13.6 C
Pristina
Sunday, October 13, 2024

Raport mbi çështjen shqiptare – RUDIAN ZEKTHI

Më të lexuarat

Mbi territorin

Vlera e territorit shtrihet në dy nivele: territori i pastër, pra që s’ka shumë rëndësi në është i banuar apo i pabanuar, pra si hapësirë e kulluar që pengon apo nxit qarkullimin e fuqisë dhe kontrollit; dhe territori i ngarkuar me popullatën indigjene, të cilit territor në këtë rast i llogaritet vlera parasëgjithash, për nga begatia dhe fuqia që garantohen prej kësaj popullate.

Duke patur parasysh edhe këtë dyvlefshmëri të territorit, marrëdhënia e një bashkësie gjeopolitike me territorin, është për më tepër dyllojshe, në varësi të fakti nëse kjo bashkësi në rendin gjeopolitik të forcave, ka peshën e një fuqie të vogël, apo një fuqie të madhe.
Përsa i përket një fuqie të madhe, si rregull me natyrë perandorake, ajo është e interesuar drejtpërdrejt për territorin në vlerën e tij të pastër hapësinore, duke qenë se cilësia e tij kryesore, palëvizshmëria – pazhvendosshmëria absolute, bën që kontrolli mbi të të rritë për të (pra për fuqinë që e kontrollon) kapacitetin për të lëvizur (e për të qarkulluar informacion, mall dhe autoritet, e të zvogëlojë për këdo tjetër, armiq a rivalë, kapacitetin për të lëvizur e për të qarkulluar çfarëdo. Sigurisht që i intereson edhe popullata mbi territor, por si kolateral, pra si burim krahu pune apo mercenarë lufte, e në këtë kuptim posaqë e sundon është e prirur ta paqtojë dhe t’mos e eksitojë pa arsye të qenësishme, duke llogaritur siç thamë që luftën dhe shfarosjen t’i shohë vetëm si plan rezervë dhe jo qëllim në vetvete.

Në të kundërt, një fuqi e vogël, është e interesuar drejtpërdrejt në popullatën mbi (për të cilën popullatë territori është shtrati ku rrjedhin), duke qenë njësoj pazhvendosshmëria e territorit atributi kryesor (edhe në këtë rast) që garanton begatinë, sigurinë dhe identitetin në botë të kësaj popullate. Pra edhe sikur ky territor të përthithë gjithçka që vjen tek ai dhe të mos përçojë asgjë përtej në qarkullimin global, e rëndësishme është që kjo t’i vlejë popullatës së tij.

Mirëpo, që me lindjen dhe dominimin e sistemit themeluar mbi shtetet-komb, ky qëndrim ndaj territorit si kapital me vlerë të lidhur drejtpërdrejt me banorët e tij, është harruar dhe zhvlerësuar. Megjithëse shteti-komb në zanafillë synon mbrojtjen, begatinë, emancipimin dhe zhvillimin e materialit të vet njerëzor, paradoksalisht, në kushtet kur të gjithë shtetet pavarësisht nga fuqia dhe kapaciteti për t’u vetëqeverisur, legjitimohen tek esenca e të qenit një bashkësi politike autentike, territori si pjesë e këtij autenticiteti befasisht shenjtërohet, pazhvendosshmëria e tij njësohet me patjetërsueshmërinë (gjë e pavërtetë, sepse është e panatyrshme, nuk merr në konsideratë që historia s’është tjetër vetëm se një cikël i madh tjetërsimesh territoriale, ku përjashtimet përforcojnë rregullin), deri në pikën që territori konceptohet si një hologram, pra si një ekzistencë në vetvete e informacionit të vetëmjaftueshëm realizuar si ekzistencë simbiotike mes popullatës dhe territorit.

Ky barazim mes të dyjave, mjafton si moment inicial, sepse pashmangshmërisht si moment i radhës do të vijë që territori të shfaqet më i rëndësishëm se popullata mbi të, deri në pikën që është popullata që sakrifikohet për territorin dhe jo e kundërta.

Kjo është ndoshta pika e dobët sekrete e sistemit të shtetevekomb: pjesët e popullatave autoktone që historia i ka shpërndarë në mënyrë të tillë që të gjenden nën sovranitetin shtetëror të një kombi tjetër, praktikisht janë të pashpresa: nëse përshtaten me jetën si pjesë e një të tëre që është një komb tjetër, asnjëherë nuk do ta ndjejnë veten si qytetarë të dorës së parë (që në një epokë të shenjuar nga miti i emancipimit përjetohet si një mallkim); nëse në të kundërt refuzojnë të përshtaten, pra bëjnë obstruksion (si rregull mbështetur nga shteti amë), atëherë jeta e tyre çoroditet e bllokohet, e me kalimin e kohës mendja e tyre modelohet nga bindja se territori nën ta është më i rëndësishëm se ata mbi të. Pasojë e këtij obstruksioni është pra kjo çoroditje për ta, por edhe armiqësia dhe tensioni permanent për shtetkombin ku obstruksioni ndodh.

A zgjidhet?, dhe si?. Përveç (1) pajtimit me të qenët të huaj në vend të vet dhe (2) obstruksionit (që të dyja spirale kronike animoziteti dhe stagnimi), janë dhe katër mundësi: (3) emigrimi, pra kjo popullatë të braktisë territorin, për të cilin nuk mund të vazhdojnë të jenë si në hartë shenjat që tregojnë shkretëtirën (që varet kjo mundësi drejtpërdrejt nga masa e popullatës – pra një popullatë shumë e madhe nuk mund të emigrojë e gjitha -, dhe në përputhje me të, nga mundësi që vendi amë t’i akomodojë); (4) gjenocidi apo spastrimi etnik, pra që shtetikombi ku kjo popullatë është e huaj, të përdorë dhunën shtetërore në një nivel shtazarak për ta zgjidhur biologjikisht apo mekanikisht, por jo politikisht këtë çështje ( të vihet re se ky opsion i mundshëm në një sistem perandorak, aty ishte gjithsesi i natyrshëm, sepse në atë sistem territori është më i rëndësishëm se popullata) ( po ashtu, të vihet re se ky që ishte opsioni i fundit në një sistem perandorak, njëherë të ndodhë mund të shndërrohet në opsion të parë në sistemin e shtetevekomb) (në fakt për nga fëlligështia vetëm edhe e idesë dhe jo më e aktit, do të duhej që këtë mundësi as të mos e shtinim në skemë, por për fat të keq, kjo ka ndodhur gjithmonë përgjatë historisë dhe të kujtojmë që hera e fundit që ka ndodh, është ushtruar prej serbëve ndaj shqiptarëve më 1999).; (5) t’i krijohen kushte popullatës obstruksioniste ta ndjejë veten aty ku është si në vend të vet, pra si qytetarë të dorës së parë, duke i dhënë mundësinë e një organizimi politik paralel, gjë që do të thoshte ndryshim i natyrës së shtetit nga shtetkomb në federatë (siç synon në thelb Zajednica të jetë një shtet komplementar brenda shtetit kosovar) (dhe nëse do të ndodhte në mënyrë të pakuptimtë, pra për një popullatë dukshëm numërpaktë në raport me popullatën shtetformuese, do të ishte provë e dështimit të idesë së shtetitkomb dhe precedent për një epidemi federalizmi sektar jo vetëm brejtës për sistemin, por edhe në thelb anarkik e jofunksional në aspektin gjeopolitik) (kjo mundësi e federalizmit në fakt duhet parë si e njëjtë me atë të emigrimit, në varësi të numrit të popullatës: pra nëse popullata është e vogël më mirë emigron, e nëse është e madhe, më mirë të federalizohet aty ku është); (6) të lejohet popullata të ekzaltojë të drejtën e saj për të qenë më e rëndësishme se territori, duke e marrë territorin me vete tek kombi i vet, pra përmes zhvendosjes së kufijve (gjë që njëherë të ndodhë, po ashtu do ta vendoste në krizë sistemin gjeopolitik bazuar tek shtetetkombe, sepse do të çonte në rivendikime të pambarimta kufijsh dhe këmbime popullatash, çka do ta shndërronte politikën në futuristikë).

Të vihet re, se kjo skemë, lind nga mospranimi i mundësisë së parë, pra mospranimit të statusit minoritet brenda një popullate të huaj dominuese. Ky mospranim çon në obstruksion, dhe obstruksioni vjen nga mbështetja e shtetit amë, që në rastin e serbëve të veriut është një shtet gangster, pra që kërcënon me luftë për çdo çikërrimë. Obstruksioni pastaj bën të aktivizohet një skemë tjetër, kjo skemë. Nëse nuk duam të humbim territor pa mundur dot ta shmangim obstruksionizmin, e thamë që duhet të ndryshojë mendja shqiptare, e të jetë e gatshme për një luftë me Serbinë.

Kjo do të çojë ose në luftë (të cilës tani s’ia dimë përfundimin), ose nëse Serbia del në blof (pra që ka bërë deklarata të rreme lufte) në pajtimin e tyre me të qenit të huaj në Kosovë, ose me obstruksion inercie ( meqë mburrja e shtetit amë bie), obstruksion tashmë i padëmshëm për Kosovën (sepse numri i serbëve në veri është shumë i vogël), e që do të dëmtojë vetëm popullatën serbe në territor. Ose me vullnet politik të palës shqiptare t’i lejojë territorialisht serbët t’i bashkangjiten shtetkombit të tyre, jo si një të drejtë që e fituan me forcë, por si një zgjedhje politike e armikut të tyre – palës shqiptare, që në këmbim do të kërkojë si kundërfavor të njëjtën gjë për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Nëse nuk ndodh kjo, atëherë vetiu kuptohet që emigrimi ( i mirë për vetë popullatën e pakët serbe dhe i mirë edhe për Kosovën) nuk do të ndodhë, spastrimi etnik nuk do të ndodhë, për arsye e thjeshtë e të mjaftueshme, sepse është shtazarak e shqiptarët nuk janë shtazarakë, federalizmi përmes asociacionit po ashtu nuk do të ndodhë (s’duhet të ndodhë dhe nuk do të ndodhë) sepse shkatërron shtetësinë e Kosovës, e pra mbetet të lejohen t’i bashkangjiten territorialisht shtetkombit të vet, mirë për këtë popullatë sepse zhvillohet në përputhje me imagjinatën e vet, mirë për Kosovën sepse shërohet nga një plagë kronike që i kërcënon imunitetin (pa kërkuar dot në këmbim të njëjtën gjë për shqiptarët e Serbisë). Mirëpo në këtë rast nuk ka garanci se Serbia nuk do të vazhdojë të njëjtin obstruksion, shoqëruar me deklarata lufte tashmë në lidhje me serbët e tjerë të Kosovës që nuk kanë vijimësi territoriale me Serbinë,e herët a vonë do marrë prenë e radhës, në një të ardhme të përbërë, gjithmonë e më tepër as pa iu dashur të luftojë.

Qëndrimet e qeverisë së Kosovës gjatë krizës së këtij viti për t’iu përmbajtur parimeve dhe jo konjukturës, kanë shërbyer për ta vënë në dukje këtë lojë të dyfishtë të aleatëve në shpinë të Kosovës (e mjaftueshëm për të çdehur mendjen e turbulluar shqiptare). E sidomos për të mos lejuar që Serbia të fitojë me blof. Fakti që Qeveria e Kosovës po e bën këtë duke u fshehur pas forcave të aleatëve në terren, është një hile në luftë, (që do të thotë kthjelltësi që aleancat në themel janë pa miqësi) dhe në thelb një hile e drejtë, sepse vjen si përgjigje ndaj hiles së tyre. E drejtë sepse për hilet e aleatëve duhet të paguajnë forcat e aleatëve (dhe jo Kosova). (Vetëm se qeveria e Kosovës duhet të ketë parasysh se lufta me të vërtetë është hile, por nuk është vetëm hile.)

Po ashtu, mbajtja e policisë në territor dhe e kryetarëve të komunave në institucione, megjithëse një veprim me motivim problematik (pra sipas perspektivës së shtetitkomb që territori është më i rëndësishëm se popullata) është për këtë moment veprimi i duhur, sepse përderisa Serbia ka vendosur t’i bllokojë njerëzit e saj, aq më pak detyrim ka Kosova për këta, për këtë (dhe përderisa aleatët kanë vendosur të çlirohen prej miqësisë së shqiptarëve si diçka që i bezdis, atëherë shqiptarët nuk mund ta blejnë këtë mosfisnikëri si një mall që vlen).

(Kliko faqen vijuese për ta vazhduar temën)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit