7.2 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Myslimanë: Mos i llastoni fëmijët tuaj, para se të jetë tepër vonë!

Më të lexuarat

Ndonjëherë kur fëmijët e mi më kërkojnë ndihmë për gjëra të caktuara, unë nuk u ndihmoj në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Kur bëjnë rrëmujë, qëllimisht i bëj që ta pastrojnë vetë. Kur bëjnë pyetje të caktuara, i drejtoj te një libër për ta kërkuar në vend që t’ua jap menjëherë përgjigjen vetë.

Unë me vetëdije tërhiqem dhe i lë fëmijët e mi të luftojnë, të përpiqen, të dështojnë, të irritohen, të rikthehen, të provojnë përsëri, të bëjnë gabime, të rregullojnë gabimet dhe të kërkojnë zgjidhje alternative.

Kjo ka qenë e vështirë për mua si nënë, por është bërë më e lehtë me kalimin e viteve, elhamdulilah.

Ndërsa jam rritur dhe kam fituar më shumë përvojë me rritjen e fëmijëve, kam kuptuar disa realitete të rëndësishme:

Unë jam nënë, jo dëshmore.

Fëmijët e mi duhet të jenë të rritur në proces të stërvitjes, jo foshnja të përhershme.

Ndonjëherë gjëja më e dobishme që mund të bëni është të tërhiqeni dhe të mos jeni tepër të dobishëm. Largohu nga rruga.

Kjo vlen për marrëdhëniet tona me fëmijët tanë, por edhe për marrëdhëniet e tjera në jetën tonë. Nuk mund t’i zgjidhni problemet e njerëzve të tjerë gjatë gjithë kohës. Nuk mund t’i shpëtoni njerëzit nga vetja nëse ata nuk janë të gatshëm të ndihmojnë veten. Nuk mund të mbi-funksiononi për të kompensuar njerëzit që nuk funksionojnë.

Për disa njerëz, ky mund të jetë një mësim i vështirë. Për disa prej nesh që janë empatikë nga natyra, që ndihen të detyruar të ndihmojnë, që nxiten të bëjnë për të tjerët, ky është shpesh një koncept pothuajse i pamundur për t’u kapur. Ndjenjat e fajit dhe ankthit bëhen shumë të forta.

Ne jemi mësuar, shoqërisht, të jemi të sjellshëm, të kemi ndjeshmëri, të tregojmë dhembshuri. Ne vihemi nën presion për të ndihmuar të tjerët, të prekur nga faji, keqardhja ose ndjenja e detyrimit.

Këto udhëzime janë të sakta, në disa raste. Këto vlera të mirësisë, ndjeshmërisë dhe dhembshurisë janë vlera të shkëlqyera. Si muslimanë, ne e dimë këtë.

Por, në cilën pikë ndjeshmëria kthehet në “të mundësosh gjithçka”?

Në cilën pikë dhembshuria bëhet llastim?

Në cilën pikë kërkimi i përsëritur për mëshirë bëhet manipulim?

Në cilën pikë ndihma jonë thjesht i mëson të tjerët të bëhen të pafuqishëm, të varur vazhdimisht nga ne dhe të papërgjegjshëm për veprimet e tyre?

Ndonjëherë, kur dikush për të cilin kujdesemi merr vendime të këqija, ne ndihemi të detyruar t’i mbrojmë nga rezultatet e vendimeve të tyre të këqija, në vend që t’i lëmë të përballen me pasojat e natyrshme të veprimeve të tyre.

Empatia jonë për ta na detyron t’i shpëtojmë vazhdimisht, t’i ndreqim ose t’i mbulojmë gabimet e tyre, të hidhemi për të shpëtuar ditën. Ne thithim përplasjen në mënyrë që ata të mos ndiejnë asgjë.

Ky model pastaj çimentohet: ne jemi shpëtimtarët/ndihmuesit e përjetshëm dhe ata janë viktimat/foshnjat e përjetshme.

Kjo, kur bëhet për vite apo dekada, do të japë rezultate katastrofike.

Jo vetëm për ne – ndihmësit e përhershëm, që do të ndihemi të djegur emocionalisht, por edhe për ata – viktimat e përhershme, që nuk do të mësojnë kurrë të ndryshojnë.

Çdo gjë e dhënë në tepricë të pakontrolluar shkakton dëme.

Nëse prindërit kanë ndjeshmëri të tepruar për fëmijët e tyre, ata mund t’i përkëdhelin, llastojnë dhe ushqejnë fëmijët derisa të kthehen në foshnja të rritura të privilegjuar, të papërgjegjshëm, jokompetentë dhe pa aftësi jetësore, të cilët bëhen barrë për shoqërinë.

Nëse një burrë ka dhembshuri të tepruar për gruan e tij që vepron në mënyrë të padrejtë, ai mund ta anashkalojë vazhdimisht sjelljen e saj shokuese, të ecë krahas me tiraninë e saj, ose të justifikojë vazhdimisht veprimet e saj të këqija me disa kuptime banale për “dashurinë” ose “urtësinë” ose “mëshirën” për ta bërë veten të ndihet mirë, edhe kur të drejtat e të pafajshmëve uzurpohen.

Nëse një mik ka ndjeshmëri të tepruar për një tjetër, ai kurrë nuk mund të komentojë për sjelljen e keqe, kurrë nuk do të japë këshilla të sinqerta që janë shumë të nevojshme, kurrë nuk do t’i mbajë një pasqyrë mikut të tij të egër e kokëfortë, të cilit i mungon përgjegjësia.

Nëse një “folës islam” i njohur, fokusohet ekskluzivisht në nocionet e mëshirës dhe dashurisë në Islam, në kurriz të koncepteve si drejtësia islame dhe rregullat e parimet islame, ai përfundon duke shtrembëruar rëndë të kuptuarit e njerëzve për fenë në emër të “tolerancës” apo “edukatës profetike”. Njerëz të tillë e portretizojnë Islamin si të ngjashëm me lajkat krishtere për t’u ndier mirë: “Zoti të do”, “mos gjyko”, “devotshmëria është vetëm në zemrën tënde”. Shkumë pa substancë. Kjo “dhembshuri” e pavend, e ekzagjeruar dhe e rëndë, është arsyeja pse ne i quajmë folësit e tillë “Imamë të dhembshur”. (Në arabisht i quajmë “el imams el cute”).

Natyrisht, dhembshuria, ndjeshmëria dhe mëshira janë vlera të mrekullueshme dhe të rëndësishme, por ato nuk duhen aplikuar pa kriter e verbërisht në secilën e në çfarëdo situate. Kjo vlen në nivel shoqëror, familjar dhe individual.

Mëshira duhet të vishet me drejtësi.

Dashuria duhet të vishet me disiplinë.

Empatia duhet të vishet me arsye.

Ndjenjat duhet të vishen me fakte.

Emocionet duhet të kaliten me logjikë.

Reagimet emocionale duhet të vishen me realitetin dhe racionalitetin.

Përndryshe, kur e mbi-zbatojmë ndjeshmërinë e tepruar, duke menduar se po i ndihmojmë të tjerët, në realitet ne vetëm po i lëndojmë ata dhe veten tonë.

Kaosi pason.

_
Autore: Um Khalid
Burimi: The Muslim Skeptic
Përktheu: @dxheza

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit