4.4 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

A ka ndonjë lutje specifike për të mbrojtur nga vdekjet e papritura?

Më të lexuarat

Pyetja:

A ka ndonjë lutje që do t’ju mbrojë nga një vdekje e papritur? Cila është ajo?

***

Përgjigjja: 

Falënderimi i takon Allahut.

Së pari:

Vdekja e papritur është një nga gjërat që Allahu cakton për disa nga robërit e Tij, që do të thotë se vdekja i vjen një personi papritur, pa asnjë afat apo paralajmërim; shpirti i tij merret i qetë, pa vuajtur agonitë e vdekjes dhe pararendësve të saj.

Kjo është një nga mënyrat e vdekjes që ka ekzistuar që nga kohërat e lashta dhe është shtuar në kohët moderne, për shkak të aksidenteve të trafikut të njohura sot, dhe nisjes së luftës kundër popujve dhe individëve me makineri efikase moderne të vrasjes.

Në disa transmetime dhe hadithe thuhet se përhapja e vdekjes së papritur është një nga shenjat e Kiametit. [1]

Së dyti:

Për më tepër, vdekja e papritur mund të jetë një gjë e mirë, ose mund të jetë një gjë e keqe, në varësi të gjendjes së atij që vdes dhe qëndrimit të tij para Allahut xh.sh.

1. Nëse ai që vdes është i drejtë dhe i mirë, me një histori të veprave të mira dhe vepra të mira në meritë të tij, që jep shpresë se ai do të ketë një dritë para tij në Ditën e Kiametit, atëherë në rastin e tij të gjitha llojet e vdekjes janë të mira, qoftë ajo vdekje e papritur apo ajo vjen pas vuajtjes së agonive të vdekjes. Vdekja e papritur është mëshirë, mirësi dhe falje nga Zoti i njerëzimit, kështu që ai nuk e përjeton dhimbjen e vdekjes dhe ankthin e mundimeve të saj dhe nuk vuan shumë sëmundje. Nëse ai përjeton atë vuajtje dhe vdekja e tij nuk është e papritur, kjo do të jetë shlyerje për veprat e tij të këqija dhe do ta ngrejë atë në pozitë para Allahut. Ky është vërtetim i asaj që ka thënë Pejgamberi ﷺ për çështjen e besimtarit që është plotësisht e mirë dhe se vdekja e besimtarit është lehtësim për të nga mundimi dhe mjerimi i kësaj bote pasi e çon në lumturinë e ahiretit.

2. Por nëse ai që vdes ka qenë prej atyre që dështojnë në obligimet e tyre ndaj Allahut, ose ka qenë keqbërës, zullumqar ose jobesimtar, atëherë në rastin e tij vdekja e papritur është një lloj dënimi dhe zemërimi hyjnor, sepse vdekja nxitoi për të para se të mund të pendohej dhe atij nuk iu dha afat që të mund të kompensonte neglizhencën dhe të metat e tij në të kaluarën. Përkundrazi, ai u rrëmbye me dënim dhe si rezultat i zemërimit hyjnor, siç e përshkroi Profeti ﷺ kur tha: “Vdekja e papritur është kapje nga zemërimi (hyjnor).” [2]

Për shkak se është e vështirë të gjykohet nëse dikush është i drejtë apo është i mangët, dhe njerëzit ndryshojnë në këtë drejtim, dhe disa njerëz mund të kalojnë nëpër përvoja që i bëjnë ata më të devotshëm dhe ua shtojnë frikën ndaj Allahut, ose i bëjnë ata më të qëndrueshëm dhe më të sigurt. gjejmë në raportet e gjeneratave të hershme se ata kishin pikëpamje të ndryshme në lidhje me vdekjen e papritur. Në rastin e atij që frika ndaj Allahut është më e larta dhe ai mendon se po dështon në detyrat e tij fetare, ai do të kërkojë strehim tek Allahu nga vdekja e papritur dhe do të shpresojë që Allahu t’ia shlyejë mëkatet duke e bërë atë të kalojë nëpër agonitë e vdekjes, ndërsa në rastin e atij që shpresa në mëshirën e madhe të Allahut është më e larta, ai do ta shohë vdekjen e papritur si lehtësim dhe mëshirë, dhe falje nga Allahu i Madhëruar

Pra, kur lexojmë se çfarë thanë brezat e hershëm për vdekjen e papritur, do të duket se është kontradiktore, por në realitet nuk ka asnjë kontradiktë; përkundrazi janë dy pikëpamje të ndryshme, të vlefshme.

Transmetohet se Abdullah ibn Mes’udi dhe Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të dy) kanë thënë: “Ai është ndëshkim për keqbërësin dhe lehtësim për besimtarin; domethënë vdekja e papritur.” [3]

Transmetohet se Temim ibn Seleme ka thënë: “Një njeri prej nesh vdiq papritur dhe një nga shokët e Profetit ﷺ tha se kjo ishte shenjë e zemërimit hyjnor. Këtë ia përmenda Ibrahimit – dhe Ibrahimit i bënim rrallë një pyetje, por gjetëm një përgjigje me të – dhe ai tha: “Ata nuk e donin një vdekje të papritur që dukej si shenjë e zemërimit hyjnor.” [4]

Së treti:

Sa i përket haditheve marfu (ato që i atribuohen drejtpërdrejt Profetit ﷺ), asnjë prej tyre nuk është sahih, përveç hadithit të cituar më sipër, “Vdekja e papritur është kapje nga zemërimi (hyjnor) ,” edhe pse disa dijetarë kishin disa rezerva për këtë. Ibn Haxheri (Allahu e mëshiroftë) sugjeroi se ajo ishte transmetuar si përmes isnadeve marfu dhe meukuf, dhe ai tha se Imam Buhariu (Allahu e mëshiroftë) tregoi se kishte disa rezerva në lidhje me isnadin e tij. [5]

Për sa u përket haditheve të tjera që flasin për vdekjen e papritur si diçka të lavdërueshme ose të qortueshme dhe sugjerojnë se Profeti ﷺ kërkonte strehim tek Allahu prej saj, asnjëra prej tyre nuk është sahih.

Prandaj el-Fejruzabadi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Asgjë nuk është vërtetuar për këtë.” [6]

Së katërti:

Nuk ka asnjë lutje të veçantë për mbrojtje nga një vdekje e papritur që është transmetuar saktë nga Profeti ﷺ. Ajo që përhapet gjerësisht në gupe bisedash, rreth një lutjeje për të cilën do të regjistrohet shpërblimi prej 360 haxhish për atë që e thotë dhe do ta mbrojë atë nga një vdekje e papritur, e kështu me radhë, është e rreme dhe e sajuar dhe nuk ka bazë në librat e Sunetit.

Më së miri është që njeriu të lexojë lutjen që Pejgamberi ﷺ thonte:

Transmetohet se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë:

“Një nga lutjet e të Dërguarit të Allahut ﷺ ishte:

All-llāhumme ‘in-nī e’ūdhu bike min zewāli nië’metike, we tehaw-wuli ‘āfijetike, we fuxhā’eti nikmetike, we xhemī’i sehatike. (O Allah, kërkoj mbrojtjen Tënde që të mos m’i marrësh mirësitë që m’i ke dhënë, të mos ma ndërrosh mirëqenien time, (më mbroj) nga ndëshkimi Yt i befasishëm, dhe nga çdo gjë që Ty të hidhëron.)” [7]

Dhe Allahu e di më së miri.

islamqa.info

—————

[1] Këto raporte u klasifikuan si hasan nga Hafiz es-Sakhawi në el-Maqasid al-Hasanah (f. 506). Ai tha: “Ka shumë zinxhirë transmetimi që forcojnë njëri-tjetrin.” Gjithashtu u klasifikua si hasen nga shejh Albani në es-Silsilah es-Sahihah (5/370); mund ta lexoni në librin Ithaf el-Xhema’ah bima jaa’a fi’l-Fitan ue’l-Melahim ue Ashrat es-Sa’ah (2/236) të Shejh Hammud et-Tuvajri.

[2] Ebu Davudi (3110)

[3] Musanef Ibn Ebi Shejbe (3/370); es-Sunen el-Kubra (3/379)

[4] Musanef Ibn Ebi Shejbe (3/370)

[5] Fet’hul Bari nga Hafiz Ibn Haxheri (3/254)

[6] Safar es-Sa’da (fq. 353)

[7] Muslimi (2739)

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit