18.8 C
Pristina
Thursday, May 9, 2024

Raport mbi çështjen shqiptare – RUDIAN ZEKTHI

Më të lexuarat

Mbi emigrimin

Ata që përveçse janë të dhunuar e nuk kanë as mundësinë të përfytyrojnë ndryshim të gjendjes dhe janë pa lidership (apo pa kontakt me të) dhe as mundësinë të emigrojnë janë pa qortim burra të dobët. Kurani nuk i qorton ata që emigrojnë në kushte të bllokimit të zhvillimit si bashkësi, nga ku konfirmohet çfarë thamë më parë që popullata është më e rëndësishme se territori. Por lejimi për të emigruar nuk legjitimohet thjesht për të ruajtur jetët e njerëzve, por si një moment pauze kreative – reflektuese që këta njerëz dhe kjo bashkësi të zhvillohet dhe forcohet, të nxjerrë mësim që të mos e pësojë më statusin e toleruar të mustadaifinëve dhe të mos e lakmojë më hilen e të vetëparaqiturit si të dobët kur të tillë nuk janë.

Prandaj shqiptarët e sotëm të Kosovës që më 1999 ishin të justifikuar si burra të dobët deri në momentin kur i shpërngulën tërësisht si popullatë nga tërë territori, duhet të jenë të qartë se paradoksalisht ky dëbim ua hoqi në atë moment që ndodhi, justifikimin e të qenit mustedaifinë, sepse që nga momenti që vunë këmbë në territorin e Shqipërisë, bashkë me ushtrinë shqiptare apo shqiptarët në Shqipëri, kishin dy mundësi , ose luftë burrash në terren me ushtrinë barbare, ose si hipokritët e përshkruar në Kuran, mustedaifinë të rremë apo ndryshe burracakë. Por për aq sa koha e shpejtë me të cilën si pasojë e bombardimeve nga Nato dhe rezistencës së një pakice burrash në territor, ushtria serbe u tërhoq nga Kosova, ky përvijim burracakërie atëherë më shpejt u zhduk se u shfaq (bashkë me të cilën u zhduk edhe mundësia e reflektimit prej emigrimit).

Mirëpo tani është e njëjta: qenë të justifikuar para 24 vjetësh sepse nuk kishin mundësi të emigronin, por pasi emigruan duhet ta justifikonin këtë justifikim, duke u kthyer prej aty ku i dëbuan me statusin e burrave të fortë. Ky është rasti, kjo është mundësia dhe është pikërisht tani, apo pikërisht prej tani. Sjellja e sotme e popullatës shqiptare edhe në Shqipëri, por sidomos në Kosovë, përballë kërcënimeve të Serbisë, duket se po degradon në statusin e mustadaifinëve të rremë, pra të atyre që kanë mundësi të jenë burra por që shpresojnë ta paraqesin mungesën e kurajës dhe mosllogaritjen e sakrificës, si pamundësi objektive që nuk i ngarkon me përgjegjësi. Nëse nuk braktiset me vendosmëri ky status tani, çështja shqiptare do të jetë një zonë e errët në skenën gjeopolitike, kurse mendja shqiptare një zonë e turbullt ku të gjitha pyetjet mbeten pa përgjigje.

Për ta kuptuar më mirë gjithë këtë: argumenti më stresues rreth veriut të Kosovës është përfytyrimi i dëmit të humbjes së pasurive të Trepçes ( stres që e merr të mirëqenë që territori është më i rëndësishëm se popullata, ndërkohë që koncepti kuranor për emigrimin është që popullata është më e rëndësishme se territori dhe se hixhreti- emigrimi është një mundësi reflektimi, zhvillimi, fuqizimi dhe rikthimi).

Në këtë kuptim nuk është nëntoka e Mitrovicës ajo që përcakton fatin e shqiptarëve. Sepse nëse janë serbët popullata mbi territorin e minierës, atëherë ajo pasuri është e tyrja, paçka (apo pikërisht) se ata do ta shfrytëzojnë në mënyrë kriminale për të thelluar padrejtësitë sociale në shoqërinë e tyre dhe për të militarizuar shtetin në një projeksion permanent kërcënimi ndaj fqinjëve. Dhe nëse është popullata mbi territorin e minierës, atëherë ajo pasuri është e shqiptarëve, paçka se ka shumë mundësi ta shfrytëzojnë duke abuzuar, duke shtuar padrejtësitë mes shqiptarëve e duke u bërë gjithmonë e më të varur nga frika e luftës.

Në fakt nuk ka shumë për të zgjedhur. Përveç paradoksalisht nëse këtë popullatë shqiptare e dëbojnë prej atje (edhe si pasojë e një kompensimi territoresh siç e kemi paraqitur këtu), atëherë ky largim i detyruar nga territori i vendlindjes , potencialisht mund të jetë një moment i kapërcimit të vetes, i reflektimit mbi zhbërjen e gjërave dhe mbi meritimin e dëmit, i përpjekjes për t’u zhvilluar në grup nën shenjën e kësaj përvoje ndëshkuese; pra për ta parë vendndodhjen e re si një territor që duhet zhvilluar si zonë e sigurtë prosperiteti dhe dinjiteti mes kësaj bote të pasigurtë e prej nga ku mund të kthehen më të fortë dhe më të vërtetë edhe njëherë atje prej nga i dëbuan. (Ndryshethënë: nëse ajo pasuri e nëntokës u jepet shqiptarëve, të gjitha të dhënat të çojnë në përfundimin se do të jetë një mundësi më shumë që ata të kaplohen nga përtacia, vetëkënaqësia, dobësia dhe abuzimi, e në të kundërt nëse është emigrimi që u jepet shqiptarëve, mund të shndërrohet në një një pasuri që po të dinë ta shfrytëzojnë, mund të nxjerrë prej tyre një popull tjetër, të çliruar nga përtacia, padrejtësitë, dobësia dhe inercia.)

Rudian Zekthi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit