6.7 C
Pristina
Tuesday, October 15, 2024

A mundet dikush t’i kthejë të vdekurit në jetë?

Më të lexuarat

Pyetja:

A mund të ringjallni një person të vdekur?

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahut.

Një nga parimet themelore të besimit të shëndoshë (akide) është besimi në Allahun dhe se Ai është i vetmi që mund të japë jetë dhe të shkaktojë vdekje. Ai që pretendon se dikush tjetër përveç Allahut është në gjendje të japë jetë dhe të shkaktojë vdekjen është kafir. Edhe mushrikët në xhahilijetin (injorancën) e tyre nuk e besuan një gjë të tillë të idhujve dhe perëndive të tyre.

Allahu thotë: “Si mund ta mohoni Allahun, ndërkohë që keni qenë të pajetë e Ai ju dha jetën?! Pastaj Ai do t’ju bëjë të vdisni, më pas do t’ju ringjallë e, në fund, do të ktheheni tek Ai?!” (Bekare: 28)

“…se Ai i ringjall të vdekurit, se Ai është i Fuqishëm për çdo gjë,” (Haxh: 6)

“Ai ju dha jetë dhe pastaj do t’ju bëjë të vdisni e më vonë do t’ju ringjallë. Me të vërtetë, njeriu është mosmirënjohës.” (Haxh: 66)

Allahu ka thënë se të ashtuquajturit zota të tjerë janë të paaftë për të krijuar, për të dhënë furnizim, për të dhënë jetë ose për të shkaktuar vdekje.

Allahu thotë: “Allahu është Ai që ju ka krijuar e ju ka dhënë ushqim; pastaj ju sjell vdekjen e pastaj ju ringjall. A ka ndonjë nga idhujt tuaj që bën diçka të tillë? Ai qoftë i lavdëruar dhe i lartësuar mbi gjithçka, që ia shoqërojnë Atij (në adhurim)!” (Rum: 40)

Shejh Muhamed el-Amin el-Shenkiti ka thënë: “Fjalët e Allahut në këtë ajet – “A ka ndonjë nga idhujt tuaj që bën diçka të tillë? Ai qoftë i lavdëruar dhe i lartësuar mbi gjithçka, që ia shoqërojnë Atij (në adhurim)!” – tregoni qartë se asnjëri prej atyre ortakëve nuk ishte në gjendje të bënte asgjë nga ajo që përmendet në ajet, duke përfshirë edhe dhënien e jetës, e cila përmendet në fjalët “ju ka krijuar“, duke shkaktuar vdekjen, e cila përmendet me fjalët “pastaj ju sjell vdekjen“, dhe ringjallje, e cila përmendet me fjalët “e pastaj ju ringjall“. Allahu thotë se ata nuk kanë fuqinë e ringjalljes në fjalët: “Vallë, a mos i kanë marrë zotat prej dheu, që të ishin në gjendje t’i ngjallnin të vdekurit?” (Enbija: 21)

Allahu thotë se ata nuk kanë fuqi për të dhënë jetë apo për të ringjallur, siç thotë Ai: “Thuaj: “A ka ndër idhujt tuaj ndonjë që mund të fillojë krijimin e pastaj ta përsërisë?” Thuaj: “Allahu e fillon krijimin dhe pastaj e përsërit atë! Prandaj, si largoheni (nga e vërteta drejt së kotës)?” (Junus: 34)

Dhe Ai thotë se vetëm Ai është i Vetmi në dorën e të Cilit janë vdekja dhe jeta, në shumë ajete, si në vijim: “Çdo shpirt vdes vetëm me vendimin e Allahut, në kohë të caktuar.” (Ali Imran: 145)

“Por Allahu nuk ia shtyn afatin asnjë shpirti, që i vjen koha (e vdekjes);..” (Munafikun: 11)

“Dhe, kur t’ju vijë çasti i caktuar i Allahut, askush nuk do të mund ta shtyjë atë..” (Nuh: 4)

“Si mund ta mohoni Allahun, ndërkohë që keni qenë të pajetë e Ai ju dha jetën?! Pastaj Ai do t’ju bëjë të vdisni, më pas do t’ju ringjallë e, në fund, do të ktheheni tek Ai?!” (Bekare: 28)

“Ata do të përgjigjen: “O Zoti ynë, na ke bërë të vdesim dy herë dhe na ke ngjallur dy herë. (Gafir: 11)

Dhe ka edhe vargje të tjera të ngjashme. Ajo që kemi përmendur se si këto ajete shpjegojnë njëra-tjetrën është diçka që asnjë musliman nuk ka ndonjë justifikim për të mos e ditur.” [1]

Një nga shenjat apo mrekullitë e Isa ibn Merjemit (paqja qoftë mbi të) ishte se ai ishte në gjendje t’i kthente në jetë të vdekurit me lejen e Allahut; Isai (paqja qoftë mbi të) nuk do të mund ta bënte këtë nëse nuk do të kishte dashur Zoti i tij.

Allahu thotë: “dhe do ta caktojë atë të Dërguar te bijtë e Israelit(të cilëve do t’u thotë): “Ju kam sjellë prova nga Zoti juaj (që vërtetojnë Profecinë time): bëj për ju diçka prej balte në formë shpendi, fryj në të e me urdhrin e Allahut ajo bëhet shpend i gjallë; shëroj të verbrit e lindur dhe të lebrosurit dhe i ngjall të vdekurit me lejen e Allahut..” (Ali Imran: 49)

“Allahu do të thotë: “O Isa, i biri Merjemes, kujtoje mirësinë Time ndaj teje dhe nënës sate: se si të forcova ty me Shpirtin e Shenjtë (Xhebrailin), kështu që ti u predikoje njerëzve, kur ishe foshnjë në djep dhe i rritur; se si të mësova Librin dhe Urtësinë, Teuratin dhe Ungjillin; se si me vullnetin Tim krijoje një figurë shpendi prej balte, pastaj fryje në të dhe ajo bëhej zog me vullnetin Tim; se si me vullnetin Tim i shëroje të lindurit të verbër e të lebrosurit; se si me vullnetin Tim i ngjallje të vdekurit…” (Maide: 110)

Sa i përket asaj që kundërshtari i tij i tha Ibrahimit (paqja qoftë mbi të) për mundësinë e dhënies së jetës dhe vdekjes, kjo është ndër pretendimet më të pamenda dhe më të rreme. Prandaj, kur Ibrahimi (paqja qoftë mbi të) debatoi me të, ai e mundi atë qafir në argument dhe vërtetoi pavërtetësinë e pretendimit të tij.

Allahu thotë: “A nuk ke dëgjuar ti (Muhamed) për atë që bëri fjalë me Ibrahimin për Zotin e tij, sepse Allahu i kishte dhënë pushtet? Kur Ibrahimi i tha: “Zoti im është Ai që jep jetë dhe shkakton vdekje” – ai u përgjigj: “Edhe unë mund të jap jetë e të shkaktoj vdekje”. Ibrahimi pastaj i tha: “Allahu e sjell Diellin nga lindja. Sille ti nga perëndimi”! Atëherë, ai (mohuesi) mbeti me gojën hapur. Allahu nuk i udhëzon ata që janë keqbërës.” (Bekare: 258)

Asnjë qenie njerëzore nuk mund të pretendojë se është në gjendje t’i kthejë në jetë të vdekurit. Nëse dikush e pretendon këtë, atëherë këtu janë të dërguarit, profetët dhe njerëzit e mëdhenj që vdiqën – le t’i rikthejë ata në jetë nëse pretendimi i tij është i vërtetë!

Dhe Allahu e di më së miri.

islamqa.info

—————

[1] Adua el-Bejan (6/271)

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit