13.6 C
Pristina
Sunday, October 13, 2024

Miqtë e mij besimtar, “fuqia e medies nuk shteron pse ne mund të bëhemi nervozë” – Milazim Krasniqi

Duke mos e kuptuar fuqinë e medies, muslimanët ndihen të frustruar

Më të lexuarat

Këto ditë kam diskutuar në mënyrë polemizuese me disa miq të mi intelektualë, lidhur me mediet dhe qëndrimin e tyre ndaj muslimanëve në vendin tonë. Jam tmerruar nga shkalla e ulët e njohurive të tyre mbi medien dhe natyrën e saj në kohën tonë. Shumë prej tyre flasin si dogmatikë tipikë, pa qenë fare dogmatikë. Pse? Sepse ndihen të dërrmuar nga agresioni i medies dhe nuk dinë si ta kuptojnë atë agresion. Si pasojë, janë nervozë dhe nga nervoza mandej u lindin qëndrime të gabueshme, deri aty sa ta arsyetojnë edhe vetëgjyqësinë ndaj gazetarit-opinionistit-satiristit-komedianit-kujtdoqoftë që ua prish humorin.
Nuk e kanë këtë problem vetëm miqtë e mi. Ky është probem global i muslimanëve në botë. Muslimanët ende nuk e kanë kuptuar kohën tonë postmoderne, në tërësinë e vlerave dhe të antivlerave të saj, ku në qendër është pikërisht media. Media është mbreti i pakurorëzuar i Postmodernizmit. Duke mos e kuptuar fuqinë e medies, muslimanët ndihen të frustruar. Nuk dinë si të bashkëjetojnë me realitetin. E vërteta është se një dijetar i shquar musliman, një profesor i Kembrixhit, na ka treguar të gjithëve se si duhet të veprojmë. Akbar Ahmedi, në studimin ”Postmodernizmi dhe Islami (hall dhe shpresë)” na mundëson të dimë më shumë për medien dhe natyrën e saj në kohën tonë. Profesori na tregon se fuqia e medies nuk shteron pse ne mund të bëhemi nervozë. Na mëson se si duhet të jemi të kujdesshëm në komunikimin publik e jo të flasin a të bëjmë veprime, që tërheqin si magnet vëmendjen e medies. Na alarmon se nëse nuk kemi kujdes se çka flasim, i shkaktojmë vetes kokëdhembje e probleme dhe Islamit dëme konkrete. Na kallxon se nuk mund të fitohet duke iu kundërvënë në mënyra primitive diskurseve dominante në shoqëri. Ndaj diskurseve dominante mund të konkurohet, por me nivel të lartë intelektual e profesional, e jo me histerizma kolektive e primitive në rrjete sociale. Pra secili që participon në sferën publike, ama bash secili, duhet ta kuptojë se është nën vëzhgimin e medis 24/7. Nuk ka lidhje, fjala vjen se a flet në xhami a në rrugë, a merr dhuratë a jep dhuratë. Je cak legjitim i medies. Koha është që këtë realitet ta kuptojnë të gjithë, sidomos disa hoxhallarë, sepse kushdo që nuk e kupton, e pëson. Dhe nuk ndihmojnë ankesat e mallkimet.
Miqtë e mi të mirë me të cilët kemi diskutuar, më duket se më kanë mirëkuptuar. Unë as me miq e as me lexuesit e mi, nuk flas fjalamujtas. Mundohem të sjellë argumenet për ata që duan të kuptojnë dhe aq. I tillë është edhe ky tekst modest- një këshillë dashamirëse.
Prof.Dr. Milazim Krasniqi
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit