12.4 C
Pristina
Wednesday, May 15, 2024

Disa fjalë për terminologjinë rreth “radikalizmit”

Më të lexuarat

Semantika e “luftës kundër terrorizmit” është aq problematike në rrethet shkollare të sociologjisë së terrorizmit sa edhe vetë objekti rreth te cilit zhvillohet ajo. Për Zbignjew Brzezinski-n dhe Zygmunt Bauman-in vetë termi “luftë kundër terrorizmit” është po aq i pakuptimtë sa edhe fraza “luftë kundër blitzkrieg-ut” , apo të themi, “luftës kundër plumbave”. Terrorizmi është taktikë e jo entitet, ai është metodë dhe jo qëllim. Por semantika është nga instrumentet strategjike kryesore në luftë ideologjike, prej nga edhe arkitektura e saj duhet lexuar në mënyrë kritike. Skulptori i “luftës kundër terrorizmit” , Donald Ramsfield , në dokumentarin “The Unknown Known” për disa minuta flet rreth “terminologjisë” e “semantikës” dhe rëndësisë së “fjalëve” pas 11/9 , si njëra nga gjërat më të rëndësishme në strategjinë e luftës së re që ai po shpallte. Sot, sociologjia e terrorizmit është krejt e pështjelluar në rrjetin e terminologjisë së përdorur, ambiguitetit e ambivalencës së saj dhe bën përpjekje që dëshpërimisht ta sqarojë atë në një botë e cila tashmë i ka përvetësuar premisat e saj, të përhapura dhe të ‘natyralizuara’ nga një arsenal i fuqishëm i “pushtetit të butë”, ku think-tank-et e financuara nga Shteti kanë pasur rol përcaktues.
 
Në këtë shkrim, do hedhë një shikim mbi përdorimin e paqartë të terminologjisë së “ekstremizmi fetar” , “islami radikal” , “radikalizmi islamik” etj., në raport me diskutimet rreth fesë dhe hapësirës publike në Kosovë. Me fjalë të tjera, përpiqem të evidentoj shtrirjen e një semantike të caktuar rreth një fenomeni specifik, si ajo përdoret dhe mund të përdoret, pasojat dhe implikimet e mundshme. Ambiguiteti i cili mbështjell këtë terminologji i lejon asaj të marrë funksion të veçantë në mediat audio vizuale, e prej aty edhe në “duart” e autoritetit të Shtetit.
 
“Ekstremist fetar” , “radikal islamik” , “ekstremist islamik”, “radikalët” , “fundamentalistët” etj., janë vetëm disa nga termat e lexuara e dëgjuara çdo ditë. Mbështjella me kuptime dhe konotacionet që u dhurohen këtyre termave janë shpesh të çuditshme dhe me implikime brengosëse për pushtetin që mund të marrë Shteti mbi jetën e njeriut. Shtrirja kuptimore e një terminologjie të tillë i ofron Shtetit mundësinë që të fitojë pushtet të jashtëzakonshëm administrativiteti mbi jetën e qytetarit, cilitdo qytetar. Terminologjia rreth ‘islamit’ këtu është kontingjente, meqë strategjive semantike u janë nënshtruar (ose edhe u nënshtrohen) ‘komunistët’ , “ambientalistët” , ‘katolikët’ etj. Semantika e ‘luftës’ nuk ka shërbyer asnjëherë vetëm në raport me armikun e jashtëm, atë që mbase mund të jetë edhe më “i prekshëm” për opinionin, por ka shërbyer (edhe) si instrument i rëndësishëm i Shtetit në përpjekjet e tij për të heshtur disidencën e për ta kontrolluar atë.
 
Terminologjia në fjalë përkon në Kosovë me kategorizime dikotomike, shtrirja kuptimore e të cilave prodhon polarizime dhe mund të cenojë çdo projekt bashkëjetese. Kuptimet e kategorizimeve dualiste, të përdorura pa kujdes e pa vëmendjen e merituar, mund të shndërrohen lehtë në mekanizma të shtypjes së fjalës së lirë ku çdo qytetar i cili mund të ketë qëndrime-opinione të ndryshme me ato të pushtetit politik qendror, apo me ato të bartësve ortodoksë të kategorive të tilla, të përfytyrohet si “armik”, “i rrezikshëm” etj.. Në ketë këndvështrim dikotomik , “ekstremiste” apo “radikale” mund të konsiderohet çdo shprehje radikale jo e dhunshme e pakënaqësisë në raport me qëndrimet zyrtare dhe politikat zyrtare. Lëngshmëria e semantikes e lejon ketë, e mbase edhe e synon. Natyrisht, kuptimi i fjalës “radikal” është gjithnjë i shoqëruar këtu me “rrezikun” , “të keqen” , prandaj përdorimi i saj merr funksionin e ruajtjes së autoritetit politik dhe arbitraritetit të tij mbi çështje të ndryshme politike, karakteristikë tipike e ligjërimeve sekuritizuese të cilat e shndërrojnë në “rrezik” Tjetrin, pa ndonjë evidencë solide, duke u referuar në të dhëna subjektive (dukje, opinione jo konformiste, emra, fjali e lexime mes fjalish etj.). Përdorimi i paqartë i terminologjisë krijon etiketa, që funksionojnë në debatin publik si “shënjues pluskues” , të cilët nuk kanë një qartësi të mjaftueshme e as përkufizim të përshtatshëm, si dhe lejojnë e mundësojnë manipulim e përjashtim.
 
Këto karakterizime nuk janë unike vetëm në diskutimet mbi fenë. Ato në fakt janë të pranishme në tërë ligjërimin publik: në rast qëndrimesh kritike ndaj një partie politike të majtë, qytetari X i cili prononcohet në cilësinë e tij apartiake, cilësohet si i djathtë, edhe pse ai mund të ketë qëndrime akoma më kritike ndaj partisë së djathtë. Por interesi ynë është që të shtjellojmë ndërveprimin e terminologjisë së tillë në diskutimet për fenë, e kjo mund të shërbejë si një shembull për një diskutim më të gjerë rreth problemit të ‘etiketimit’. Në një mënyrë figurative, gjendja mund të përshkruhet kështu: imagjinoni një dosjesh në të cilat ka etiketa me fjalë kyçe të cilat ndihmojnë për të identifikuar oponentin apo për ta vënë atë në një kallëp ideologjik. Një dosje e cili p.sh. mban mbishkrimin “anti-perëndimor” do përmbajë fjali kyçe si “kundërshton ambasadoren/ambasadën amerikane” , “kundërshton UNMIK-un”, “kundër politikave të Izraelit” , “simpatizon me Chavez-in” etj., ku qytetari i cili mund të shprehë qëndrime të ndryshme kritike karshi konteksteve të caktuara, autoriteteve në fjalë apo disa politikave të këtyre autoriteteve, cilësohet si “anti-perëndimor”, kundrejt “pro-perëndimorit” i cili ruan konsistencën në qëndrime të kundërta me tjetrin, pa guxuar që t’i tradhtojë ato ndonjëherë, meqë jo-besnikëria e tillë i kushton kapërcim/kategorizim në dosjen tjetër. Për shembull, edhe për shkrimin që po lexoni, me siguri ekziston një dosje, ku “kategorizuesit” do i gjejnë vendin shkrimit.fig1
 
Kategoria “islam” apo “mysliman radikal” kërkon domosdoshmërish na imponohet një sqarim. Një pjesë e konsiderueshme e literaturës zakonisht i referohet ‘radikalizmit islamik’ për t’iu referuar një vale lëvizjesh radikale në botën myslimane. Radikalizmi mysliman apo radikalizmi islamik shoqërohet me shumë terma të tjera si “fundamentalizmi islamik” , “revizionizmi islamik” , “aktivizmi islamik” , “islamizmi militant”, “ekstremizmi islamik” e me radhë. Të gjitha këto terma që ndërkohë kanë marrë konotacion negativ në botën perëndimore, rrumbullakohen lehtësisht në universin e gjerë e heterogjen të ‘islamit politik’ (Balaoi). Por ambiguiteti i përdorimit të këtyre kategorive dhe shkrirjes së tyre në një kategori finale – ‘islam politik’ – mbetet problematik për aq sa përdorimi i tyre nuk përcillet me shpjegime të qarta mbi nënkuptimin.
 
Fjala “radikal” nuk ka domosdo konotacionin negativ me të cilin ajo mbështillet sot. Kohët e fundit, autorë të ndryshëm kanë vënë në pah këtë duke sjellë vëmendjen se “radikalizmi” nuk ka konotacion ekskluzivisht negativ, ngase krejt kjo varet nga ajo se rreth çfarë paradigme e synimesh artikulohen qëndrime radikale. Për shembull, ‘mysliman radikal’ mund të konsiderohen edhe Lavdim Muhaxhiri e edhe Malcom X, por nënkuptimi i fjalës këtu është krejtësisht i ndryshëm, madje antagonist. I ‘krishterë radikal’ mund të thuhet për Girolamo Savonarola-n por edhe për Martin Luther King-un e ri. Rezulton problematike dhe jo e saktë të flitet për ‘subjekt radikalë’ etj. në terma monosemikë duke iu referuar një përfytyrimi të caktuar apo disa praktikave të caktuara por pa i identifikuar ato saktë dhe qartë atëherë kur përdorim fjalë të tilla. Madje duke konsideruar shumëkuptimësinë e fjalës ‘radikal’ , dhe në dëshirë për të dekonstruktuar konotacionin e krijuar, mund e ndoshta edhe do duhej të flasim për nevojën e ‘ri-radikalizimit’ të myslimanëve, në një angazhim emancipues, e jo të ‘deradikalizimit’ të tyre.
 
Ambiguiteti i rrezikshëm: amalgama, anatema dhe stigmatizimi
 
Në shkrimin e botuar tek Gazeta Express me 12 Shtator 2011, publicisti Shkelzen Maliqi diskuton çështjen e shamisë. Maliqi trajton si ‘myslimanizëm radikal’ dhe si ‘fundamentalizëm të maskuar’ çdo qëndrim i cili mbron të drejtën e vajzave për të bartur shami në shkollat dhe institucionet publike. Dukshëm kuptimi i dhënë terminologjisë ndjek linjën pezhorative. Nga një pikëpamje e tillë, që do e quaj ‘kategorizuese’ , qytetarët kosovarë të cilët mund të kenë qëndrime të ndryshme me Maliqin rreth kuptimeve të ‘shamisë’ dhe vendit të sajë në sferën publike, hidhen automatikisht në dosjen e “myslimanizmit radikal”. Dhe këtu është parëndësishme se ç‘besim kanë subjektet, apo nëse qëndrimi i tyre mund të bazohet thellë dhe sinqerisht në mendimin “liberal” apo “komunitarist” , apo i artikuluar në terma të një “feminizmi për agjenci radikale” apo çfarëdo paradigme tjetër e cila nuk është konform kuptimit të Maliqit. Problemi është se bartësit e botëkuptimeve diktomike duket se për kategori si ‘komunitarist’ , ‘multikulturalist’ , ‘interkulturalist’ , ‘feminist’ ose nuk ekzistojnë fare dosje, ose në të kundërtën, fjalët kyçe për të “diagnostikuar” Tjetrin në to janë krejt të kufizuara.
Në anën tjetër, Baton Haxhiu e shtyn retorikën edhe me tutje në shkrimin e tij të botuar tek Gazeta Tema, me 20 Gusht 2013, duke amalgamuar qëndrimin liberal për lejimin e shamisë në institucionet publike me qëndrimet ultra-konservatore, dhe i cilëson ato si “dëshirë” për të ”vendosur një shami mbi bukurinë e femrës” , duke e shndërruar çdo qëndrim për lejimin e saj në një qëndrim të ‘islamit radikal’ dhe duke i trajtuar gjithë ata të cilët vetëm hapin diskutim mbi këtë çështje si “të ligë” (sic). Duhet sqaruar se kërkesat për lejimin e shamisë në hapësirat publike, të artikuluara nga cilido kamp, janë kërkesa për lejim e jo kërkesa për promovim, dhe janë kërkesa të cilat tërësisht i takojnë rendit të diskutimeve mbi hapësirën publike liberale. Duhet thënë se nga partizanët e mosndërhyrjes së shtetit mbi trupin e femrës, një pjesë e madhe e tyre në botën liberale nuk janë për “mbulimin e bukurisë së femrës” per se, e mund të shohin shaminë si diç të shëmtuar apo të panevojshme, por ata/ato mendojnë se trupi i femrës nuk duhet të jetë fare çështje e Shtetit dhe i kontrollueshëm prej tij. Është e çuditshme amalgama që bën Haxhiu duke esencializuar midis qëndrimit për lejimin e shamisë në institucionet publike dhe “dëshirës” për të “vendosur shami mbi bukurinë e femrës”. Nga një këndvështrim i tillë, edhe një qytetar i cili militon për të drejtat e homoseksualëve do na qenkësh domosdoshmërish dikush i cili dëshiron dhe kërkon që njerëzit të jenë homoseksualë. Dikush mund të konsiderojë të gërditshme edhe shaminë e edhe aktin homoseksual, por kjo në parim nuk do duhej ta ndalonte atë që të trajtojë drejtë subjektin me shami apo homoseksualin.
Në të njëjtat vena të ngatërrimeve konceptuale dhe amalgamimit qarkullon edhe gazetarja Arbana Xharra e cila në shkrimin “Çarjet në fe alarmojnë Kosovarët” (për të cilin iu akordua edhe një çmim për gazetari të guximshme) aludon se insistimi mbi disa të drejta fetare bëhet ekskluzivisht nga ndjekësit e “islamit të rreptë” apo “radikalët”, duke ndarë pasqyrën e opinionit në dy pjesë, dy ‘kategori’, ‘laikët;, në një anë dhe ‘radikalët’ islamikë në tjetrën. Ndërkaq debati parimisht është debat krejtësisht laik, ngase bëhet fjalë për negocimin e të drejtave fetarë në hapësirën publike të Shtetit laik, e laiciteti është pikërisht termi i cili përshkruan këtë negocim të vazhdueshëm të sferës publike dhe institucionit publik. Në këto homo-qëndrime mbizotëron dikotomia, një vijë ndarëse midis ‘nesh’ dhe ‘atyre’, ku me ‘Ne’, shkruesit vetë përfytyrohen si ‘liberalë’ dhe në ‘Ata’, ku futet secili qytetar – irrelevante botëkuptimet e tij, (a)teizmi i tij etj. – projektohen bartësit e qëndrimeve që nuk përkojnë me çka ata të cilët vetëpërkufizohen si ‘Ne’ kanë vendosur të jetë liberalizmi.
 
Mbase nënkuptimi i ‘islamit radikal’ në opinionin kosovar manifestohet në mënyrën më teatrale në një deklaratë të bërë në rrjetin social të Facebook-ut nga ish-Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ku ai shpalos karrierën e tij luftarake karshi asaj që ai quan “radikalizëm fetar” duke treguar dhe se çfarë është “radikalizmi fetar” për të. Për z.Hoxhajn, lufta ndaj “radikalizmit fetar” është në fakt lufta për “ndalimin e bartjes së shamisë në shkolla” dhe “parandalimin e mësimit fetar në shkolla”. Në botëkuptimin e tillë, qëndrimet që nuk përkojnë me qëndrimin e tij rreth “shamisë” në hapësirën publike apo qëndrimet e tij për edukimin mbi fenë në të, konsistojnë në “radikalizëm fetar”.
 
Përdorime të tilla të terminologjisë si “radikalizmit fetar” , “islamit radikal” , “myslimanizmit radikal” etj., shërbejnë në dëm të kultivimit të një hapësire publike kur respekti ndahet baras. Ato krijojnë “kuptime” me të cilat stigmatizohen dhe anatemohen qytetarët të cilët, me besim apo pa besim, fetar apo afetar, mbajnë qëndrime të ndryshme nga ato të përcaktuara (nga funksionarët e Shtetit (e të implementuara në të njëjtën linjë nga opinionistët e gazetarët). Rastet e përfolura këtu janë vetëm ilustrime, meqë përkufizime e nënkuptime të tilla mbi terminologjinë e trajtuar këtu janë pothuajse të kudondodhura.
 
*  *  *
 
Të vejmë re se si z. Hoxhaj përmend “radikalizmin fetar” , ndërkaq “lufta” e tij me mullinjtë e erës ka ekskluzivisht për objekt atë që raporton tek ‘islami’. Në fakt, terminologjia ‘ekstremizëm fetar’ , ‘terrorizëm’ , ‘radikalizëm fetar’ etj., në ligjërimin publik kosovar ka marrë kuptime të cilat i referohen ekskluzivisht islamit dhe myslimanëve. Përgjithësisht “radikalizëm fetar”, në këtë ligjërim, është sinonim i ‘radikalizmit islamik’ dhe i referohet myslimaneve megjithëse dy akademikë të Akademisë së Shkencave të Kosovës kanë vënë re se në Kosovë ka edhe radikalizëm të krishterë. Akademiku Mehmet Kraja, edhe pse deri diku ndan kuptimin e njëjtë mbi ‘fundamentalizmin’ me opinionistët e lartpërmendur, vë re në një intervistë të dhenë Revisës Drini në 2013 , se në Kosovë ka edhe ‘fundamentalizëm katolik, respektivisht të krishterë’, e të njëjtën e bën edhe akademik Rexhep Qosja në një intervistë të dhënë për Gazetën Shqiptare.
 
Të bërit sinonim të termit ‘radikalizëm’ apo ‘ekstremizëm fetar’ me ‘radikalizmin islamik’ apo ‘ekstremizmin islamik’ mund të jetë krejtësisht i ndërdijshëm, por edhe mund të jetë tendencioz në përpjekje për të bërë ekskluzivi raportin midis ‘radikalizmit’ dhe ‘ekstremizmit’ me një fe apo botëkuptim të caktuar. Raporti i UNDP-se Pulsi Publik i botuar në nëntorin që lamë pas, në seksionin për “Perceptimet mbi radikalizmin fetar” (fq. 12), bën të njëjtin gabim duke trajtuar veçmas radikalizmin e ‘myslimanëve’ nën sektorin për ‘radikalizmin fetar’. Këtu, ‘radikalizmi fetar’ është ‘radikalizëm mysliman’. Si variabël i vetëm i ‘radikalizmit fetar’ në raportin e UNDP-së qëndron ‘format ekstreme të Islamit’ , meqë edhe këtu është përvjedhur, si duket, ‘radikalizmi fetar’ si shënjues sinonim e ekskluziv i ‘radikalizmit islamik’. Madje nëntitulli “Radikalizmi fetar”, në atë që pason, lidhet me automatikisht dhe natyrshëm me ‘format ekstreme të Islamit’. Predikati i ‘radikalizëm fetar’ tashmë ka marr natyrshëm formë. Është e vështirë dhe e pamundur të gjenden shpjegime më të holla rreth metodologjisë së këtij raporti, apo pyetësorit të tij për të parë se çfarë nënkuptohet me ‘forma ekstreme të Islamit’ dhe rreth cilit kuptim janë dhënë përgjigjet në të cilat ka rezultuar raporti. Në disa nga prononcimet dhe shkrimet e tij, një trajtim të ngjashëm fatkeqësisht vërehet edhe te Florjan Qehaja, drejtuesi i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë. Rreziku eventual është se përcaktimi i ‘ekstremizmit’ si një cilësi ekskluzive e një komuniteti apo botëkuptimi të caktuar, qoftë kjo edhe si pakujdesi , duke neglizhuar shumëllojshmërinë e “ekstremizmit” prezent në Kosovë, mund ta ndihmoj pikërisht amplifikimin e një ekstremizmi dhe fuqizimin e tij. Duke parë tek Shteti mungesë paanshmërie cilido grup mund ta shndërroj atë në inspirim për ekstremizmin e vërtetë. Vetëm kur shteti merret në mënyrë proporcionale dhe të drejtë me fenomenin e ‘ekstremizmit’ , ai do të mund të krijojë besueshmërinë e domosdoshme.
 
*  *  *
 
Në një kontekst të tillë kur përdorimi retorik i terminologjisë ‘radikalizmit islamik’ , ‘islamit radikal’ , ‘ekstremizmit fetar’ etj. si këto, manifestohet në mënyrat dhe kuptimet e shprehura më lart, bëhet jashtëzakonisht problematik leximi i përdorimeve të terminologjisë së tillë në planin e përgjithshëm – pa shpjeguar atë që folësi nënkupton me përdorimin e saj. Sidomos kur konsiderojmë se eskatologjia ‘liberale’ rreth islamit radikal, e shprehur nga Baton Haxhiu, ka projektuar se “shamia” si një manifestim i këtij, është paralajmërim i një “lufte civile” dhe se mbështetësit e lejmit të sajë veçse janë protagonist në realizimin e parashikimeve të kësaj lufte.
 
Çfarë nënkuptohet me të vërtetë kur dikush thotë se lufton ‘radikalizmin islamik’ ? Çfarë projektohet kur dikush flet për ‘terrorizmin islamik’ ? Kush është ‘ekstremist’ apo ‘radikal’ ? Të gjitha këto, në ligjërimin publik kosovar, ngelen metodologjikisht enigmatike dhe të mbështjella në ambiguitet. Funksionarët e shtetit, por edhe ligjëruesit e ndryshëm publikë dhe raportet e prodhuara, me përdorimin e tillë të kësaj terminologjie kanë krijuar vetëm nënkuptime. Këto nënkuptime kur analizohen ose janë të thata, ose aq të shtrishme sa që të përfshijnë një mori njerëzish.
 
Në anën tjetër, ‘radikalizmi mysliman’ duket të jetë shndërruar në njërën nga frazat më të përsëritura të funksionarëve të lartë të Shtetit në takimet e tyre brenda e jashtë vendit me ata që janë “nga jashtë” vendit. Hashim Thaçi, ministër i punëve të jashtëm dhe zëvendës-kryeministër (në fakt kriptokryeministër) në mënyrë të përsëritshme ka thënë se Kosova është kundër ekstremizmit dhe se “Kosova kurrë nuk do të jetë tokë e pëlleshme për radikalët dhe ekstremistët” dhe se “Ne” do të jemi të “pa kompromis në veprime kundër radikalizmit dhe fundamentalizmit”. Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli vazhdon për inerci, duke thënë se “radikalizmi islam nuk ka vend në vendin tonë”, ndërkaq Petrit Selimi deklaron se radikalizmi islam është rreziku më i madh i interesave kombëtare – qëndrime të ngjashme janë mbajtur edhe nga Veton Surroi apo nga opinion-bërës e funksionarë të tjerë të Shtetit. Gjuha luftarake e përdorur të krijon përshtypjen se Kosova është fole e ekstremizmit fetar, që në këtë ligjërim identifikohet me ekstremizmin islamik. Por edhe tek këta funksionarë të shtetit, të angazhuar në retorikën e ‘luftës kundër ekstremizmit’ e ‘radikalizmit’, këto dy definicione janë gjithçka përveçse të qarta: nuk janë të shpjeguara saktësisht se kujt fenomen i adresohen; cilave praktika iu drejtohen, cilave subjekte konkrete iu referohen.
 
E rëndësishme për t’u konsideruar këtu është gërshetimi i retorikës së tillë luftarake me gjuhën prokuroriale e cila diagnostikon ‘radikalizmin islamik’ , ‘myslimanizmin radikal’ etj. si këto të shtjelluara më lart kur i jemi referuar ish-ministrit Hoxhaj, z. Maliqi, z. Haxhiu, znj. Xharra. Mund të provojmë ta skematizojmë atë që nënkuptohet më këto definicione diagnostikuese. ‘radikal islamik’, ‘myslimanizëm radikal’, ‘ekstremizëm mysliman’, ‘fundamentalizëm (i apo i pa maskuar) islamik’ janë:
 
Kur qytetari artikulon për të drejtën e bartjes së shamisë në shkollat publike, apo thjeshtë mendon se ndalimi i shamisë është diskriminues
Kur dikush vetëm bëhet pjese e debatit publik liberal rreth vendit që duhet ketë feja në plan-programet e shkollave publike
Kur qytetarë të tjerë të Kosovës konceptojnë laicitetin e Shtetit ndryshe nga konceptimi që ka adoptuar Shteti
Kur qytetarët mbajnë qëndrime kritike karshi mungesës së paanësisë së Shtetit në trajtimin e komuniteteve fetare
Kur ata mbajnë opinione kritike ndaj disa politikave shtetërore të marrëdhënieve me jashtë
Kur qytetarët refuzojnë projektet shtetërore të përgjimeve dhe administrimit të jetës dhe trupit të qytetarit, të cilat mëtojnë kontroll të opinionit disident
Kur këta ndodh të kenë qëndrime të ndryshme nga shteti dhe një pjesë e opinionit në raport me çështjet si “martesat homoseksuale” , “aborti” etj.
Nëse predikati i ‘ekstremizmit’ apo ‘ekstremizmit islamik’ ndërtohet në opinion me një paradigme prokuroriale si kjo, e në anën tjetër funksionarët e Shtetit trumbetojnë se radikalizmi nuk ka vend në Kosovë, është detyrë e çdo qytetari të pyetet se kush dhe çfarë saktësisht nuk ka vend në Kosovë ? Opinionet, të cilat nuk janë të dhunshme dhe nuk artikulohen në terma të dhunë-promovuese, janë pjesë e pandashme e hapësirës publike liberale, qofshin ato opinione ultra-konservatore, apo radikale liberale. Realisht sfera publike merr kuptimin e saj të vërtetë vetëm me ekzistencën e opinioneve heterogjene dhe akomodimit të tyre, dhe Shteti liberal e lak ,në parim, merr kuptimin e tij të vërtetë atëherë kur i garanton këto opinione dhe i trajton me respekt të barabartë. Kur thirremi në një anë në ‘eliminimin e radikalizmit islamik’ e në anën tjetër si radikalë islamikë quajmë jo vetëm qytetarët që mbajnë p.sh. shami e mjekër, por edhe si ‘fundamentalistë të maskuar’ ata që mendojnë se qytetarët nuk duhet t’i nënshtrohen kontrollit të jetës së tyre nga Shteti apo nuk duhet të konsiderohen si “të rrezikshëm” vetëm pse ata rregullojnë trupin e tyre ndryshe nga ajo sesi vendoset nga “Ne”, e mbi të gjitha nga Shteti atëherë ballafaqohemi me një problem serioz. Derisa ‘radikalizmi islamik’ trajtohet dhe nënkupton atë që është shndërruar e bërë predikat nga ligjërues të ndryshëm publikë, e funksionarë të shtetit (z.Hoxhaj, Silimi, Thaçi, Veseli etj.), atëherë ‘lufta kundër radikalizmit’, e mishëruar në kuptime të tilla, është luftë ndaj vetë demokracisë dhe hapësirës publike. Duke e prodhuar ‘rrezikshmërinë’ e qytetarëve të thjeshtë, ky ligjërim tenton që ta homogjenizojë shoqërinë, duke përjashtuar mendimin ndryshe nga hapësira publike. Kur Shteti i konsideron – duke e zgjeruar kuptimin e ‘radikalizmit’ sa për të përfshirë ata që i kam përshkruar ne pikat 1-7 – opinionet heterogjene si rreziku më i madh, aq sa “s’kanë vend në Kosovë”, atëherë duhet të peshojmë sa e ndihmon ky ligjërim ndërtimin e një Shteti liberal/demokratik dhe parandalimin e ekstremizmit, dhe sa e stimulon të kundërtën, shndërrohet në raison d’etre të tij dhe promovon një hapësirë jo-demokratike e përjashtuese. Për çfarëdo përpjekje e cila mëton efikasitet në luftimin e formave të ekstremizmit, është imperativë që të bëhet një përkufizim i qartë rreth termeve. Në kontekstin për të cilin jemi marrë, termet janë të rëndësishme jo vetëm metodologjikisht, por mbi të gjitha për të evituar stigmatizimin e qytetarëve dhe kontrollimin e privatësisë së tyre që lindë nga përdorimi i pakujdesshëm dhe shtrirja që marrin ato në ligjërimin publik.
 
Religjioskopi
 
 
*Qëndrimet e mësipërme janë të autorit
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit