4.4 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

EDUKIMI MEDIAL ME NDIHMËN E EPISMEMOLOGJISË ME BAZË ISLAME – Milazim KRASNIQI

Si mund të aktivizohen e të përdoren Fitra, Vahji, Ixhtihadi, Ixhmai, Kiasi dhe Talfiku, në procesin e edukimit medial

Më të lexuarat

Si mund të aktivizohen e të përdoren Fitra, Vahji, Ixhtihadi, Ixhmai, Kiasi dhe Talfiku, në procesin e edukimit medial
Agresiviteti i medieve, të cilat tashmë janë pothuajse të kudondodhura, ka filluar të shkaktojë ngopje të njeriut me informata e prej këndej edhe dëshpërim dhe pafuqi. I ekspozuar informatave për ngjarje nga më të çuditshmet, nga më bizaret, nga me heroiket, nga më provokativet, individi ka filluar të ndihet i dëshpëruar në një botë që i duket se është e pavlera, kaotike, madje edhe e dhunshme dhe e pashpirt. Ky njeri i zënë në grepin medies, nuk arrin të kuptojë saktë pse ndodhin gjithë ato ngjarje, pse informohet për to në mënyrë aq sensacionale dhe aq pa etikë. Nuk arrin të bindë veten se ato informata nuk kanë të bëjnë me të dhe me jetën e tij. Bile ka që kujtojnë se edhe jeta e tij varet prej tyre! Prandaj dëshpërimi rritet në drejtim të të ndierit jo vetëm i pafuqishëm e i dëshpëruar, po edhe i rrezikuar. Ky është simptom i paranojës, i cili pastaj ia sforcon ndjenjën se është edhe i parëndësishëm në këtë botë. Duke u ndjerë i dëshpëruar, i pafuqishëm dhe i parëndësishëm, njeriu dorëzohet para agresionit të medies, fillon ta konsumojë në mënyrë jokritike, bile edhe në mënyrë joetike, duke mos çarë kokën që ta dallojë të vërtetën nga e pavërteta, ose të drejtën nga e shtrembëta.
Kontigjentet e këtilla të lexuesve/konsumuese të produkteve mediale, janë në rritje në gjithë botën. Këto kontingjente tashmë janë të varur nga loja e medieve, siç është i varur një narkoman nga tutori i tij, i cili e furnizon me doza droge në mënyrë të rregullt, por duke e mbajtur vazhdimisht në pasiguri dhe në presion. Ky njeri sot për sot është i varur nga informatat që ia servojnë mediet, poashtu siç varen konsumatorët e metropoleve nga produktet e gatshme në markete, për të cilat mund të mos kenë ide se si e ku e nga kush janë prodhuar. Bile ata që janë më të trullosur, as afatin e skadencës nuk ua shikojnë atyre produkteve, veçse i marrin ashtu si janë, me rrezikun që të helmohen prej tyre. Një shumicë e produkteve mediale afatin e skadencës e kanë vetvetiu të kaluar, sepse ato vetëm përsëriten në variacione të ndryshme, ose vetëm raportohen si gjoja ngjarje, pa e pasur fare rëndësinë e ngjarjes. Është një lojë cic mic e medieve me lexuesin e hutuar, është një manipulim me paaftësinë e tij për ta kuptuar hilenë.
Kur të hartohet historia e këtij lexuesi/publiku, mund të zbulohen shumë deformime që kanë ndodhur tashmë në psikikën dhe në shpirtin e tij. Xhovani Sartori ka prognozuar në mënyrë pesimiste se nën ndikimin e medies, mund të ketë edhe ndryshime gjenetike në njeriun. Nuk besoj se mund të ketë ndryshime gjenetike, jo vetëm nga shkaku i medies, po as shkaku i ndonjë faktori tjetër social a kulturor. Bindja ime e plotë është se natyra e pastër njerëzore, (fitra) ashtu si është e krijuar, është rezistente ndaj të gjitha formave të agresioneve dhe presioneve, që i bëhen nga veprimtaria njerëzore, duke përfshirë këtu edhe veprimtarinë agresive e terrorizuese mediale. Natyra e pastër e njeriut, e programuar për një krijesë që është e mandatar si mëkëmbëse e Zotit në Tokë, nuk mund të sfidohet nga aktiviteti i veprave të njeriut, sepse në atë rast do të sfidohej vepra e Krijuesit. Do të krijohej hamendja se mos ajo natyrë e pastër e njeriut është e krijuar me ndonjë defekt.
Ndërsa, e vërteta është se ajo natyrë është e krijuar pa asnjë të metë dhe është programuar që të jetë e aftë ta realizojë mandatin e mëkëmbësit të Zotit në Tokë. Pra, natyrshmëria në të cilën njeriu është i krijuar (fitra), mbetet e pacenuar, deri në fundin e kësaj bote, përveç nëse Krijuesi vendos ndryshe. Por, për të mbetur e pacenuar, për të mbetur plotësisht e pastër, natyra njerëzore ka nevojë që të furnizohet me përmbajtjen esenciale, për hir të së cilës është krijuar ashtu e përsosur, pra, ka nevojë për shpalljen (vahjin.) Nëse, natyra e pastër e njeriut furnizohet me shpalljen, shpallja e bën fitrën dëshmuese, e fuqizon njohjen e realitetit dhe të asaj që është paralajmëruar me anën e shpalljeve. Duke e pasur aftësinë e njohjes së realitetit të programuar dhe aktive, fitra me anën e shpalljes, fiton fuqi që të përballojë çdo lloj provokimi që i bëhet nga projektet e njeriut, po edhe nga provokimet e djallit, armikut të përhershëm të njeriut. Pra, nëse njeriu i ka në mendje e në zemër udhëzimet, urdhrat, mesazhet, aksiomat e Shpalljeve Hyjnore, ai është i aftë të dallojë të vërtetën nga e pavërteta, të mirën nga e keqja, të drejtën nga e shtrembëta. Ato mësime nga Shpalljet shndërrohen në mendjen dhe në zemrën e tij, si diga që pengojnë infiltrimin ose kontrabandimin e përmbajtjeve të dyshimta, neveritëse, të shëmtuara. Fjala vjen, mjafton që lexuesi ta mbajë në mend ajetin 6 të shures El Huxhurat, që ta ketë të qartë se nuk duhet të pranojë e as të bartë informata pa i verifikuar:
“O ju që keni besuar, nëse ndonjë i pandërgjegjshëm u sjellë ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë, ashtu që të mos e goditni ndonjë popull pa e ditur realitetin, e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë.”
Pra, kërkohet që besimtarët të jenë të aftësuar që të shqyrtojnë përmbajtjen e lajmeve e rrjedhimisht të mos veprojnë me lajme të rreme dhe të mos i përhapin ato. Nëse i përmbahemi këtij urdhëri, minimalisht do të dimë të mbrohemi nga lajmet e rreme dhe të mos i përhapim ato. Natyrisht, ka edhe shumë këshilla e urdhëresa të tjera hyjnore, që i referohen mënyrës së komunikimit, të kumtimit e të sjelljes së mirë, të cilat e ndriçojnë me mësime të duhura natyrën tonë njerëzore dhe na ndihmojnë ta realizojmë ashtu si kërkohet prej nesh nga Zoti, misionin si njerëz në këtë jetë.
Meqë raportet ndërmjet njerëzve janë të përditshme, komplekse dhe vazhdimisht me oscilime e me probleme që shfaqen edhe papritmas, ato raporte kërkojnë që krahas mbajtjes së tyre në kornizën e fitras, të vlerësimit me anën e shpalljeve, të analizohen e të vlerësohen edhe me mënyra konkrete të mendimit e të vlerësimit. Kësodore, për vlerësimin e informatave dhe aspekteve të tjera të raporteve të ndryshme njerëzore e shoqërore, duhet të përdoret ixhmaja, pra, diskutimi nga ana e njerëzve kompetentë. Nëpërmjet diskutimeve dhe analizave, informatat dhe faktet analizohen dhe vlerësohen në mënyrë kritike. Meqë në këtë proces marrin pjesë më shumë njerëz, kjo rrethanë ixhmanë e bën prodhuese të diversitetit dhe pluralizmit të mendimeve. Nëse ka komunikim, konsultime, polemika e dialog, mundësia e vlerësimit të informatave dhe të ngjarjeve është shumë më e madhe, se sa në rast se njeriu bën monolog. Kjo do të thotë se njëra nga mundësitë e vlerësimit të informatave ose saktësisë së tyre është që të ketë diskutime për ato produkte, nga instanca kompetente të vlerësimit, por edhe ndërgjegjësim të secilit konsumues të tyre për vlefshmërinë e tyre.
Fjala vjen, në disa vende, si në SHBA, Britani të Madhe e në disa vende të Bashkimit Evropian, ka filluar një proces interesant i ofrimit të informatave të verifikuara, të filtruara, të sakta, përkundrejt një pagese të veçantë. Ironia është se kjo ofertë jipet nga mediumi që për publikun e gjerë publikon informata të paverifikuara dhe të pasakta, ndërsa për ata që bëjnë pagesë shtesë, e ka ofertën e informacionit të verifikuar. Nuk e di se sa e si mund ta zëvendëosjë ixhmaja këtë ofertë të medies komerciale për informacion të saktë, por mbetet të hulumtohetn në këtë drejtim nga ana e ekspertëve.
Për të mos e pritur epilogun e pasigurt të kësaj mundësie, secilit individ i mbetet në dispozicion arsyetimi i vet logjik, pra ixhtihadi. Ixhtihadi është proces mendimi i domosdoshëm, në çdo rast, sepse ixhtihadi është brenda kornizës themelore të fitras, natyrshmërisë brenda së cilës njeriu është i krijuar. Nëse secili prej nesh ka vetërespektin e duhur dhe përgjegjësinë e duhur, në pajtim me obligimet me të cilat nga kanë ngarkuar shpalljet hyjnore, atëherë në çdo rast të ballafaqimit me leximin ose konsumimin e informatave, e përdorim arsyen, logjikën. Në atë rast, shumë lehtë mund të detektohen informacionet e pasakta, sepse ato në mënyrë të paevitueshme kanë brenda vetes elemente senzacionalizmi, manipulimi, propagande, lufte speciale, indoktrinimi, spini, reklame, promovimi të pamerituar. Arsyeja na sinjalizon në këto pika, nëse mbështetemi në të dhe nëse ne nuk e tradhtojmë, për ndonjë arsye mendjelehtësie. Thënë thjesht, nëse e fusim ixhtihadin si program detektues në procesin e konsumimit dhe të vlerësimit të informatave dhe të ngjarjeve, mundësia që mediet me produket e veta të na manipulojnë e të na mashtrojnë bëhet minimale.
Sa i përket kiasit, pra, ngjashmërisë, ajo në rastin e medieve dhe të produkteve të tyre praktikisht nuk mund të zbatohet fare. Pse? Sepse kjo mënyrë e prodhimit, plasimit dhe konsumimit të informatave ka qenë e panjohur në kohët e kaluara. Ky është fenomen i ri, tipik për periudhën postmoderniste. Sigurisht që mund të nxirren asociacione të ndryshme, nga rasti në rast, por jo që të bëhen masë e vlerësimit ose e veprimit në bazë të kiasit. Analogjia nuk ofron ndonjë ndihmë të madhe në këtë fushë, sespe vetëm sa e zgjeron hapësirën për manipulim.
Një gjë që duhet ta kemi para sysh në gjithë këtë histori të edukimit medial është problemi ynë me talfikun, pra, me pasionin për ta imituar në çdo gjë Perëndimin. Veçmas në rastin e medieve, kjo është një qasje e gabueshme, sepse vetë Perëndimi është nën presion dhe viktimë e agresiviteti të medies. Nën firmën e liberalizmit, konceptit liberal, “lesaise fair” dhe vetërregullimit të medies, Perëndimi u ka lënë medieve dorë të lirë, deri në atë masë sa ato janë shndërruar në fuqi sfiduese ndaj vetë shtetit e shoqërisë, bile edhe ndaj lirisë. Prandaj, talfiku duhet të frenohet, duke i dhënë shtysë më shumë rigjallërimit të etikës dhe dijes islame, si fuqi integruese dhe universale. Pra, universalizmit islam e jo produkteve provinciale. Jo dijeve të tejkaluara, të cilat ka shekuj që duke dominuar, sidomos duke e përjashtuar ixhtihadin, ua kanë zënë frymën muslimanëve. Sidomos në kohën postmoderne, kur dija është diversifikuar dhe kur është bërë edhe element kritik i konkurencës për dominim e pushtet, po të evokojmë Fransua Lyotarin.
Prof.Dr. Milazim Krasniqi
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit