4.8 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Zhvillimi ekonomik i Kosovës, në stagnacion

Më të lexuarat

Kosova ka ngecje, ose ka fare pak investime. Ka mungesë të energjisë elektrike si pasojë e mungesës së kapaciteteteve të bollshme prodhuese dhe stabilimenteve aktuale të prodhimit të rrymës të amortizuara skajshmërisht, ka mbi gjysmën e minierave të plumb-zinkut dhe të mineraleve të tjera jashtë procesit të punës, ka inflacion në nivele rekorde, ka varfëri, ka shifra enorme të papunëve, ka migrim tronditës të popullsisë, ka ecuri jashtëkontrollit të ngritjes enorme të çmimeve, si dhe ka probleme shpërthyese sociale. Për të mos qenë e tëra zi, Kosova ka ende diasporë të fuqishme dhe potente financiarisht dhe akoma të ndërlidhur emocionalisht me vendlindjen, si dhe ka edhe sektorin goxha të efektshëm të ndërtimtarisë.

Kosova, deshëm s’deshëm ta pranojmë, ka kohë që gjendet në stagnacion evident të zhvillimit ekonomik. Nuk duhet shumë hulumtime, apo analiza komplekse për të parë se Kosova ka ngecje të tejdukshme të shumë indikatorëve që tregojnë zhvillimin ekonomik të një vendi: ka ngecje, ose ka fare pak investime, ka investime të jashtme sa për të thënë, ka mungesë të energjisë elektrike si pasojë e mungesës së kapaciteteteve të bollshme prodhuese dhe stabilimenteve aktuale të prodhimit të rrymës të stërvjetëruara dhe të amortizuara skajshmërisht, ka mbi gjysmën e minierave të plumb-zinkut dhe të mineraleve të tjera jashtë procesit të punës, ka inflacion në nivele rekorde, ka varfëri, ka shifra enorme të papunëve, ka migrim tronditës të popullsisë, ka ecuri jashtëkontrollit të ngritjes enorme të çmimeve, si dhe ka probleme shpërthyese sociale.

Për të mos qenë e tërë zi, Kosova ka ende diasporë të fuqishme dhe potente financiarisht dhe akoma të ndërlidhur emocionalisht me vendlindjen, si dhe një sektor goxha të efektshëm, atë të ndërtimtarisë, i cili njëkohësisht është edhe diktueshëm i fortë financiarisht.

Prandaj, s’ka si të jetë ndryshe, pos siç ka konstatuar Banka Botërore: rritja ekonomike për Kosovën në këtë vit është vetëm 3.1 për qind, që i bie ngecje, ose thënë më së buti ngadalësim i rritjes ekonomike.

“Pas një ngadalësimi të investimeve dhe konsumit privat, rritja reale e prodhimit të brendshëm bruto të Kosovës për vitin 2022 pritet të ngadalësohet në 3.1 për qind”, ka vlerësuar institucioni prestigjioz financiar ndërkombëtar këto ditë në raportin “Mbrojtja sociale për rimkëmbje, në kontekstin aktual”.

Në fakt, BB nuk ka bërë ndonjë vlerësim të ri dhe të panjohur për njohësit e rrethanave zhvillimore. Që më herët, guvernatori i BQK-së Fehmi Mehmeti, pati thënë para Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës se parashikimet e zhvillimit ekonomik të Kosovës gjatë këtij viti janë diku mbi 3 për qind. Kjo, sipas tij, ka ndodhur për shkak të dobësimit të fuqisë blerëse të kosovarëve, zvogëlimit të kërkesës së brendshme dhe rritjes së deficitit të eksportit neto dhe pasojave që ka lënë pandemia dhe lufta ruso-ukrainase.

“Përderisa rreziqet nga pandemia janë zvogëluar, rritja e rimëkëmbjes ekonomike pritet të ngadalësohet nga pasojat e tashme të dy krizave. Së pari janë pengesat ende evidente nga zinxhiri i furnizimit nga pasojat e pandemisë dhe presionet shoqëruese të inflacionit, të kombinuara me efektet e kombinuara të luftës në Ukrainë, që e përforcoi edhe më tej rritjen e çmimeve, dobësimin e fuqisë blerëse dhe rënien e besueshmërisë”, pati theksuar Mehmeti.

Sipas tij, inflacioni në Kosovë është i importuar dhe çdo masë e tyre vetëm do të pengonte rritjen ekonomike. Ai në vazhdimësi, në paraqitjet e tija publike, ka vlerësuar se presioni i inflacionit dhe rënia e fuqisë blerëse kanë ndikuar në rënien e parametrave zhvillimor në këtë vit. Në këtë mënyrë, guvernatori Mehmeti, ka përgënjeshtruar kryeministrin Kurti, që proklamonte publikisht 4.9 për qind rritje ekonomike për këtë vit.

Në institucionet përkatëse që merren me trajtimin e ecurive zhvillimore, por edhe ndër zyrtarë dhe analistë, sikur, po anashkalohet edhe një fakt, që drejtpërdrejt dhe tërthorazi ka ‘dorë” në ngecjen ekonomike të vendit. Është fjala, për mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar, me të cilën, qëkur ka filluar pandemia dhe kriza energjetike në vendet perëndimore dhe hapja goxha e vrullshme e dyerve të këtyre vendeve edhe për kosovarët, po ballafaqohen shumë sektorë ekonomik dhe biznese të vendit.

Ndërsa, ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, duke insistuar në depolitizimin e ekonomisë thotë se “bordet politike janë pengesë të zhvillimit ekonomik”. Ai e vlerëson si problem të madh faktin se “Kosova është shndërruar në një shtet social”.

Sipas tij, Kosova meriton më tepër, meriton sektor privat më të fuqishëm, dhe meriton një qasje më të mirë në sundimin e ligjit që do të përmirësonte imazhin e Kosovës për investitorët e huaj.

“Duhet të kuptohet që ekonomia është një lokomotivë që duhet të përcillet nga mbrapa dhe jo t’i dilet përballë e të pengohet zhvillimi ekonomik”, është shprehur këto ditë për media Safet Gërxhaliu.

Njohësi i zhvillimeve ekonomike, Florin Aliu, duke kundërshtuar deklarimet e ministrit të Financave për rritje ekonomike, përmes një statusi në facebook (rritja ekonomike në Kosovë më 2021 ishte 10.7 për qind, më e larta që nga shpallja e pavarësisë, ndërkohë rritje ka shënuar edhe BPV-ja, duke arritur në rreth 8 miliardë), ka thënë se “shëndetin e ekonomisë e masim përgjithësisht me inflacion dhe me rritje ekonomike”.

“Në momentet e këtij niveli të inflacionit, rritet shpejtësia e qarkullimit të parasë. Pra, për shkak se fuqia blerëse e parave bie dhe paga zhvlerësohet, njerëzit dhe bizneset priren t’i shpenzojnë paratë e tyre sa më shpejt që të munden. Kjo krijon përshtypjen se vëllimi nominal është rritur, por jo ai real”, thotë ai.

“Tani kostoja e prodhimit është rritur sepse inputet e tyre kushtojnë më shumë dhe për rrjedhojë, bizneset kanë rritur çmimet e produkteve të tyre, dhe kjo të jep përshtypjen se vëllimi i tyre është rritur që është e vërtetë në terma nominalë, por jo në atë real. Por, duhet pasur parasysh se edhe sasia e shitjes dhe e prodhimit ka rënë dhe këtë e dëshmon rënia e BPV-së në 6 muajt e fundit në Kosovë”, ka vlerësuar ai.

Gjithsesi, në rënien e parashikimeve të zhvillimit ekonomik, ndikim të veçantë dhe të ndjeshëm ka pasur edhe rënia e investimeve kapitale në Kosovë, edhe në nivelin qëndror edhe në atë lokal. Në nivelin qëndror deri në muajin gusht, sipas të dhënave zyrtare, janë realizuar vetëm 9 për qind investimet kapitale (janë të pashfrytëzuara diku mbi 700 milionë euro të dedikuara për investime kapaitale).

Edhe në nivelin komunal, në shumicën absolute të komunave, kanë dështuar investimet kapitale. Buxheti i shtetit të Kosovës këtë vit ka qenë mbi 2.7 miliardë euro. Nga kjo shumë, mbi 720 milionë euro janë planifikuar për shpenzime kapitale.

Nga të dhënat e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve del se për projekte kapitale janë shpenzuar vetëm pak mbi 79 milionë euro. Sipas raportit, në periudhën e njëjtë të vitit paraprak, për të njëjtin qëllim janë shpenzuar rreth 129 milionë euro, kurse në vitin 2020 rreth 92 milionë euro.

Nga vlerësimet e Institutit GAP, i cili monitoron punën e institucioneve të Kosovës, shihet se realizimi i investimeve kapitale në gjysmën e parë të vitit 2022 është më i ulëti në dekadën e fundit. Duhet konstatuar se investimet në përgjithësi, pra edhe ato kapitale, edhe investimet e jashtme, edhe ato në projekte industriale dhe energjetike, në këto vitet e pasluftës kanë qenë fare simbolike dhe goxha shumë të dështuara, përkatësisht të papërmbushura në asnjë objektiv.

Edhe në vitet kur përqindjet e investimeve kapitale ta zëmë, në të dy nivelet, edhe në atë qendror, edhe në nivelin lokal, ishin goxha të imponueshme, ato shifra u arritën me pagesat ndaj punëkryesve të autostradave, siç ishin Rruga e Kombit ,ose autostrada Ibrahim Rugova, dhe autostrada për në Shkup, ose autostrada Arbën Xhaferi.

Investimet kapitale, bie fjala, më 2012 – 40 për qind në nivel qendror dhe 25 për qind në nivelin lokal, janë kryesisht para të autoudhës së kombit, sikundër që janë edhe ato të vitit 2013, me 32 për qind investime kapitale dhe me 29 për qind sosh lokale, ndërsa investimet kapitale të vitit 2016 duhet atribuar pagesave për autostradën Prishtinë – Shkup. Sepse realisht nuk ka pasur ndonjë investim tjetër për t’u përmendur, qoftë për ndonjë projekt industrial, prodhues apo energjetik, që do të gjeneronte vende të reja pune, por edhe të ardhura aq të nevojshme për Kosovën e varfër.

Në vitet e tjera, në periudhën janar-qershor pra, sipas një raporti hulumtues të publikuar të GAP-it, nuk shihet se ka pasur ndonjë shifër edhe aq të theksueshme investimesh kapitale (më 2014 -24 për qind, më 2015-25 për qind, më 2017 – 20 për qind, më 2018-26 për qind, më 2019-16 për qind, më 2020 11 për qind, më 2021- 19 për qind dhe më 2022 vetëm 9 për qind, që, gjithsesi, është më i ulëti në dekadën e fundit, siç thuhet edhe në raportin e publikuar nga Instituti GAP.

Sipas GAP-it, realizimi i investimeve kapitale, si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë local, ndodhet në këtë pikë për shkak të rritjes së çmimeve të materialeve ndërtimore si dhe politikave qeveritare. Gjithsesi me politikat qeveritare aludohet te fokusimi i Qeverisë Kurti 2 në skema sociale.

Kritike ndaj ngecjes së investimeve kapitale në këta muajt e shkuar, ka qenë vazhdimisht edhe opozita. Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke hedhur akuza të rënda për huqjen e investimeve kapitale gjatë kësaj qeverisjeje, kohë më parë kishte thënë se “Kosova ka nevojë për zhvillim, e zhvillimi nuk mund të reduktohet në disa transakcione bankare të skemave sociale”.

Sidoqoftë, në Kosovë, në këto vite janë shënuar huqje dhe dështime edhe në investimet e tjera, e sidomos në investime të huaja direkte (IHD), të cilat bazuar në të dhënat e Bankës Qendrorë të Kosovës (BQK), në periudhën janar-prill të 2022, në Kosovë kanë qenë rreth 173.3 milionë euro. Dhe, sipas të dhënave konkrete, nga gjithë kjo shumë e investimeve të huaja direkte, rreth 85.3% e tyre janë investime në aktivitete të patundshmërisë.

Ndërsa, në vitin 2021, IHD kanë qenë rreth 415.3 milionë, nga të cilat rreth 92.6% në aktivitete të patundshmërisë, e që ngjashëm duken edhe vitet paraprake. Kjo, sipas Edison Jakurtit, njohës i zhvillimeve ekonomike, nënkupton që IHD-të tek ne janë blerjet e shtëpive, banesave, lokaleve, trojeve, etj. nga diaspora, që nënkupton prapë se këto investime nuk janë në sektorë produktiv që krijojnë vende të reja pune dhe që e stimulojnë zhvillimin.

Për të qenë më konkret dhe për të parë rrjedhën e investimeve të jashtme, po i paraqesim të dhënat e ecurive të ardhjes së kapitalit ndërkombëtar –investimeve të jashtme nëpër vite: -Më 2004 në Kosovë janë regjistruar 42,9 milionë euro investime të huaja të drejtpërdrejta, më 2005-107,6 milionë, më 2006- 294,8 milionë, më 2007- 440,7 milionë, më 2008 -366,5 milionë më 2009- 291,4 milionë, më 2010 -365,8 milionë euro, më 2011 – 394, 6 milionë më 2012 – 230 milionë dhe më 258,9 milionë euro.

Të dhënat pra dëshmojnë se me vite Kosova ka dështuar në thithjen e investimeve të jashtme, ndërkohë që në vitet e fundit nuk ia doli që ta sjellë këtu asnjë investitor të madh strategjik, asnjë projekt madhor të tyre. Ç’është më keq, pati edhe raste kur ikën investitorët potencial.

Në këtë mënyrë, Kosova mbeti me trendin më negativ të investimeve të huaja krahasuar me shtetet e rajonit, si Serbia, Maqedonia Veriore dhe Shqipëria. Dhe ky trend negativ ka vazhduar me vite të tëra.

Njohësit e rrethanave investuese në Kosovë, interesimin e investitorëve të jashtëm për ta shtrirë kapitalin e tyre te ne, e shohin te bërja të infrastrukturës më të mirë ligjore. Në fakt, pas miratimit të Ligjit për investimet strategjike, që ka hyrë në fuqi në shkurt të vitit 2017, janë thjeshtësuar dukshëm procedurat për investitorët e huaj potencialë.

Sipas këtij ligji, vëllimi i investimit për të fituar statusin e investitorit strategjik është nga 10 deri në 30 milionë euro, varësisht nga sektori. Edhe Ligji për investimet e huaja, i miratuar qysh më 2013, e që kishte për qëllim të rregullojë mbrojtjen, promovimin dhe inkurajimin e investimeve të huaja, dhe t’u ofrojë atyre të drejta dhe garanci themelore, ka qartësuar shumë investitorët e huaj, sidomos në drejtimin e dhënies së sigurisë që investimet e tyre do të mbrohen në mënyrë të drejtë në pajtim me standardet dhe praktikat ndërkombëtare.

Qeveria aktuale duhet të jetë shumë më këmbëngulëse të vazhdojë për t’u ofruar masa edhe më lehtësuese investitorëve të interesuar. Të jetë më e vëmendshme në monitorimin e saktë të zbatimit të ligjeve, duke themeluar në raste të nevojshme edhe mekanizma të rinj për përcjelljen e zbatimit të këtyre ligjeve për t’u dhënë garanci investitorëve të huaj që tashmë janë në Kosovë, por edhe investitorëve potencialë, të cilët e shohin Kosovën si destinacion për investim. Institucionet duhet të fokusohen në investimet në sektorët strategjikë siç janë prodhimi, teknologjia e informacioni, energjetika e pastaj përpunimi. Të kërkojë investitorët e jashtëm që ishin këtu dhe u dëbuan për shkaqe të njohura dhe të panjohura, t’u ofrojë atyre mundësi të reja, projekte atraktive për t’u kthyer në Kosovë. Ndërsa mundësi të reja duhet të ishin sundimi i ligjit, promovimi i vlerave dhe politikave atraktive për investitorët e huaj, luftimi i njëmendtë i korrupsionit dhe ekonomisë së fshehtë dhe rikthimi i imazhit të mirë të Kosovës në botë. Nuk është lehtë të bëhen shpejtë të gjitha këto punë, por janë të arritshme dhe të realizueshme nëse do të kishte vendosmëri institucionale dhe vullnet politik./buletiniekonomik/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit