Pyetja:
Jemi vëllezër e motra, një djalë dhe tre vajza. Nëna ime dëshiron të regjistrojë apartamentin e saj në emër të vëllait tim, dhe ne ramë dakord për këtë. Kur ai të marrë një apartament tjetër, i cili do të jetë më pak i shtrenjtë se apartamenti i nënës sime, do të jetë për ne, vajzat. Nëna ime ka frikë se do të vdesë me një barrë mëkati. Ne kemi një vëlla nëpërmjet babait tonë dhe babai im e ka regjistruar apartamentin në emër të nënës sime shumë kohë më parë, por nëna ime e ka paguar gjysmën e çmimit të banesës nga paratë e saj. A do të trashëgojë gjysmë vëllai im prej saj?
***
Përgjigjja:
Falënderimi i takon Allahut.
Së pari:
Parimi themelor është se është e detyrueshme të trajtohen fëmijët në mënyrë të barabartë në lidhje me dhënien e dhuratave dhe është haram të favorizosh ndonjërin prej tyre mbi të tjerët, për shkak të transmetimit nga Nuëman bin Beshiri i cili tregon: “Babai më dha një dhuratë, por Amra (nëna ime) tha se nuk pajtohej për të, derisa ai ta bënte dëshmitar për të, të Dërguarin e Allahut ﷺ, kështu që babai shkoi tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tha: “I kam dhënë birit tim nga Amra një dhuratë, por më detyroi që të të bëj ty dëshmitar për të, o i Dërguari i Allahut.” Ai ﷺ e pyeti babain: “A u ke dhënë edhe djemve të tjerë njësoj siç i ke dhënë edhe këtij?” Babai im tha që jo. I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Kini frikë Allahun dhe jini të drejtë e të barabartë për të gjithë fëmijët (mbani drejtësi dhe mos bëni dallime ndërmjet tyre).” Kësisoj, babai u kthye dhe ma mori prapë dhuratën. [1]
Kjo vlen për dhuratat si nga babai ashtu edhe nga nëna.
Ibn Kudameh (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Ndalimi i favorizimit të disa fëmijëve ndaj të tjerëve vlen edhe për nënën ashtu siç vlen edhe për babanë, sepse Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kini frikë Allahun dhe trajtoni fëmijët tuaj në mënyrë të barabartë”. Dhe për shkak se ajo është një nga prindërit, nuk i lejohet të favorizojë disa nga fëmijët e saj mbi të tjerët, siç vlen edhe për babain. Për më tepër, ajo që mund të rezultojë nga favorizimi i babait për disa nga fëmijët e tij, domethënë xhelozia dhe armiqësia, do të rezultojë edhe nga favorizimi i nënës për disa nga fëmijët e saj. Kështu vërtetohet se për të zbatohet i njëjti vendim si për të. [2]
Mirëpo, nëse të gjithë fëmijët e miratojnë dhuratën, dhe ata janë të rritur me mendje të shëndoshë, atëherë kjo është e lejuar, sepse ata kanë të drejtë ta bëjnë këtë.
Bazuar në këtë, nëse motrat tuaja janë të pjekura dhe me mendje të shëndoshë, dhe ato pranojnë t’ia japin banesën atij vëllait, atëherë nuk ka asnjë faj për nënën që e bën këtë.
Kjo vlen nëse të gjitha motrat kanë rënë dakord që t’i heqin plotësisht të drejtën e banesës vëllait të tyre. Por nëse regjistrimi [i banesës] është bërë për ndonjë qëllim tjetër përveç heqjes dorë tërësisht nga e drejta e tyre dhe qëllimi i motrave ishte që banesa t’u takonte atyre në rast se vëllai i tyre do të zhvendosej në një apartament tjetër, atëherë ne nuk këshillojmë ta bëni këtë, përveç nëse ka diçka për të garantuar të drejtat e motrave në rast se vëllai i tyre refuzon të heqë dorë nga apartamenti dhe të shkojë në një apartament tjetër. Ka një ndryshim midis atij që me dëshirë heq dorë nga diçka plotësisht, në këtë rast nuk ka nevojë për garanci apo dokumentacion, dhe rasti kur heqja dorë nga diçka bëhet vetëm në letër, për ndonjë qëllim, duke ruajtur të gjitha të drejtat.
Së dyti:
Burri mund t’i japë gruas së tij çfarë të dojë nga pasuria e tij dhe nuk është i detyruar t’i trajtojë atë dhe fëmijët e saj në mënyrë të barabartë. Çdo gjë që ai i jep asaj bëhet pronë e saj dhe i shtohet çdo gjëje tjetër që ajo zotëron dhe trashëgimtarët e saj e trashëgojnë prej saj.
Djali i burrit është i huaj për gruan e tij, që do të thotë se ai nuk mund të trashëgojë prej saj përderisa nuk ka ndonjë arsye tjetër të bazuar në lidhje farefisnore që do të diktonte që ai të trashëgonte prej saj. Bazuar në këtë, çfarëdo pasurie që lë nëna juaj pas do të jetë për fëmijët e saj dhe djali i burrit të saj nuk do të trashëgojë asgjë prej saj.
Dhe Allahu e di më së miri.
islamqa.info
————–
[1] Buhariu (2587) dhe Muslimi (1623)
[2] el-Mughni (5/389)