5.9 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Burime e fuqisë së liderit

Më të lexuarat

Për ta kuptuar këtë temë ma mirë; preferohet kjo hyrje e shkurtë. Sipas mendimit të pjesës dërmuese të dijetarëve islam, burimet e sheriatit- legjislacionit islam janë katër:

  1. Kur’ani,
  2. Sunneti,
  3. Ixhmai dhe,
  4. Kijasi.

Këto katër burime kanë fuqinë e tyre juridike dhe shpirtërore për të menaxhuar me jetën fetare dhe civile të besimtarëve, respektivisht çështjet dhe rregullat që kanë të bëjnë me bindjet dhe besimin e tyre, çështjet që kanë të bëjnë me adhurimin dhe çështjet tjera nga sfera e raporteve dhe marrëdhënieve me njëri-tjetrin. Kjo nga njëra anë.

Nga ana tjetër, rëndësi jetike ka edhe kuptimi i këtyre burimeve dhe mënyrës së aplikimit të tyre. Do të ishte gabim i madh dhe absolutisht e papranueshme sikur shfrytëzimi i këtyre burimeve të bëhej në mënyrë të shthurur dhe pa përfillur metodat përkatëse. Që të jemi më qartë dhe më saktë duhet të dijmë se nuk lejohet referimi në burimin e fundit nëse paraprakisht nuk i je referuar burimeve të para!

Metodologjia e saktë parasheh që së pari duhet konsultuar burimin e parë (Kur’anin), për të kaluar tek i dyti (Sunneti) vetëm në rast se nuk gjen argument në të parin. Kështu vepron edhe me burimin e tretë dhe të katërt.

Myslimanët mbështeten në këto burime, prej tyre nxjerrin fuqinë ligjore dhe fetare, atyre u kthehen sa herë që kanë mospajtime. Pra, burime të pakontestuara të fuqisë juridike e fetare tek myslimanë janë katër burimet e sipërpërmendura. Krahas këtyre, ka dhe gjashtë burime të tjerë, për të cilët nuk ka pajtueshmëri tek të gjithë dijetarët dhe që nuk është vendi të përmenden këtu.

Ajo që është thënë për fuqinë e burimeve ligjore islame, thuhet edhe për përcaktimin e burimeve të fuqisë së lidershipit dhe fuqisë së tij zyrtare e ligjore.

Lideri patjetër duhet ta ketë një mbështetje, një burim të cilit i referohet, duke pasur kështu mundësinë e ndarjes së mirënjohjeve dhe shpërblimeve materiale, për vartësit e dalluar apo shqiptimit të ndëshkimeve për vartësit që shkelin rregulloret, që i garanton atij pushtet dhe ndikim të drejtpërdrejtë mbi individët dhe që i detyron këta të fundit ta respektojnë dhe të mos e kundërshtojnë.

Duke qenë se lidershipi është kombinim i disa faktorëve: ligjit, kushtetutës, personalitetit të liderit, natyrës organizative, ambientit të organizatës, individëve në këtë organizatë, atëherë, që lideri të ketë ndikim dhe influencë, duhet të gëzojë disa të drejta dhe kompetenca të caktuara, të marra nga natyra e funksionit që ushtron apo tiparet e personalitetit me të cilat disponon dhe të cilat e bëjnë personalitet me ndikim tek të tjerët. Nga ajo që do të shpjegojmë më poshtë, mund të klasifikojmë burimet e fuqisë së lidershipit si në vijim:

1.Fuqia e motivit dhe kompensimit

  • Nënkupton mundësinë e liderit për të motivuar materialisht ose moralisht punëtorët.

2.Fuqia e ndëshkimit

  • Nënkupton mundësinë e liderit për të shqiptuar ndëshkime ndaj punëtorve në vendin dhe kohën e duhur, ndryshe, nëse aplikohet kjo e drejtë në mënyrë të shthurur, pasojat mund të jenë të paparashikuara.

3.Fuqia e pushtetit

  • Nisur nga funksioni që ushtron, lideri gëzon kompetenca të gjëra në raport me punëtorët të cilat i bëjnë këta të fundit t’i përgjigjen liderit dhe urdhërave të tij.

4.Pushteti i bazuar në përvojat e kaluara

  • Lideri, nëpërmjet përvojave dhe shkathtësive që ka, mund ta imponojë pushtetin e tij ndaj vartësve.

5.Fuqia e përfituar nga tiparet e personalitetit

  • Kjo nënkupton personalitetin tërheqës dhe joshës të liderit, pranimin e tij nga ana e vartësve, të cilët (me dashuri e respekt) i nënshtrohen urdhërave të tij.

Edhe këtu duhet të bëjmë një ndalesë, për ta shpjeguar një çështje me rëndësi[1]Shumë liderë, duke përfshirë këtu drejtorë shkollash, kompanish, dekanë, rektorë, e keqpërdorin pushtetin dhe kompetencat që i gëzojnë falë detyrës që ushtrojnë.

Për pasojë, në shumë raste meritat ua ndajnë atyre që nuk i meritojnë, i privojnë meritorët prej tyre, dhe jo rrallë edhe ushtrojnë presion që të pranohen vendimet e tyre të padrejta dhe në kundërshtim me rregulloret!

Këta autoritete/liderë janë të korruptuar ligjërisht, moralisht e fetarisht, andaj duhet të kemi kujdes prej tyre. Të tillët duhet të japin përgjegjësi para autoriteteve dhe drejtësisë, në mënyrë që shkeljet e tyre ligjore të mos kalojnë pa u ndëshkuar.

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA

LIDERSHIPI I SUKSESSHËM (sipas vizionit kur’anor dhe studimeve bashkëkohore)


[1] Shih: Talib, Hisham, Delil et-tedrib el-kijadij, f. 66-67; Peter Northouse, Leadership; Theory and practice, f. 44-52.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit