së tij kombëtare dhe origjinës së tij etnike, sepse shpirti qëndron para trupit.

Nacionalizmi i ngritur në fe

Sigurisht që në botë ekzistojnë fe të ndryshme dhe ato janë burimi bazë për parimet dhe kuptimësinë e jetës, ndërkohë për ne si muslimanë, Islami është e vërteta hyjnore e ardhur nga Krijuesi dhe si i tillë, në logjikën e gjithë kësaj që përmendëm deri këtu, është identiteti dhe përkatësia jonë parake morale, para se të jemi shqiptarë, apo t’i përkasim gjenetikisht këtij kombi. Edhe pse ekzistenca jonë gjenetike si shqiptarë, i paraprin në planin fizik të qenit muslimanë, në planin njerëzor ajo qëndron më pas, sepse ne së pari jemi njerëz dhe krijesa të Zotit. Të qenit shqiptar është një përparësi fizike, por parimisht dhe moralisht kjo përkatësi vjen në rend e dyta, sepse shpirti është para trupit. Dhe sigurisht që nuk ka kundërthënie mes të qenit besimtar musliman dhe të qenit shqiptar, dhe as konflikt. Konflikti lind pikërisht atëherë kur kombësia zë vendin e fesë, pra rrjedhimisht, vendin e kuptimësisë së jetës dhe parimeve morale. Në këtë rast, në mënyrë absurde nën ndikimin e një ideologjie, apo gati feje, siç është nacionalizmi, kombi mbivendoset arbitrarisht mbi burimin e kuptimësisë së jetës dhe parimeve morale që merren nga feja. E nëse i shkohet deri në fund rrjedhës së kësaj mbivendosjeje dhe kombi bëhet parimi më i lartë i njeriut, atëherë kjo nuk prodhon gjë tjetër vetëm se racizëm, ksenofobi, shovinizëm dhe padrejtësi, siç ka ndodhur me të gjithë ata kombe e popuj që e kanë bërë këtë gjë.

Që përkatësia kombëtare të kthehet në një besim fetar, i nevojiten elementë të shenjtërisë fetare. Mirëpo, besimet dhe fetë e mëdha të botës janë universale dhe e vendosin theksin tek parimet morale dhe barazia e qenieve njerëzore, kështu që nacionalizmit i duhet të drejtohet kah fetë pagane lokale, për të shenjtëruar racën dhe origjinën e kombit dhe të lërë mënjanë parimet universale morale, që mësojnë besimet e mëdha fetare. Kështu që në thelb, nacionalizmi i parë si besim fetar është një regres mendor dhe një rikthim në politeizëm, i cili adhuron dhe shenjtëron hyjnitë lokale dhe përçmon parimet universale morale, si barazia, bamirësia, mëshira dhe drejtësia për mbarë njerëzit.

Kombi dhe etnia në thelb nuk janë gjë tjetër, vetëm se përkatësi lokale ndaj vendit ku kemi lindur, tokës ku kemi ecur, gjuhës që kemi folur, gjakut që i përkasim dhe zakoneve që na janë ushqyer, ndërsa feja është përkatësi universale e shpirtit. Kështu që në thelb nuk ka konflikt mes tyre, por është keqvendosja e tyre njerëzore, ajo që e shkakton konfliktin.

Çfarë është kombi?

Një nga përkufizimet e shpeshta që jepet për kombin, është se ai është një bashkësi e madhe njerëzish, që i bashkon prejardhja, historia, kultura ose gjuha e përbashkët, që banojnë në një vend apo territor të veçantë. Vetë fjala që përdoret në gjuhët evropiane për kombin rrjedh nga latinishtja, nga fjala “natio” që do të thotë diçka e lindur, dhe vjen edhe në kuptimin e origjinës, fisit, racës, llojit…etj. Pra, fara fillestare nga lind ekzistenca e një kombi është afërsia e gjakut mes njerëzve, e cila më pas zgjerohet në elementë të tjerë socialë, historikë, kulturorë dhe gjeografikë. Nisur nga ky realitet, kombi është fisi, krushqia, fqinjësia, miqësia, shoqëria, populli, mes së cilit jemi lindur, rritur dhe me të cilët jetojmë dhe ndajmë shumë gjëra të përbashkëta. Kombi është pra, bashkësia njerëzore apo populli, me të cilin identifikohemi dhe tek i cili mbështetemi në jetën tonë të përditshme.

Fjala “komb” në shqip është adoptuar nga rilindësit gjatë periudhës osmane dhe ka origjinë arabe, ajo rrjedh nga fjala “kaum/”قوم, që në arabisht përdoret për një bashkësi njerëzish që i bashkon diçka, si dhe për të afërmit e një njeriu që takohen tek një gjysh apo prejardhje e përbashkët. Kjo fjalë përdoret me dhjetëra herë në Kuran, po me të njëjtat kuptime. Pikërisht nga kjo fjalë është përshtatur edhe termi nacionalizëm në gjuhën arabe “kaumije/”قومية. Në përkthimet në shqip të Kuranit, kjo fjalë është përshtatur me fjalët popull dhe njerëz.

Allahu shpesh në Kuran u referohet popujve të ndryshëm me emrat e profetëve, si p.sh. populli i Nuhut, i Ibrahimit, i Lutit, i Musait etj. Po ashtu, Allahu i drejtohet Profetit Muhamed (alejhi salatu ue selam) duke i etiketuar kurejshët si “populli yt”, po ashtu, edhe vetë Profeti i referohet atyre, duke i quajtur “populli im”. Sigurisht që kjo tregon lidhjen sociale dhe përkatësinë shoqërore që këta profetë kishin, pavarësisht ndarjes së tyre për shkak të besimit.

Përkatësia fetare dhe ajo kombëtare

Pra, çdo njeri, ndër të tjera, ka edhe dy përkatësi, njëra është ajo etnike apo kombëtare që lidhet me origjinën dhe prejardhjen e tij, ose me realitetin social kulturor në të cilin ai jeton dhe tjetra përkatësia fetare, apo e bindjes së cilës ai i përket.
Marrëdhënia ndërmjet këtyre dy përkatësive është edhe ajo që na intereson këtu, se si shihet ajo nga Islami, sidomos në rastet kur përkatësia fetare, në këtë rast islame, bie ndesh me përkatësinë fetare apo ideologjike të popullit apo kombit që i përkasim. Siç e thamë edhe më sipër, nuk ekziston në thelb konflikt mes këtyre dy përkatësive apo identiteteve, vetëm se në rastet kur identiteti kombëtar nën ndikimin e një ideologjie të caktuar, siç është nacionalizmi, kthehet në identitet fetar, duke u përplasur kështu me identitetin fetar që bazohet mbi parime universale morale dhe jo të ngushta nacionaliste. Kështu që në thelb, nuk ekziston një përballje dhe konflikt përkatësish apo identitetesh për hapësira të ndryshme në themel, por krijohet përballje dhe konflikt mes dy përkatësive apo identiteteve, kur ato zënë të njëjtin territor pikëpamjesh dhe në thelb janë të njëjta. Pra, kemi përballje mes një identiteti fetar ose ideologjik me një identitet tjetër fetar ose ideologjik, por jo mes një identiteti fetar dhe atij kombëtar.

Kështu që ajo që shohim shpesh mes shqiptarëve në konflikt, se kush është më patriot e kush jo, në fakt është një përballje mes identiteteve ideologjike laike si Nacionalizmi e Marksizmi dhe identiteteve fetare si Islami dhe Krishterimi, apo edhe mes vetë ideologjive dhe feve, dhe jo mes një të ashtuquajturi shqiptar të vërtetë dhe një pseudo-shqiptari. Pra në thelb, të jesh nacionalist, komunist apo marksist, i djathtë apo i majtë, nuk të bën aspak më shqiptar dhe patriot, sesa të jesh musliman apo i krishterë, ndërkohë që patriot më i mirë është pikërisht ai që ndjek atë bindje që është më e vërtetë sesa bindjet e tjera, dhe i bën edhe më mirë popullit të tij në çdo plan.

Kështu që për ne, është pikërisht feja dhe besimi ynë, Islami, ai që është i vërteti dhe më i dobishëm për popullin tonë. Por kjo nuk do të thotë se ne i përjashtojmë nga të qenit shqiptarë dhe patriotë, ata që nuk besojnë apo i përkasin feve të tjera, siç bëjnë disa prej tyre me ne. Ata janë po aq shqiptarë sa edhe ne. Por a janë njerëz të vërtetë, të drejtë e të mirë? Këtë e përcakton bindja dhe vepra e tyre, dhe jo shqiptaria e tyre dhe as pretendimet që ata trumbetojnë.

Tendenca që vihet re shpesh nga individë të caktuar, që kryesisht i përkasin besimit katolik dhe ideologjisë nacionaliste pellazgo-ilire, është përjashtimi me forcë i muslimanëve nga të qenit shqiptar, deri edhe në mohime absurde të origjinës së tyre biologjike shqiptare, nëse ata nuk pranojnë fenë apo ideologjinë e tyre!

Vëllazëria kombëtare dhe fetare

Ndërkohë, cili është qëndrimi ynë ndaj shqiptarëve apo bashkatdhetarëve tanë, që nuk i përkasin apo nuk i besojnë fesë islame?
Njeriu në jetën e tij shoqërore ka dy lloj vëllazërish apo afërsish sociale të rëndësishme, ajo e familjes, e gjakut dhe e njerëzve që e rrethojnë, dhe vëllazëria apo afërsia e besimit apo bindjeve që ai ndan me njerëzit. Sigurisht, lidhja më e fortë krijohet kur të dyja këto vëllazëri janë të shkrira në një, pra kur afërsisë së gjakut dhe të kombit i bashkëngjitet edhe ajo fetare apo ideologjike.
Natyrshëm lind pyetja, po kur vëllazëria kombëtare në shumicë, apo një pjesë e saj nuk ka të njëjtën bindje fetare si ajo e jona, a prishet kjo vëllazëri kombëtare, duke e mohuar tërësisht atë dhe duke pranuar vetëm vëllazërinë fetare?
Përgjigjja është se në pikëpamjen islame sigurisht që jo, kjo vëllazëri mbetet, por në kushte të caktuara, kur ndarja për shkak të fesë përshkallëzohet në armiqësi dhe luftë të hapur, atëherë edhe kjo vëllazëri dëmtohet, në varësi kjo të individëve, rrethanave dhe situatave.

Në këndvështrimin islam, dhe jo vetëm, lidhja vëllazërore që krijon besimi dhe bindja e përbashkët është më e fortë dhe më parësore, sesa ajo që krijon lidhja e gjakut apo e kombit. Pra, një besimtar që ndoshta nuk është i afërm i yt i gjakut, është fetarisht më afër me ty, sesa një i afërm i yti, i cili mbart një besim apo fe tjetër. Dhe kjo sanksionohet qartë në Kuran, ku thuhet: “Besimtarët janë përnjëmend vëllezër.” (49:10) Gjithashtu, edhe Profeti në një thënie të tij i shëmbëllen besimtarët si një trup i vetëm, ku çdo cenim i një gjymtyre shqetëson të gjithë organizmin.

Por kjo nuk i takon vetëm Islamit si fe, kjo vihet re tek të gjitha fetë dhe ideologjitë, ku më shumë, e ku më pak. Merr si shembull komunizmin, i cili vëllazërinë marksiste-leniniste e vendoste mbi atë kombëtare. P.sh. qëndrimi i pushtetit komunist ndaj çështjes së Kosovës, fill pas luftës, buronte pikërisht nga ideologjia e tij, e cila e kishte vëllazëruar me jugosllavët deri në atë masë, sa të mos bënin asnjë tentativë për bashkim mes shqiptarëve, madje për një periudhë kohe të mendohej dhe planifikohej edhe bashkimi me Jugosllavinë, si republikë e shtatë e saj, në kuadër të vëllazërisë komuniste.

Madje marksistët arrijnë deri atje, sa vëllazërinë klasore, sipas ndarjes që ata i bëjnë shoqërisë, e shohin më të fortë dhe më të rëndësishme sesa ajo kombëtare, ndaj dhe është e famshme parulla e tyre “Proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni!”.

Në realitetin shqiptar, vëllazëria ideologjike komuniste arriti deri atje sa u njësua me kombin dhe quante tradhtar dhe armik çdo njeri, i cili nuk pajtonte me këtë ideologji. Ekstremiteti arriti deri aty, sa edhe figura të njohura kombëtare, të cilat kishin vdekur para vendosjes së komunizmit, u cilësuan si armiq të kombit dhe u mohua kontributi i tyre kombëtar, me të njëjtën logjikë ideologjike që identifikonte kombin me komunizmin. Kontributi komunist u cilësua si i vetmi kontribut kombëtar shqiptar i sinqertë dhe i vërtetë, ndërsa të gjithë të tjerët të mangët, në mos negativë! Mbi këto premisa ideologjike, komunizmi instaloi edhe inkuizicionin e tij, deri në ato përmasa sa besnikëria ndaj partisë-shtet dhe vijës politike të saj konsiderohej besnikëri ndaj atdheut. Kështu që çdo njeri, qoftë ky edhe i afërm, siç mund të ishte bashkëshorti, babai, apo fëmija, duhet të denoncoheshin si armiq, nëse ata shprehnin pakënaqësi ndaj regjimit komunist. Pra, marrëdhënia mes njerëzve duhet të ngrihej kryekëput mbi bazat ideologjike marksiste dhe kishte përparësi deri në ekstrem edhe ndaj marrëdhënieve familjare më të ngushta.

Sigurisht që kjo mendësi në thelb nuk ishte diçka e re. Ajo masakër që ndodhi ndaj muslimanëve ballkanas pas largimit të osmanëve, ishte në të njëjtën linjë mendimi dhe veprimi. Shqiptarët çamë muslimanë nuk u masakruan vetëm nga grekët ortodoksë, por kjo u bë në bashkëpunim me çamët ortodoksë, të cilët e identifikuan veten si grekë, edhe pse kishin etni shqiptare, dhe kjo për shkak të fesë që i bashkonte me grekët. Arvanitasit ortodoksë u asimiluan si grekë në shtetin e ri që njësonte fenë me kombin. E njëjta gjë ndodhi edhe me ortodoksët shqiptarë në trojet që u morën nga vendet sllave përreth.

Kohë më parë, në shekullin e XVI-të, katolikët francezë masakruan me mijëra protestantë francezë, në atë që njihet si nata e Shën Bartolomeut. Edhe në këtë rast, identiteti fetar pati përparësi ndaj atij etnik francez. Histori të ngjashme gjen mjaft nëpër botë dhe në Evropë, ku inkuizicioni katolik bie fjala, nuk kursente besimtarët e feve apo sekteve të tjera, edhe pse ata mund t’i përkisnin të njëjtës etni apo kombësi. Luftërat civile kudo në botë kanë ndodhur për shkaqe politike, ideologjike dhe fetare, pa marrë parasysh faktin se zhvilloheshin mes njerëzve të të njëjtit komb, që flisnin të njëjtën gjuhë, kishin të njëjtat tradita dhe ndanin të njëjtin territor. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me luftën nacional-çlirimtare në Shqipëri, ku lufta ndaj pushtuesit të huaj, në momente të caktuara u kthye edhe në luftë vëllavrasëse mes shqiptarëve, për arsye ideologjike dhe politike. Në ditët e sotme shohim sesi Ukraina nuk pranon të jetë nën sferën e influencës ruse, edhe pse me ta i bashkon një komb e një fe, por pikërisht për arsye ideologjike, politike e ekonomike duan të jenë pjesë e Perëndimit. Në mënyrë të ngjashme kemi rastin e Tajvanit, vend ky që i është shkëputur Kinës dhe banorët e tij i përkasin popullit kinez, nuk pranojnë të ribëhen pjesë e saj pikërisht për arsye ekonomike, politike dhe ideologjike. I ngjashëm është rasti edhe me Korenë e Veriut dhe atë të Jugut. Të gjithë këta shembuj dhe mjaft të tjerë tregojnë se identiteti etnik dhe kombëtar është shkelur me këmbë, para identitetit fetar, ideologjik, politik apo interesit ekonomike. Jam i bindur se nëse ne shqiptarët po të gjendeshim sot në rrethana të ngjashme me këto vende, do ta anashkalonim identitetin tonë kombëtar, para atij politik, ideologjik dhe interesit ekonomik, duke i dhënë përparësi këtyre të fundit.

Pse u mohohet shqiptaria muslimanëve?

Sot mes shqiptarëve, në thelb ndodh shpesh po e njëjta gjë. Kundërshtari politik dhe ideologjik shihet si armik, dhe më i afërm shihet një i huaj, me të cilin ndan të njëjtën bindje, sesa shqiptari me bindje tjetër. Kjo shtrihet edhe te besimi fetar. P.sh. muslimanët shqiptarë dhe feja e tyre shihen nga një pjesë e laikëve, të majtë dhe të djathtë, si pengesë dhe armiqësore me Perëndimin dhe integrimin evropian. Simpatia ndaj Evropës dhe adhurimi i Perëndimit është kthyer në fe për disa njerëz, kështu që muslimanët që simpatizojnë Turqinë, pikërisht nisur nga feja islame që i bashkon, shihen si armiq të Shqipërisë dhe shqiptarisë, jo thjesht pse duan Turqinë, por sepse Turqinë nuk e do Evropa dhe Perëndimi dhe duke qenë se këta shqiptarë e duan kaq shumë Perëndimin dhe Evropën, saqë kjo është kthyer në një përkatësi identitare, që shpesh e tejkalon edhe të qenit shqiptar, duke u njësuar dhe shkrirë me të, atëherë edhe turqit, arabët dhe çdo popull tjetër musliman, mes tyre edhe shqiptarë, shihen si armiq të atdheut. Pra, ata muslimanë shqiptarë që mund të duan më shumë Turqinë sesa Evropën, shihen si armiq të kombit!

E nëse nesër do të bënte vaki që të përmbyseshin ekuilibrat politikë globalë, pa diskutim që edhe shqiptarizmi e ideali i tij do të ndryshonte dhe do të kërkonte heronj të rinj nga gjiri i tij, për të përligjur këtë preferencë të re, fakt ky që është përsëritur në histori për ne shqiptarët.

Kështu pra, në thelb e gjitha kjo dashuri apo urrejtje jo rrallëherë mes shqiptarëve, nuk ka lidhje fare me kombësinë e tyre, por me preferencat e tyre ideologjike dhe fetare, të cilat mund të jenë të majta ose të djathta, lindore ose perëndimore. Kështu që të gjitha pretendimet absurde për një identitet shqiptar të përjetshëm pro perëndimor apo edhe pro lindor, janë thjesht konstrukte ideologjike mitike dhe të pavërteta.

Vëllazëria kombëtare

Nën ndikimin e kësaj fryme, shpesh ekstreme, në refuzimin e vëllait tënd të gjakut dhe të kombit, nuk kanë shpëtuar as një pjesë e muslimanëve shqiptarë, të cilët jo rrallëherë bien pre e një lloj mohimi absurd që disa i bëjnë kombit, më së shumti në nivel deklarativ, duke dëmtuar kështu edhe vetë kauzën islame mes shqiptarëve. Fakti që një pjesë e madhe e shqiptarëve nuk janë muslimanë dhe as nuk besojnë në atë që ne besojmë, nuk e zhbën tërësisht lidhjen tonë mes tyre dhe nuk e zhbën të qenit vëllezër në gjak e në komb. Allahu i ka quajtur profetët vëllezër të popujve të tyre, vëllazëri gjaku dhe afërsie fisnore dhe kombëtare, jo vëllazëri besimi. Ai thotë në Kuran:
“Edhe populli i Nuhut i përgënjeshtroi të dërguarit. Vëllai i tyre, Nuhu, u tha: “A nuk e keni frikë (Allahun)?”” (26: 105-106)
“Edhe tek Adi dërguam vëllain e tyre, Hudin. Ai tha: “O populli im! Adhurojeni Allahun! Ju nuk keni hyj tjetër veç Tij.” (7:65)
“Te populli i Themudit dërguam vëllain e tyre, Salihun. Ai u tha: “O populli im! Adhuroni Allahun! Ju nuk keni hyj tjetër veç Tij.” (7:73)
“Edhe në Medjen dërguam vëllain e tyre, Shuajbin. Ai u tha: “O populli im! Adhuroni Allahun! Ju nuk keni hyj tjetër veç Tij.” (7: 85)
“Populli i Lutit nuk i besoi të dërguarit. Kur vëllai i tyre, Luti, u tha: “A nuk e keni frikë (Allahun)?” (26: 160-161)
“Para tyre, mohuan populli i Nuhut, banorët e Ressit, populli i Themudit, Adi, Faraoni, vëllezërit e Lutit,” (50: 12-13)
Me të drejtë, ndoshta dikush mund të thotë se këtu bëhet fjalë vetëm për vëllazëri fisnore, dhe vëllazëria këtu është shumë e ngushtë dhe lidhet pikërisht me afërsinë e gjakut që këta profetë kishin me këto popuj apo fise, tek të cilët ata u dërguan. Kjo është pjesërisht e vërtetë, sepse p.sh. Allahu përdor fjalën vëllezër të Lutit, ndërkohë që Luti nuk kishte lidhje fisnore me ta. Luti (alejhi selam), siç dihet, emigroi bashkë me xhaxhain e tij Ibrahimin (alejhi selam) nga Babilonia për në Palestinë dhe populli, për të cilin flet Zoti në Kuran, si populli apo vëllezërit e Lutit, i përkisnin fiseve kenanite dhe jo fisit të tij. Por siç komentojnë dijetarët, Luti banoi dhe jetoi në vendin e këtyre njerëzve dhe mes tyre, duke pasur lidhje aleance dhe krushqie me ta, dhe pikërisht për këtë, ai u konsiderua si vëllai i tyre. Pra, në këtë rast kemi të bëjmë me vëllazëri të një natyre sociale dhe jo fisnore apo fetare.

Sigurisht që ky pohim i përsëritur i Zotit në Kuran nuk është i rastësishëm, ai kërkon që në thelb të na tregojë marrëdhënien e ngushtë sociale, dashamirëse dhe të dhembshurisë që këta profetë kishin me popujt e tyre. Edhe pse këta popuj ishin idhujtarë dhe larg të së vërtetës, këtyre profetëve u dhimbseshin këta njerëz, mes të cilëve ata jetonin dhe me të cilët kishin lidhje gjaku, krushqie, fqinjësie, shoqërie, tregtie etj.

E njëjta gjë ishte edhe me Profetin Muhamed (alejhi salatu ue selam), atij i dhimbsej populli i tij, edhe pas gjithë atyre të këqijave, mundimeve dhe shqetësimeve që ata i sollën. Edhe pse tentuan ta vrisnin, edhe pse e grabitën, edhe pse e detyruan të emigrojë, edhe pse e detyruan të luftojë me armë kundër tyre, në fund kur ai ngadhënjeu mbi ta, dhe ata vazhdonin të ishin idhujtarë, ai u drejtua duke iu thënë: “O kurejshë, çfarë mendoni se unë do të bëj me ju?”, dhe ata iu përgjigjën duke i kujtuar vëllazërinë fisnore: “Mirësi! Vëlla bujar, biri i një vëllai bujar.” Dhe ai u përgjigj duke thënë: “Unë do t’iu them ju, ashtu si Jusufi iu tha vëllezërve të tij: “Sot nuk ka qortim për ju. Shkoni se jeni të lirë.”
Nëse do të përpiqeshim të mblidhnim të gjitha momentet që tregohen në histori, kur Profeti u tregua i mëshirshëm dhe i dhimbsur -në përgjithësi- me popullin e tij jobesimtar, që kur ishte në Mekë dhe Medinë, madje edhe kur ishte në luftë me ta, do të mund të shkruheshin faqe të tëra, të cilat për një besimtar që e njeh sadopak jetën e Profetit, janë më se të qarta dhe të njohura.

Qëllimi këtu është të tregojmë se nuk është islame të tregohemi indiferentë, përbuzës, të pamëshirshëm ndaj popullit tonë, ndaj vëllezërve të një gjaku dhe një kombi, edhe pse ata nuk janë besimtarë, por pikërisht mëshira dhe dhembshuria që burojnë nga afërsia fisnore apo kombëtare, duhet të përdoret dhe të shfrytëzohet nga ne, si motiv për t’i ftuar dhe udhëzuar popullin tonë në rrugën e drejtë të Zotit. A është e mundur të mos na dhimbsen prindërit, vëllezërit dhe kushërinjtë tanë, kur ata i prek ndonjë fatkeqësi? A ka fatkeqësi më të madhe, sesa humbja në këtë jetë dhe në jetën tjetër? A ka moskokëçarje dhe indiferencë më të madhe, sesa t’ia lejojmë vetes të ndjehemi të qetë, ndërkohë që populli ynë mund të përfundojë në zjarrin e Xhehenemit dhe ne të shpëtojmë? Kjo është egoizëm, është mungesë mëshire dhe dhembshurie ndaj atyre njerëzve, mes të cilëve ne jetojmë, dhe të cilët Zoti i ka bërë shkak direkt dhe indirekt të jenë pjesë e rëndësishme kontribuuese e jetës sonë. E çfarë mund të themi për shqiptarët, një popull që në shumicën e tij deklarohen, qoftë edhe formalisht si muslimanë, qoftë edhe formalisht si besimtarë në Zot?

Këta janë njerëz që kanë nevojë për udhëzim dhe vetëm dhembshuria që buron nga afërsia vëllazërore e gjakut dhe e kombit duhet të na shtyjë të jemi më të mëshirshëm me ta dhe më të motivuar për t’u përpjekur për t’i udhëzuar.

Vëllazëria kombëtare dhe sociale me shqiptarët tanë, nuk do të thotë kurrsesi përligjje e gjendjes së tyre afetare, as miratim apo saktësim i besimeve të tyre të gabuara, absolutisht jo. Ata njerëz që e përdorin termin “vëllazëri” në kuptimin fetar, për të saktësuar fenë apo besimin e gabuar të atyre që nuk ndjekin fenë islame, sigurisht që e kanë gabim. Ne jemi vëllezër me ta dhe na dhimbsen, jemi vëllezër në gjak, etni dhe komb, por jo në besim dhe në fe. Por ne sigurisht që dëshirojmë që t’i kemi vëllezër edhe në fe, sepse kështu na mëson Islami, por edhe nëse nuk përmbushet një synim i tillë, ata mbeten gjithsesi vetëm vëllezërit tanë shqiptarë.

Toleranca fetare

Tolerancë fetare nuk do të thotë sinkretizëm fetar, siç e kuptojnë apo aplikojnë disa njerëz, për shkak të padijes së tyre. Ne si muslimanë e kemi të sanksionuar në Kuran, se nuk i dhunojmë të tjerët të pranojnë fenë tonë, ata mund t’i përmbahen fesë së tyre, por kjo nuk na ndalon ne t’i ftojmë të gjithë njerëzit në Islam, madje e kemi për detyrë. Ndërkohë, toleranca ndaj të tjerëve shtrihet pikërisht në marrëdhëniet ndër-personale me ta, por jo në pranimin doktrinar të besimit të tyre si besim i drejtë dhe i vërtetë, sepse kjo bie ndesh me vërtetësinë e besimit tonë. Kështu që nuk mund të ketë rite të përbashkëta fetare apo përzierje në ritet e tjetrit, sepse kjo është injorancë, në mos hipokrizi.

Sigurisht që Islami bën dallim mes jomuslimanëve agresivë, armiqësorë dhe dashakeqës ndaj nesh si muslimanë dhe fesë sonë, dhe atyre që nuk janë të tillë. Allahu thotë në Kuran:
“Allahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftojnë për shkak të fesë e që nuk ju dëbojnë prej shtëpive tuaja. Allahu i do ata që mbajnë drejtësinë. Allahu ju ndalon t’u afroheni vetëm atyre që ju luftojnë për shkak të fesë, që ju nxjerrin prej shtëpive tuaja dhe që ndihmojnë në dëbimin tuaj. Ai ju ndalon të miqësoheni me ta. Kushdo që miqësohet me ta, është mizor!” (60: 8-9)

Sigurisht që marrëdhënia e mirë me njerëz të tillë që nuk janë muslimanë, nuk është e ngjashme me miqësinë mes muslimanëve, por gjithsesi, ajo mbetet një marrëdhënie e mirë dhe e drejtë me ta. Kjo marrëdhënie, e cila krahas mbarëvajtjes së kësaj bote, synon të shërbejë edhe si urë komunikimi për të kumtuar të vërtetën islame, por kurrsesi nuk është miratim fetar për gjendjen e tyre. Për këtë arsye, nuk lejohet që mirësjellja jonë me këta njerëz, të shkojë deri aty, sa për hatër të saj, ne të sakrifikojmë parimet dhe normat tona fetare, sepse kjo do të ishte e dëmshme për besimin tonë dhe për vetë procesin e thirrjes islame.

Të gjithë e dimë se si sillej Profeti në Medinë me fqinjin e tij jude, të cilit iu gjend pranë edhe në momentet e fundit të jetës dhe krahas mirësjelljes që kishte ndaj tij, nuk humbi rastin që të përpiqej për ta udhëzuar, dhe falë kësaj mirësjelljeje profetike, ky njeri vdiq duke u bërë musliman. Dhe kjo përkujdesje dhe dhembshuri nuk ishte e re për Profetin. Ai edhe më parë kishte tentuar me xhaxhain e tij, Ebu Talibin, deri në momentin e fundit të jetës, që ai të udhëzohej. Edhe pse kjo qe e pamundur, Profeti nuk e harronte kurrë të mirën që ky xhaxha i bëri, edhe pse idhujtar, ai iu gjend pranë, duke e mbrojtur gjatë gjithë jetës së tij. Këtë lloj mirënjohjeje dhe dhembshurie Profeti e ka treguar me mjaft njerëz, edhe pse nuk ishin besimtarë, por silleshin mirë dhe nuk ishin njerëz dashakeqës me të, edhe pse ata nuk e pranonin fenë e tij dhe as atë si profet. Ndërkohë, Profeti u tregua i prerë dhe u distancua nga ata, të cilët e kishin mbushur kupën e armiqësisë dhe ishin bërë të padurueshëm me dashakeqësinë dhe armiqësinë e tyre ndaj Islamit. Kjo është ajo që kërkon Islami prej nesh.

Nëse e vëmë në peshoren logjike të gjithë këtë panoramë profetike, do të dallojmë qartësisht se kjo është edhe sjellja e natyrshme e një njeriu karshi të tjerëve, që nuk ndan të njëjtin besim me ta, në dallim me dy ekstremet aspak të natyrshme, ku njëri thotë se duhet ta duash edhe armikun tënd, dhe tjetri që thotë se, edhe babai, nëna dhe vëllai yt janë armiqtë e tu që duhen luftuar, nëse ata nuk besojnë njëlloj si ty. Islami është larg këtyre ekstremeve. Allahu na ka urdhëruar në Kuran që të mos iu bindemi prindërve jomuslimanë, nëse ata përpiqen të na shtyjnë në besimin e tyre të pavërtetë, por pavarësisht kësaj, ne duhet të ruajmë marrëdhënie të mira me ta në këtë jetë, për çështje të tjera të kësaj bote.

Ibn Kajim në librin e tij që flet për dispozitat e jomuslimanëve në një vend islam, shprehet se:
“Allahu ka caktuar të drejta ndaj të afërmve -edhe nëse ata janë jomuslimanë- sepse kufri nuk i rrëzon të drejtat e tyre në këtë botë. I Lartësuari thotë: “Adhuroni Allahun e mos adhuroni asgjë tjetër përveç Tij! Silluni mirë me prindërit, të afërmit, jetimët, të varfrit, fqinjët e afërt dhe të largët, me atë që keni pranë, me udhëtarin dhe me ata që janë nën pushtetin tuaj! Allahu nuk i do njerëzit arrogantë dhe mburravecë.” (4:36) Çdokush që përmendet në këtë ajet, e drejta e tij është obligim, edhe nëse është jomusliman…” (Ahkam Ehli Dhimeh f.418)

Kuptimi i besnikërisë (el-uela)

Sigurisht një pjesë e besimtarëve do të citojnë ajetet e Kuranit, të cilat përmendin ndalesën për të qenë miq me jomuslimanët, qofshin këta edhe ithtarë të librit. Padyshim që këto ajete janë të mirënjohura dhe nuk mund të anashkalohen, duke mos i përmendur apo keqinterpretuar. Çështja është tek kuptimi i drejtë i tyre dhe vendosja e këtyre ajeteve në vendin e duhur. Keqkuptimi që ndodh shpesh me këto ajete, lidhet kryesisht me moskuptimin si duhet të fjalës “el-uela/”الولاء, që në shqip është përshtatur si miqësi, por që është e mangët për të dhënë kuptimin e plotë që kjo fjalë ka në gjuhën arabe. El-uela nuk është miqësi e thjeshtë, në gjuhën arabe kjo fjalë ka disa kuptime, por në kontekstin për të cilin po flasim, el-uela ka tre kuptime: dashuri, afërsi dhe mbështetje. El-uela në gjuhën arabe vjen në kuptimin e një përkatësie apo identiteti klanor, ndaj të cilit njeriu shpreh dashurinë, afërsinë dhe mbështetjen e tij të sinqertë dhe të pakushtëzuar, një lloj besnikërie e devotshme apo një lloj militantizmi klanor. Dhe pikërisht me këtë kuptim kjo fjalë përdoret edhe në Kuran, si për muslimanët ashtu edhe për jomuslimanët. Kemi ajete të Kuranit, të cilat sanksionojnë qartë se el-uela është për Allahun, Profetin dhe besimtarët, dhe ajete, të cilat ndalojnë el-uelanë me jobesimtarët. Pikërisht, nisur nga ky kuptim, do të preferonim që termin el-uela në shqip ta përshtatim si besnikëri, sepse përafrohet më shumë me konceptin që ajo përçon, sesa fjala miqësi që është shumë më e përgjithshme.

Pra, në thelb nuk bëhet fjalë për një miqësi të thjeshtë, për njohje dhe mirësjellje, por për shumë më tepër sesa kaq, bëhet fjalë për një besnikëri të fortë që i lidh dhe i afron njerëzit në një dashuri dhe mbështetje të sinqertë. Për ta kuptuar më mirë këtë, po citojmë disa ajete të Kuranit, ku nga konteksti kuptohet qartë edhe qëllimi me fjalën miqësi, apo më saktë el-uela:

“O ju që keni besuar! Mos i merrni për miq (besnikë) as judenjtë e as të krishterët. Ata janë miq për njëri-tjetrin. E kush prej jush i merr për miq (besnikë) ata, ai është prej tyre…

Miqtë tuaj (të vërtetë) janë vetëm Allahu, i Dërguari i Tij dhe ata që besojnë – ata që falin namazin e japin zekatin dhe janë të përulur (në adhurim)…

O ju që keni besuar! Mos i zini për miq (besnikë) ata që tallen dhe luajnë me fenë tuaj, qofshin ata prej atyre që u është dhënë Libri para jush, apo prej jobesimtarëve! Frikësojuni Allahut, nëse jeni besimtarë!” (5: 51-57)

Këto ajete na bëjnë të qartë se miqësia (besnikëria), e cila është ndaluar nga Allahu me jomuslimanët është el-uelaja, dhe që ka lidhje pikërisht me dashurinë, afërsinë dhe mbështetjen mbi bazën e besimit, pra, atë që një pjesë e quajnë vëllazëri ndër-fetare. Kjo lloj miqësie është e ndaluar dhe sidomos në këto ajete, Allahu thekson mos afrimin, mos mbështetjen dhe mos dashurinë ndaj atyre jomuslimanëve që janë dashakeqës dhe armiqësorë ndaj muslimanëve, por nuk e ndalon shoqërinë që nënkupton njohjen, mirësjelljen, bamirësinë (teberruhum) dhe drejtësinë (tuksitu ilejhim) ndaj tyre. Nëse kuptohet qartë dallimi mes këtyre koncepteve dhe termave specifikë që përdoren në çdo rast, e gjitha kjo që kemi përmendur deri këtu bëhet më se e qartë dhe çdo ajet dhe hadith merr kuptimin dhe kontekstin e vet.

Detyrimi ndaj Atdheut

Profeti Jusuf (alejhi selam), siç na e përmend Kurani, kontribuoi për Egjiptin, edhe pse ai në origjinë nuk i përkiste atij vendi. Ai vuri në shërbim të shtetit dhe të njerëzve gjithë kapacitetin e tij për t’i bërë mirë njerëzve të atij vendi, edhe pse ata nuk i përkisnin fesë së tij dhe as fisit dhe popullit të tij. Po ne si shqiptarë që i përkasim këtij populli, si gjak dhe prejardhje dhe ku madje edhe shumica e tij identifikohet së paku me emër si muslimanë, a nuk kemi edhe ne të njëjtin obligim të ngjashëm për të kontribuar për të? Sigurisht që po. Shqiptarët janë vëllezërit tanë në komb, ata janë farefisi ynë, fqinjët tanë, kështu që ata meritojnë shërbimin dhe përpjekjet tona për t’iu bërë mirë atyre në çdo drejtim. Sigurisht që shërbimi më i madh që ne duhet t’iu bëjmë atyre, është t’i ftojmë ata për tek Zoti dhe e vërteta e Tij, për tek e mira, morali dhe e drejta, por detyrimi ynë nuk përfundon vetëm në aspektin fetar dhe moral, ai përfshin gjithashtu edhe kontributin për ekonominë, sigurinë, zhvillimin, stabilitetin, brothësinë e këtij vendi dhe bashkimin kombëtar të tij.

Ky është vendi dhe kombi ynë, Zoti e ka zgjedhur atë për ne dhe ne jemi të kënaqur me caktimin e Tij.

Muslimanët janë shumicë në këto troje dhe kanë qenë faktori kryesor në shtetformimin shqiptar, ata kanë treguar deri vonë se kanë luftuar dhe kanë dhënë jetën për këto troje dhe janë të gatshëm ta bëjnë këtë përsëri, sa herë të jetë nevoja, dhe kjo nuk i pengon ata aspak, përkundrazi, që të jenë shqiptarë të mirë dhe të kontribuojnë dhe sakrifikojnë për këtë popull dhe këtë vatan.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit