3.4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Puna prej qindra miliona eurosh që nuk paguhet

Më të lexuarat

Përkujdesja ndaj djalit të saj trevjeçar, Malit, është shndërruar në punë kryesore për Majlinda Bytyçin nga Prishtina, edhe pse kjo konsiderohet si “punë e papaguar”.

Meqë prindërimin e konsideron si punën e saj më të rëndësishme, Majlinda nuk ka bërë punë tjetër për një periudhë disavjeçare.

“Unë kam qenë gati tre vjet nënë që rri në shtëpi, për shkak se e kam pasur të rëndësishëm angazhimin në edukimin e djalit”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Majlinda punon tani si autore ‘freelancer’, me gjysmë orari dhe pa kontratë formale, në një projekt rreth prindërimit dhe rëndësisë së edukimit të hershëm.

Shkaku i ngarkesës së madhe edhe rreth punëve të shtëpisë, edhe rreth djalit, ajo thotë se është detyruar të heqë dorë nga një angazhim tjetër që ka pasur.

Kjo e ka shtyrë, po ashtu, që të mos rifutet në tregun e punës formalisht, por vetëm si ‘freelancer’, që nënkupton më shumë fleksibilitet.

“Pasi që e kam dërguar në kopsht djalin, kam filluar të mendoj të qasem në treg të punës vetëm si ‘freelancer’, për shkak të përvojës së nënave të tjera me vendet e punës, kur fëmijët e tyre kanë qenë të sëmurë, ose përvojave të ngjashme…”, tregon Majlinda.

Në Kosovë, sipas të dhënave të publikuara nga Instituti Musine Kokalari më 25 tetor, vlera e punës së papaguar, që nënkupton punët e shtëpisë dhe kujdesin ndaj familjarëve, në përgjithësi, arrin mbi 1.8 miliard euro.

Sipas burimit të njëjtë, gratë kalojnë 6.2 orë brenda ditës në punë shtëpiake dhe përkujdesje familjare, ndërsa burrat 3.5 orë.

Edhe pse kjo nënkupton që gratë kalojnë 44 për qind më shumë kohë se burrat në punë të papaguar, kosovarët e anketuar janë të kënaqur me ndarjen e punëve shtëpiake, sipas të dhënave të po të njëjtit hulumtim.

Adelina Hasani, aktiviste për çështje gjinore dhe bashkëthemeluese e portalit Prizma Medium, beson se është e rëndësishme që grave t’u njihet puna e papaguar në shtëpi, pasi që kjo, sipas saj, do t’ua përmirësonte edhe pozitën brenda familjes.

“Pjesa financiare apo punësimi i personave sjell pushtetin në familje. Mosnjohja e punës së papaguar të grave determinon pushtetin në familje”, thotë Hasani.

Të dhënat e raportit të Institutit Musine Kokalari tregojnë se shumica e kosovarëve të anketuar besojnë se burrat duhet të bëjnë punë në shtëpi, por edhe se ata ndihen të gjykuar dhe të përqeshur kur i bëjnë ato.

Sipas Majlindës, edhe gratë përballen me sfida të ngjashme. Ajo tregon se vetë është përballur me presion për të gjetur punë.

“Ishte pak stresuese derisa jam përshtatur me rolin tim të ri [si nënë], por edhe shkaku i presionit nga të tjerët për të mos qenë një nënë që rri në shtëpi”, thotë Majlinda.

Ajo, po ashtu, thotë se përfshirja e burrit të saj në përkujdesjen shtëpiake ia ka bërë jetën më të lehtë, pasi që, siç shprehet, “është shumë e rëndësishme për një nënë që të ketë mbështetje dhe të vlerësohet për punën që bën”.

Drejtorja e programit në Institutin Musine Kokalari, Marigonë Drevinja, tregon se është befasuar nga besimi i të anketuarve se përfshirja e burrave në këto punë është vetëm ndihmë për gratë.

“Askush nuk ka thënë se si ato janë punë të shtëpisë dhe duhet që të dy të kujdesen për to. Rezultati ka qenë që shumica konsiderojnë se ato janë punë të grave dhe që burrat ndihmojnë. Në momentin që ndihmon, atëherë burri është një lloj heroi brenda shtëpisë”, thotë Drevinja.

Ajo beson se zgjidhja për këtë problem duhet të nisë me njohjen e punës së tillë, e pastaj të mendohet për mënyrat se si mund të shpërblehet dhe reduktohet.

Sipas të dhënave të organizatës amerikane, Paying for Senior Care, personat që përkujdesen për prindërit e moshuar në SHBA mund të paguhen për këtë shërbim nga nëntë deri në 19.5 dollarë në orë.

Skema të ngjashme, por që dallojnë në specifikat e tyre, ka edhe në Danimarkë, Turqi, Suedi etj.

Skemat e tilla nuk janë pjesë e programit të Qeverisë së Kosovës për vitet 2021-2025, ndërsa nga kjo qeveri nuk kanë dhënë përgjigje nëse mendohet të bëhet ndonjë ndryshim./REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit