5.9 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Objektivat/qëllimet e Sheriatit dhe lidhshmëria e tyre me sferën financiare

Më të lexuarat

 

Objektivat kryesorë të Sheriatit janë që të sigurojnë mirësi për njerëzit dhe mbrojtjen e tyre nga korrupsioni dhe e keqja, që jeta e njerëzve të vazhdojë e lumtur dhe e papenguar.

Objektivat e Sheriatit përfshijnë edhe sferën e transaksioneve dhe aktiviteteve financiare. Gjithashtu rregullojnë qëllimet kryesore të rregullimit ligjor, që kanë të bëjnë me transaksione financiare. Prandaj, për t’u kuptuar më mirë principet e Sheriatit që kanë të bëjnë me kontratat financiare dhe bankimin islam, kjo varet shumë nga kuptimi i qëllimeve të Sheriatit në transaksionet financiare. Me fjalë të tjera, parimet udhëzuese të kontratave financiare të bankimit islam janë bazë për jetësimin e objektivave të Sheriatit në aktivitete financiare. Qëllim kryesor i Sheriatit është që t’u mundësoj njerëzve të jetojnë të lumtur në rrugën e Zotit në të dy botët. Këto qëllime arrihen përmes vlerave, normave dhe ligjeve që  duhet të realizohen nga të gjithë, e në veçanti nga myslimanët.

Definimi i objektivave të Sheriatit

Objektivat kryesorë të Sheriatit janë që të sigurojnë mirësi për njerëzit dhe mbrojtjen e tyre nga korrupsioni dhe e keqja, që jeta e njerëzve të vazhdojë e lumtur dhe e papenguar. Për të arritur këtë, Sheriati synon të mbrojë jetën dhe mirëqenien e njerëzve, përfshirë mendjet, punët, fitimet dhe pasuritë e tyre. Prandaj, pesë objektivat kryesorë, sipas shumicës së dijetarëve, janë: mbrojtja e fesë – El-din, mbrojtja e jetës njerëzore El-nefs, mbrojtja e intelektit njerëzor – El-akl, mbrojtja e gjenealogjisë/ trashëgimisë El-nesl dhe mbrojtja e pasurisë njerëzore – El-mal.¹

Të gjitha normat dhe ligjet në Islam synojnë të mbrojnë këto pesë gjëra. Për shembull, sakrifica në rrugë të Allahut, synon mbrojtjen e fesë; dënimi me vdekje për vrasje, është për ta mbrojtur jetën njerëzore; ndalimi i pijeve alkoolike, ka për qëllim mbrojtjen e intelektit njerëzor; dënimi i atyre që vjedhin, ka për qëllim mbrojtjen e pasurisë së njerëzve; dhe inkurajimi për martesë e ndalimi i amoralitetit, kanë për qëllim ruajtjen e gjenealogjisë dhe trashëgimisë njerëzore. Ligji Islam është shumë i përgjithshëm dhe përfshin të gjitha nevojat njerëzore: “… Asgjë nuk kemi lënë pas dore nga libri, më në fund, te Zoti i tyre do të tubohen”. (El En’am, 38)

Kur’ani dhe Syneti tregojnë fleksibilitet dhe butësi në parimet që udhëzojnë jetën njerëzore.“… Allahu nuk dëshiron (me obligim për abdest e larje) t’ju sjellë ndonjë vështirësi, por dëshiron t’ju pastrojë (prej mëkatëve), t’ua plotësojë të mirën e Tij ndaj jush e që t’i falënderoheni.. (El Maide, 6).

Pejgamberi a.s. zgjidhte më të lehtën në mes dy gjërave, për sa kohë që të ishin të lejuara të dyja. Ligji Islam ka sjellë disa objektiva për t’u shërbyer nevojave financiare të njerëzve.
Kuptimi i këtyre objektivave është shumë i rëndësishëm për të lehtësuar nevojat financiare në industrinë financiare islame, që është duke ndryshuar në vazhdimësi. Shumë çështje që kanë të bëjnë me transaksionet, janë të natyrës së ‘ixhtihadit’ (marrjes së vendimeve duke u bazuar në rregullat e përgjithshme), kështu që mund të ndryshojnë sipas ndryshimeve në kohë, vend dhe nevojave të popullsisë. Objektivat kryesore që udhëzojnë aprovimin a miratimin e përgjithshëm të ligjeve, përmbajnë mbrojtjen e fesë, jetës, dinjitetit/gjenealogjisë, intelektit dhe pasurisë. Objektiva të veçantë lidhen me objektivat që janë të disenjuar për të arritur mirësi në aktivitete të ndryshme, përfshirë aktivitetet ekonomike dhe financiare.2

Klasifikimi i objektivave të Sheriatit

Ekzistojnë tri klasifikime grupore të objektivave të Sheriatit, që përfshijnë: El- darurijat (të domosdoshmet), El-haxhijat (të nevojshmet apo plotësueset) dhe Et-tahsinijat (zbukurueset).

a. Ed-darurijat (të domosdoshmet)

Të domosdoshme janë çështjet, prej të cilave varen feja dhe punët e kësaj bote. Mospërmbushja e tyre shkakton çrregullime dhe mund të mbarojë me një përfundim shumë të keq. Këto duhet të mbrohen dhe duhet të ndërmerren të gjitha masat dhe mjetet, qoftë në nivel individual apo edhe qeveritar, për t’i ruajtur ato. Këto vlera përfshijnë pesë gjërat fondamentale në jetë: mbrojtja e fesë, mbrojtja e jetës, mbrojtja e dinjitetit apo gjenealogjisë, mbrojtja e intelektit dhe mbrojtja e pasurisë.3

Mbrojtja e fesë

Mbrojtja e fesë në nivelin personal arrihet përmes kryerjes së ibadeteve (adhurimeve) të caktuara nga Allahu i Madhërishëm. Ndërkaq, mbrojtja e fesë në një sferë më të gjerë përfshin mbrojtjen e fesë nëse është duke u sulmuar nga ndonjë armik që kërkon përfshirjen më të gjerë se niveli personal.“Pa dyshim feja tek Allahu është Islami. U kundërshtuan ata që u është dhënë libri, pasi që u erdhi e vërteta, nga zilia në mes tyre. E kush mohon argumentet e All-llahut, (le ta dijë se) Allahu (ia) llogarit shpejt” (Ali Imran, 19)

Mbrojtja e jetës

Jeta është e shenjtë sipas mësimeve të Sheriatit, nuk lejohet që dikush të marrë guximin dhe të mbysë dikë tjetër. Kurse ata që vrasin dikë, i pret shumë dënim i dhembshëm. “Dhe mos mbytni askënd që Allahu ka ndaluar (mbytjen e të cilit), përveç me drejtësi…”. (El Isra, 33)

Mbrojta e dinjitetit/gjenealogjisë

Mbrojtja e dinjitetit përfshin mbrojtjen e të drejtave individuale për privatësi duke mos i ekspozuar apo edhe akuzuar të tjerët për sjellje të këqija. Në Islam janë të rregulluara gjithashtu edhe marrëdhëniet në mes burrit e gruas, në mënyrë që të mbrohet dinjiteti i tyre. Ndalimi dhe dënimi për amoralitet, është një manifestim i mbrojtjes së dinjitetit njerëzor. Gjithashtu edhe dënimi për akuza të pabaza ndaj të tjerëve për amoralitet, do të thotë mbrojtje e identitetit njerëzor.

Mbrojtja e mendjes/intelektit

Mendja është një dhuratë shumë e madhe nga Allahu i Madhërishëm për njerëzit. Kjo është një nga kapacitetet që e dallon njeriun nga shtazët.
Kjo është edhe arsyeja pse njerëzit janë shumë të inkurajuar për të mësuar dhe për të nxënë sa më shumë dituri, duke pasur edhe lirinë  e shprehjes së lirë për të mbrojtur  ntelektin e tyre. Prandaj, edhe ndalimi i pijeve dehëse, është për të mbrojtur intelektin njerëzor.

Mbrojtja e pasurisë

Pasuria është nga gjërat e domosdoshme për njerëzimin. Ajo duhet të fitohet në mënyrë të lejuar (hallall) sipas parimeve islame. “Dhe mos e hani pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar, e as mos u paraqitni me të (me ryshfet) te gjykatësit, për të grabitur në mënyrë të padrejtë një pjesë të pasurisë së njerëzve, kur ju e dini (se po e hani atë pa të drejtë)”. (El Bekare, 188)

Gjithashtu, në ajete të tjera të shumta Kur’ani flet për dënime të mëdha për ata që e fitojnë pasurinë në mënyrë të paligjshme, duke i mbrojtur njerëzit që të mos fitojnë në mënyrë që ata të dënohen më vonë, dhe për të mbrojtur pasurinë e njerëzve që të mos ua marrë dikush padrejtësisht. Për këtë arsye janë dhënë udhëzime edhe për mënyrën e aktiviteteve financiare, që të jenë të pranuara.

b. El-haxhijat (të nevojshmet a plotësueset)

Gjërat plotësuese janë ato që në përgjithësi plotësojnë interesat parësorë dhe u referohen atyre interesave që, nëse neglizhohen a nuk plotësohen fare, shpien në vështirësi individuale ose edhe shoqërore. Dallimi në mes të atyre që konsiderohen ‘të domosdoshme’ dhe të kategorisë ‘plotësuese’ është se, nëse nuk plotësohen të domosdoshmet, kjo sjell çrregullim total deri edhe shkatërrim, kurse mosplotësimi i atyre të kategorisë ‘plotësuese’ shkakton vështirësi të mëdha, por jo edhe shkatërrim.Shembuj për këtë kategori në sferën financiare, është lejimi i tregtisë dhe i transaksioneve të tjera, siç janë Mudarabah (partneritet me bartje rreziku dhe ndarje fitimi), musharakah (partneritet aktiv me shumë aksionarë), ixharah (lizingu a qiradhënia) etj..

c. Et-tahsinijat (zbukurueset)

Gjërat zbukuruese janë ato që u referohen interesave, me plotësimin e të cilave arrihet përmirësim dhe ajo që është e dëshirueshme për t’i plotësuar interesat jetësorë. Mosplotësimi i tyre nuk shkakton çrregullim të jetës dhe as vështirësi në plotësimin e nevojave, por mund të shkaktojë mungesë të rehatisë a të komoditetit në jetë.

Objektivat e Sheriatit dhe aktivitetet financiare

Objektivat e Sheriatit në aktivitetet financiare ka të bëjë me qëllimet dhe kuptimin e tyre të përgjithshëm që Sheriati synon të arrijë me rregullat e veta rreth aktiviteteve dhe transaksioneve financiare. Këta objektiva nuk janë të fokusuar vetëm në ndonjë lloj transaksionesh financiare, por përfshijnë të gjitha aspektet e aktiviteteve dhe marrëdhënieve financiare. Edhe pse disa mund të duken që kanë të bëjnë më shumë me financa, ato duhet të analizohen nga perspektiva universale e qëllimit të tyre, duke përfshirë të gjitha llojet e transaksioneve dhe aktiviteteve të tregtisë, fitimprurjes, shpenzimit dhe konsumimit.4

Duke analizuar më thellësisht disa tekste nga Kur’ani dhe tradita e Pejgamberit a.s. rreth aktiviteteve financiare, mund të thuhet se Sheriati i ka vështruar disa synime të veçanta rreth ligjeve dhe parimeve financiare. Këta objektiva janë:
• Qarkullimi i pasurisë brenda shoqërisë, duke u dhënë përparësi aktiviteteve financiare që  kanë të bëjnë me kontrata partneriteti, që e bëjnë shoqërinë të jetë pjesë e qarkullimit të pasurisë duke mos lejuar që pasuria të përqendrohet vetëm tek grupe të ngushta të njerëzve. Gjithashtu me këtë kategori synohet të arrihet edhe dhënia e zekatit dhe inkurajimi i bamirësisë brenda shoqërisë, duke e konsideruar këtë si të drejtë të të varfërve mbi pasurinë e të pasurve.
• Vazhdimësia e investimeve të pasurisë. Me zhvillimin dhe përparimin e shoqërisë në përgjithësi, duhet të zhvillohen edhe aktivitetet dhe transaksionet ekonomike. Ka një numër ajetesh dhe hadithesh të Pejgamberit a.s. që urdhërojnë për aktivitete ekonomike për të fituar, munduar dhe për t’u shpërndarë në Tokëpër të kërkuar të mirat e Zotit. Për të arritur këtë objektiv, pasuria duhet të investohet dhe kjo në mënyrë të vazhdueshme e me metoda që i përkasin kohës aktuale.
• Arritja e transparencës në aktivitetet financiare. Kjo duhet të arrihet patjetër për të eliminuar keqkuptimet dhe për të arritur besueshmërinë e popullit. Ajete dhe hadithe të shumta tregojnë për rëndësinë e transparencës dhe obligueshmërinë për qartësimin e kontratave financiare, duke marrë edhe dëshmitarë për t’iu shmangur çdo paqartësie.
• Lejueshmëria e pronësisë private dhe publike. Përveç lejimit të pronësisë sipas konceptit  ekonomik islam, obligim është edhe qartësimi i pronësisë financiare në transaksione financiare, për t’u evidencuar obligimet e personave mbi pasurinë e vet. Për shumë aktivitete financiare lejueshmëria e tyre varet nga përcaktimi i pronësisë në kohë të caktuara, p.sh. hadithi i njohur ‘mos e shit atë që nuk e posedon’, tregon se tregtari a financieri ose banka nuk mund të shesë/ financojë diçka që ende nuk e ka në posedim, veçse së pari duhet ta posedojë e pastaj t’ia shesë palës së tretë. Edhe në transaksione të tjera duhet të përcaktoht patjetër pronësia dhe prej qartësimit dalin edhe përgjegjësitë për aktivitete të mëtutjeshme në mes palëve kontraktuese.

Autor: Dr. Islam Hasani

DITURIA ISLAME
______________________________________

(¹) Ahcene Lahsasna, Shariah Aspects in Business and Finance (Kuala- Lumpur: INCEIF, 2011), f.63-65.
(2) Ibid.
(3) SRA (International Shariah Research Academy for Islamic Finance), Islamic Financial System: Principles and Practices, (Kuala Lumpur: Pearson Custom Publishing, 2012), f. 169-172.(3) Ibid
(4) Mohammad Hashim Kamali, Islamic Commercial Law:
an Analysis of Futures and Options, (Kuala-Lumpur, Ilmiah
Publishers, 2002), f.110.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit