Pyetje: Kur një fillestar nuk di të falet, a i lejohet që me video call të falet mbas nesh sa për momentin, derisa të mësojë?
Përgjigje: Çdo musliman fillestar e ka detyrë të mësojë si të falë namazin, të paktën kushtet dhe detyrimet e namazit, derisa ta përvetësojë mirë atë, edhe te sunetet dhe gjërat e pëlqyeshme. Mirëpo, ka njerëz që hasin vështirësi sa janë fillestarë, derisa të mësohen dhe të stabilizohen. Për këtë arsye ka tolerancë që fillestari që e ka të vështirë të mësojë faljen e namazit menjëherë, të falet fillimisht duke ndjekur hartën e lëvizjeve nga një libër ose fletushkë, apo edhe duke ndjekur lëvizjet nga një video, ose në rastin konkret, nëpërmjet video call nga një i afërm, mirëpo të mos bëjë nijetin (qëllimin) të lidhet pas tij, por vetëm të mësojë lëvizjet prej tij, duke pasur qëllim faljen e namazit vetë, sepse namazi pas imamit në distanca të tilla nëpërmjet videove nga celulari, ose radio apo televizori nuk janë të rregullta.
Kjo është sa i përket rasteve kur e ka të vështirë të shkojë në xhami, siç mund të jenë gratë ose plakat, apo sepse namazi për femrat në shtëpi është më i mirë. Ndërkohë, këshillojmë që muslimani të frekuentojë xhaminë dhe aty mundet ta mësojë më mirë namazin duke u falur me xhemat dhe për të arritur sevapet e mëdha. Profeti (alejhissalatu uesselam) ka thënë: “Namazi me xhemat ka 27 herë vlerë më shumë se namazi që falet vetëm.” (Buhariu, nr. 645 & Muslimi, nr. 650)
Allahu e di më së miri!
Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH-së