11.6 C
Pristina
Thursday, May 16, 2024

Nga Fatjon NANAJ: Politika e sufllaqes dhe xaxiqit

Më të lexuarat

Ndërsa një grup personazhesh komikë, i përbërë nga përfaqësues politikë të rënë nga vakti, nga biznesmenë  që çdo kontroll tatimor e konsiderojnë konspiracion dhe nga anëtarë shoqatash kinse për mbrojtjen e minoriteteve, kur dihet e shquhet qartë se në fakt i shërbejnë politikës së qarqeve ekstremiste të fqinjit jugor, begenisur gjithashtu nga disa përfaqësues politikë në Parlamentin Evropian, të gjendur rastësisht aty për shkak të kushtëzimit të përfaqësimit politik të çdo shteti anëtar, e jo për ndonjë meritë në mishërimin e frymës dhe parimeve të funksionimit të BE-së, organizonin në Tiranë një konferencë “në mbrojtje të pronave të minoritarëve”, një akt akoma më grotesk konsumohej në kufirin tonë jugor.

Ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kamenos, i veshur me rrobën e kamuflazhit ushtarak, deklaroi plot pompozitet para një toge ushtarësh se, “Greqia nuk do të lëshojë asnjë grimcë tokë, det apo ajër”. Kjo deklaratë e fortë “patriotike” u shoqërua edhe me sihariqin e ristrukturimit të shpejtë të ushtrisë për të qenë në lartësinë e duhur në kundërpërgjigje ndaj “rrezikut eminent”.

Skenografia dhe deklarimet e ministrit grek, edhe pse, nga sa kuptohet e lexohet, të përgatitura qëllimisht për të përcjellë një mesazh të fortë, të ashpër dhe të paekuivok, në fakt rezultuan një donkishotizëm që më shumë dëmtojnë sesa ndihmojnë Greqinë.

Shfaqja e një ministri mbrojtjeje të një vendi të NATO-s dhe BE-së me uniformë ushtarake është shkelje e një parimi themelor kushtetues të aplikuar në vendet demokratike, atë të drejtimit politik civil të forcave të armatosura. Prijës politikë me uniforma ushtarake janë pamje që u përkasin shteteve diktatoriale të udhëhequra nga junta ushtarake. Shtete që nuk respektojnë parimet demokratike dhe dhunojnë të drejtat e njeriut. Edhe Fidel Kastro, i konsideruar prej shumëkujt si diktator dhe i përjetësuar në imazhin e kujtdo me uniformën e tij ushtarake, e përdorte veshjen kryesisht si simbolikë të së shkuarës së tij prej revolucionari, dhe jo si kërcitje dhëmbësh ndaj fqinjit armik, SHBA-së.

Por, përveç kostumografisë, regjia plotësohet edhe nga deklaratat foshnjarake dhe arkaike të ministrit grek. Deklarata që tingëllojnë nga një shekull tjetër, e që në epokën e postmodernizmit është e paktë t’i quash donkishoteske. Aq më tepër nëse i vendosim në kontekstin politik dhe institucional, ku Greqia së bashku me Shqipërinë dhe Turqinë janë anëtare të aleancës më të madhe politiko-ushtarake të globit, NATO-s, prej nga ku rrjedh detyrimi për t’u mbrojtur bashkërisht ndaj një agresioni të mundshëm kundrejt secilit vend anëtar.

I gjithë ky frustrim dhe kompleksim i politikës zyrtare greke, shprehur me diletantizëm institucional dhe të pashoq, në fakt është rrjedhojë e trysnisë së shkaktuar nga qeveria shqiptare, që ndoshta për të parën herë pas Luftës së Dytë Botërore ka ndjekur një qasje serioze dhe dinjitoze në politikën e jashtme ndaj fqinjit jugor. Këmbëngulja për të zgjidhur çështje të mbetura pezull mes dy vendeve, ndër të cilat më kryesoret ajo e kufirit detar, çështja çame dhe shfuqizimi i ligjit të luftës, kanë shkaktuar irritim të paarsyeshëm, prej të cilit burojnë edhe episodet e kohëve të fundit.

Ndërsa qeveria shqiptare, por edhe partia përfaqësuese e komunitetit çam, përsërisin me forcë dhe pareshtur se qëllimi i tyre është rikthimi i të dëbuarve në pronat e tyre, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe konventat mbi të drejtën themelore të pronësisë, pa menduar për asnjë çast ndryshimin e kufijve apo cenimin e sovranitetit territorial grek, ministri grek i Mbrojtjes përgjigjet se do të mbrojë çdo centimetër tokë dhe det. Nga kush dhe për çfarë, sigurisht që edhe ministri grek nuk është në gjendje ta thotë.

Kokëfortësia greke për t’u bërë qesharak me çdo kusht e me çdo çmim tregon se bëhet fjalë për një strategji të qëllimshme. E gjendur përpara fakteve historike të paqortueshme dhe një realiteti politik të papritur, qeveria greke ka vendosur të zgjedhë rrugën e mohimit të realitetit me çdo kusht, të mbylljes së veshëve dhe syve, me pak fjalë, të karagjozllëkut autosugjestionues. Kriza e thellë ekonomike dhe paqëndrueshmëria politike me sa duket nuk kanë lënë shteg tjetër. Sado e pabesueshme të tingëllojë, Greqia shpreson se përmes sjelljes donkishoteske do të fitojë statusin e të marrosurit me të cilin nuk ia vlen të merresh, aq më pak të diskutosh çështje. Njësoj si plakat e roitura që marrin nëpër gojë gjithë lagjen, por që në fund askush nuk është aq i pacipë sa t’u kërkojë llogari për ato që thonë e bëjnë, dhe që të gjithë i tolerojnë nga keqardhja.

Dhe është pasaktësi të thuash që kjo strategji nuk ka nisur të korrë sukses, ndërsa banori më i madh dhe më i fortë i lagjes, Turqia, sot lëshoi një deklaratë sipas të cilës, “ministri grek nuk ka kapacitet për të vlerësuar me këmbë në tokë situatën”.  Me pak fjalë, për ministrin grek të mbrojtjes, politika është sufllaqe dhe xaxiq.

Një fqinj joserioz dhe qesharak sigurisht që është një problem më i madh se një fqinj i fuqishëm dhe agresiv, por me të cilin është e mundur të debatosh mbi një shtrat të arsyeshëm institucional. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit