18.2 C
Pristina
Tuesday, June 18, 2024

Rritja e Inteligjencës Emocionale përmes Agjërimit!

Më të lexuarat

Të gjithë jemi dëshmitarë që agjërimi sot nëpër botë, i ka tejkaluar kufijtë fetarë dhe është duke u zbatuar dhe rekomanduar nga ekspert, në disa fusha të jetës.  Agjërimi ka tërhequr vëmendjen e disa studiuesve shkencorë të cilët kanë bërë hulumtime në lidhje me përfitimet në aspektin mendor, social, spiritual, dhe shëndetësor.

Sa i përket aspektit mendor, agjërimi rritë dhe përmirëson funksionin kognitiv përmes rritjes së BDNF-së (brain-derived neurotrophic factor) i cili ndihmon në rritjen dhe mirëmbajtjen e neuroneve. Disa studime tjera potencojnë edhe rritjen e fokusit dhe qartësisë së mendjes si pasojë e rritjes së adrenalinës dhe nor-adrenalinës gjatë agjërimit.

Inteligjenca emocionale prej shumë ekspertëve botërorë është cilësuar si një aftësi shumë e vlefshme në aspektin personal, social, karrierë, dhe biznes.

Sipas Daniel Goleman (1996), ‘80 – 90% të kompetencave profesionale që dallojnë punonjësit më të mirë, janë të lidhura me inteligjencën emocionale’.

 

Hulumtimet kanë treguar që fushat në vijim, e që lidhen me inteligjencën emocionale përfitojnë dukshëm gjatë agjërimit: rritja e vetëdijes, zhvillimi i ndjeshmërisë (empatisë), vetë-menaxhimi, durimi dhe toleranca, menaxhimi i stresit, vetëdijesimi, etj.

Sipas hulumtimeve, gjatë agjërimit rritet vetëdija jonë rreth ndjenjave, mendimeve, dhe emocioneve.

Duke qenë të uritur dhe të etur, ne kemi mundësi t’i vlerësojmë dhe dallojmë efektet në gjendjen tonë shpirtërore dhe sjelljen tonë, e që na mundëson t’i kuptojmë reagimet tona emocionale karshi stimujve të ndryshëm. Sipas shumë ekspertëve ngritja e vetëdijes është aftësia kyçe e inteligjencës emocionale

Disiplina dhe vetë-kontrolli që praktikohen gjatë agjërimit, ndikojnë në përmirësimin dhe rritjen e vetë-menaxhimit që është pjesë e inteligjencës emocionale. Menaxhimi i nevojave dhe dëshirave, vonimi i shpërblimit, dhe menaxhimi i vuajtjeve të mundshme gjatë agjërimit, kontribuojnë në rritjen dhe zhvillimin e vetë-menaxhimit edhe në fushat tjera të jetës.

Duke agjëruar, njeriu privohet prej gjërave bazike jetësore (si p.sh. ushqimi dhe pija) të cilat e bëjnë të kuptoj se çka është privimi dhe vuajtja me të cilat përballen shumë njerëz në botë. Me një vëmendje dhe vetëdije të plotë në kuptimin e këtyre ndjenjave që përjeton një agjërues, pa dyshim që e bënë më të ndjeshëm ndaj vuajtjeve të tjerëve, e që ndikon në rritjen e ndjeshmërisë (empatisë).

Agjërimi mund t’i ndihmojë individët të zhvillojnë strategji më efektive të menaxhimit të stresit.

Përballja me urinë dhe etjen, zhvillon aftësitë tona fiziologjike me anë të cilave menaxhojmë stresin dhe situatat stresuese më lehtë. Këtu përfshihet edhe stresi emocional me të cilin përballemi çdo ditë. Menaxhim i emocioneve dhe stresit është pjesë tejet e rëndësishme e inteligjencës emocionale.

Mos harroni! Agjërimi mund të kontribuoj në zhvillimin dhe rritjen e inteligjencës emocionale, vetëm atëherë kur praktikohet me vetëdije të plotë dhe me fokus të shtuar në metodat e zhvillimit të aftësive të përmendura më lartë.

Jini gjithmonë prezent me agjërimin dhe konsiderojeni aleatin tuaj më të fuqishëm, për zhvillimin tuaj në fushën personale, familjare/shoqërore, profesionale, dhe shpirtërore

/Vehbi Zeqiri, Fondacioni për Lidership dhe Avancim Personal/

Burimi: http://revistapsikologji.com/rritja-e-inteligjences-emocionale-permes-agjerimit/?fbclid=IwAR06zneYgQG3Z8IBhQjYLeUPOOSgYWLnRmdnd0f-UMy9_74stv006GCaZoU

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit