20.7 C
Pristina
Saturday, June 15, 2024

Këtë rini e dëshirojmë – Hoxhë Bekir Halimi

Më të lexuarat

Këtë rini e dëshirojmë

 

Vlera e rinisë

 

Rinia konsiderohet thesari i çmueshëm i ummetit dhe rezerva e vlefshme, shndërohet në dhunti dhe mirësi kur shfrytëzohet për të mirë, nderë dhe ndërtim. Kurse shndërohet në dëm të madh dhe të keqe, kur e mer përpara e keqeja dhe çorodia.

Devijimi në etapën e rinisë është shumë i rezikshëm dhe i frikshëm, sepse i devijuari sot është krimineli i të nesërmes, nëse nuk e kaplon kujdesi i All-llahut, subhanehu ve teala. andaj aq sa kujdesemi për rininë dhe çeshtjet e tyre, ashtu edhe përcaktohet ecuria e ummetit dhe shoqërisë.

Devijimi i të rinjve është prej çeshtjeve që më së shumti elaborohen sot dhe prej çeshtjeve që i shqetson prindërit dhe pedagogët.

Disa shkrimtar dhe mendimtar i dominon emocioni dhe analiza sipërfaqësore disa herë gjat pozicionimit kundrejt këtij fenomeni, ashtuqë e prekim problemin, e plasim plagën, i përsërisim dhimbjet herë pas here, mirëpo pa asnjëfar dobie. Shërimi i sukseshëm është logjikimi dhe analiza e thellë, prognozimi i të ardhmes sipas analizave të fenomenit, studimit të shkaqeve dhe veprimi në masat preventive, në mënyrë konstruktive dhe metodologjike, duke u bazuar në fe dhe sherijat.

Nuk është e çuditshme që specialistët të miren me fenomenin e devijimit në mesin e rinisë, për ta tharë burimin dhe çrrënjosur rrënjët, sepse rinia është shpresa e ummetit, përgaditja e ardhmërisë, nozulli i shoqërisë dhe nervi aktiv në jetën e popujve.

Devijimi i rinisë është dukuri e përgjithshme është shfaqur në çdo vend, kurse këndi i devijimit zgjërohet kur gjinden shpirtëra pa mburojë, ide pa imunitet dhe personalitet pa edukatë dhe respekt.

Rinia janë sikur njerëzit tjerë, edhe gabojnë edhe ia qëllojnë. Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

))كلّ ابن آدم خطّاء، وخير الخطائين التوّابون))

“Secili bir i Ademit është gabimtar, mirëpo gabimtari më i mirë është ai që pendohet”. (hasen, Tirmidhiu).

Ka devijimi që i kërcënohet moralit, i rrënon vlerat, paraqet krim dhe gabim i qëllimtë, shkakton dëme të mëdha në sistemin e shoqërisë, sidomos nëse është i shoqëruar me nënçmim dhe insistim, ose është bartje e fotografive të mëkateve të mëdha dhe përhapja e tyre në mesin e njerëzve, mëakte për të cilat është kërcënuar All-llahu me denime të dhembshme.

Nëse rregulli moral është i shëndosh në jetën e ummetit, kjo është rruga e vetme e stabilitetit dhe fuqisë, e nëse sjellja e individëve devijon dhe pëlqet vullkani i epsheve dhe dominon pasioni, ummeti i afrohet shkatërrimit dhe eliminimit. All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:

وَإِذَا أَرَدْنَا أَنْ نُهْلِكَ قَرْيَةً أَمَرْنَا مُتْرَفِيهَا فَفَسَقُوا فِيهَا فَحَقَّ عَلَيْهَا الْقَوْلُ فَدَمَّرْنَاهَا تَدْمِيرًا

“Kur duam të shkatërrojmë ndonjë vend (popull), i urdhërojmë pasanikët (parinë) e atyhit (të jenë në rrugë), e ata kundërshtojnë; atëherë zbatohet dënimi i merituar kundër tyre dhe i shkatërrojmë krejtësisht”. (El-Isra: 16).

Familja është foleja më e dukshme e përgaditjes së rinisë dhe ndërtimit të personalitetit të tyre, nga ajo buron e mira ose e keqeja, nga ajo vjen devijimi ose mirësia.

Familja e humb rolin dhe misionin nëse prindërit largohen nga shtëpia, kurse brenga e tyre kryesore bëhet garantimi i fitimit dhe pasurisë, duke i lënë tërësisht të lirë fëmijët, duke lënë pas dore edukimin e tyre, duke mos caktuar kohë për tu dhënë udhëzime dhe kujdes. Shumica e prindërve raportet e tyre me fëmijët dhe përgjegjësit e tyre në shoqëri i kanë përkufizuar në llogari materiale, të cilat nuk i kalojnë nevojat e fëmijëve për ngrënie, pije, veshmbathje dhe argëtim, kurse edukimi moral, kujdesi për sjelljen e tyre, ndërtimi i personalitetit të tyre, ato janë në shtojcën e listës së përgjegjësive.

Asnjë i mençur nuk dyshon se prindërit kur zhvillojnë edukatë të shëndoshë dhe e vëndojnë në kokë të prioriteteve në jetën e tyre, i ofrojnë imunitet të mjaftueshëm kundër devijimit dhe mbrojtje nga përfundimi i dhembshëm. Ata në këtë formë edhe kontribojnë për sigurinë e shoqërisë.

All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا قُوا أَنفُسَكُمْ وَأَهْلِيكُمْ نَارًا وَقُودُهَا النَّاسُ وَالْحِجَارَةُ

“O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëjt e rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë All-llahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruar”. (Et-Tahrim: 6).

Kurse Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, thotë:

(( والرجل راعٍ في أهله وهو مسؤولٌ عن رعيَّته، والمرأة راعية في بيت زوجها ومسؤولةٌ عن رعيتها)).

“Burri është çoban në familjen e vet dhe ai jep llogari për tufën e tij, kurse gruaja është çobaneshë në shtëpinë e burrit të saj dhe ajo jep llogari për tufën e saj”. (Buhariu).

Familja në islam është përgjegjëse për mbrojtjen e rinisë nga devijimi, kurse prindërit e bartin hisen më të madhe të përgjegjësisë së ekstremizmit në sjellje dhe fanatizmit në fe, sepse Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

))كلّ مولودٍ يولَدُ على الفطرة، فأبواه يهوِّدانه أو ينصِّرانِه أو يمجِّسانه((

“Secila foshnje lind në natyrë të pastër (fitreh), kurse prindërit e hebreizojnë, krishterizojnë ose e bëjnë zjarputist”. (Buhariu dhe Muslimi).

Atmosfera e familjes e mbushur me mjegulla i ndihmon në devijim. Shtëpia ku ngritet zëri i mospajtimeve, hasmive dhe ndarjes nuk është e përgaditur për edukim dhe stabilitet. Ndoshta anëtarët e kësaj shtëpie ikin nga kjo atmosferë dhe shkojnë atje ku u ofrojnë strehim, mund tu ofrojnë strehim shokët e këqinjë, të cilët ua lehtësojnë mënyrat që të bëhen kriminel të specializuar, e si mos të ndodh kjo kur ka humbur përkujdesin, këshillën dhe udhëzimin e prindërve. Mungon ai i cili e nisë rrugës së udhëzimit dhe dritës.

Prej shkaqeve të devijimit është rënia e disa familjeve viktimë e varfërisë, andaj detyrohen disa fëmijë ta braktisin shtëpinë duke kërkuar shkaqet e rizkut, kurse nga shkaku i injorancës dhe perceptimit të dobët, ata i mer përsipër shoqëria e keqe dhe i çojnë rrugës së devijimit. Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, për këtë edhe kërkonte strehim nga varfëria duke thënë:

((اللهم إني أعوذ بك من الكفرِ والفقر)).

“All-llahu im, kërkoj strehim te Ti nga mosbesimi dhe varfëria”. (sahih, Ahmedi).

Për tu mbrojtur nga problemi i varfërisë dhe pasojava të tija, Islami ka bërë obligim zekatin dhe ka stimuluar dhënien e sadakasë, ka ngjallur domethënien e solidaritetit shoqëror, ka thirru në kujdes për jetimët, të varfërit dhe të ngratët, duke treguar se këto vepra kanë shpërblim të madh:

(( أنا وكافلُ اليتيم في الجنّة هكذا)) وأشار بالسبابة والوسطى.

“Unë dhe kujdestari i jetimit jemi kështu në xhennet”. Dhe tregoi me gishtin tregues dhe të mesëm. (Buhariu).

Nga solidariteti shoqëror është edhe përkrahja e shoqatave humanitare që kujdesen për jetima, të varfër dhe të ngratë. Këto shoqata bëjnë afrimin mes të pasurve dhe të varfërve, ndihmojnë në përforcimin e lidhjeve shoqërore, ofrojnë mëshirë dhe dhimbsuri. Sa e sa të uritur kanë ushqyer, sa e sa të çveshur kanë veshur, sa e sa njerëzve me brenga ua kanë lehtësuar.

Shkolla, është foleja e dytë, detyra e shkollës ka ndikim të thellë në përmirësimin e rinisë ose devijimin e tyre, bartë kazmën e prishjes ose ndërtimit. Themeli dhe baza e shkollës është planprogrami edukativo arsimor. Pa dyshim se kjo etapë, sidomos duke e patur parasysh afrimin e botës dhe përhapjen e mendimeve të kota dhe epsheve, kërkon futjen e sa më shumë lëndëve fetare, që të bëhen mburojë për zemrën e të riut, mbrojtje e mendimeve të tija nga ekstremizmi dhe çorodia.

Feja është mburoja më e madhe e rinisë nga devijimi. Andaj leximi i historisë sqaron shumë qartë se shfaqja e grupacioneve, dalja në shesh e devijimit dhe përhapja e krimit, ka patur fat vetëm në shoqëritë që thirrja ka qenë pasive dhe është dobësuar praktikimi i sherijatit.

All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:

إِنَّ هَذَا الْقُرْآنَ يَهْدِي لِلَّتِي هِيَ أَقْوَمُ

“Është e vërtetë se ky Kur’an udhëzon për atë rrugë që është më se e vërteta,…”. (El-Isra: 9).

Në mungesë të fesë së vërtetë, besimit të shëndoshë dhe metodës mesatare rinia është e përgaditur për devijim, mund të bëhet viktimë e kriminalitetit, terorizmit, ekstremizmit, kalimi në prehërin e armiqve, rënia në kurthat e të devijuarve, ose ta sundon bredhja, e të sndërrohet në helm në trupin e ummetit, i cili e rrënon ardhmërin e vet dhe të ummetit.

Mësuesi është bosht i edukimit dhe arsimimit, me ndihmën e tij e rezistojmë devijimin dhe i mbrojmë të rinjtë, nëse është i sjellshëm, i moralshëm, me besim të fuqishëm, e kryen detyren në përpikshmëri dhe mban brengën e ummetit dhe shoqërisë së tij. Këto janë cilësitë më të rëndësishme të mësuesit në shoqërinë muslimane.

Misioni i mësuesit është ushqimi i besimit, përforcimi i ndërgjegjës morale dhe ngjallja e kontrollit të All-llahut në zemrat e të rinjve.

Edhe shoqëria e mirë ndikon në përfitimin e vlerave dhe sjelljes, sepse Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

(( المرءُ على دين خليله، فلينظر أحدُكم من يُخالِل)).

“Njeriu është në fenë e mikut të vet, andaj le të shikon se cilin e ban mik”. (hasen, Ahmedi).

Shoku i keq mund ta shpien njeriun në gjëra shkatërruese, kurse shoku i mirë është një shkak prej shkaqeve të vlerës dhe përqëndrimit.

Koha boshe është shkak prej shkaqeve të devijimit. Koha nëse nuk angazhohet në formën e duhur, i sjell pasojat e këqija dhe i ndihmon më shumë në devijim. Prindërit duhet ta dinë ku dhe si e kalon fëmiu i tyre kohën e lirë.

Gjatë kohës së lirë mund ti vjen ndonjë ide e devijuar, pasion i çastit ose epsh i ndezur, e të ndodhë problemi. Andaj duhet patur institucione edukative, kurse fetare, hallka të mësimit të Kur’anit që i marrin në prehër të tyre këta të rinjë. Këto institucione duhe të luajnë rolin e tyre në përmirësimin e të rinjve që kanë marë ekstremizmin si metodë, të rinjtë që janë dakord të jetojnë në skajet e jetës, të rinjtë që janë viktimë e alkoolit dhe drogës.

Aliu, radijall-llahu anhu, thotë:

“Kush kalon një ditë nga ymri i tij në gjëra të kota; nuk e kalon duke i kryer farzet, në angazhim për fitimin e lavdit, për arritjen e falënderimit, për të dëgjuar një të mirë, ose duke nxën dituri, atëherë ai ka gabuar kundrejt kësaj dite dhe i ka bërë vetes padrejtësi”. (“Fejdul-Kadir”, 6/288).

Bota sot jeton në gjendje të ngacmimeve epsharake që i ndezin ndjenjat e të rinjve. Prej mënyrave më të dukshme të devijimit dhe prej kurtheve më të qarta të shejtanit njeri janë edhe rrjetet sociale, programet e ndryshme televizive, të cilat i zbukurojnë devijimet dhe shpiejnë drejt dekadencës morale. Përballë këtyre kanaleve nuk mund të qëndrojnë edhe institucionet më të fuqishme edukativo arsimore, sepse ata me fuqi të madhe i kanë hapur dyert e devijimit, ndytjen e mendjes së djemve, prishjes së zemrave dhe largimin e mbulesës së turpit, kanë lehtësuar luftën ideologjike, depërtimin e kulturave dhe moraleve të huaja, stimulon prishjen dhe imoralitetin, trimëron në krim dhe devijim.

Nëse dëshirojmë të pakësojmë këndin e këtij devijimi, duhet hulumtuar zgjidhjet e këtij ankthi që gjindet në gjoksin dhe shtëpait tona, i cili e dridh moralin tonë, duhet ballafaquar këto helmet dhe duhet asgjësuar ndikimin e tyre.

Prej mejeteve të shërimit të devijimit është thirrja në fenë e Allahut me urtësi, këshillë të mirë, ta luan rolin e vet xhamia në udhëzim dhe përmirësim, ta kryejnë detyrën e tyre thirrësit dhe pedagogët. Mendimtarët dhe shkrimtarët duhet ta përdorin aftësinë e tyre në rezistimin e dukurive të devijimit, duke i studijuar dhe duke sjellur zgjidhje për to. Secili individ prej nesh konsiderohet rojtar besnik dhe përgjegjës për mbrojtjen e ummetit nga fesadi dhe devijimi, duke e ruajtur dlirësinë dhe pastërtinë e shoqërisë.

All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:

وَمَا كَانَ رَبُّكَ لِيُهْلِكَ الْقُرَى بِظُلْمٍ وَأَهْلُهَا مُصْلِحُونَ

“E Zoti yt nuk është që të shkatërrojë mizorisht vendet, nëse banorët e tyre janë punëmirë”. (Hud: 117).

Kjo realizohet duke porositur njëri tjetrin në të vërtetë dhe duke porositur njëri tjetrin në durim, duke e kryer detyrën e urdhërimit në të mirë dhe ndalimit nga e keqeja, vepër, e cila është garancë e sigurisë së shoqërisë dhe mënyrë e shpëtimit. All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:

وَالْعَصْرِ إِنَّ الإِنسَانَ لَفِي خُسْرٍ إِلاَّ الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ وَتَوَاصَوْا بِالْحَقِّ وَتَوَاصَوْا بِالصَّبْرِ

“Pasha kohën!

Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt.

Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm”. (Sureja El-Asr).

Pranimi i këshillës është i rrëndë vëlla i ri. Ebu Hamid el Gazaliu ka thënë: “Këshillimi është i lehtë por pranimi i tij është i rëndë; sepse në shijen e atij që pason epshin është i hidhur pasi që gjërat e ndaluara për të janë të dashura”.

Kur është në pyetje këshillimi, të rinjtë ndahen në:

A – mendjemprehtë, të cilëvë Allahu iu ka dhuruar natyrë të pastër dhe zemërbardhësi që e ndihmon për të dëgjuar këshillën dhe për të pasuar më të mirën. Qofshin më shumë nga kjo kategori!

B – të dobët, që është vënë një perde ndërmjet atij dhe shpirtit të vet. Ai nuk pranon përveç atë që i pëlqen, nuk dëgjon përveç atë që i përshtatet ëndjes së tij. Allahu e udhëzoftë këtë kategori!

Vëlla i ri! Ndalu dhe mendo se në cilën prej dy rrugëve je duke ecur, kah cili prej dy qëllimeve je duke nxituar?

I riu i cili është serioz, i sinqertë, meditues, i kulturuar, besimtarë, i cili planifikon për vetveten ardhmëri të ndritshme, apo ai që është labil që mirret me gjëra të kota, i fundosur në dëfrime ardhmëria e tij është e errët dhe e llahtarshme?!

Allahu (subhanehu ve teala) thotë: “A nuk i dhamë Ne atij dy sy? Edhe gjuhë e dy buzë? Dhe i sqaruam atij për të dy rrugët.„ (Beled-8-10)

“Dy rrugët„, pra janë rruga e të mirës dhe të keqes, e cilën po zgjedh ti? Paramendo një ndërtesë të bukur që është ngritur mbi shtylla të forta pas një projëktimi të mirë. Kështu ndërto vetveten dhe ardhmërinë tënde.

Medito mirë rreth këtyre ajeteve (verseteve), Allahu (subhanehu ve teala) thotë:

“A është më i mirë ai që ndërtesën e vet e themeloi në devotshmëri dhe në kënaqësi të Allahut, apo ai që në ndërtesën e vet e themeloi buzë bregut të shembur e bashkë me të bie në zjarrin e xhehennemit? Allahu nuk i udhëzon njerëzit zullumqarë”. (et-Teube-109)

Vlerat që duhet ti posedojë rinia jonë

 

Në këtë kohë të destruktivitetit të madh dhe degjenerimit, i cili është duke e sulmuar vazhdimisht rininë tonë, duhet të flasim për rikthim të vlerave tona të mirëfillta që në origjinë janë fetare dhe pa të cilat nuk mund të ketë zhvillim të shëndoshë të popullit tanë.

 

Prej këtyre vlerave dhe cilësive që doemos duhet ti posedon rinia jonë për të na garantuar një ardhmëri më të begatshme janë edhe këto:

1- Morali që nënkupton:

Tërësi rregullash, parimesh, dhe normash të sjelljeve që rregullojnë raportet ndërmjet anëtarëve të bashkësisë së caktuar shoqërore duke përcaktuar mënyrën e sjelljes së individit ndaj rrethit, ndaj të tjerëve dhe ndaj vetvetes.

Kurse nga ana tjetër paraqet edhe tërësi të forcave të brendshme që e shtyjnë njeriun të veprojë, të qëndrojë a të plotësojë një detyrë, gjendja e brendshme shpirtërore e dikujt.

Në mungesë të kësaj force shumë vështirë është të zhvillojmë një rini e cila do ti siguron popullit tanë një ardhmëri të lumtur dhe të shëndoshë.

2- NDER- i.

Tërësia e vetive a e tipareve morale të njeriut, që burojnë nga parime të caktuara, që çmohen nga shoqëria dhe që shfaqen në sjelljet e në veprimet e tij në rrugë të drejtë; cipa e njeriut në shoqëri, që ai e ruan me krenari dhe që nuk lejon t’ia cenojnë; kund. turp.

Gjithashtu kjo fjalë i përmban edhe këtë domethënie:

“Ndjenjë e ndërlikuar që ka të bëjë me tiparet e karakterit të njeriut dhe shfaqet në përpjekjet dhe në sjelljet e shmangies nga gënjimet, nga mashtrimet dhe nga pështjellimet”. (shiko: “Fjalorin psikologjik”, fq. 171).

Domethënë përderisa te populli ynë turpi vlerësohet si aftësi dhe shkathtësi, kurse nderi si mendjelehtësi dhe papjekuri, nuk mund të ketë zhvillim të shëndoshë.

Madje edhe dukuritë më degjeneruese morale që shfaqen në mesin e popullit tonë, nuk guxon askush ti kundërshton e as ti konteston, sepse ato vetëm se janë bërë dukuri dhe trende që duhet të respektohen, përndryshe ai që i kundërshton dhe i konteston, del si jashtëtokësor dhe njeri i cili nuk ecë me trendet e kohës dhe vendit.

3- VIRTYT – i.

Prirje dhe forcë e brendshme që ka njeriu për të bërë punë të mira; vetia më e mirë që ka ai, cilësi e lartë morale e njeriut, pastërti e përsosuri morale; kund. ves. (Shiko: “Fjalori i shqipes së sotme”, fq. 1463).

Forcë e brendshme, e cila ushqehet me besim dhe madhërim të All-llahut, i cili është mbikëqyrës i njerëzve, i Cili e di atë që e fsheh njeriu dhe atë që e publikon, andaj edhe në mungesë të besimit dhe frikës nga All-llahu, si ka mundësi që njeriu ta përsos moralin dhe të pajiset me virtyte.

4- DËLIRËSI- a

Të qenët i pastër, pa pluhur, pa plehra etj.; pastërti.

Të qenët i pastër nga shpirti, pastërti shpirtërore; të qenët i çiltër, çiltëri; të qenët i ndershëm, ndershmëri. (“Fjalori i shqipes së sotme”, fq. 231).

Për këtë qëllim ka ardhur Islami dhe është dërguar Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem që tu pastron njerëzve shpirtin dhe ai që punon për pastrimin e shpirtit të tij ai i siguron vetes shpëtim.

All-llahu, azze ve xhel-le ka thënë:

رَبَّنَا وَابْعَثْ فِيهِمْ رَسُولاً مِنْهُمْ يَتْلُو عَلَيْهِمْ آيَاتِكَ وَيُعَلِّمُهُمْ الْكِتَابَ وَالْحِكْمَةَ وَيُزَكِّيهِمْ إِنَّكَ أَنْتَ الْعَزِيزُ الْحَكِيمُ (129(

“Zoti ynë, dërgo ndër ta, nga gjiu i tyre të dërguar që t’u lexojë atyre ajetet Tua, t’u mësojë atyre librin dhe urtësinë, e t’i pastrojë (prej ndytësisë së idhujtarisë) ata. S’ka dyshim se Ti je ngadhënjyesi, i dijshmi”. (El-Bekare: 129).

(8) قَدْ أَفْلَحَ مَنْ زَكَّاهَا (9) وَقَدْ خَابَ مَنْ دَسَّاهَا (10(

“Pra, ka shpëtuar ai që e pastroi vetveten. E ka dështuar ai që e poshtëroi vetveten”. (Esh-Shems: 8-9).

5- PËRKORJEJA

Masë a përmbajtje në të ngrënë e në të pirë dhe kufizim në kënaqësitë trupore, heqje dorë nga këto kënaqësi; heqje dorë nga përdorimi i disa ushqimeve dhe i pijeve alkoolike. (“Fjalori i shqipes së sotme”, fq. 978).

Njeriu zakonisht duhet të jetë i përmbajtur në jetën e vet dhe nuk duhet ti lëshohet pasioneve të kësaj dynjaje dhe të ipet pas epsheve të veta.

Mu për këtë All-llahu, azze ve xhel-le vazhdimisht kërkon prej besimtarëve që të jenë të përmbajtur dhe të përkorur, që në gjuhën e fesë ka kuptimi i takvallëkut. Madje shpëtimin e njeriut dhe me automatizëm shpëtimin e shoqërisë e ka ndërlidhur me devotshmërinë duke thënë

وَاتَّقُوا اللَّهَ لَعَلَّكُمْ تُفْلِحُونَ (189(

“… kini frikë All-llahun që ashtu të gjeni shpëtim”. (El-Bekare: 189).

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا اللَّهَ حَقَّ تُقَاتِهِ وَلا تَمُوتُنَّ إِلاَّ وَأَنْتُمْ مُسْلِمُونَ (102(

“O ju që besuat, kini frikë All-llahun me sinqeritet të vërtetë dhe mos vdisni, pos vetëm duke qenë muslimanë (besimtarë)!” (Ali Imran: 102).

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka treguar se trim dhe luftëtar është ai që e lufton epshin e tij për hirë të All-llahut, subhanehu ve teala:

)ألا أخبركم بالمؤمن من أمنه الناس على أموالهم وأنفسهم والمسلم من سلم الناس من لسانه ويده والمجاهد من جاهد نفسه في طاعة الله والمهاجر من هجر الخطايا والذنوب ( . ( صحيح (

“A t’ju tregoj kush është besimtar? Besimtar është ai të cilit njerëzit i besojnë për pasurinë dhe shpirtin e tij. Musliman është ai nga dora dhe gjuha e të cilit janë rehat njerëzit, muxhahid është ai që lufton epshin e tij duke e respektuar All-llahun dhe muhaxhir është ai që i braktis gabimet dhe gjynahet”. (Sahih, “Es-sahiha”, 2, fq. 89).

Këto janë vetëm disa prej vetive që duhet ti posedon një musliman i ri, nëse dëshirojmë ti sigurojmë popullit tonë një ardhmëri të sigurt dhe të qetë. Së fundja një njeri pa këto vlera dhe veti, pikëpyetje se sa ka mbetur nga njerizshmëria tek ai?!

 

Rinia dhe leximi

 

Matura qenka provimi final të cilin e jep nje nxënës që studion në shkollë të mesme, provimi jepet me dije, andaj edhe dijes duhet ti gëzohemi e jo përfundimit të shkollës, si dijmë disa herë ta theksojmë në tubimet tona.

Përfundimi i veprave të mira është gjë që duhet të na gëzojë, mirëpo me kusht që përfundimi i tyre të bëhet shkak për kalimin në faza dhe stadiume tjera të shkollimit dhe nxënies së dijes.

Allahu, subhanehu ve teala, thotë:

يَا أَيُّهَا النَّاسُ قَدْ جَاءتْكُم مَّوْعِظَةٌ مِّن رَّبِّكُمْ وَشِفَاء لِّمَا فِي الصُّدُورِ وَهُدًى وَرَحْمَةٌ لِّلْمُؤْمِنِينَ {57}

 قُلْ بِفَضْلِ اللّهِ وَبِرَحْمَتِهِ فَبِذَلِكَ فَلْيَفْرَحُواْ هُوَ خَيْرٌ مِّمَّا يَجْمَعُونَ {58

” O ju njerëz! Juve ju erdhi nga Zoti juaj këshilla (Kur’ani) dhe shërimi i asaj që gjendet në kraharorët tuaj (në zemra), edhe udhëzim e mëshirë për besimtarët. Thuaj: “Vetëm mirësisë së All-llahut dhe mëshirës së Tij le t’i gëzohen, se është shumë më e dobishme se ajo që grumbullojnë ata”.  (Junus: 57- 58).

Kurse Pejgamberi, sal-lall-llahu aljehi ve sel-lem, kur i p;rfundonte veprat e mira thoshte:

“Falënderojmë Allahun, i cili me begatitë e Tija përfundojnë veprat e mira”.

Nëse besimtari në këtë formë e falënderon Allahun për të mirat që ja ka dhënë Allahu, atëherë përfundimin e shkollimit të mesëm e pason me një elan edhe më të madh të vazhdimit të shkollimit sipëror, e asesi me degjenerim dhe shthurje, sikurse mendon, një pjesë jo e vogël e kësaj shtrese të shoqërisë.

Feja jonë e madhe Islame na mëson që të pasionohemi pas leximit dhe studimit, në shumë ajete Kuranore mësohemi të lexojmë, të dijmë, të mendojmë, logjikojmë dhe analizojmë. Le të bëjmë një paralelë mes këtyre ajeteve dhe realitetit tonë.

اقْرَأْ بِاسْمِ رَبِّكَ الَّذِي خَلَقَ {1} خَلَقَ الْإِنسَانَ مِنْ عَلَقٍ {2} اقْرَأْ وَرَبُّكَ الْأَكْرَمُ {3} الَّذِي عَلَّمَ بِالْقَلَمِ {4} عَلَّمَ الْإِنسَانَ مَا لَمْ يَعْلَمْ {5}

“Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë).

96:2.    Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur (në mitrën e nënës).

96:3.    Lexo! Se Zoti yt është më bujari!

96:4.    Ai që e mësoi (njeriun) të shkruajë me pendë.

96:5.    Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte”. (El-Alek: 1-5)

أَمَّنْ هُوَ قَانِتٌ آنَاء اللَّيْلِ سَاجِدًا وَقَائِمًا يَحْذَرُ الْآخِرَةَ وَيَرْجُو رَحْمَةَ رَبِّهِ قُلْ هَلْ يَسْتَوِي الَّذِينَ يَعْلَمُونَ وَالَّذِينَ لَا يَعْلَمُونَ إِنَّمَا يَتَذَكَّرُ أُوْلُوا الْأَلْبَابِ {9}

“(A jobesimtari e ka gjendjen më të mirë) Apo ai që kohën e natës e kalon në adhurim, duke bërë sexhde, duke qëndruar në këmbë, i ruhet (dënimit të) botës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të vet? Thuaj: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?” Po, vetëm të zotët e mendjes marrin mësim”. (Ez-Zumer: 9)

يَرْفَعِ اللَّهُ الَّذِينَ آمَنُوا مِنكُمْ وَالَّذِينَ أُوتُوا الْعِلْمَ دَرَجَاتٍ وَاللَّهُ بِمَا تَعْمَلُونَ خَبِيرٌ {11}

“… All-llahu i lartëson ata që besuan prej jush, i lartëson në shkallë të lartë ata të cilëve u është dhënë dituri. All-llahu është i njohur mirë me atë që punoni”. (El-Muxhadele: 11).

إِنَّ فِي خَلْقِ السَّمَاوَاتِ وَالأَرْضِ وَاخْتِلاَفِ اللَّيْلِ وَالنَّهَارِ لآيَاتٍ لِّأُوْلِي الألْبَابِ {190}  الَّذِينَ يَذْكُرُونَ اللّهَ قِيَامًا وَقُعُودًا وَعَلَىَ جُنُوبِهِمْ وَيَتَفَكَّرُونَ فِي خَلْقِ السَّمَاوَاتِ وَالأَرْضِ رَبَّنَا مَا خَلَقْتَ هَذا بَاطِلاً سُبْحَانَكَ فَقِنَا عَذَابَ النَّارِ {191}

“Në krijimin e qiejve e të tokës, në ndryshimin e natës dhe të ditës, ka argumente të qarta për ata që kanë arsye dhe intelekt. Për ata që All-llahun e përmendin me përkujtim kur janë në këmbë, kur janë ulur, kur janë të shtrirë dhe thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve e të tokës (duke thënë): Zoti ynë, këtë nuk e krijove kot, i lartësuar qofsh, ruana prej dënimit të zjarrit! (Ali Imran: 190- 191).

فَاسْأَلُواْ أَهْلَ الذِّكْرِ إِن كُنتُمْ لاَ تَعْلَمُونَ {43} بِالْبَيِّنَاتِ وَالزُّبُرِ وَأَنزَلْنَا إِلَيْكَ الذِّكْرَ لِتُبَيِّنَ لِلنَّاسِ مَا نُزِّلَ إِلَيْهِمْ وَلَعَلَّهُمْ يَتَفَكَّرُونَ {44}

“Pyetni pra dijetarët nëse ju nuk dini. (I patëm dërguar) Me argumente e me libra të shenjtë. Ty ta zbritëm Kur’anin që t’u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur atyre, me shpresë se do ta studiojnë (Kur’anin)”. (En-Nahl: 43- 44).

Mirëpo kur të bëjmë krahasim mes këtyre porosive Kuranore edhe realitetit tonë, do të shohim një përpjesëtim aspak normal. Sa për informatë, në një studim që ka bërë një qendër studimi me titull “PIRLS”, ose “Progress in International Reading Literacy Study”, mbi kulturën e leximit në dyzet e pesë shtete, del se Maqedonia është e tredhjet e teta me rend, kurse nëse analizojmë shqiptarët në veçanti, ata bijnë në grada edhe më të ultë.

Argument për këtë është edhe pjesmarja e dobët e shqiptarëve në panaire të librit, kujdesi i dobët për blerje të librave, mungesa e promovimit të librit në qendra shkollore dhe intelektuale, prania e dobët e nxënësve në ditën ndërkombëtare të librit, etj.

Bekir Halimi

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit