18.8 C
Pristina
Thursday, May 9, 2024

Raport mbi çështjen shqiptare – RUDIAN ZEKTHI

Më të lexuarat

Mbi kolaboracionizmin

Një çështje e përhershme e statusit gjeopolitik të një shoqërie të caktuar, është edhe fakti sesi pjesë apo përfaqësues të ndryshëm të kësaj shoqërie, në rivalitet me njëri-tjetrin, apo pavarësisht njëri- tjetrit, vendosin kontakte me faktorë të ndryshëm gjeopolitikë (pra me faktorë të jashtëm apo të huaj për këtë shoqëri), me qëllim që të sigurojnë mbështetje për projektin e tyre politik, apo për atë që ato e mendojnë se është zgjidhja apo rruga e duhur që duhet të ndjekë shoqëria, ndërkohë që është e rrezikuar për një devijim përmes një rruge të gabuar, por fortësisht të mundshme. Bëhet fjalë për një fenomen në fakt të natyrshëm, të vjetër sa bota, të cilit vetëm vonë në shekullin e shkuar i është vënë emri kolaboracionizëm, në kontekstin e bashkëpunimit të qeverive kombëtare me pushtuesit, e përmes këtij konteksti dhe këtij emërtimi, duke i dhënë kuptim negativ – të papranueshëm në fakt.

E vërteta është që çdo operator kombëtar, çdo grup apo palë që brenda një shoqërie ka zhvilluar një praktikë dhe një projekt për udhëheqjen e asaj shoqërie në një drejtim të caktuar, në mënyrë të natyrshme vendos lidhje jashtë shoqërisë me të ngjashmit apo me të fuqishmit që mund ta përkrahin apo mbështetin në rrugën e vet. Vetëm se në situata ekstreme, si p.sh. në raste të pushtimit të vendit apo të një lufte civile, ky bashkëpunim e humbet vetvetishmërinë dhe pafajësinë dhe e vendos kolaboratorin në një situatë ku o fiton gjithçka, o humbet gjithçka.

Pra se qëndrimi ndaj kolaboracionizmit është çështje pragmatike: pala politike e brendshme që bashkëpunon me atë që rezulton fitimtar në luftën e jashtme shpallet po ashtu fituese, kurse pala politike që ka bashkëpunuar me humbësin e luftës së jashtme shpallet tradhëtar. Ose nëse bëhet fjalë për një luftë civile, ku të dyja palët kanë bashkëpunuar me faktorë të jashtëm për të përforcuar pozitën e tyre, pala që fiton luftën e konsideron virtut bashkëpunimin e saj me të huajin dhe sakrilegj bashkëpunim e kundërshtarit, duke e shpallur tradhëtar, duke konfonduar kolaboracionizmin me tradhëtinë.

Në të vërtetë, së pari kolaboracionizmi nuk është asfare tradhëti, pra nëse dikush apo disa kanë një projekt politik dhe ndër të tjera për ta bërë atë projekt të suksesshëm bashkëpunon me dikë të jashtëm, mirëpo në fakt dështon në këtë projekt, atëherë ky është një gabimtar fatkeq por jo një tradhëtar (vetëm nëse vërtetohet më shumë se kaq, si p.sh. rekrutime zanafillore apo pagesa të personalizuara).

Së dyti, koncepti i tradhëtarit si koncept politik është shumë i rëndësishëm për të qenë tërësisht identik me konceptin e tradhëtarit si koncept civil ndërindividual, prej nga ku edhe e ka origjinën. Pra në përditshmëri tradhëtar quhet dikush që ka shkelur me flagrancë një praktikë apo parim konfidence, duke e nxjerrë pa asnjë skrupull përfitimin e vet tek dëmtimi i tjetrit. Mirëpo, cili bën të njëjtën në politikë, pra në mënyrë të qartë dhe të paskrupullt, dëmton trupën e vet politike duke shitur shërbimin e tij tek armiqtë apo fuqi të huaja, në fakt nuk tradhëton dikë tjetër, por atë pjesë e së cilës është (bashkësinë që i përket).

Në këtë kuptim tradhëtarit në kuptimin e vet civil, nuk i korrespondon ai që quajmë tradhëtar në kuptimin politik, por i korrespondon ai sipas çka më lart quajtëm kolaboracionist, për arsye se përmbushin një ngjashmëri thelbësore: akti i tyre gjykohet si poshtërsi në varësi të gjykimit të rivalit apo krahasimisht përmes kontrastit me sjelljen e patëmetë të tjetrit, rival dhe/apo konfident. Në të kundërt ai që quhet tradhëtar në kuptimin politik, ndryshe nga kolaboratori nuk ka një projekt politik (shoqëruar me një ligjërim dhe praktikë publike përkatëse) por vetëm interesa private të fuqisë, kontrollit, dominimit, dhunimit; po ashtu nuk ka një rival apo konfident, të cilin me poshtërsinë e vet do ta dëmtojë, por thjesht synon të shkaktojë dëm si provë e të mospaturit asnjë limit.

Dhe sado përbuzëse të jetë të qenit tradhëtar, tradhëtari në kuptimin politik është edhe më i ulët se tradhëtari në kuptimin civil, ndaj për ta dalluar këtë nivel fundor poshtërsie, po e quajmë këtu damtori, apo damtori i përhershëm ekskluziv, si shprehje e prirjes së një bashkësie për autodestruksion pavarësisht çdo rreziku të jashtëm. Po, mund ta quajmë edhe me një term në pamje të parë jopolitik, pra i mallkuari apo i nëmuri (i paracaktuari për të sjellë dëm), në kuptimin që është i dënuar t’i pëlqejë të dëmtojë bashkësinë e vet dhe ka nepsin e kontaktit me palë të huaja që ia garantojnë përçdoherë këtë.

Në fakt kur në mënyrë konstante gjatë këtyre muajve që Serbia praktikisht i shpallte luftë Kosovës, kryeministri zyrtar i Shqipërisë sillej sikur këto deklarata lufte nuk ekzistonin (duke dhënë pa të keq mesazhin frikacak se Shqipëria as nuk e përfytyron e jo më të jetë gati për një luftë), sikur një entitet politik si shteti i Kosovës nuk ekziston (kur deklaronte se aleatët janë zot shtëpie në Kosovë siç!?,), kur e sulmonte dhe detraktonte qeverinë e Kosovës meqë kjo e konsideronte Serbinë armike, aleatët pragmatistë dhe çështjen shqiptare barrë të padelegueshme, kur një dokument pa origjinë për statusin e popullatës obstruksioniste serbe, të papërgatitur nga ai dhe të pashpallur para bashkësisë politike shqiptare (dhe në fakt haptazi të pakonsultuar nga asnjë shqiptar – pra pa as garancinë më të vogël se ai dokument nuk ishte dëmtor) e dërgonte tek aleatët e deprimuar franko- gjermanë, as si korrier por si vasal pa vullnet dhe pa personalitet, dhe kur i mësuar si vasal i lutej maestros së vet të mos e poshtëronte në mënyrë të pandreqshme, dhe kur si vasal kërkonte ta trajtonte qeverinë e Kosovës si vasale, duke pretenduar në tym t’i mësonte gjeopolitikën, çfarë i bashkon të gjithë këtë zinxhir fyerjesh dëmtuese është dëmi i pandërprerë, permanent, i dukshëm, i paekuivok, i paracionalizueshëm, i rëndomtë, njëherazi dëm për mendjen shqiptare dhe çështjen shqiptare.

Si fyerës serial i mendjes shqiptare, është shumë larg riskut burrëror të kolaboracionistit (risk që e ndan fisnikërinë nga fatkeqësia), madje nuk ka as luksin të quhet tradhëtar, por damtor i përhershëm ekskluziv, pasiqë ndryshe nga tradhëtari nuk dëmton një rival, as konfident, (sepse ai nuk është rival me kryeministrin e Kosovës pasiqë s’ka asnjë mekanizëm që ta atashojë atë si palë politike në Kosovë; dhe bashkësia politike shqiptare nuk është një palë në raport me të, sepse ai është pjesë e saj); kështuqë dëmi që sjell është dëm i kulluar, dem që ekziston për hir të vetes, efekti imediat i të cilit (pra estetizimi i dëmit ) e shpie damtorin e përhershëm ekskluziv, përtej kufijve të së mirës dhe së keqes.

(Kliko faqen vijuese për ta vazhduar temën)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit