0.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

“Fajde e legalizuar”: Kamatat e mikrofinancave për kredi konsumuese mbi 40%

Më të lexuarat

Institucionet mikrofinanciare (IMF) në Kosovë, aplikojnë norma goxha të larta të interesit për kreditë që ofrojnë. Nëpër çmimoret e këtyre institucioneve bankare, normat e interesit variojnë nga 23 për qind deri në 41 për qind, që njëherit është edhe norma më e lartë e interesit për kredi në këtë sektor. Nga të gjitha llojet e kredive që ofrojnë IMF-të, ato për konsum kanë kamatën më të lartë të interesit për klientët.

Aktualisht, në Kosovë operojnë nëntë Institucione mikrofinanciare të licencuara nga ana e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

Përgjatë një viti fiskal, këto institucione arrijnë të grumbullojnë deri në 15 milionë euro profit neto, të hyra këto që kryesisht vijnë nga normat e larta të interesit në kredi, e që zakonisht sillen mbi 19 për qind në përgjithësi.

Institucionet mikrofinanciare (IMF) në Kosovë vazhdimisht raportohet se janë duke aplikuar norma të larta të interesit për kreditë që ato i ofrojnë për klientët. Në çmimoret e secilës prej këtyre institucioneve bankare, pasqyrohen norma të interesit duke filluar nga 23% deri në 41%, që njëherit është edhe norma më e lartë e interesit për kredi në këtë sektor.

Theksojmë këtu se nga të gjitha llojet e kredive që ofrojnë IMF-të në Kosovë, kredia e marrë për konsum ka kamatën më të lartë të interesit për klientët.

Buletini Ekonomik ka hulumtuar dhe analizuar çmimoret e disa institucioneve të tilla që operojnë në Kosovë.

Kështu, IMF-ja që bartë emrin “KosInvest” është institucioni mikrofinanciar më i kushtueshëm aktualisht në vend, pikërisht për shkak të normave shumë të larta të interesit që aplikon për klientët e vet.

Në këtë institucion, nëse vendosni të merrni një kredi prej vetëm 100 deri në 1 mijë euro (si shuma më e vogël me afat pagese për një vit), atëherë normë efektive të interesit do të keni shumën prej 41 për qind, kurse normë vjetore të interesit atë prej 31 për qind. Kjo lloj kredie në këtë institucion quhet kredi për konsum.

Edhe kredia personale dhe ajo për renovim, në një shumë deri në 3 mijë euro që mund të merret në këtë IMF, kanë një kamatë të interesit të lartë prej 37%, përkatësisht 36.96 për qind. Kurse, tek kreditë si ajo për biznes, bujqësi, ku shumat maksimale të kredisë janë deri në 10 mijë euro, kamatat sillen nga 30 për qind deri në 34.65 për qind, varësisht nga afati optimal i kthimit të borxhit, që kalkulohet në dy cikle, në 36 dhe 60 muaj.

Në institucionin tjetër mikrofinanciar në Kosovë, “Finca”, normat e interesit po ashtu janë të larta. Ato sillen nga 15 për qind në 31 për qind, varësisht nga lloji i kredisë. Ky institucion për dallim prej IMF-ve tjera, ka një gamë më të gjerë të llojeve të kredive që ofron. Mirëpo, normat më të larta të interesit shkojnë kryesisht për kreditë personale, ato të renovimit, për ato për biznes dhe për bujqësi, ku normat sillen diku mes 29 dhe 31 për qind.

Ndërkohë, tek Agjencioni për Financim në Kosovë (AFK), norma më e lartë e interesit shkon në 28%, normë kjo e cila aplikohet kryesisht për kredinë e gjelbër, ku shuma maksimale arrin deri në 25 mijë euro.

Kredia për konsum ose nevoja familjare në AFK mund të jepet deri në 5 mijë euro maksimumi, kurse norma efektive e interesit sillet nga 23.14 deri në 25.59%. Edhe kreditë si ajo për renovim, biznes dhe bujqësi, kanë një normë të interesit prej 24 deri në 25 për qind.

Tutje, institucioni tjetër mikrofinanciar ‘Kreditimi Rural i Kosovës-KRK’, aplikon tarifa “pak” më të ulëta kundrejt konkurrentëve të lartëcekur.

Në këtë institucion, norma më e lartë e interesit për kredi është 25 për qind, normë e cila aplikohet me rastin e dhënies së kredisë për konsum dhe renovim. Shuma maksimale që jepet për këtë qëllim nga ky institucion, është 25 mijë euro.

Kurse, tek kreditë për bujqësi, biznes dhe kredi për rritjen e efikastitetit në shfrytëzimin e energjisë elektrike, normat e interesit sillen nga 18.8% deri në 23.8%, varësisht nga shuma e marrjes së kredisë dhe afati i kthimit.

Institucioni i fundit i hulumtuar nga Buletini Ekonomik është KEP Trust Kosovo Enterprise Program. Në këtë institucion mikrofinanciar, klientët mund të marrin kredi deri në 25 mijë euro, nga shumat më të vogla prej 200 eurove.

E normat më të larta të interesit janë tek kreditë ekspress (të shpejta), ku përfshihen ato për konsum, renovim dhe ato për biznes, për të cilat kalkulohet një normë efektive e interesit nga 24 deri në mbi 26 për qind.

Kurse, tek sektori i kredive që jepen për agrikulturë nga ky institucion, normat sillen nga 14 deri në 23 për qind, varësisht nga shumat e kredisë.

Gjithashtu, ky institucion jep kredi edhe për Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM), nga 10 mijë deri në 25 mijë euro, mirëpo në këto raste normat e interesit sillen nga 14 deri në 16 për qind.

Ndryshe, fitimet neto të këtyre institucioneve në Kosovë po vazhdojnë të rriten vit pas viti. Kështu, vetëm deri në muajin tetor të këtij viti, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) në raportet e saja mujore për sistemin financiar, ka konstatuar se ky sektor ka arritur të grumbullojë gjithsej 14.9 milionë euro ‘të pastra’. Kurse, vetëm të hyra nga interesi për vetëm 10 muaj operim, ky sektor ka prezantuar një shumë prej 41.5 milionëve.

Ndërkohë, gjatë tërë vitit 2021, fitimet neto të këtyre institucioneve kanë arritur në 14.3 milionë euro, ku vetëm nga interesi ka pasur të hyra në vlerë të 43.4 milionë eurove. Kurse sivjet, fitimet një vjeçare sa ishin më 2021, u arritën ende pa përfunduar viti, pra në muajin tetor.

Aktualisht, shuma totale e kredive të dhëna nga IMF-të në Kosovë është 276.0 milionë euro, duke u bazuar në raportin e muajit tetor nga BQK-ja, prej të cilave 177.5 janë kredi për ekonomitë familjare./buletiniekonomik/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit