3.4 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Borxhi global u afrohet niveleve rekord pasi rritja e normave shkakton ‘krizë përshtatje’

Më të lexuarat

Sipas raportit të Institutit të Financave Ndërkombëtare (Institute of International Finance, IIF), vlera e borxhit global u rrit me 8.3 trilionë dollarë në tremujorin e parë, nivel gati rekord prej 305 trilionë dollarësh, pasi ekonomia botërore u përball me një “krizë përshtatjeje” ndaj shtrëngimit të shpejtë të politikës monetare nga bankat qendrore.

Organi i industrisë së financave tha se kombinimi i niveleve kaq të larta të borxhit dhe rritja e normave të interesit, ka rritur koston e shërbimit të borxhit, duke shkaktuar shqetësime rreth levave në sistemin financiar.

Bankat qendrore në mbarë botën, kanë rritur normat e interesit për më shumë se një vit, si përpjekje për të frenuar inflacionin e lartë. Rezerva Federale e SHBA-së në fillim të këtij muaji, ngriti normën e fondeve, në një interval të synuar prej 5%-5,25%, më i larti që nga gushti 2007.

Rritja e mprehtë e barrës globale të borxhit në tre muajt e parë të 2023, shënoi rritjen e dytë tremujore radhazi, pas dy tremujorëve me rënie gjatë periudhës së shtrëngimit agresiv të politikës monetare të vitit të kaluar. Korporatat jofinanciare dhe sektori qeveritar, nxitën pjesën më të madhe të rimëkëmbjes.

“Me afër 305 trilionë dollarë, borxhi global tani është 45 trilionë dollarë më i lartë se niveli i tij para pandemisë, dhe pritet të vazhdojë të rritet me shpejtësi: Pavarësisht shqetësimeve për një krizë të mundshme kredie, pas trazirave të fundit në sektorët bankar të SHBA-së dhe Zvicrës, nevojat për huamarrje qeveritare mbeten të larta,” tha IIF.

Organizata tha se plakja e popullsisë dhe rritja e kostove të kujdesit shëndetësor, po ushtrojnë presion mbi bilancet e qeverisë. Shpenzimet e mbrojtjes kombëtare, pritet të rriten në periudhën afatmesme, për shkak të tensioneve të rritura gjeopolitike, të cilat potencialisht do të ndikojnë në profilin e kredisë, si të qeverive ashtu edhe të huamarrësve të korporatave, parashikon IIF.

“Nëse kjo prirje vazhdon, do të ketë probleme të rëndësishme për tregjet ndërkombëtare të borxhit, veçanërisht nëse normat e interesit mbeten më të larta për një kohë më të gjatë,” vuri në dukje raporti.

Borxhi total në tregjet në zhvillim, arriti një rekord të ri, prej më shumë se 100 trilion dollarë, rreth 250% të PBB-së, nga 75 trilion dollarë në 2019. Kina, Meksika, Brazili, India dhe Turqia ishin kontribuuesit më të mëdhenj në rritje.

Në tregjet e zhvilluara, Japonia, SHBA, Franca dhe Britania e Madhe shënuan rritjet më të mprehta gjatë tremujorit.

Trazirat bankare dhe një “krizë përshtatjeje”

Shtrëngimi i shpejtë i politikës monetare, ekspozoi pozicionet e dobëta të likuiditetit, në një numër bankash të vogla dhe të mesme në SHBA, si dhe çoi në një sërë falimentesh dhe financimesh muajt e fundit. Paniku i tregut, që pasoi, u përhap në Europë dhe detyroi shitjen urgjente të gjigantit zviceran Credit Suisse tek UBS.

IIF sugjeroi, që korporatat i janë nënshtruar një “krize përshtatjeje”, ndaj asaj që e quajti “regjim i ri monetar”.

“Megjithëse dështimet e fundit të bankave, duken më shumë individuale sesa sistematike – dhe institucionet financiare të SHBA-së, kanë shumë më pak borxh (78% të PBB-së) sesa në prag të krizës 2007/8 (110% në 2006) – frika nga infektimi ka nxitur tërheqjet e depozitave nga bankat rajonale të SHBA-së,” tha IIF.

“Duke pasur parasysh rolin qendror të bankave rajonale, në ndërmjetësimin e kredisë në SHBA, shqetësimet për pozicionet e tyre të likuiditetit, mund të rezultojnë në tkurrje të mprehtë të huadhënies për disa segmente, duke përfshirë familjet dhe bizneset.”

Kjo tkurrje e kushteve të kredisë, mund të prekë veçanërisht bizneset e vogla, si dhe të shkaktojë norma më të larta të falimentimit dhe më shumë “kompani zombie”.

Në ekonominë politike, një kompani zombie është një kompani, që ka nevojë për paketa shpëtimi për të vazhduar aktivitetin ekonomik, ose një kompani me borxhe, që është në gjendje të shlyejë interesin e borxheve të saj, por jo principalin. Pra, kompania nuk është as “e gjallë”, as “e vdekur”.

“Ne vlerësojmë se rreth 14% e kompanive amerikane, mund të konsiderohen zombie, ku një pjesë e konsiderueshme e tyre është në sektorët e kujdesit shëndetësor dhe teknologjisë së informacionit.” / CNBC

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit