11.4 C
Pristina
Wednesday, May 15, 2024

Grupet palestineze reagojnë kundër Theresa May lidhur me Deklaratën e Balfourit

Më të lexuarat

GAZZE (AA) – NUR MAHD ALİ ABU AİSHA

Grupet palestineze si Fatah, Hamas, Lëvizja e Xhihadit Islam, Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës dhe Organizata për Çlirimin e Palestinës kanë dënuar deklaratën e kryeministres britanike Theresa May, e cila ka thënë se do ta festojnë 100-vjetorin e Deklaratës së Balfourit, që parashihte krijimin e shtetit izraelit në tokat palestineze, duke refuzuar të kërkojë falje.

Lëvizja Fatah, e kryesuar nga presidenti i Palestinës Mahmud Abbas, ka deklaruar se refuzojnë faktin që kryeministrja May këmbëngul në festimin e 100-vjetorit të Deklaratës së Balfourit.

“Duke e ripërtërirë këmbënguljen e saj në krim, Britania mbështet dhe nxit drejtpërdrejt okupimin në mënyrë që të vazhdojë diskriminimi racor ndaj popullit tonë”, vlerëson për Anadolu Agency (AA) Usame el-Kavasimi, zëdhënësi i Fatahut dhe anëtar i Këshillit Shura.

Kavasimi nënvizon se Britania, në vend se të festojë “katastrofën e madhe” (Nakba) me të cilën u përball populli palestinez, duhet ta njohë shtetin palestinez, ndërsa deklaratat e kryeministres May i cilëson si ripërtërirje e krimeve ndaj popullit palestinez.

“Nuk nevojitet vetëm kërkimfalje, por edhe njohja e shtetit palestinez”, thotë ai.

Në ndërkohë, edhe zëdhënësi i Hamasit, Hazem Kasim, e dënoi faktin që May ka refuzuar të kërkojë falje për Deklaratën e Balfourit.

Sipas tij, deklaratat e Mayit janë mohim i të drejtave të palestinezëve, të cilët u lanë pa shtëpi dhe u detyruan të migrojnë për shkak të Deklaratës së Balfourit.

“Britania duhet të kërkojë falje për Deklaratën e Balfourit, të ndalojë së mbështeturi okupimin izraelit dhe të jetë në anën e popullit palestinez”, shprehet Kasim.

– “Britania është bashkëfajtor me Izraelin”

Edhe Ahmed el-Mudellel, një nga liderët e Lëvizjes së Xhihadit Islam, ka kërkuar që Britania, e cila nuk ka kërkuar falje nga populli palestinez për Deklaratën e Balfourit, të gjykohet në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.

“Populli palestinez ende i nënshtrohet bllokadave, shkatërrimit, dëbimit nga shtëpitë dhe migrimit dhe i ndien pasojat e kolonive hebreje, hebraizimit dhe luftës. Dhimbjet ende vazhdojnë. Britania është bashkëfajtor në krimet e Izraelit kundër popullit palestinez”, thekson Mudellel.

Ndërkaq, anëtari i Komitetit Gjeneral të Frontit Popullor për Çlirimin e Palestinës dhe përgjëgjës për mediumet, Hani es-Sevabite, deklaratat e Mayit i cliëson si “lavdërim i shëmtuar”.

“Këto deklarata nuk janë të huaja për zyrtarët e një shteti racist. Ato shpalosin fytyrën e vërtetë të tyre dhe pohimet e një demokracie të rreme dhe se këto deklarata janë thënë me idenë për të vazhduar gabimin historik të Britanisë ndaj popullit palestinez”, vlerëson Sevabite.

Edhe Sevabite konsideron se Britania duhet të kërkojë falje nga populli palestinez, duke theksuar nevojën për protesta masive kundër Deklaratës së Balfourit, të cilën e cilësoi se “ogurzezë”.

Po ashtu, kryetari i Departamentit të Refugjatëve pranë Organizatës për Çlirmin e Palestinës, Zekerija el-Aga, potencon se Britania, në vend se të festojë përvjetorin e Deklaratës së Balfourit e cila hapi rrugën për krijimin e shtetit izraelit në trojet palestineze, duhet të kërkojë falje nga populli palestinez.

Ai tha se në qoftë se Britania këmbëngul në festimin e këtij përvjetori dhe refuzon të kërkojë falje, atëherë edhe pala palestineze do të kundërpërgjigjet duke u mobilizuar në mënyrë që Britania të gjykohet në gjykatat ndërkombëtare.

Ndryshe, në një deklaratë të mërkurën e kaluar në Dhomën e Ulët të Parlamentit Britanik, May paralajmëroi se do të festojnë 100-vjetorin e Deklaratës së Balfourit.

“Jemi krenar për rolin që kemi pasur në krijimin e shtetit izraelit dhe, natyrisht, do ta festojmë me krenari 100-vjetorin e deklaratës”, ishte shprehur May.

Deklarata e Balfourit

Përmes Deklaratës së Balfourit më 2 nëntor të vitit 1917, Mbretëria e Bashkuar u bë shteti i parë i madh që mbështeti haptazi projektin që parashihte krijimin e një “atdheu” izraelit në trojet palestineze.

Letra të cilën sekretari i atëhershëm i Jashtëm i Britanisë, Arthur James Balfour, më 2 nëntor të vitit 1917 ia shkroi Baronit Walter Rothschild, njërit prej emrave të shquar të lëvizjes cioniste, e cila u bë e njohur si “Deklarata e Balfourit”, konsiderohet si momenti më i rëndësishëm historik në drejtim të krijimit të shtetit izraelit.

Në letër, krahas mbështetjes së ofruar për themelimin e shtetit izraelit, po ashtu premtohej se do të sigurohej që asnjë popull i pranishëm në rajon të mos dëmtohet.

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit