Pyetja:
Çfarë të bësh, nëse zgjohesh xhunub në prag të daljes së kohës së namazit?
***
Përgjigjja:
Obligimi i atij që bëhet xhunub para kryerjes së cilitdo namaz, është që të lahet. Namazi i kryer në gjendje xhunubllëku, nuk është i pranueshëm në Sheriat. Larja në gjendjen në fjalë është e obligueshme në çdo situatë, madje dhe atëherë kur kemi të bëjmë me lënien e namazit me xhemat dhe ikjen e kohës së namazit. Nëse personi i bërë xhunub zgjohet pak para fundit të kohës së namazit dhe druan se, po bëri gusël, mund t’i ikën koha e namazit, ai, sipas shumicës së dijetarëve, duhet t’i japë përparësi guslit, meqë pastrimi nga xhunubllëku, sipas Sheriatit, konsiderohet arsye e pranuar për shtyrjen e namazit përtej kohës së tij. Për personin e bërë xhunub koha e namazit hyn prej çastit kur ai zgjohet dhe zgjat deri të falë namazin, në përputhje me fjalët e Pejgamberit ﷺ: “Shkujdesja nuk bëhet gjatë gjumit (shtyrja e namazit për shkak të gjumit), por kur je zgjuar (shtyrja e namazit kur je i zgjuar): nëse dikush fle gjumë ose harron, le të falë namazin kur t’i kujtohet / zgjohet.” [1]
Duke shpjeguar qëndrimin e shumicës së dijetarëve, Ibn Kudame tha: “Nëse ka ujë, nuk është e lejueshme të marrësh tejemum, edhe nëse druan se me përgatitjen dhe përdorimin e ujit mund të ikën koha e namazit, pavarësisht se a gjendesh në udhëtim apo në shtëpi. Ky, pra, është qëndrimi i shumicës së dijetarëve islam, si: Sufja eth-Theuriu, Shafiu, Ibn Mundhir, dhe juristët hanefij.” (el-Mugnij, 1/166)
Shejh Muhamed ibn Salih el-Munexhid
—————————–
[1] Tirmidhiu, 177; Nesaiu, 614; Ebu Davudi, 437; Ibn Maxhe, 698