15.9 C
Pristina
Wednesday, May 29, 2024

Profeti Muhamed (a.s.) dhe të rinjtë: Kuptimi i jetës

Më të lexuarat

Profeti Muhamed a.s u ka kushtuar një rëndësi të madhe të rinjve dhe moshës së rinisë duke i udhërrëfyer që të mund të shfrytëzojnë në mënyrën më të drejtë dhe të dobishme këtë periudhë të jetës. Emocioni, fuqia, dinamika dhe idealizmi që i ka karakterizuar të rinjtë, ka pasur një rol të rëndësishëm në përhapjen e fesë, themelimin e një qytetërimi dhe zhvillimin e shoqërisë myslimane. Për të arritur këtë, ai frymëzoi në zemrat e tyre besimin te Zoti, kuptimin për jetët e tyre, qëllimin për ëndrrat e tyre, horizintin për shpirtrat, për vullnetin e tyre vetëdije, për mendjet e tyre dituri dhe shkencë dhe dashurinë për të ripërtëritur e zhvilluar vetveten në mënyre të vazhdueshme. Ai i edukoi ata sipas karakterit dhe potencialeve si në aspektin teorik ashtu edhe në atë praktik dhe i orientoi në fushat dhe detyrat ku mund të ishin më të dobishëm, produktiv e në përputhje me natyrën e tyre. Kështu ata e shfrytëzuan këtë periudhë dinamike të jetës në shërbim të së vërtetës, mirësisë, urtësisë, shërbimit ndaj shoqërisë dhe nënshtrimit ndaj Zotit.

Aftësia e Profetit Muhamed a.s për të fituar zemrat e të rinjve, lidhja e fortë dhe e qëndrueshme që krijoi me ta, suksesi i lartë në edukimin dhe zhvillimin e tyre, fitoret dhe përçimi i kauzës që arriti me anë të guximit, përpjekjes, bujarisë dhe trimërisë së tyre nuk ishin aspak rastësi. Të rinjtë ishin ndikuar thellësisht nga cilësitë e Profetit Muhamed a.s si: karakteri i tij i qëndrueshëm, personaliteti shembullor, besimi i patundur, lidhja e thellë dhe e qëndrueshme me Zotin, vullneti i pathyeshëm, shpresa e pafundme, vendosmëria dhe fuqia që rritej në mënyrë të vazhdueshme, morali, qëllimet e larta, thjeshtësia, lidhjet njerëzore të krijuara nëpërmjet besnikërisë dhe sinqeritetit, të kuptuarit e ekzistencës dhe njeriut, botëkuptimi mbi jetën, mënyra e zgjidhjes së problemeve, gjendja dhe veprimet plot urtësi, filozofia e edukimit, metodologjia dhe parimet, dhembshuria, toleranca dhe besimi kundrejt tyre.

Përtej këtyre çështjeve, angazhimi i Profetit Muhamed a.s për tu dalë për zot të rinjve, interesimi nga afër për problemet e tyre, ndjekja në mënyrë të qëndrueshme dhe gjetja e zgjidhjeve, i frymëzonte të rinjtë të mblidheshin me zell rreth Profetit a.s e të lidheshin më shumë me të, të bënin çdo sakrificë për kauzën e tij dhe të ndërtonin jetën sipas shembullit të tij. Si një Profet dhe udhëheqës që mbante mbi supe përgjegjësitë e çdo njeriu, ndjente në zemër përvuajtjen e çdo besimtari, me ndjeshmërinë e një prindi dridhej sipër tyre dhe hapte pafundësisht krahët e tij të dashurisë, dhembshurisë, mëshirës dhe modestisë, interesohej një për një për problemet e të rinjve duke u marrë personalisht me to, duke i dëgjuar, lehtësuar dhimbjet që shpirtrat e tyre të gjenin paqe dhe qetësi.

  • Kërkimi i kuptimit te të rinjtë

Përgjatë historisë, një nga problemet thelbësore që janë përballur të rinjtë ka qenë qëllimi dhe kuptimi i kësaj jete. Pyetjet si: kush janë, nga kanë ardhur, përse ekzistojnë dhe në fund ku do të shkojnë i kanë ngacmuar gjithmonë mendimet e tyre dhe i kanë shtyrë drejt një kërkimi shpirtëror. Faktori më përcaktues në këtë çështje janë familja, mjedisi ku jetojnë, shteti, institucionet arsimore, kultura dhe gjendja shpirtërore që karakterizon qytetërimin, ndjenjat dhe mendimet, trashëgimia historike, traditat, besimet dhe ideologjitë, kushtet ekonomike dhe politike, morali, të drejtat dhe liritë themelore, eksperiencat, horizonti i njerëzve të suksesshëm, aftësitë, emocionet dhe arritjet në atë shoqëri. Për të rinjtë të cilët kërkojnë kuptimin e jetës dhe ekzistencës së tyre, këto faktorë kanë një ndikim të rëndësishëm në botëkuptimin e tyre për jetën, vizionin, qëllimet, pritshmëritë, motivimin dhe zgjedhjet për të ndjekur apo jo kauza të caktuara.

Të rinjtë kur nuk gjejnë përgjigje bindëse, shpresëdhënëse, me horizont të gjerë, dhe udhërrëfyes në mjedisin ku jetojnë atëherë bien në kotësi, pesimizëm dhe dëshpërim duke qenë se nuk e planifikojnë jetën rreth disa idealeve dhe nuk i përdorim mundësitë dhe aftësitë në vendin e duhur. Si përfundim një pjesë e tyre e anashkalojnë këtë problem dhe të dëshpëruar përpiqen të plotësojnë nevojat e përditshme të jetës. Një pjese tjetër e humbin kurajën, tërhiqen ne vetmi duke mos pranuar këshilla, zhyten në lojëra dhe argëtime, rrëshqasin drejt veseve të këqija dhe duke u ndjerë të padobishëm, tërhiqen e shkëputen nga shoqëria. Ndërsa një pjesë tjetër keqpërdoret duke u bërë pjesë e lëvizjeve të dëmshme që qarkullojnë në shoqëri duke luftuar kundër vlerave të qytetërimit dhe kulturës së tyre. Kjo edhe i shkakton shumë probleme atyre edhe e përball shoqërinë në themelin e së cilës gjenden të rinjtë me shumë probleme materiale, shpirtërore, individuale, familjare, shoqërore, morale dhe juridike.

  • Periudha e injorancës: Të rinjtë dhe kuptimi i jetës

Problemi më i madh i të rinjve në kohën e profetit Muhamed a.s ishte në lidhje me kuptimin e jetës. Ata jetonin nën hijen e politeizmit qe kishin trashëguar nga të parët e tyre të cilin e besonin pa qenë fort të bindur por që nuk kishin mundësi ta vinin pikëpyetje atë. Kështu ata nuk gjenin përgjigje bindëse në lidhje me shqetësimin për ti dhënë një kuptim kësaj jete. Në atë kohë, ashtu sikurse nuk kishte libra dhe udhërrëfyes për jetën nuk kishte edhe ndonjë lëvizje intelektuale. Prej shekujsh në mesin e tyre nuk kishin dalë as personalitete të rralla dhe monumentale që ti merrnin shembull e të ecnin në gjurmët e tyre. Ata ishin rritur në një ambient shterpë ku mbretëronte injoranca dhe padrejtësitë, shoqëria ishte e përçarë  dhe ndarë e në fise ku mbretëronin luftërat e brendshme, varfëria, skllavëria, racizmi dhe plaçkitja dhe shumica e tyre nuk mund të kryenin ndonjë mision edhe brenda fisit të tyre. Ata ishin shumë poshtë shoqërive në Perandorinë Perse dhe atë Bizantinë dhe jetonin duke qenë të përbuzur prej tyre. Por në fakt, ata ishin të rinj me kapacitetin për të qenë drejtues shtetesh dhe ushtrish, mësues për popujt, dhe për ti dhënë zgjidhje problemeve madhore.

Të rinjtë që nuk kishin një qëllim dhe kuptim për jetën së tyre i shteronin emocionet, ndjenjat, kohën dhe mundësitë në rrjedhën e jetës së përditshme. Kështu ata bëheshin të varur ndaj pasioneve dhe dëshirave e bënin një jetë të zhytur në lojë dhe argëtim. Por shpirtrat e tyre ishin të etur dhe të trazuar, ëndrrat në zbrazëti dhe të dëshpëruara dhe zemrat të shqetësuara. Pikërisht përballë këtyre të rinjve erdhi i Dërguari i Allahut i cili prezantonte një botëkuptim për jetën që shpjegonte kuptimet e fshehta të krijimit, mësonte urtësitë e jetës, prezantonte para tyre qëllime universale dhe të përjetshme, i nxiste drejt reflektimit dhe kërkimit të diturisë, orientonte vullnetin e tyre për ta përdorur në punë të dobishme në shërbim të vetes, familjes, shoqërive dhe të gjithë njerëzimit, nxiste përpjekjen me të gjitha mundësitë materiale dhe shpirtërore në ndërtimin e një bote më të mirë dhe përmirësimin e shoqërive. Ai i ftonte ata që nëpërmjet përfaqësimit dhe kumtimit të fesë që ti jepnin fund në mënyrë të drejtë dhe të natyrshme padrejtësive, mëkateve, shkatërrimeve dhe përçarjeve nëpër botë, i lironte ata nga gjërat që i kishin kthyer në robër të kulturës së injorancës dhe kënaqësive të përkohshme duke e formësuar jetën nëpërmjet besimit te Allahu që ka krijuar gjithçka dhe fitimit të botës tjetër, jetësimit të vlerave më të larta dhe përcjelljes së tyre te njerëzit e tjerë.

Profeti Muhamed a.s me ngrohtësinë e përfaqësimit të fesë dhe strategjitë e kumtimit, kishte ndikuar aq shpejt te të rinjtë saqë ata vrapuan drejt tij sikur banorët e një bote të errët që prej vitesh prisnin shfaqjen e agimit. Deri dje, ata të rinj ecnin të përhumbur në shkretëtirë, silleshin rrugëve të dehur nga pija, harxhonin jetën në vende të argëtimit, rendin vazhdimisht pas urrejtjeve dhe hakmarrjeve të fisnore, mosbindjen dhe grabitjen e pasurisë së dobëtit e quanin trimëri dhe ne fund largoheshin nga kjo botë sikur të mos kishin jetuar. Por, pasi besuan mesazhin hyjnor ata, pavarësisht talljeve, përbuzjeve, përjashtimit, padrejtësive dhe torturave nuk e braktisën fenë dhe kauzën e tyre, u përpoqën me forcën e besimit kundrejt mohimit dhe padrejtësive, u munduan ta lexonin universin si një libër dhe filluan të kërkonin rrugët që të vërtetat që besonin, ndjenjat dhe mendimet e tyre ti përhapnin në të gjithë botën. Idealet e larta i kishin shpëtuar nga ndjenjat dhe mendimet e këqija, shpërdorimi i mundësive, veset e këqija, obsesionet dhe fiksimet që çdo moment të jetës ta vlerësonin në rrugën e së vërtetës. Tashmë për ta, një jetë re kishte nisur…

  • Ndryshimi që erdhi në pesë vitet e para

Hz. Xhafer do t’ia përshkruante kështu Nexhashiut, mbretit të Abisinisë, ndryshimin që pësoi rinia e qytetit të Mekës pasi njohën Profetin Muhamed a.s: “O Mbret! Ne ishim një shoqëri e zhytur në injorancë që adhuronim idhujt. Ushqeheshim me kufomat dhe bënim çdo ligësi. Shkëpusnim marrëdhëniet me farefisin dhe i bënim keq komshinjve tanë. Të fortët i shtypnin të dobëtit prej nesh. Ja kjo ishte gjendja jonë. Allahu i Lartësuar dërgoi nga mesi ynë një profet që njihej për sojin, drejtësinë, besueshmërinë, nderin dhe moralin e tij të pastër. Ai na ftoi të besojmë Allahu si Zot të Vetëm, ta adhurojmë atë dhe të braktisnim adhurimin e idhujve. Na urdhëroi që të themi gjithmonë të drejtën, ti çojmë në vend amanetet, të jetojmë në harmoni me komshinjtë dhe të largohemi prej mëkateve dhe gjakderdhjes. Ai na ndaloi nga çdo lloj veprimi i pamoralshëm, gënjeshtra, haku i jetimit dhe shpifja ndaj grave të ndershme.

  • Disa shembuj të jetëve që ndryshuan
  • Omer Ibn-i Hattab

Ai punonte si çoban derisa të njihej me të Dërguarin e Allahut. Një djalosh i martuar në moshën njëzet e gjashtë vjeçare. Në njërën anë përpiqej të mbante familjen e në anën tjetër torturonte skllavin e tij për shkakun se e braktisi idhujtarinë. Më pas do të vetëdijesohej për mesazhin hyjnor dhe do të besonte. Jeta e tij tashmë kishte marrë kuptim sikur të kishte lindur për herë të dytë. Tanimë përballej me një qytet të tërë për përhapjen e të së vërtetës dhe drejtësisë. Për këtë kauzë kishte braktisur vendlindjen dhe ishte kthyer në njerëzit më të afërt të tij. Ishte pëlqimi hyjnor që potencialet e tij ti zhvillonte në mënyrë të vazhdueshme nën edukimin e Profeti a.s që do ta bënin atë drejtues të gjithë myslimanëve. Ai arriti të gjunjëzonte një për një mbretëritë e asaj kohe që ishin zhytur në padrejtësi. Një ditë prej ditësh, ndërsa po ligjëronte hutben përpara popullit, kishte ndjerë nevojën për tu kthyer pas në kohë dhe për t’ia kujtuar vetes së tij gjendjen përpara se të njihej me Profetin Muhamed a.s. duke thënë: “ Deri dje  ti ishe vetëm një çoban që kujdeseshe për devetë e Hattabit!” Kështu nëse nuk do të njihej me Profetin Muhamed a.s dhe botëkuptimin për jetën në të cilin ftonte edhe ai si të parët e tij dhe shumë të tjerë do të mbetej ashtu, në atë gjendje përgjithmonë.

  • Hamza Ibn-i Abdilmuttalib

Në vitet e rinisë nuk kishte mundur të gjente një udhërrëfyes që t’ia shpjegonte të vërtetat e kësaj jete. Kështu ia kishte dhënë veten pijes dhe qëndrimit në shkretëtirë duke e harxhuar jetën e tij në gjueti. Po jetonte momentet e fundit të rinisë së tij. Një ditë, nipi i tij, Muhamedi i Besueshëm ishte kthyer nga shpella Hira me mesazhin që shpjegonte kuptimin e kësaj jete dhe udhërrëfente rrugën për në botën e përtejme. Edhe pse ishte e vështirë ti linte zakonet, ai i kishte reflektuar thelle thellë gjatë netëve që kalonte në shkretëtirë mbi të vërtetat që i ishin kumtuar dhe kishte kuptuar që kishte ardhur në këtë jetë plot kuptim për të arritur qëllime të larta dhe të amshueshme. E kishte lënë harkun dhe shigjetën dhe kishte rënë në kërkim të lumturisë së përjetshme. Hamzai që deri dje gjuante luanët, deri sa të hapte krahët drejt përjetësisë duke rënë dëshmor në Uhud, kishte qëndruar në këtë rrugë i palëkundur duke udhëtuar në amshim si “Luani i Allahut”.

  • Djelmoshat e fisit Evs dhe Hazrexh dhe konflikti i tyre

Djelmoshat e fiseve Evs dhe Hazrexh i kishin humbur baballarët në luftën e brendshme midis tyre. Të frustruar dhe me shpirt të trazuar nga gjakmarrja dhe luftërat e vazhdueshme midis tyre, ata ishin në kërkim të një kuptimi për jetën. Kur i Dërguari i Allahut shkoi ne Medine, i nxiti të hiqnin dorë rruga e baballarëve të tyre dhe i propozoi ta mbushnin jetën e tyre me mirësi dhe punë të dobishme duke i ftuar në botën universale të islamit. Ata u bindën nga Profeti Muhamed a.s, e braktisën sherrin dhe gjakmarrjen duke u futur në rrugën e tij për të filluar një jetë të re.

Shembujt e ndryshimet që solli Profeti Muhamed a.s nëpërmjet paraqitjes së një kuptimi në lidhje me jetën janë aq shume sa vetë numri i sahabëve. Të rinjtë që lindnin dhe rriteshin në qytetin e Mekës dhe Medines jetonin si një idhujtar, skllav, bujk, çoban, ose tregtar dhe iknin pa lënë asnjë gjurmë në historinë e njerëzimit. Kurse mesazhi që përcolli Profeti ynë dhe jeta në të cilën i ftoi, formësoi edhe njëherë karakterin, personalitetin dhe ëndrrat e tyre, arritën majat në fusha të ndryshme të jetës, ndryshuan rrjedhën e historisë, arritën të gjunjëzonin perandoritë ekzistuese dhe themeluan një qytetërim të ri. Ata i ndriçuan popujt me dituri, përçuan besimin dhe drejtësinë kudo që shkuan, fituan zemrat e njerëzve, drejtuan dhe udhërrëfyen brezat e tjerë. Si rrjedhojë, varret e tyre gjenden sot në stepat e Azisë, rrëzë maleve të Siberisë, në portet e Kinës, thellësitë e Afrikës dhe  në dyert e Stambollit.

Rinia është një periudhë shumë kritike dhe e rëndësishme duke qenë se këndvështrimi, qëllimet, synimet dhe ëndrrat që përftohen në këtë periudhë formësojnë pjesën tjetër të jetës së njeriut. Për këtë arsye duhet të interesohemi nga afër për të rinjtë që hyjnë  në një kërkim në këto vite, duke mos i lejuar të hyjnë në konfuzion në lidhje me personalitetin dhe identitetin e tyre, duke i dhënë përgjigje bindëse dhe gjithëpërfshirëse, duke i i prezantuar qëllime për të cilat të nesërmen të jenë të kënaqur, duke i edukuar dhe përgatitur që të jenë të dobishëm për shoqërinë dhe të gjithë njerëzimin, dhe duke i krijuar një ambient të përshtatshëm dhe kushte sociale për të zhvilluar veten dhe përçuar vlerat e tyre te të tjerët.

Në këtë kuptim, i Dërguari i Allahut iu prezantua të rinjve me të vërtetat që i jepnin kuptim jetës në të gjitha dimensionet e saj, fitoi zemrat e tyre dhe vendosi në shpirtrat e tyre vetëdijen për kauzën, nuk i dorëzoi ata në atmosferën e injorancës, u interesua nga afër me ta, i edukoi dhe i angazhoi në punë të dobishme për shoqërinë duke i frymëzuar gjithmonë drejt  qëllimeve të larta.

Bashkë me Profetin a.s të rinjtë patën mundësinë që pjesën tjetër të jetës ta shfrytëzonin në formën më të mirë duke ruajtur qëndrueshmërinë, ku në njërën anë vraponin drejt adhurimit të Allahut dhe në anë tjetër arritën të bënin shumë puna të mëdha dhe të dobishme. Edhe në ditët e sotme, gjëja e parë që duhet bërë me të rinjtë është që duke i shpjeguar në mënyrë të drejtë se kush është njeriu, nga ka ardhur, qëllimin e jetës dhe se ku do të shkojë, të pajisen me qëllime të larta për jetën e tyre. Në këtë kontest duke mos i lënë të pa orientuar, të rinjtë duhen ushqyer në aspektin shpirtëror në kohën e duhur në mënyrë që çdo moment i jetës së tyre të jetë i mbushur me kuptim dhe mirësi që rrezatojnë për të gjithë njerëzimin.

Abdullah Bulku

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit