15.5 C
Pristina
Friday, May 24, 2024

Si i humbën popujt gjurmët e profetëve?

Më të lexuarat

Pyetje: Kështu, përderisa popujt kanë pasur lajmëtarët e tyre atëherë si ka mundësi që popujt humbën rrugën e drejtë, madje shumicës së tyre nuk u njihet në historinë e tyre ndonjë gjurmë profeti?

Përgjigje:

Allahu i madhëruar ka njoftuar disa herë në Kuran se në çdo popull ka pasur të dërguar, siç është përmendur në këto ajete:

“Ne kemi dërguar te çdo popull një të dërguar.” Sure Nahl: 36
“S’ka ndonjë popull veçse ka vajtur atje paralajmërues.” Sure Fatir: 24
“Për çdo popull ka pas udhëzues.” Sure Rrad: 7

Po ashtu edhe Profeti Muhamed, alejhi selam, ka njoftuar për një numër të madh të dërguarish dhe lajmëtarësh, kur ka thënë:
Profetët janë njëqind e njëzet e katër mijë profetë ndërsa të dërguarit tre qind e pesëmbëdhjetë. (E transmeton Imam Ahmedi, Ibn Hibbani, Taberani dhe e saktëson Shejh Albani.)

Shejhu i Islamit Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë, kur flet për përhapjen e idhujtarisë dhe humbjen e gjurmëve të profetësisë te shumica e popujve ndërkohë që çdo popull ka pas lajmëtarin e tij, thotë:

Kjo dukuri ka dy përgjigje:

E para: Shumica e popujve nuk i kanë pranuar profetët, siç thotë Allahu i madhëruar në Kuran:
Prej tyre pati popuj që i udhëzoi Allahu dhe popuj të tjerë që e merituan humbjen. Prandaj udhëtoni në tokë dhe shihni si ishte përfundimi i përgënjeshtruesve. Sure Nahl: 36
Kështu ata që zgjodhën kundërshtimin e profetëve nuk iu mbetën më pas, as lajmet e profetëve dhe as fjalët e tyre.

E dyta: Fjala e Allahut: Pasha Allahun, Ne kemi dërguar lajmëtarë te popujt para teje, por Shejtani ua zbukuroi punët (e këqija) dhe ai sot është kujdestari i tyre. Sure Nahl: 63
Pra, kur Shejtani ua zbukuroi atyre punët e këqija, pati prej tyre popuj që i humbën gjurmët e profetësisë (pasi që i kishin ditur ato).

Shih fjalët e autorit në librin En-Nubuat: 1/196-197.

Shejhu i Islamit Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë, me këto fjalë do të thotë se popujt, ose mbetën në errësirën e injorancës duke refuzuar profetët, ose kaluan në injorancë pas diturisë duke ndjekur hapat e shejtanëve dhe joshjen e tyre dhe kjo bëri që shumica e popujve të mos kenë sukses e begati në besim.

Hoxhë Dr. Abdullah Nabolli

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit