20.1 C
Pristina
Saturday, June 15, 2024

Propaganda e Vuçiqit dhe argumentimi i Kurtit, krejt çka u tha në KS të OKB-së për Kosovën

Më të lexuarat

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), të thirrur nga Serbia lidhur me ndalimin e qarkullimit të dinarit serb në Kosovë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka përsëritur retorikën e tij propagandistike ndaj Kosovës dhe kryeministrit Kurti. Ndërsa, kryeministri Kurti në mënyrë të argumentuar ka folur për veprimet që të sigurohet mbështetja financiare për serbët në Kosovë nga Serbia të mos pengohet.

Në fjalimin e tij, Vuçiq ka thënë se institucionet e Prishtinës kanë krijuar kushte të padurueshme për serbët dhe bëjnë sulme sistematike ndaj serbëve dhe persekutimin e tyre.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka replikuar presidentit serb për pretendimet e rrejshme se Kosova po persekuton serbët e Kosovës.

“Është e vështirë të dëgjosh të gjitha këto nga një udhëheqës i një vendi (Serbia) që ka kryer gjenocid në Bosnjë dhe Kosovë. Këshilli i Sigurimit ka krijuar Tribunalin e Hagës për krimet që Serbia ka kryer në Kosovë e Bosnje. Ne kemi ndërtuar një shoqëri shumetnike dhe kemi ndërtuar një shtet demokratik. Ne jemi krenar për një republikë për të gjithë ku sundon e drejta. Ne bashkë me aleatët kemi ndërtuar shtet demokratik”, tha Kurti, raporton Telegrafi.

Kurti, tha se Banka Qendrore e Kosovës po sigurohet mbështetja financiare për serbët në Kosovë nga Serbia të mos pengohet.

“BQK i ka dërguar një letër Bankës Popullore serbe, duke i propozuar një marrëveshje. Qeveria jonë është plotësisht e përkushtuar për të siguruar një tranzicion të lehtë”, tha ai.

Kurti tha se rregullorja e BQK-së nuk synon të dëmtojë asnjë grup të qytetarëve, por mbron të gjithë qytetarët e çdo etnike nga krimi i organizuar, trafikimi i armëve dhe pastrimi i parave.

Sipas Kurtit, qytetarët në veri të Kosovës, përditë po kërcënohen nga grupet kriminale që pranojnë para të kontrabanduara kryesisht nga kufiri me Serbinë.

“Qytetarët tanë serbë përballen me frikësim nga grupet kriminale që diktojnë veprimet e tyre nga protestat deri te votimi. Mosbindja rezulton në dhunë, djegie të veturave apo kërcënime të anëtarëve të tyre të familjes. Kjo duhet të ndalojë. Beogradi nuk duhet të durohet që pafundësisht të financojë këta kriminelë dhe terroristë në Kosovë me dërgesa të padeklaruara të parave, që qarkullojnë lirshëm dhe në mënyrë të paligjshme për në shtetin tonë. Ky është burimi i histerisë së Beogradit për këtë rregullore bankare”, tha Kurti, raporton Telegrafi.

Përfaqësuesja e SHBA-së në KS të OKB, Linda Thomas-Greenfield ka thënë se SHBA ka shprehur vërejtjet ndaj Kosovës për ndalimin e dinarit serb.

Ajo ka kritikuar Serbinë për sulmin në Banjskë derisa ka shprehur shqetësimin se Radoiçiqi mbetet ende i lirë.

“SHBA dënon edhe njëherë të sulmeve paramilitare serbë në Banjskë të Kosovës ku u vra një polic. Katër muaj pas sulmit Serbia ende nuk ka marrë në llogari ata që e kanë bërë sulmin. Lideri i këtij organizimi kriminal endet i lirë në Serbi. Serbia duhet të flasë me KFOR-in që një sulm i tillë të mos ndodh më”, ka deklaruar ajo.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të mos ndërmarrin veprime përshkallëzuese dhe t’i kthehen dialogut.

Përfaqësuesi i Federatës Ruse ishte në një linjë me propagandën e presidentit serb Vuçiq duke akuzuar Kosovën se po kryen veprime që përbëjnë “spastrim etnik”, që sipas tij “po injorohen nga organizatat për të drejtat e njeriut”.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Kinës në OKB bëri thirrje që Kosova dhe Serbia të gjejnë një zgjidhje përmes dialogut, duke dënuar veprimet “e njëanshme” të Kosovës, sa i përket ndalimit të dinarit.

Përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar në KS të OKB-së, ka theksuar domosdoshmërinë e një angazhimi më intensiv dhe produktiv në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, raporton Telegrafi.

Duke u shprehur rreth situatës aktuale, ai tha se është jetike që të dyja palët, Kosova dhe Serbia, të përmbahen nga veprimet që përshkallëzojnë tensionet dhe të respektojnë zotimet e tyre të mëparshme.

Përfaqësuesi i Francës në OKB tha se ka nevojë për stabilizim të situatës në terren dhe që Kosova dhe Serbia të punojnë në normalizimin e raporteve.

Parisi zyrtar u bëri thirrje palëve që të shmangin çdo veprim të njëanshëm që do të mund të nxiste tensionet.

Franca tha se është e shqetësuar me rregulloren e BQK-së dhe mbylljen e institucioneve në Kosovë, duke argumentuar se këto ngjarje mund të kenë ndikim në jetën e serbëve.

Edhe Zvicra bëri thirrje që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga veprimet që mund të tensionojnë situatën.

Ky shtet tha se ndan shqetësimet lidhur me rregulloren e BQK-së, sa i përket njoftimit të publikut me të, por pranoi se autoritetet kanë vendosur një periudhë tranzitore.

Zvicra kërkoi që Kosova dhe Serbia të zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit dhe Aneksin e zbatimit të saj si dhe të përfshirët në sulmin në Banjskë të mbahen përgjegjës.

Ndërsa, Vuçiq ka bërë përpjekje të arsyetojë sulmin e Banjskës duke thënë se “serbët që kanë lindur e jetuar në Kosovë, janë përpjekur ta mbrojnë pragun e shtëpisë dhe familjet e tyre”.

Krejt në fund të seancës, fjalën e kanë marrë edhe një herë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti.

Vuçiq  tha se rasti i Banjskës ka ardhur pas garancive që kanë ofruar ndërkombëtarët për heqjen e barrikadave.

Sipas tij, edhe kur kishin marrë garanci nga Bashkimi Evropian e SHBA-ja, serbët e Kosovës nuk u kanë besuar.

“Muaj më vonë, autoritetet në Prishtinë filluan gjuetinë ndaj serbëve që kishin ngritur barrikada dhe kjo është ndër arsye përse këta njerëz që kanë lindur dhe jetuar aty tërë jetën kanë dashur të mbrojnë pragjet e tyre, familjet e tyre. A e kanë bërë në mënyrë të duhur? Nuk e besoj por duhet t’i dini arsyet e vërteta. Edhe pas kësaj, ne nisëm hetimet dhe do të shohim edhe aktakuzat, por duhet të kuptohet që sipas Kartës së OKB-së, i vetmi integritet territorial që është shkelur është ai i Serbisë dhe asnjë shteti tjetër. S’ka asnjë që mund të vuajë nga shkelja e integritetit territorial”, ka thënë Vuçiqi që ka shprehur “krenari që sheh flamurin e Serbisë në OKB”.

Lideri serb po ashtu kundërshtoi akuzat e Kurtit se Serbia mbështet aktivitete kriminale dhe pastrim parash përmes dërgimit të dinarëve.

Ndërsa, kryeministri Kurti ka ripërsëritur se dinari nuk është ndaluar në Kosovë, por që euro mbetet valuta zyrtare e vendit.

Ai tha se Serbia duhet të ndalojë së “fantazuari” se Kosova po kërkon hakmarrje për vrasjet dhe krimet e tjera të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovës.

“Ne nuk do të hakmerremi. Dua drejtësi dhe drejtësi është drejtësi duke mos qenë hakmarrje. Në mënyrë që të kemi paqe, raporte normale, ata duhet të ndalen së fantazuari se ne po kërkojmë hakmarrje. Unë si kryeministër iu garantoj se nuk po kërkojmë hakmarrje”, tha ai.

Pas këtij fjalimi, Vuçiq u dëgjua duke kërkuar fjalën dhe duke thënë se “do të ketë drejtësi për njerëzit tanë”. Por kryesuesja e mbledhjes, nuk ia dha fjalën liderit serb e shpalli të mbyllur seancën./Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit