11.6 C
Pristina
Wednesday, May 15, 2024

Nga Ali PAJAZITI: Shqiptarët e Rekës, Islami dhe apologjia identitare etnike

Më të lexuarat

“Më fal, tani s’guxoj të flas më shqip, se po më dëgjuan fëmijët se komunikoj në këtë gjuhë, bëhet keq për mua”

Një rekali ortodoks, shitës petullash nga Strazha

Feja përbën njërin nga elementët më me ndikim të jetës shoqërore dhe të ndërtimit të identitetit si në aspektin individual, ashtu edhe në atë kolektiv. Ajo prek dhe përfshin pjesën më të thellë e më sublime të personalitetit të njeriut, duke mbjellur tek ai ndjesinë për veten dhe të tjerët e afërt, me të cilët identifikohet, dhe ata me të cilët ndan vetëm ajrin dhe tokën, por jo edhe emocionalitetin, përbashkimin. Islami është një nga tre fetë e mëdha botërore që në nënqiellin shqiptar është i pranishëm me shekuj të tërë (shek. XIV), duke mbrujtur kështu një pjesë të mirë të identitetit shqiptar, duke qenë element përbërës i kulturës shqiptare, nga ajo ushqimore, arkitektonike, e veshmbathjes, etike, linguistike, deri te ajo komunikuese, ekonomike, etj.

Shqiptarët e rajonit të Rekës, sikurse edhe gjithë trungu kombëtar shqiptar, shenjojnë diversitetin fetar të shqiptarëve; një pjesë e tyre kanë ruajtur identitetin fetar kristian-ortodoks, kurse një pjesë tjetër janë konvertuar në muslimanë. Odiseada e zhvillimeve socio-politike ka bërë që këta të parët, rekasit ortodoksë, me shumicë, të ndryshojnë identitetin e tyre kombëtar, pra, të përjetojnë një konvertim tjetër, atë nacional, nga shqiptarë në maqedonas. Nga ana tjetër, shqiptarët muslimanë sot e këtë ditë vazhdojnë të jetojnë me të gjitha ngjyrimet kombëtare shqiptare, me disa nuanca të turqizimeve brenda hapësirës shqiptare, por si raste aksidentale e të padukshme, apo me identitet të dyfishtë (turko-shqiptar apo vice versa), bilingual, që është veçori e kulturës qytetare, apo shprehur me fjalorin e Ellis, e kulturës së shehërlinjve. Shqiptarët ortodoksë të mbetur me identitet tepër të zbehur kombëtar i gjejmë shumë rrallë, të përbirë nga regjimi a nga sistemi i kombit dominant, që natyrisht se ofronte edhe privilegje nëse ndodhte riti i kalimit. Ky minoritet tepër i vogël jeton me identitetin hije (shadow identity) të tij, duke u shndërruar në agjendë të një nostalgjie shqiptare, të një futurologjie për (ri)kthim te kopeja (shqiptaria), që, shikuar sociologjikisht, rëndë se mund të ndodhë.

Ky punim përmes metodës analitike, historike, komparative, krahasimtare, intervistës, synon të argumentojë se si Islami është faktor tepër relevant i ruajtjes së identitetit kombëtar të shqiptarëve të Maqedonisë dhe të Rekës, duke vënë vijë ndarëse mes sfiduesve sllavë dhe neve muslimanë-shqiptarë, duke çuar përpara procesin e të jetuarit me “kulturë tjetër” si shpirtërore (fetare) ashtu edhe gjuhësore, që na bën të ruajmë indin tonë.

Identiteti dhe kombi

Identiteti nënkupton ndjenjën e vetes, të personalitetit, të asaj që në fakt dikush është. Ai përbën pohimin përcjellës të përkatësisë në çdo rreth socio-kulturor, dhe në një mënyrë e përcakton jetën e njerëzve. (Meyer, 2014:9) Si një term i studiuar nga psiko-analistët, sociologët dhe social-psikologët, identiteti përfaqëson veçoritë kryesore të individit (personal identity) apo të një grupi të njerëzve (collective identity), me të cilat shumë lehtë mund të dallohet një njeri ose një kolektivitet. Identiteti nënkupton vetëdije dhe gatishmëri për ta njohur vetveten, imazhe të një individi që i ka në kokë, “unin e tij”, veçoritë e karakterit dhe të karakteristikave fizike, mënyrën e sjelljes jopersonale, ndjenjat, njohuritë, vetëdijen. Identiteti si “uni” i njeriut ose i grupit, në shoqërinë moderne paraqitet i shumëllojshëm, si: identiteti fizik (vetëdija për trupin), identiteti gramatikor (emri, nënshkrimi), identiteti juridik (vetëdija për të drejtat dhe detyrat), identiteti rajonal, kombëtar, etnik (vetëdije për të mbrojtur tokat etnike), identiteti social (pushtimi i disa statuseve, luajtja e roleve, lidhja e marrëdhënieve, pjesëmarrja në rrjetin e informacioneve), identiteti kulturor (ndërtimi i sistemit të vlerave, instalimi i vetes në bazë të sistemeve ideologjike), etj. Identitetet zakonisht përfshijnë ngjashmërinë dhe dallimin. Nëse jeni shqiptar, jeni i ngjashëm me shqiptarët e tjerë, dhe natyrisht dalloni nga joshqiptarët. Ngjashëm me këtë, edhe një britanik dallon nga europianët kontinentalë ose nga imigrantët që jetojnë në Britani. Ka mendime se identiteti është i ngurtë ose i dhënë. Sociologët pohojnë se identiteti është fluid dhe i ndryshueshëm, se njeriu mund ta ndryshojë atë, në veçanti në shoqëritë moderne. (Pajaziti, 2009: 252) Sipas dijetarit gjerman Meyer (2014:11), identiteti mund të shërbejë si armë për të vrarë, kurse politika e identitetit përbën një prej potencialeve më shkatërrimtare të kohës.

Hugh Seton Watson, një ndër njohësit më të mirë të çështjes së kombit, pohon se s’mund të ketë përkufizim shkencor të kombit, edhe pse ky fenomen ka ekzistuar dhe do të ekzistojë edhe në të ardhmen. Termi (latinisht natio nga nasci: lindem) ka hyrë në gjuhët botërore me kuptimin e bashkësisë fisnore. Universiteti i Parisit e ka përdorur qysh më 1429-n, kurse në Koncilin e Konstancës (1414-1417) u përdor termi “natio germanica”; disa pjesëmarrës u quajtën si të kombit francez, e disa të tjerë të atij italian. Akademia franceze më 1694-n e ka përkufizuar kombin si tërësi të banorëve të të njëjtit shtet, të të njëjtit vend, që jetojnë nën të njëjtin ligj dhe që përdorin të njëjtën gjuhë. Filozofi dhe shkrimtari gjerman Johann Gottfried Herder, termat komb dhe popull i përdorte si sinonime. F. Schleiermacher-i ka bërë postulimin e tij në bazë të pastërtisë etnike, që lidhet me ndarjen dhe kufizimin nga të tjerët. Ernest Renani më 1882 i dha trajtë formulës së njohur të bashkësisë së vullnetit. Sipas tij, kombi përbën një bashkësi të madhe solidare, të cilën e lidh ndjenja e sakrificës në çdo kohë. Për të, qenia e kombit është një plebishit i përditshëm, një shpirt, një parim mendor. Për Renanin, kushtet themelore të kombit janë lavdia e së shkuarës, vullneti i përbashkët në të tashmen, ndjenja se është kryer diçka e madhe e përbashkët dhe dëshira për të kryer të tilla edhe në të ardhmen. Kombi është një bashkësi e ngritur mbi bazën e përbashkësisë së gjuhës, territorit, jetës ekonomike, historisë dhe kulturës. Si një nga konceptet më të përfolura në lëmin e sociologjisë, përbën, sipas Kristevës, ëndrrën dhe realitetin e shekullit XIX. Kombi është bashkësi e ndjenjave (Weber, 1920), ose bashkësi e imagjinuar (B. Anderson), që bazohet në njërin ose më tepër elemente mes këtyre: raca, etniciteti, gjuha, feja, traditat, kujtesa politike dhe përvoja e përbashkët për “tjetrin”. Sipas Hobsbaumit, kombi nuk është tërësi primare dhe e pandryshueshme. Ajo i përket një periudhe të veçantë të re historike. Sipas tij, është entitet social vetëm përderisa është në lidhje me shtetin bashkëkohor territorial, me “shtetin-komb”. Ai, sikurse Gellneri, thekson përftimin dhe ndërtimin shoqëror që përputhen në krijimin e kombeve. Teoria sociologjike flet se kombi dhe identiteti janë ngushtë të lidhur mes tyre, se çdo komb ka identitetin e vet, dhe se identitetet, mes të tjerash, ndërtohen edhe në bazë të tipareve kombëtare.

Konvertimi kombëtar: i mundshëm ose jo?

Shoqëritë moderne karakterizohen nga pikëpamja se shumë fusha të jetës janë çështje e vendimeve individuale, të cilat njeriu mund t’i marrë herë i lirshëm, e herë nën trysninë e komunitetit. “Në shoqëritë moderne njerëzit besojnë se janë të lirë të bëjnë përzgjedhje me peshë, si përzgjedhja e bashkëshortit ose bashkëshortes, e profesionit, e vendbanimit dhe e fesë”, madje edhe e kombit. Ata kanë opsione më reale për të zgjedhur sesa njerëzit që kanë jetuar në shoqëritë tradicionale. Kjo përzgjedhje, në literaturën sociologjike dhe psikologjike quhet konvertim, që në gjuhën shqipe do të mund të përkthehej si kthim, shndërrim, këmbim, etj.

Konvertim do të thotë shndërrim i unit dhe i sistemit kuptimor bazë të njeriut. Ky proces ka të bëjë me ndryshimin e identitetit dhe të përkatësisë në një situatë shoqërore. Konvertimi e shndërron mënyrën sesi një person e percepton pjesën tjetër të shoqërisë dhe pozitën e tij në të; ai ndryshon botëkuptimin e njeriut.

Përkufizimi i konvertimit i dallon ndryshimet e thjeshta në anëtarësinë institucionale prej ndryshimeve në sistemin kuptimor të njeriut. Sipas McGuire, kur njerëzit për shkak të faktorëve si martesa, miqësia, mobiliteti gjeografik ose social, benefitet e ndryshme e të tjera, detyrohen ta ndryshojnë anëtarësinë ndaj një grupi, ata nuk bëjnë ndryshim dramatik. Ndryshimet e këtilla nuk janë konvertime, por thjesht ndryshim i përkatësisë grupore, kalim prej njërit në tjetrin. (McGuire, 2007:113) Sipas nesh, mund të flitet edhe për konvertim nacional ose kombëtar, sepse kur një individ vetëtransferohet në një grupim tjetër etnik, nganjëherë ai ndryshon edhe anëtarësinë, edhe sistemin kuptimor, siç do të shohim nga shembulli i shqiptarëve ortodoksë të Rekës.

Pra, është shumë e natyrshme për konvertime të natyrës religjioze, pra, për kalime prej një feje në një fe tjetër, por ama një fenomen tjetër që nuk duhet harruar është edhe ai i konvertimit kombëtar, pra, braktisja e një përkatësie kombëtare dhe kalimi në një përkatësi apo identitet tjetër. Konvertimi kombëtar ndryshe mund të quhet edhe asimilim, që përbën një proces të shkrirjes kulturore dhe sociale të grupeve me identitete të ndryshme. Kur elementet kulturore të një grupi, zakonisht minoritar dhe margjinal, ndryshojnë në drejtim të grupit tjetër (sundues dhe grup model), pra, kur njëri grup i humb cilësitë e veta dhe i zëvendëson ato me tiparet e grupit tjetër, kemi të bëjmë me asimilim kulturor (shih: akulturimi). Konvertimet kombëtare janë më aktuale në kohën e globalizimit, kur njerëzit tanimë nuk lindin dhe vdesin në atdhe, por jetojnë në kushte të një dinamike të madhe, kur përballen me kultura të tjera, me gjuhë të tjera, dhe detyrohen që dalëngadalë të treten, të ndryshojnë përkatësinë e vet, mes tjerash edhe atë etnike, kur vlejnë konceptet subnacionale dhe transnacionale (Tietze, 2009:43). Epokë kjo e rrjedhshme dhe e lëvizshme, ku mbizotërojnë çrrënjosja dhe deterritorializimi (Z. Bauman në Bartra, 2009:11), identitetet e arnuara (patchwork identities), postmoderne apo shumështresore, si ai i Dëfrimit, prindërit e të cilit janë nga Dobroshti i Tetovës, ai vetë i lindur në Danimarkë, flet gjuhën shqipe, bart kollare me shqiponjë, ka pasaportë të Maqedonisë, kupton vetëm dhjetë fjalë maqedonase, dhe – për shkak të vlerave fetare, morale, kombëtare – është danez i kategorisë së dytë (Jashari, 2010:13); trup i huaj, europian joautokton në kuadër të kulturës vendore, që perceptohet si kulturalisht singulare dhe monolite (Muhiq, 2013:9-23). Në kontekst të problemeve që gjenerojnë identitetet postmoderne, mund të përmendet metafora e Meyerit për identitetin, qepa, fletët apo shtresat e së cilës ndahen me lot në sy. (Meyer, 2014: 23) /tesheshi.com/   

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit