3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Zekati dhe Sadekatul-fitri – Ekonomia Islame

Më të lexuarat

Allahu xh.sh. në Kur’anin fisnik thotë: “Faleni namazin dhe jepni zekatin”.

Zekati është një prej pesë shtyllave mbi të cilat është ngritur Islami. Ai është ibadet që I kushtohet Allahut xh.sh. dhe është institucion mjaft i rëndësishëm për muslimanët.
Përmes kryerjes së këtij detyrimi, myslimani pastron jo vetëm shpirtin e tij, por edhe pasurinë që ia ka dhuruar dhe ia ka lënë në shërbim Allahu xh.sh.. Në Kur’anin famëlartë, në më shumë se shtatëdhjetë vende, krahas namazit, Allahu xh.sh. ka përmendur edhe zekatin, e kjo vërteton vlerën dhe rëndësinë që ka ky ibadet dhe detyrim islam.
Me dhënien e zekatit, muslimani mbron pasurinë e vet nga të papriturat, ndihmon të varfrin, edukon vetveten me bujari, zemërgjerësi, kultivon ndjenjën e solidaritetit dhe përgjegjësisë që ndien për çdo anëtar të bashkësisë shoqërore. Allahu xh.sh. në një ajet kuranor urdhëron e thotë: “Merr prej pasurisë së tyre lëmoshë, që t’i pastrosh me të dhe t’ua shtosh begatitë”. (Et-Tevbe, 103).
Ibn Abasi transmeton se, kur Pejgamberi a.s. e dërgoi Muadh ibn Xhebelin në Jemen (si guvernator të tij), i pati thënë: “Po shkon tek një popull që janë ithtarë të Librit. Ftoji ata të pranojnë Shehadetin: “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe unë jam i Dërguari i Tij”. Nëse e pranojnë dhe e deklarojnë këtë, thuaju që Allahu i Madhëruar i ka urdhëruar për pesë namaze gjatë ditës dhe natës. Nëse e pranojnë, thuaju gjithashtu se Ai i ka urdhëruar për sadaka nga pasuritë e tyre, e cila merret nga të pasurit e shoqërisë myslimane dhe u jepet të varfërve të tyre. Nëse e pranojnë edhe këtë, ki kujdes dhe mos e merr pasurinë më të dashur të tyre dhe frikësohu prej lutjes së atij që i është bërë padrejtësi, pasi nuk ka pengesë midis asaj dhe Allahut”. Me një rast tjetër, Pejgamberi a.s. ka urdhëruar: ”Kini dro Allahun, falni pesë kohët e namazit, agjëroni muajin e Ramazanit, jepni zekatin e pasurisë suaj dhe respektoni prijësit tuaj, do të hyni në Xhenetin e Zotit tuaj”. Bazuar në ajetet kuranore dhe hadithet e Pejgamberit a.s., të gjithë dijetarët islamë kanë konfirmuar unanimisht se dhënia e zekatit është farz – detyrim për myslimanët që posedojnë pasuri, sasia e së cilës është e përcaktuar me norma të Sheriatit.
Namazi është shtylla kryesore e fesë, kurse zekati është ura e Islamit. Me zbatimin e kësaj shtylle, kur njeriu jep zekatin, dëshmon vërtetësinë e besimit të tij që ka ndaj Allahut xh.sh.. Zekati është adhurim material, i cili ngërthen në vete urtësi.
Ky kusht i Islamit luan rol shumë të rëndësishëm në jetën e përditshme të myslimanëve, një herë në sferën e marrëdhënieve shoqërore, pastaj në sferën e moralit, të politikës etj.. Zekat quhet një sasi e caktuar e pasurisë që myslimani, pas urdhrit të Zotit, jep në dobi të personit tjetër mysliman.
Nëse besimi është detyrë shpirtërore, kurse namazi, agjërimi dhe haxhi detyra trupore, dhënia e zekatit është detyrë me pasuri. Prandaj juristët islamë zekatin e quajnë ibadet malije (adhurim me pasuri). Është obligim që Zekati të jepet në ar, në argjend, në monedha të metalta dhe prej letre, qofshin ato edhe si stoli. Sasia e këtyre mjeteve mbi të cilat bëhet detyrim – farz zekati, duhet të arrijë: për ar 85 gramë, për argjend 700 gramë. Kjo sasi quhet nisab dhe, sipas këtij nisabi, bëhet llogaria me mjete të tjera monetare. Abdullah b. Mesudi ka thënë: “Na është urdhëruar ta falim namazin dhe ta japim zekatin. Kush nuk e jep zekatin, ai nuk ka kurrfarë dobie nga namazi”. Në lidhje me këtë çështje, gjykimin e vet e ka dhënë edhe Ibn Zejdi, i cili thotë: “Namazi dhe Zekati janë detyra të prera fetare. Nuk ka kurrfarë ndryshimi midis tyre”. Pas këtyre fjalëve, Ibn Zejdi të pranishmëve u lexoi ajetin e Kur’anit: “Në qoftë se pendohen, e falin namazin dhe e japin zekatin, atëherë ata i keni vëllezër për nga feja”. (Et-Tevbe, 11).

Kujt i takon zekati?

Se kujt i takon zekati, këtë e ka sqaruar Allahu xh.sh., i Cili urdhëron e thotë (Shih:Et Tevbe, 60). Në këtë ajet kuranor flitet për tetë kategori. Parashtrohet pyetja: A janë gjithnjë aktuale të gjitha këto kategori? Natyrisht që jo. Ndonjëherë është aktuale njëra e ndonjëherë një tjetër kategori, pra gjithnjë i jepet përparësi më të rëndësishmes. Muhamedi a.s. në kohën e tij përcaktonte përparësitë në varësi nga nevojat dhe rrethanat, një praktikë kjo që është ndjekur nga halifët dhe dijetarët myslimanë gjithnjë deri në ditët tona. Këtë çështje tek ne e rregullon dhe e përcakton Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës me ulemanë e saj, që mbështet faktin se Zekati dhe Sadekatul fitri i takon ekskluzivisht kategorisë “Fi sebilil-lah” – d.m.th. që zekati dhe sadaktul-fitri të jepen për kategorinë “Në Rrugën e Allahut”. Me fetvanë e përmendur, kjo kategori nënkupton ekskluzivisht Medresenë dhe Fakultetin e Studimeve Islame, sepse përkrahja e këtyre institucioneve nënkupton garantimin e jetës islame në trojet tona; me dhënien e Zekatit dhe Sadekatul-fitrit, ne japim ndihmë dhe kontribut për ruajtjen e Islamit në këto troje.
Detyrë tjetër dhe më e rëndësishme lidhur me Zekatin dhe Sadekatul-fitrin është se ai duhet dhënë në vendin e caktuar (kategorinë e caktuarë), në të kundërtën ai nuk është i ligjshëm dhe, rrjedhimisht, edhe obligimi nuk quhet i kryer.
Ka ndodhur në kohë të ndryshme edhe tek ne, që individë të caktuar të kenë zgjedhur vetë se ku dhe kujt t’ia jepnin Zekatin dhe Sadekatul- fitrin. Kanë pasur aq guxim sa të kenë dhënë vetë edhe fetva.(!) Dhe, ndonëse kanë proklamuar se gjoja po kujdesen për të afërmit etj. , veprimi i tyre në këtë mënyrë nuk është i ligjshëm, kurse detyrimin besimtarët nuk e kanë kryer.
Halifit të parë – H. Ebu Bekrit r.a., njëherësh i kishte vajtur një delegacion me udhëheqës nga të gjitha fiset e Nexhdit, me kërkesën që Halifi t’u lejonte të gjitha fiseve mbledhjen dhe shfrytëzimin e Zekatit, dhe ata të garantonin për lojalitetin dhe qetësinë e qëndrimit të tyre si udhëheqës, të cilët edhe më tutje qëndrojnë në Islam. H. Omeri r.a. dhe të tjerët e kishin këshilluar h. Ebu Bekrin r.a. që ta pranonte atë, duke parë rrezikun nga të gjitha
anët. Me rëndësi është që kjo pari të qëndronte në Islam, së paku për një kohë të caktuar, edhe pse nuk paguanin Zekatin. H. Ebu Bekri, duke ditur se ku shpinin lëshimet e kryeparisë së padisiplinuar, u ishte përgjigjur shkurt dhe qartë udhëheqësve t delegacionit: “Nuk lejoj që nga Zekati (Sadekatul- fitri) të shkurtoni ose të mbani për vete asnjë dele. Kërkoj nga ju dhe nga paria juaj nënshtrim pa kurrfarë kushti, përndryshe u shpall luftë! Është fatkeqësi për ata që largohen nga rruga e drejtë”. Sadekatul-fitri bën pjesë në ibadet, që lidhet me dhënien materiale, të bazuar në Islam, si dhe zekati. Dhënia e Sadekatul-fitrit është urdhëruar në vitin e dytë sipas Hixhrit, para urdhrit të dhënies së zekatit.
Është quajtur sadekatul- fitri për arsye se bëhet i obliguar në bazë të agjërimit të Ramazanit. Pamë se edhe në kohën e h. Ebu Bekrit njerëzit kishin shkaktuar përçarje e grindje, dhe ndaj tyre Ebu Bekri r.a. ishte i gatshëm të shkonte edhe në luftë.
Në Kur’anin fisnik, ndërkaq, thuhet: “Merru nga pasuria e tyre Zekatin, që t’i pastrosh dhe t’i bekosh ata”. Shprehja “merru”, që është përdorur këtu, tregon pa dyshim se ai është institucioni që mbledh Zekatin dhe Sadekatul-fitrin dhe i cili posedon të drejtën mbi të. Pra, është e ligjshme marrja e zekatit nga ana e institucionit, i cili është i vetmi dhe ka të drejtë të përcaktojë përparësitë.
Për moskryerjen e zotimit të Zekatit, Sheriati parasheh tri lloje të dënimeve.

1. Dënimi në këtë botë!

Atij që nuk i jep Zekatin dhe Sadekatul-fitrin në vendin e duhur, Allahu xh.sh. do t’i shkurtojë nimetet (begatitë). Në këtë kontekst, Muhamedi a.s. thotë: “Asnjë popull nuk mund të jetë i padënuar me urinë, nëse nuk përfill urdhrin e Allahut për dhënien e Zekatit. Imam Muslimi citon se ky hadith mund të kuptohet në dy mënyra:
a. Në qoftë se Zekati nuk jepet me kohë, atëherë Zekati është paraparë të jetë shkak për dështimin e pasurisë së mbetur.
b. Personi a individi që pranon të marrë Zekatin e nuk i takon sipas rregullës, do të përjetojë pasoja. Për shkak të këtij veprimi do t’i dështojë pasuria e tij
e mbetur.

2. Dënimi sheriatik!

Ky kryhet nga organet kompetente, Halifi – ulul Emri. Ai përfshin personat që nuk japin Zekat, dhe atyre merret me forcë shuma prej 2. 5% bashkë me me një pjesë tjetër të pasurisë. Muhamedi a.s. thotë: ”Kush e jep Zekatin me qëllim që të arrijë shpërblim, do të shpërblehet, e kush e refuzon dhënien e tij, ne do t’ia marrim me dhunë dhe bashkë me të do t’i konfiskojmë edhe gjysmën e pasurisë”.

3. Dënimi i Ahiretit!

Muhamedi a.s. thotë: ”Kujt i jep Allahu kapital dhe nga ai nuk jep Zekat, në Ditën e Gjykimit pasuria e tij do të shndërrohet në gjarpër të madh helmues”. Me kryerjen e obligimit të dhënies së Zekatit, me kohë dhe me përpikëri, ndihmon drejtpërsëdrejti zhvillimin normal të rrethit tënd shoqëror, ndihmon shoqërinë të shpëtojë nga delikuenca e shkaktuar nga skamja si dhe perspektivën e jetës fetare… O Allah, na bëj që të jemi nga ata që japin Zekatin dhe Sadekatul- fitrin në vendin e duhur dhe të jesh i kënaqur me ibadetin tonë.

Autor: Xhafer Sejdiu

DITURIA ISLAME
_______________________________________

(1).Fikhus-Sunneh, Sejid Sabik.
(2) Pesë shtyllat e fesë Islame, grup autoresh, Shkup 1998.
(3). Fikhu Hanefi, Vëll. 1, Abdulhamid Mahmud Tuhmaz.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit