Pyetja: A është e vërtetë se një njeri që e shijon muzikën ai në atë moment ka bërë kufër?
Përgjigjja: Falënderimet i takojnë Allahut të Lartësuar, përshëndetjet lëvdatat të Dërguarit të Tij.
Sa i përket personit që e përjeton me ndjenja muzikën dhe e shijon atë, është transmetuar një hadith nga i Dërguari ﷺ, ku thotë: “Dëgjimi i muzikës është mëkat, qëndrimi (me qëllim të dëgjimit) në vendet ku bëhet ajo, është shthurje, ndërsa shijimi i saj është kufër (mohim).” (Shënon Ibn Adiji).
Porse ky hadith është i dobët, madje nuk qëndron, ngase i mungon zinxhiri transmetues.
Mirëpo sikur të ishte i saktë, fjala “kufër” e përmendur në të, do ta kishte njërin nga këto kuptime:
– Kufër (mohim) i dhuntisë së Allahut, e që është mëkat; ngase pasi që Allahu e qartësoi dispozitën për ndalimin e muzikës, ai që e dëgjon atë, e mohoi këtë mirësi nga Allahu, gjegjësisht qartësimin e dispozitës.
– Përdorimi i saj këtu ka ardhur për të treguar shëmtinë e muzikës dhe qortimin e ashpër për personin që e dëgjon atë.
– Kufër në bindje, do të konsiderohej që e ka bërë ai i cili ka bindjen se një gjë e tillë është e lejuar.
Keto tri interpretime i hasim te dijetarët që kanë folur në lidhje me këtë hadith, e posaçërisht dijetarët e medhhebit Hanefi, si: “Kadihan”, “Bezaziu”, “Haskefiu”, “Ibn Nuxhejmi”, e të tjerë (Allahu i mëshiroftë).
Me një fjalë, shijimi i muzikës nuk konsiderohet dalje nga feja. Mirëpo kjo nuk do të thotë që ajo është e lejuar, përkundrazi, se ajo është haram (e ndaluar), disa dijetarë (prej tyre: Kurtubiu, Ibn Salahu, Hejtemiu, etj, Allahu i mëshiroftë) e sollën koncenzusin e gjeneratave të para.
Kështu që, para Ibn Hazmit (Allahu e mëshiroftë, vdiq në vitin 384 h.), nuk kam hasur në ndonjë nga dijetarët t’i jetë qasur muzikës, duke e lejuar qartësisht dhe duke u munduar ta argumentojë lejimin e saj.
Allahu e di më së miri!
Hoxhë Dr. Rasim Haxha