0.8 C
Pristina
Thursday, January 26, 2023

Pretendimi i fitimit të pasurisë dhe i pushtetit në përpilimin e Kuranit?!

Më të lexuarat

Hipoteza se “Muhamedi, ishte dhënë pas pasurisë, ndaj ia atriboi Kuranin Allahut
xh.sh. me qëllim që të përfitonte më tepër, gjithashtu edhe dëshira për pushtet
dhe lavdi e shtyu të përpilonte Kuranin”! Çka na ofrojnë faktet historike?

Pozita financiare e Muhamedit s.a.v.s. ishte shumë më e mirë përpara sesa gjatë pejgamberisë së tij.

Për ata që e njohin mënyren e të jetuarit të Muhamedit s.a.v.s., vetëm aludimi në përfitimin material përbën një ofendim të rëndë. Në dokumentet historike është përshkruar në detaje mënyra e tij e të jetuarit, si para pejgamberisë, ashtu edhe gjatë pejgamberisë e deri në vdekjen e tij. Nuk ka dyshim, Muhamedi s.a.v.s. ishte i pasur edhe para se të shpallej Pejgamber; ai ishte martuar me Hatixhenë r.a., e cila ishte mjaft e pasur.¹ Pra  pozita financiare e Muhamedit s.a.v.s. ishte shumë më e mirë përpara sesa gjatë pejgamberisë së tij. Në moshën 25-vjeçare (15 vjet para se ai të shpallej Pejgamber) u martua dhe pati jetë të rehatshme me Hatixhenë r.a., e cila ishte një tregtare e pasur.
Gjatë pejgamberisë së tij, standardi i jetës dhe gjendja e tij financiare nuk ishin për t’u patur zili. Transmetohet shpeshherë që ushqimi i tij i vetëm ditor ishin ca hurma. Një nga gratë e Pejgamberit s.a.v.s. tregonte se zjarri në shtëpinë e tyre ndodhte të mos ndizej një deri në dy muaj, ngaqë nuk kishin asgjë për të gatuar. I vetmi ushqim për të jetuar ishin hurmat dhe uji.

Nganjëherë këtij ushqimi i shtohej edhe qumështi i dhisë, të cilin ia dhuronte populli i Medinës. Omeri r.a. tregon: “Vërtet e kam parë të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., gjatë tërë ditës, me barkun e ngjitur nga uria; nuk kishte as hurma të këqija që ta mbushte barkun e tij”.² Martin Lingsi në librin e tij:  “Muhamedi a.s., Jeta e tij, bazuar mbi burimet më të hershme”, thotë: “Pejgamberi dhe familja e tij jetonin një jetë plot kursime. Aisha tregon se përpara pushtimit të Haiberit ajo nuk kishte ngrënë kurrë hurma, sa të ngopej. Varfëria e këtyre njerëzve ishte e tillë, sa që gratë e Pejgamberit nuk i kërkuan kurrë atij ndonjë gjë, përveç atyre gjërave më të nevojshme për të jetuar”.³ Enesi r.a., thotë: “Nuk e di ndonjëherë Resulullahu s.a.v.s., në jetën e vet të ketë parë në shtëpinë e vet pogaçe të butë dhe taze, samun apo dele të tërë të pjekur”.

Ajshja r.a., ka thënë: “Në shtëpinë e Resulullahut s.a.v.s. rrallëherë ndizej zjarri, ndoshta, dy-tri herë në dy muaj”. Urvetja e kishte pyetur: “E me çka ju  ushqente?” Ajshja i ishte përgjigjur: “Me hurma dhe me ujë”⁴ “Shumë herë Pejgamberi s.a.v.s. dhe familja e tij flinin krejtësisht të uritur dhe mbulonin trupin e tyre me rrobe të arnuara”.⁵ Omeri r.a., e përshkruan dhomën e  Muhamedit s.a.v.s., si një kthinë skajshmërisht të varfër, me tri lëkura të thara bagëtie për shtrirje dhe një grusht elb për ushqim diku në qoshe. Duke parë gjendjen e rëndë në të  cilën jetonte Pejgamberi, sytë e Omerit ishin mbushur me lot. Muhamedi s.a.v.s. i kishte thënë: ”Përse po qan?” Omeri i ishte përgjigjur: “O Pejgamber i Allahut! E si të mos qaj kur shoh se në ç’gjendje ndodhesh. O Pejgamberi i Allahut! Lutu që Allahu të na japë ushqim të mjaftueshëm. Si ka mundësi që persianët dhe bizantinët, të cilët nuk kanë fe të vërtetë dhe nuk adhurojnë Allahun, por mbretërit e tyre, Kaizerin dhe Kohesrohen, të jetojnë në kopshte të lulëzuara e buzë shadërvanëve të pastër, ndërsa Pejgamberi i zgjedhur dhe robi i nënshtruar i Allahut të jetojë në varfëri të plotë! Pejgamberi i ishte përgjigjur: “O Omer ende vazhdon të dyshosh për këtë gjë? Qetësia dhe rehatia në botën e përtejme janë shumë më të mira se qetësia dhe rehatia në këtë jetë. Të pafetë po shijojnë shumë të mira në këtë botë, ndërsa për ne të gjitha këto të mira janë rezervuar në jetën tjetër”.⁶

Kur Muhamedi s.a.v.s., filloi të thërriste arabët tek Zoti i vetëm i vërtetë, ata i premtuan gjithçka, vetëm të hiqte dorë nga ky mision. I premtuan pasuri të pafundme, gratë më të bukura, pozitën më të lartë, por ja çfarë ishte përgjigjja e Pejgamberit, Muhamed s.a.v.s.: “Sikur të më jepni hënën në krahun e majtë dhe diellin në krahun e djathtë, unë nuk do të heq dorë nga thirrja e Allahut”. Cfarë nënshtrimi prekës! Muhamedi s.a.v.s., sa herë që merrte ndonjë dhuratë, (si në rastin kur kryetari i Fidakut i dhuroi 4 deve të ngarkuara me mall) ai ua shpërndante të varfërve dhe s’pranonte të merrte asgjë për vete.

Kur Muhamedi s.a.v.s. vdiq, nuk kishte kurrfarë parash. Pasuria e vetme e tij ishin 7 dinarë, të cilat ai ua shpërndau të varfërve disa ditë përpara se të vdiste, duke patur frikë se mos i linte prapa. Ka gjithashtu edhe mjaft raste të tjera, të cilat tregojnë se jeta e Muhamedit s.a.v.s., nga fillimi i pejgamberisë së tij e deri në vdekje, ishte një jetë e një njeriu që kurseu shumë, dhe ia privoi vetes shumë gjëra. Ideja se qëllimi i tij ishte përfitimi material, nuk përputhet me faktet historike. Kjo vërehet far  mirë edhe tek Enciklopedia e Re Katolike, vol I, fq. 1001: “Thuhet se frymëzimi kryesor që e shtyu Muhamedin për të kryer revolucionin e tij fetar, ishte thjesht përfitimi ekonomik. Kjo hipotezë nuk u përshtatet fakteve që ne njohim”.⁷

Hipoteza “Dëshira për pushtet dhe lavdi e shtyu Muhamedin s.a.v.s. të përpilonte Kuranin”. Edhe kjo nuk përputhet me faktet historike. Ai për vite të tëra përjetoi fyerje nga arabët, megjithëse mund të ishte prijës i tyre, sepse një gjë të tillë ia kishin afruar vetë arabët. Edhe kur u bë udhëheqësi i tërë myslimanëve, mbeti po i njëjti. Karakteri i tij tregon qartë se ai nuk ishte i etur për pushtet e as për lavdi personale. Muhamedi s.a.v.s., ishte një shembull i mahnitshëm modestie. Me gjithë rangun shoqëror, si pejgamber që ishte dhe me gjithë përgjegjësinë e madhe, si burrë shteti, Muhamedi s.a.v.s. angazhohej edhe në punët e shtëpisë. Ai kujdesej për veshjet, riparonte këpucët dhe milte dhinë e tij. Erdhi një kohë kur myslimanët, në shenjë respekti, filluan të çohen në këmbë sa herë që ndodheshin para tij, por Pejgamberi s.a.v.s. ua ndaloi një gjë të tillë. Po ashtu Pejgamberi s.a.v.s. punonte  bashkë me shokët e tij, edhe pse ata nuk dëshironin ta lejonin të punonte krah me ta. Po, në të tilla raste Muhamedi s.a.v.s., u përgjigjej: “E di që doni të më bëni një nder, por nuk do të doja”.

Pasuesit e tij ishin gjithmonë të gatshëm t’i bindeshin, por ai gjithmonë ngulte këmbë se bindja duhej treguar ndaj Allahut xh.sh. e jo ndaj tij personalisht. Njëherë atij iu afrua një i huaj, i cili pothuajse dridhej nga nderimi që kishte për të dhe Muhamedi s.a.v.s., ngrohtësisht, ia hodhi dorën në qafë, duke i thënë: “Qetësohu vëlla, unë jam vetëm biri i një gruaje e cila e hante bukën thatë”. Muhamedi s.a.v.s., kishte urdhëruar që varri dhe personaliteti i tij të mos ktheheshin në idhull pas vdekjes së tij. “Mos e ktheni varrin tim në një vend adhurimi”, ”Mos më lëvdoni mua ashtu siç lëvdojnë krishterët Isanë, birin e Merjemes, por thoni: Ai është rob i Allahut dhe lajmëtar i Tij”. Atyre që thonë se Muhamedi s.a.v.s., e shkroi vetë Kuranin me qëllim që ti kënaqte ambiciet e tij për pushtet dhe lavdi, mund t’u them: Muhamedi s.a.v.s. natyrisht që do t’i kishte hequr nga Kurani ato ajete të cilat mund të binin ndesh me ambiciet e tij. Por ai nuk e bëri këtë. E përse duhej të shkruante ai një libër i cili e detyronte t’i thoshte popullit se ai ishte i pafuqishëm dhe nuk dinte asgjë mbi forcat e mistershme, se ai nuk kishte sjellë asnjë doktrinë (parim) të re; se nuk di të shkruante dhe të lexonte dhe se ky libër nuk ishte fjalë e tij? (shih ajetet: El Araf, 188; El Huxhurat, 6; El Kasas, 86; El Kehf, 110; El Enam, 50 etj.).
_________________________________

Autor: Ma.sci. Senad Maku

DITURIA ISLAME

1. Edukata Islame, Prishtinë, nr. 24, fq. 12;Mustafa Steven Nicholas & Tariq Nelson, “Kush e shkroi Kur’anin”, Prishtinë 2006, fq. 13.
2. Imam Neveviu, “Rijadus-Salihin”, Prishtinë 1997, hadithi nr. 477 (shiko dhe hadithet 474-478).
3. Hamza Mustafa Nijazi, Tiranë, 1993, fq. 16.
4. Saffijjurrahman El-Mubarekkfuri, “Nektari i vulosur i xhenetit”, Prishtinë 2001, fq. 559. 5. Edukata Islame, Prishtinë, nr. 24, fq. 13.
6. Hamza Mustafa Nijazi, Vep. e cit., fq. 18; Mustafa Steven Nicholas & Tariq Nelson, Vep. e cit., fq. 14.
7. Po aty, fq. 18, 19.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit