1.7 C
Pristina
Saturday, December 21, 2024

Raport mbi çështjen shqiptare – RUDIAN ZEKTHI

Më të lexuarat

Mbi aleancat

Po mirë, si ka mundësi kjo të ketë ndodhur e madje të ketë mundësi sërish të ri-ndodhë, pra kjo skizofreni, ky falsifikim publik i fuqisë dhe statusit të Serbisë, kjo sjellje e një populli të vogël si të jetë popull perandorak, sikur të ketë ndodhur në zbrazëti dhe jo në zemër të rendit gjeopolitik botëror (i cili mund të lejojë çdo gjë në fakt, përveç zbrazësisë?

Se vërtet me gjithë ç’mund të bëjnë shqiptarët, kroatët apo boshnjakët, për të njëjtat arsye (siç serbët s’mund t’i imponohen masënjëjtëve), do të jenë vetëm ridimesionime të përkohshme apo ciklike të këtij delirimi gjeopolitik, sepse kjo është për çdo rast çështje e drejtpërdrejtë e fuqive të mëdha, e specifikisht ato prej tyre që janë aleatë të shqiptarëve: si e lejojnë ata pra një falsifikim të tillë? Apo është e vërtetë e kundërta, pra jo thjesht e lejojnë por po e inkurajojnë këtë falsifikim?

Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve duhet rihedhur dritë mbi natyrën e aleancave mes vendeve dhe popujve. Aleancat janë në thelb automatike (pra në një farë mënyre bëhen vetë) dhe ka vetëm një rregull që i mundëson: armiku i mikut tim është miku im (me një nënrregull: e ndihmoj mikun tim kundër atij që nuk e kam mik). Pra ka natyrë tërësisht pragmatike dhe çfarëdo lidhje tjetër kalon në plan të dytë nëse raporti i interesave e kërkon.

Dhe brenda këtij rregulli nuk ka shumë për të zgjedhur, është e mundshme të bësh aleancë edhe me atë që është më i fortë se ti, edhe me atë që është i përafërt në fuqi, madje edhe me atë që është më i dobët. Me dallimin që kush ka më shumë fuqi ka më tepër mundësi kombinimi dhe më tepër mundësi ta modifikojë e deri braktisë aleancën. Prandaj duhet të kihet parasysh se aleancat kanë limitet e veta (zgjatin aq sa zgjat armiqësia me të njëjtët, apo aq sa nuk janë këmbyer armiqtë) dhe sidomos të brishta janë aleancat mes një pale dukshëm të dobët dhe një pale shumë më të fortë (si rregull, mes një fuqie lokale dhe një perandorie). Për këtë arsye, për një fuqi të madhe nuk ka rregulla (ose e thënë ndryshe s’ka pse t’i njohë rregullat dhe protokollin e tyre, përderisa në origjinë më shumë do të jetë në situatën që do t’i duhet t’i thyejë sesa t’i respektojë), dhe për këtë arsye të dytë, për një palë me fuqi të pakët duhet t’i njohë me themel rregullat, pikërisht sepse sado rrallë, herët a vonë, do të jetë e detyruar t’i thyejë ato; dhe për këtë arsye të tretë, një palë me fuqi të pakët duhet gjithmonë të llogaritë se ç’mundësi ka të mbrojë interesin e vet, në një situatë potenciale ku aleatja e madhe mund ta braktisë, (ose çka në thelb është e njëjta, s’mundet më ta mbrojë).

Dhe ndërsa për luftën thamë se ajo mund të ekzistojë edhe pa armiqësi, po ashtu aleanca mund të ekzistojë edhe pa miqësi. E njësoj si tek lufta, qoftë me armiqësi, qoftë pa armiqësi, dallimi paracaktohet nga fakti nëse bëhet fjalë për palë me fuqi të vogël apo palë me fuqi të madh (një fuqi e madhe lufton për territor dhe dominim dhe jo për mbijetesë dhe sakrificë, pra më së shumti lufton pa armiqësi, në mënyrë pavetore për të përmbushur një potencial, përkundër një fuqie të vogël që duket e destinuar të luftojë përmes armiqësisë); edhe tek aleancat, qoftë me miqësi, qoftë pa miqësi, dallimi vjen nga rendi i fuqisë: një fuqi e madhe bën aleanca pa synuar apo aktivizuar medoemos paraprakisht ndonjë sentiment kolektiv që aleanca të rihet në miqësi, përkundër një fuqie të vogël që duket se është në kërkim të miqësive njësoj si në kërkim të aleancave, a thua se s’mund të bëjë njësoj pa të dyja.

Prandaj një fuqi e madhe, nga vetë kjo fuqi, i ka të pakufizuara mundësitë për aleanca, e nga vetë kjo pakufishmëri ka luksin për aleanca të pakonsumuara prej miqësisë (e luksin tjetër të përfitimit nga sindroma e miqësisë me çdo kusht të aleatëve fuqipaktë). Në këtë kuptim shqiptarët për ShBA janë vetëm një prej aleancave standarde pa miqësi (aleancë e motivuar nga armiqësia e njëjtë me Rusinë), njësoj si një aleancë që po feks dhe mund të konsolidohet me serbët, po ashtu një aleancë pa miqësi. A është e mundshme që një ish – armik të kthehet në aleat?; po, nëse lufta është bërë pa armiqësi; po, meqë aleanca vetvetishmërisht s’ka nevojë për miqësi. Aq më tepër, që për klering mund të ofrojë diçka (si të çlirohej nga një barrë) si miqësia molisëse e shqiptarëve.

Apo kjo lloj aleance hibride (e perëndimit me serbët) vetëm se vijon (nuk është e re) dhe ka vepruar edhe më 1995, ku për klering atëherë kanë shërbyer kufomat jopolitike të 8000 boshnjakëve të Srebrenicës? Gjë që shpjegohet me faktin që Serbia është krejt luajale me fuqitë e mëdha, krejt pa vullnet kundrejt tyre por edhe pa iluzione miqësie, e përkitazi merr përsipër t’i zgjidhë vetë punët e saj me të ngjashmit (fuqipaktët apo fuqinjëjtët), duke mos kërkuar nga aletatët mbështetje, por kohë kritike dhe mbyllje sysh (e në këmbim japin ekuivokë në aleancën me miqësi me Rusinë). Kështuqë nuk bëhet fjalë për zbraztësi, por gjithmonë për të njëjtin rregull: nuk mund t’i bësh hile luftës, sidomos jo duke u fshehur pas aleatëve, sepse për çdo rast lufta do të gjejë një mënyrë të marrë atë që i takon.

Të vihet re sesi në tërësi partitë politike në Kosovë e Shqipëri dhe kryeministri i Shqipërisë, janë krejt të paditur për këtë natyrë të aleancave, duke shpallur që fatet e Shqipërisë dhe ShBA janë të njësuara prej dashurisë dhe jo prej interesit (duke qenë Shqipëria që në origjinë Hirushja dhe Amerika princi, si mund princi të ketë interesa tek një jetime pa krahë, përveç dashurisë; dhe si mund të mos ketë dashuri për të, kaq e urtë dhe vullnetmirë sa është, aq vullnetmirë sa as nuk mund ta dojë veten më shumë nga sa e do princi), deri në pikën që ShBA nuk mund të mos na dojë si veten (apo vetëm ajo mund të na mësojë sesi ta duam veten).

(E mund të jetë edhe shpjegimi që sidomos Evropa – jo si aleate por si ndërmjetëse dhe përtej palëve- dhe ShBA, të kenë kontraktuar si palë Serbinë për t’i dhënë me koncension luftën shfarosëse ndaj muslimanëve të Evropës -boshnjakë e shqiptarë-, por ky shpjegim sado vërtetësi të ketë, vjen si pasojë parasësgjithash i një shkaku tjetër: boshnjakët dhe shqiptarët synuan t’i bëjnë bisht luftës, apo u sollën sikur lufta nuk ekzistonte si opsion gjeopolitik, duke i konfonduar aleancat me miqësitë, ndërkohë që serbët bëjnë krejt të kundërtën duke i tejkaluar armiqtë e vet fuqinjëjtë, në qartësinë e kuptimit gjeopolitik.)

(Kliko faqen vijuese për ta vazhduar temën)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit