5.9 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

A po i zëvendësojnë robotët punëtorët në Kosovë?

Më të lexuarat

Kompania e vetme në Kosovë që furnizon me robotë bizneset prodhuese thotë se për dy vite i kanë funksionalizuar 10 robotë, të cilët më punën e tyre e kanë shtuar fitimin e kompanive e po ashtu e kanë rritur edhe numrin e punëtorëve në këto biznese.

Një robot ka zënë vendin ku deri tani punonin katër punëtorë. Për 8 orë ata që e kishin fatin të punojnë në këtë vend, thasët 25 kilogramë nuk ia janë ndarë gjithë ditën nga dora. Në kompaninë për prodhimin e llaqeve ku menaxher është Shpend Gashi, po shtohen robotët por nuk po largohen punëtorët.

“Është një punë shumë e rëndë kemi bo kërkesë e kemi blerë robotin, e kemi sjellë këtu. Tash ata punëtorë që kanë punuar më herët janë duke punu diku tjetër i kemi sistemuar kryejnë punë të tjera, roboti i merr thasët aty i palon edhe i qet këtu”, ka thënë Gashi, menaxher në “Eu Fix”.

Me deklaratën e kryetarit të Odës Ekonomike se shumë biznese prodhuese në vend kanë qenë të detyruara që të blejnë pajisje të automatizuara, si pasojë e mungesës së fuqisë punëtore, nuk po pajtohet Gashi. Ai thotë se me instalimin e këtij roboti është shtuar shitja dhe është përshpejtuar prodhimi për 40%.

“Pa robot muaji na ka kushtuar diku 2000 euro për katër punëtorë mesatarisht mesatarja, por tash me robot diku brenda një viti ose një viti e gjysmë me e kthy investimin”, ka thënë Gashi.

Themeluesi i kompanisë së vetme për furnizim me robotë në Kosovë tregon se vetëm dy vitet e fundit ka instaluar 10 robotë nëpër kompani të ndryshme, periudhë e cila vetëm sa e ka shtuar fitimin dhe numrin e punëtorëve.

“Pothuajse në të gjitha kompanitë që kemi instaluar robotë, unë kam informata të sakta nga pronarët dhe punëtorët atje që realisht pas instalimit të robotit nuk është liru asnjë punëtor nga puna, do të thotë është ri-strukturuar kompania ku është larguar pjesa e vështirë e punës… Është rrit vëllimi i punëve edhe dalja (shitja) e kompanisë ka qenë më fitimprurëse”, inxhinieri Valmir Hoxha.

Hoxha tregon se kohëve të fundit janë shtuar kërkesat për robotë, kryesisht për punë të rënda, të cilat deri tash janë kryer nga punëtorët.

“Po ashtu edhe për punët të cilat janë monotone, për shembull zhvendosja e një elementi prej një pike në pikën tjetër. (Robotët porositen dhe shërbejnë) edhe për punë të tjera që lirojnë gazra të ndryshme, për shembull saldimi emiton gazra edhe nuk është i mirë për shëndet, edhe aty ka një zbatim shumë të mirë, që realisht i kursen njerëzit në aspektin shëndetësor”, ka thënë tutje ai.

Aktualisht në sektorin privat paga mesatare është 419 euro, ndërkaq në sektorin publik rreth 300 euro më e lartë. Ndër faktorët që vazhdimisht ka ndikuar në ikjen e fuqisë punëtore është mungesa e vendeve të punës dhe pagat e ulëta. Për arsye të ndryshme sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, mbi 42 mijë qytetarë janë larguar nga Kosova vetëm në vitin 2021./Dukagjini/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit