16.1 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Je shumë e shtrenjtë o nënë!

Më të lexuarat

Nga: Amer Halid

Je shumë e shtrenjtë o nënë!

Në këtë temë, ne do të flasim për nënat, sesa të shtrenjta dhe të vyera janë ato. Kujtesa ime personale është shumë e lidhur me nënën time. Gjatë leximit të kësaj teme, u kërkoj që edhe kujtesa e secilit prej jush të kthehet me nënën e tij/saj.
Në këtë temë ne nuk do të kërkojmë nga nënat, se si të sillen dhe çfarë të bëjnë për një edukim sa më të mirë të fëmijëve të tyre edhe pse kjo nuk do të mungojë. Në fakt, në këtë temë ne do të tregojmë, sesa e shtrenjtë është nëna, sa madhështore dhe sa e dashur është ajo tek Zoti. Që në momentin kur ajo fiton titullin nënë, ajo bëhet e dashur tek Zoti.
Ne nuk pretendojmë, që me këto tema të zgjidhim problemet e shumta. Kjo është diçka e pamundur. Ajo që synojmë me këto tema, është që të gjithë të biem dakord mbi disa parime dhe vlera, të cilat do të na ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve. Kështu parimi dhe vlera e kësaj teme është mbi vlerat e nënës. Nëse një nënë është e shtrenjtë për fëmijët e saj, shumë mirë mund të zgjidhë një problem dhe konflikt mes dy vëllezërve. Fjala nënë, mund të zgjidhë problemet dhe mosmarrëveshjet mes dy bashkëshortëve.
 
Dhembshuria e nënës
Vallë cili është titulli më i lartë që dikush ka fituar – pas profetëve – në jetë? Mos është grada gjeneral, doktor, profesor, inxhinier, avokat, baba apo teze? Vendosi në një kolonë të gjithë titujt dhe gradat më të larta, që një njeri mund të fitojë! Kush prej tyre mund të jetë ekuivalente me titullin NËNË?! Besoj se asnjëri nuk i afrohet këtij titulli.
Një ndër emrat e bukur të Zotit, është edhe i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti. Këto dy emra dhe cilësi të Zotit, janë të shtrenjtë për secilin prej nesh, madje edhe të domosdoshëm. Me këto dy emra lidhet jeta jonë në këtë botë dhe në botën tjetër. Rëndësia e këtyre dy emrave demonstrohet qartë, në faktin se çdo kapitull i Kuranit, fillon me këto dy emra dhe cilësi hyjnore.
Zoti i lartësuar na i ka mishëruar dhe materializuar këto dy cilësi, me qëllim që të jemi të ndërgjegjshëm për rëndësinë e tyre. Ai ka dashur, që mishërimi i këtyre dy cilësive të jetë tek nëna.
Zoti i gjithë pushtetshëm e ka ndarë mëshirën në njëqind pjesë. Nëntëdhjetë e nëntë pjesë, i ka rezervuar për Botën tjetër, kurse një pjesë e ka zbritur në tokë.
Ditën e Kiametit, Ai do ia bashkëngjisë këtë mëshirë nëntëdhjetë e nëntë pjesëve të tjera dhe do ua ndajë krijesave të Tij.
Ne ndoshta e kemi të pamundur ta imagjinojmë dhe perceptojmë drejt, si dhe sa janë nëntëdhjetë e nëntë pjesët e mëshirës. Por Zoti na ka ndihmuar që ta imagjinojmë dhe perceptojmë mëshirën e vetme, që ka zbritur në tokë dhe këtë e shohim nëpërmjet nënave. Nëse kërkon të shohësh si është mëshira e Zotit, shiko dhe heto mëshirën dhe dhembshurinë e nënës. Diçka të tillë na e ka mësuar vetë Profeti (a.s).
Një ditë, ai bashkë me myslimanët e tjerë panë një nënë, e cila mbante në krahë foshnjën e saj. Për shkak të diellit përvëlues ajo përkulej pak, me qëllim që t`i bënte hije foshnjës së saj. Ajo nuk donte t’ia dinte për vete. Profeti (a.s) iu drejtua shokëve të tij dhe i pyeti: ”A mendoni se kjo nënë mund ta hedhë foshnjën e saj në zjarr?!”  Ata u përgjigjën:”Jo o i dërguar i Allahut!” Profeti (a.s) u tha: ”Zoti është më i mëshirshëm me ju, sesa kjo nënë për foshnjën e saj”.
Prandaj që ditën kur ti ke fituar titullin “nënë”, njëkohësisht je shndërruar edhe në indikator tregues të mëshirës së Zotit. Prandaj lutjet e tua për fëmijën janë të pranuara. Askujt tjetër nuk i pranohen lutjet për fëmijën, ashtu siç të pranohen ty o nënë. Kjo ndodh, sepse ti je mishërimi i mëshirës së Zotit në tokë. Ditën që ke lindur dhe je bërë nënë, ti je bërë shumë e shtrenjtë tek Zoti. Prandaj nëse të rinjtë dhe fëmijët kërkojnë, që Zoti të jetë i mëshirshëm me ta, le t`i trajtojnë mirë nënat, sidomos në dhjetë ditët e para të Ramazanit, ditët e mëshirës. Në çastin që e kap nënën për dore, sidomos këto dhjetë ditë, mëshira e Zotit zbret dhe të mbulon.
I gjithë universi është tregues i mëshirës dhe dhembshurisë hyjnore, dielli, hëna, deti dhe uji etj… por ato janë të heshtur, pa zë. Ndërsa mëshira, e cila lëviz, ecën dhe flet, është nëna jote.
Zoti i lartësuar e ka përgatitur dhe krijuar nënën në atë formë, saqë askush tjetër nuk mund t`i kryejë funksionet dhe detyrat e saj. Ajo mban për nëntë muaj një krijesë tjetër në barkun e saj, krijesë e cila ushqehet nga trupi i saj. Edhe pse embrioni ushqehet nga trupi i nënës, kjo e fundit e pranon, madje me kënaqësi. Është pikërisht mëshira, me të cilën Zoti e ka pajisur nënën, ajo që e bën atë ta pranojë diçka të tillë. Bazuar në këtë, Profeti (a.s) thotë: ”Nënës i falen të gjithë gjynahet që në dhimbjet e para të lindjes”.
Profeti (a.s) na ofron një perceptim tjetër të vlerave që mbart emri nënë. Ai tregon: ”Kur filloj të falem kam ndërmend ta zgjas namazin. Por kur dëgjoj të qarat e fëmijëve (në xhami) e shpejtoj namazin, nga keqardhja që ndjejnë nënat e tyre”. A e shihni sa vlerësohen ndjenjat e nënës në Islam?
 
Gjykimi i Sulejmanit (a.s)
Në biografinë e profetit Sulejman (a.s) gjejmë dhe një histori, që ka të bëjë me ndjenjat e nënës. Dy nëna kishin lënë foshnjat e tyre në një cep dhe teksa po punonin tokën, ujku rrëmben njërin prej foshnjave të tyre. Të dyja u grindën se kujt i përkiste foshnja e mbetur. Për ta ndarë këtë çështje, ato vajtën tek Daudi (a.s), i cili ia dha foshnjën më të madhes.
Më pas, vjen Sulejmani (a.s) dhe i pyeti gratë mbi gjykimin e Daudit (a.s). Pasi i treguan, ai u tha:”Jo. Këtë çështje do ta zgjidhim ndryshe. Do marr një thikë, do e ndaj foshnjën përgjysmë dhe secilës do i japim njërën gjysmë”. Në çast, nëna e vërtetë e foshnjës brofi dhe tha: ”Jo, të mëshiroftë Zoti! Le ta mbajë ajo foshnjën!” Sulejmani (a.s) i tha:”Atëherë ai qenka fëmija yt!”
Hazreti Sulejman (a.s) e kuptoi, se vetëm nga nëna e vërtetë mund të shpërthejnë ndjenja kaq altruiste. Këtë ndodhi e ka përmendur edhe Kurani famërlartë.
Lidhur me personin, që merret me edukimin e fëmijëve, Profeti (a.s) thotë: ”Ai ka shpërblimin e agjëruesit dhe atij që falet natën”.
Përkujdesi që tregon nëna për fëmijën, ushqimi me qumësht, të pastruarit, zgjimi kushedi sa herë natën etj… të gjitha këto shpërblehen njëlloj siç shpërblehet një person, që agjëron ditën dhe falet natën. Nëse kjo përkujdesje zgjat për dy tre vite, këto vite të konsiderohen sikur ke agjëruar ditën dhe je falur gjithë natën dhe kjo për çdo fëmijë që ke lindur dhe ke rritur. E kush është ai që agjëron dhe falet kaq shumë prej nesh? Vetëm nëna e fiton këtë shpërblim dhe sevap kaq të madh.
Në të gjithë librat hyjnore janë cekur momente nga misioni i nënave. Zoti thotë në Kuran, lidhur me nënën e Musait (a.s): ”Kështu, Ne e frymëzuam nënën e Musait: “Jepi gji atij..” (Kasas, 7)
Panorama e një nënë duke ushqyer me qumësht foshnjën e saj, duhet patjetër të regjistrohet në Kuran, pasi është diçka madhështore. Nëpërmjet ndjenjave të nënës, ne arrijmë të perceptojmë pak a shumë edhe nëntëdhjetë e nëntë pjesët e tjera të mëshirës dhe dhembshurisë hyjnore.
 
Domethënia e jetës
Ti o nënë, i jep vlerë dhe domethënie kësaj jete. Zanafilla e jetës mbi tokë, është Ademi (a.s) dhe Havaja, të cilët u krijuan nga Zoti, me duart e Tij. “Zoti tha: “O Iblis, ç’të pengoi ty që të mos përuleshe në sexhde para atij që e kam krijuar Vetë me duart e Mia?” (Sad, 75)
Zoti i lartësuar ia besoi procesin e riprodhimit institucionit të familjes, nëpërmjet martesës. Kurse rolin kryesor në familje, ia besoi pikërisht nënës. Ajo që bën babai, është depozitimi i spermatozoideve në mitrën e nënës. Sakaq ajo shërben si laborator i jetës. Ti o nënë je laboratori i jetës, ti mban mbi supe përgjegjësinë e vazhdimësisë së jetës mbi tokë.
Ideja se nëna është laboratori i jetës, i përforcohet asaj çdo muaj dhe kjo me prodhimin e një veze të gatshme për fekondim. Kjo shoqërohet me hormone, dhimbje dhe sekrecione, të cilat shoqërohen me dhimbje. Prandaj nuk ka përse të vijë zor nga menstruacionet, të cilat nuk janë gjë tjetër veçse përforcim i idesë se nëna është laborator i jetës. Menstruacionet nuk ka përse të shihen si diçka e pistë dhe e ndotur.
Kur Profeti (a.s) u vendos në Medine, pa që hebrenjtë e konsideronin gruan me menstruacione si të pisët. Sipas tyre, nëse ajo prekte diçka, sendi i prekur konsiderohej i pisët dhe i papastër. Profeti (a.s) menjëherë filloi t`i prishë këto skema sociale. Kështu, atë e shihje shpeshherë duke lexuar Kuran, me kokën e mbështetur në prehrin e Aishes (r.a), e cila ishte me menstruacione. Kur Aisheja ishte me menstruacione, sa herë që ajo pinte ujë, Profeti (a.s) pinte ujë me të njëjtën gotë dhe në të njëjtin vend, ku kishte pirë Aisheja (r.a). Ai e bënte këtë, me qëllim që të thyejë opinionin e krijuar për gruan me menstruacione.
Një ditë, Profeti (a.s) i kërkoi diçka Umu Selemes (r.a). Ajo iu përgjigj: ”Jam me menstruacione”. Profeti (a.s) ia ktheu: ”Po ti nuk i ke menstruacionet në dorë?!”
Prandaj hadithi që tregon, se gratë kanë mangësi në fe, interpretohet me faktin se gjatë menstruacioneve ato nuk falen dhe nuk agjërojnë si gjithë të tjerët. Pra mangësia nuk ka të bëjë me besimin e saj. Menstruacionet shihen si pjesë e misionit të saj të fisëm.
Fakti që gratë nuk i kryejnë disa rituale gjatë ditëve të menstruacioneve, ka të bëjë me vetë misionin e tyre. Duke qenë se ato si nëna mbajnë mbi supe një mision tepër të rëndë dhe madhor, Zoti deshi që t’ua lehtësojë me reduktimin e obligimeve fetare. Përballë një obligimi universal madhor, Zoti i lartësuar ua ka lehtësuar grave obligimet fetare, përkatësisht agjërimin dhe namazin gjatë menstruacioneve.
Zoti i lartësuar është i drejtë dhe ka vendosur barazi mes burrit dhe gruas edhe në obligime dhe detyra, të cilat janë të përshtatshme për natyrën e secilit prej dy gjinive. Pra nuk kemi vlerësim të një pale në kurriz të palës tjetër. Askush nuk ka përse të thotë, se Islami e ka persekutuar gruan.
Bazuar në ato që thamë më lart, unë u drejtohem të gjithë të rejave; Kurrë mos hiqni dorë nga të qenit nëna! Kurrë mos prano të dalësh nga natyra jote! Perëndimi është tallur me ty, kur të premtoi më shumë liri, të drejta etj… në kurriz të qenit nënë. Mos u beso atyre që thonë, se të jesh nënë tashmë është modë e vjetër, se duke qëndruar në shtëpi, gruaja u ngjan mobilieve, që nuk dalin prej saj etj… Për shkak të një mentaliteti të tillë, sot perëndimi vuan nga plakja, pasi të rinjtë dhe të rejat nuk martohen dhe nuk lindin fëmijë. Lexojeni librin “Vdekja e Perëndimit”, që ta kuptoni më mirë realitetin e atjeshëm. Ata kanë filluar t`i rishikojnë të gjithë qëndrimet e tyre të mëparshme, saqë mediat u bëjnë reklamë shtatzënive të yjeve të artit, për të stimuluar lindjet dhe jetën familjare.
Ti o motër ke lindur për të qenë nënë dhe nderi më i madh që mund të të bëhet, është të bëhesh nënë. Kurrë mos e injoro nderin dhe privilegjin e madh, që Zoti të ka dhënë! Mos ia ul vlerat kësaj cilësie të fisme, duke u shoqëruar me djem jashtë kuadrit martesor. Mos prano të krijosh lidhje intime të ndaluara! Mos iu nënshtro o motër orvatjeve që bëhen për shpëlarjen e trurit tënd! Ti ke lindur për të qenë nënë, prandaj mos prano që të përdoresh nga të tjerët!
Atyre motrave që janë fejuar, ose janë në ditët e para të martesës, u bëj thirrje, që të mos heqin dorë nga privilegji për të qenë nëna, me pretekstin për ta shijuar jetën, për të ruajtur linjat e trupit etj… Nuk ka privilegj, nder dhe vlerësim më të madh, sesa të bëhesh nënë. Të qenit nënë, është cekur edhe në librat hyjnorë: “Kështu, Ne e frymëzuam nënën e Musait: “Jepi gji atij..” (Kasas, 7)
E çuditshme është, se ndjenja për të qenë nënë, është një ndjenjë e lindur tek vajzat. Që fëmijë, femra fillon të pajiset me ndjenjat e mëmësisë. Kjo ndjenjë vazhdon të zhvillohet me rritjen në moshë, derisa të arrijë majën me shtatzëninë dhe lindjen. Psikologët e zhvillimit e komentojnë faktin, që vajzat e vogla janë shumë të dhëna pas kukullave, të cilat i veshin dhe përkujdesen për to, për vetë faktin se ato janë të lindura me ndjenjën e mëmësisë. Që e vogël, femra përgatitet për të luajtur rolin e nënës në të ardhmen.
Vitet gjashtëdhjetë ishin vite të revolucionit seksual, vite të përmbysjes së vlerave njerëzore. Asokohe bëhej thirrje për të hequr të gjithë dallimet mes dy gjinive, pasi sipas tyre burra e gra ishin njëlloj, ashtu siç përkujdesen gratë për fëmijët, duhet të kujdesen edhe burrat. Presion u ushtrua edhe ndaj organizatave dhe lëvizjeve femërore, për të kërkuar që edhe burrat të marrin pjesë në përkujdesjen ndaj fëmijëve. Pastaj edhe lodrat filluan të prodhohen të njëjta për të dy sekset, si për fëmijët meshkuj dhe për femrat. Meqë ata ishin të barabartë, atëherë edhe lodrat duhet të ishin të tilla, të gjithë luanin me të njëjtat lodra, nuk kishte më lodra për djem dhe lodra për vajza.
Por sot studiuesit kanë zbuluar, se embrioni i femrës sillet ndryshe nga embrioni i mashkullit, që në kohën gjatë shtatzënisë. Pra, që në embrion vajza orientohet për të qenë nënë.
 
Përse e gjithë kjo dhembshuri tek femra?
Pa dhembshurinë, foshnjat dhe për rrjedhojë dhe njerëzimi nuk mund të funksionojë. Vallë çfarë do të ndodhte, sikur nënat t`i braktisin fëmijët, sapo t`i lindnin? Çfarë do të ndodhte, nëse nënat do të zhvisheshin nga kjo ndjenjë dhembshurie dhe dashurie për fëmijët?
Imagjinoje veten o motër, kur sapo ke lindur një fëmijë. E gjithë jeta e tij është e lidhur me ty. Ai është i pafuqishëm, kockat i ka akoma të njoma, është i vogël dhe nuk di asgjë për botën, në të cilën sapo ka ardhur. Imagjinoje nëse ti nuk ndjen asgjë për të, nuk e do dhe nuk ke dhembshuri për të. Kështu, nëse je krijesa më e dashur dhe e duhur për këtë foshnje, për rrjedhojë je e tillë edhe për gjithë njerëzimin. Kështu vazhdimësia e racës njerëzore është e lidhur me dhembshurinë tënde si nënë.
Nëse ti si nënë do të privoheshe nga kjo dhembshuri, raca njerëzore do të zhdukej. Kjo ndodh, pasi ti nuk do të pranoje as ta lindje fëmijën, do e abortoje menjëherë, pasi për ty ishte lodhje dhe stres të mbaje një krijesë të tillë në bark.
E çuditshme është, që me të lindur fëmija, nëna fillon e zbulon kodin e të qarit të fëmijës. Ajo e kupton kur fëmija qan për tu ushqyer, kur qan për tu ndërruar, kur qan sepse i dhemb diçka dhe kur ka nevojë thjesht për ta mbajtur në krahë. Një burrë e ka të pamundur ta kuptojë diçka të tillë. Po të marrim burrin më të duruar në botë dhe ta zgjojmë tre herë natën, një herë në orën një, herën e dytë në orën tre dhe herën e katër në orën pesë të mëngjesit, do të shohim se ai do të heqë dorë që ditën e parë. Nëse burri e shtyn gjysmë ore duke u përkujdesur për një foshnje, kjo është sakrificë e madhe për të.
Ti o motër, me cilësinë e nënës, mbart një sekret të madh hyjnor. Ndjesia e nënës tek ti formohet që në ditët e para të jetës, që kur je akoma embrion në barkun e nënës. Reaksionet që ndodhin gjatë shtatzënisë mes nënës dhe embrionit femër, mund të ndikojnë në përcjelljen dhe trashëgimin e kësaj ndjenje.
Vetë burri e ka të pamundur të ushtrojë më shumë se një profesion. Ai është ose doktor, ose inxhinier, ose shofer, ose mësues etj… Kurse gruaja, më saktë nëna, merret me të gjitha këto. Ajo është edhe mësuese, pasi merret me mësimet e fëmijëve, me gjuhët e huaja të tyre, me matematikën, gjuhën etj… Ajo është dhe ndihmës mjeke e aftë, pasi i zbaton me përpikëri këshillat e doktorit, në rastet kur fëmija është i sëmurë. Ajo është edhe kuzhiniere e mirë, rrobaqepëse, hekurosëse, edukuese e mirë, shofere kur dërgon fëmijët në shkollë. Ti kthehesh edhe në boksiere, nëse fëmija kërcënohet nga dikush. Nënat në përgjithësi, janë dhe amvisa dhe kursimtare, pasi mendojnë gjithmonë për të ardhmen e fëmijëve.
Me këtë rast, më kujtohet se Muhamed Junus, një bamirës nga Bangladeshi, i cili ka fituar dhe çmimin Nobël, u ofronte kredi pa interes familjeve të varfra. Pore çuditshme është, se ai nuk ua jepte të hollat burrave të shtëpisë, por grave. Ai e bënte këtë, pasi – sipas tij – burrat do e përdornin një pjesë të të hollave për kafene dhe qejfe të tjera. Sakaq, gratë do i shfrytëzonin për projektin, që kishin në mendje të hapin.
A e kupton tani sa e vyer dhe e shtrenjtë je o nënë? A e kupton përse fiton shpërblimin e atij që agjëron ditën dhe falet natën, për kujdesin që tregon për fëmijët?
Më kujtohet një nënë, djali i të cilës vuante nga një sëmundje e rëndë dhe pasi e kishin vendosur në reanimacion, u kishin kërkuar familjarëve, që asnjë të mos e prekë. Ndoshta këtë, burrat mund ta kapërdinin më kollaj, por për nënën ishte shumë e vështirë, të qëndronte pa e prekur dhe përkëdhelur djalin e saj. Nëna gati sa u çmend nga fakti, që nuk e përkëdhelte dot djalin e vet. Ajo donte të shkonte dhe ta përqafonte, por diçka e tillë ishte e pamundur, pasi paraqiste rrezik për shëndetin e fëmijës. Për të krijuar një kontakt me të birin, ajo bleu dy elektrikë, ku njërin e sterilizuan dhe ia dhanë djalit. Ajo doli jashtë dhe filloi të kontaktojë me dritën e elektrikut me djalin e saj, duke luajtur me dritat për dy tre orë. Me këtë ajo donte të kompensonte përkëdheljen dhe prekjen e të birit.
Prandaj fëmijët e jetimoreve, të cilët janë të privuar nga përkëdheljet e nënave, prekjet dhe përqafimet, janë më të destinuar për të vuajtur nga depresioni në krahasim me fëmijët e tjerë.
Ti o nënë je simbol i dashurisë, mëshirës dhe dhembshurisë. Ti përmbush një mision, të cilin asnjë burrë nuk mund ta përmbushë. Ti o nënë je e shtrenjtë dhe e vyer.
 
 
 

Rating: 5.0 of 5. 2 vote(s).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit