6.7 C
Pristina
Tuesday, October 15, 2024

Etika dhe normat e shitblerjes

Më të lexuarat

Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: “Allahu e ka lejuar tregtinë, kurse kamatën e ka ndaluar.” Surja Bekare 275.

Në një verset tjetër thotë: “O besimtarë, mos e përvetësoni pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të palejueshme, përveç rastit kur ajo është tregti me pëlqim të dyanshëm.” Surja Nisa 29.

Në një ajet tjetër thotë: “O populli im, matni drejt në litër dhe kandar, mos ua hani njerëzve hakun e tyre dhe mos bëni ngatërresa në Tokë!” Surja Hud 85.

Nga Ebu Seid el-Hudriu transmetohet, se i Dërguari i Allahut (alejhis-salatu ues-selam) ka thënë: “Vërtet shitblerja është me pëlqim të dyanshëm.” Transmetoi Ibn Maxheh.

Nga Hakim Ibn Hizami përcillet, se Profeti (alejhis-salatu ues-selam) ka thënë: “Shitësi dhe blerësi janë të lirë të zgjedhin përderisa nuk janë ndarë. Në qoftë se janë të sinqertë dhe transparentë me njëri-tjetrin do të bekohen të tregtinë e tyre. A nëse ata gënjejnë dhe fshehin të metat, atëherë do t’ju ikë begatia nga tregtia e tyre.” Transmetuan Buhariu dhe Muslimi.

Nga Ebu Seid el-Hudriu transmetohet, se Profeti (alejhis- salatu ues-selam) ka thënë: “Tregtari i drejtë dhe besnik do të jetë në Ditën e Gjykimit me Profetët, dëshmorët dhe të sinqertët.” Transmetuan Tirmidhiu dhe Darimiu.

Nga Ukbe ibn Amiri shënohet, se ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (alejhis-salatu ues-selam) duke thënë: “Muslimani është vëlla i muslimanit. Nuk i lejohet atij që t’i shesë vëllait të tij një mall me të meta pa e lajmëruar atë.” Transmetuan Ahmedi dhe Ibn Maxheh.

Nga Ebu Hurejre përcillet, se i Dërguari i Allahut (alejhis-salatu ues-selam) ka thënë: “Nuk është prej nesh ai që na e ngre armën kundër dhe nuk është prej nesh ai që na bën hile dhe mashtrime.” Transmetoi Muslimi.

Nga Abdullah ibn Umeri përcillet, se i Dërguari i Allahut (alejhis-salatu ues-selam) ka thënë: “Mos të ndërhyjë njeriu në shitblerjen e vëllait të tij, derisa ai ta blejë ose ta lejë atë.” Transmetoi Nesaiu.

Nga Mikdam ibn Ma’di Keribe shënohet, se i Dërguari i Allahut (alejhis-salatu ues-selam) ka thënë: “Peshojeni ushqimin tuaj (gjatë shitblerjes), që të keni në të bekim dhe begati!” Transmetuan Ahmedi dhe Ibn Hibani.

Nga Ebu Katade el-Ensariu përcillet, se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (alejhis-salatu ues-selam) duke thënë: “Ruhuni nga betimet e shumta në shitblerje, sepse ato e përshpejtojnë shitjen e mallit, por e largojnë begatinë.” Transmetoi Muslimi.

Nga Ma’mer ibn Abdilahi përcillet, se i Dërguari i Allahut (alejhis-salatu ues-selam) ka thënë: “Ai që monopolizon mallin është mëkatar.” Transmetoi Muslimi.

Nga Xhabir ibn Abdilahi transmetohet, se i Dërguari i Allahut (alejhis-salatu ues-selam) ka thënë: “E mëshiroftë Allahu atë njeri që tregohet tolerant kur shet, kur blen dhe kur kërkon hakun dhe të drejtat e tij.” Transmetoi Buhariu.

Në një version tjetër të Ibn Hibanit thuhet: “E mëshiroftë Allahu atë njeri, që tregohet tolerant kur shet, tolerant kur blen, tolerant kur kërkon hakun dhe të drejtat e tij dhe tolerant kur kryen dhe jep hakun e tjetërkujt.”

Çfarë përfitojmë nga ajetet dhe hadithet:

1- Tregtia e lirë dhe e ndershme është forma më e mirë dhe e lejuar e shtimit të pasurisë. Ajo është e bekuar nga Allahu dhe sjell mirësi dhe begati për të gjithë shoqërinë. Në të kundërtën kamata është e ndaluar në mënyrë kategorike, sjell pasoja sociale të rënda dhe është një vepër, që Allahu e urren.

2- Në ajetin kuranor janë përmendur të dyja, tregtia ashtu dhe kamata për të treguar cila është e lejuar dhe cila e ndaluar, për të treguar gjithashtu se kamata, nuk duhet të konsiderohet pjesë e tregtisë së ndershme dhe se me ekzistencën e tregtisë dhe hapësirave të transaksioneve financiare të lejuara, nuk ka arsye të përdoret dhe zhvillohet kamata.

3- Muslimani bën kujdes çdo herë, që pasurinë ta fitojë me ndershmëri dhe jo duke përfituar pasurinë e të tjerëve në forma të pandershme dhe të ndaluar.

4- Ndershmëria në tregti dhe matja drejtë dhe saktë në peshore kanë qenë pjesë e ngushtë e thirrjes së profetëve edhe te popujt e mëparshëm, gjë që tregon sa të rëndësishme janë ato.

5- Nëse shitblerja nuk realizohet me pëlqim të dyanshëm, atëherë ajo nuk quhet më tregti e lirë dhe e ndershme dhe për rrjedhojë është e ndaluar.

6- Shitësi dhe blerësi janë të lirë të zgjedhin për shitblerjen sa janë të dy prezentë, pa imponim dhe pa përdorur metoda të tjera për ta bërë shitësin ose blerësin të kryejë veprimin jo me pëlqimin e tij. Nëse malli tregtar shitet me kushte dhe me detyrime të pranuara nga të dy palët dhe më pas ndahen, nuk ka më të drejtë askush prej tyre të kthejë mbrapsht mallin pa arsye, që e justifikon atë.

7- Në qoftë se shitësi dhe blerësi ose palët kontraktuese tregohen të sinqertë dhe transparentë me njëri-tjetrin do të bekohen në tregtinë e tyre. Në të kundërt nëse përdorin hile, mashtrime ose nuk tregojnë të metat e produkteve tregtare do të largohet prej tyre bekimi dhe begatia, sado që njeriu shikon se po i shtohet pasuria. Ajo pasuri nuk do të jetë e dobishme dhe do të sjellë probleme dhe siklete të mëvonshme paçka se shumë njerëz nuk e kuptojnë.

8- Tregtari i drejtë, i sinqertë dhe besnik do të shpërblehet në këtë botë me bekimin dhe begatinë e pasurisë së tij dhe me shpërblime shumë të mëdha në Ditën e Gjykimit. Në të kundërtën atij i largohet bekimi dhe begatia e Allahut dhe rrezikon dështimin dhe falimentimin në këtë botë, ose dënim të ashpër në Ditën e Gjykimit.

9. Pjesë e besnikërisë dhe e sinqeritetit është, edhe atëherë kur tregtari tregon çdo të metë ose mangësi të konsiderueshme në mallin tregtar që shet. Ai duhet të ketë kujdes dhe mos të neglizhojë duke menduar, se nuk është e rëndësishme kjo gjë, sepse si në rastin kur e fsheh mangësinë e produktit me qëllim apo thjesht neglizhon është një gjë e papranueshme në etikën islame.

10- Hilet dhe mashtrimet në tregti dhe shitblerje konsiderohen vepra të ulëta dhe gjynahe, që i përkasin botës së jobesimtarëve, prandaj muslimani duhet të jetë sa më larg hileve dhe mashtrimeve, që të mos u përngjajë atyre.

11- Muslimani i mirë është ai që nuk ndërhyn në shitblerje mes dy personave për të përfituar ai më shumë apo për interesa të tjera. Nëse shikon që dy persona janë duke u lidhur për një transaksion tregtar, ose duke negociuar llojin e produktit, ose për çmimin nuk duhet ndërhyrë për të prishur ose mënjanuar njërën palë, por të presë. Nëse nuk arrijnë në një përfundim dhe palët ndahen, atëherë mund të futet për ta blerë ose shitur mallin e tij.

12- Produktet që duhen peshuar nuk duhet neglizhuar në to, duke i shitur në formë të parregullt. Edhe në rastin kur dyshon se mund të ketë mangësi në peshë e peshon sërish, që të vërtetohet nëse ka mangët diçka apo ka tepër. Kjo gjë sjell bekimin dhe begatinë e Allahut. Kurse në rastet kur produktet shiten të paketuara nga firma apo kompani serioze, nuk është e nevojshme të peshohen.

13- Nuk është prej etikës islame të betohen tregtarët dhe shitësit nëpër tregje dhe shitblerje, sepse betimet e tepërta në vende të tilla humbasin seriozitetin e punës, lindin dyshime për drejtësinë dhe sinqeritetin e tregtuesit, bëhen shkak që emri i Allahut të përdoret si mjet përfitimi dhe për rrjedhojë Allahu e largon bekimin prej aty. Pra, njeriu mund të fitojë pasuri por ajo nuk është e bekuar dhe e begatë.

14- Çdo monopol tregtie dhe biznesi në dëm të njerëzve të tjerë është i ndaluar. Mbyllja e hapësirave tregtare nëpërmjet monopolit sjell vështirësi ekonomike te shumë njerëz të tjerë, të cilët edhe ata kanë të drejtë të merren me tregti dhe të gjejnë hapësira dhe lehtësime në bizneset e tyre, përderisa tregtia është e lirë për këdo.

15- Njeriu që tregohet i çiltër, i sjellshëm dhe tolerant në marrëdhëniet tregtare do të përfitojë mëshirën e Allahut në këtë botë dhe në tjetrën. Feja islame fton në sjellje të mira dhe morale të bukura. Nëse ka diçka, që nuk shkon muslimani tërhiqet ndërkohë ka hapësirë të shkojë në vende të tjera dhe nuk është aspak e nevojshme të prishë sjelljen dhe moralin e tij, duke debatuar normat e moralit.

Burimi: “Etika dhe normat Islame” – Hoxhë Mustafa Terniqi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit