Pyetja:
A bën të huazohet mitra me qëllim të shtatzanisë?
***
Përgjigjja:
Kjo çështje është gjurmuar në një nga konferencat të cilat i organizon Organizata Islame për Shkencat Medicinale në Kuvajt, ku si zakonisht mblidhen dijetarë të shquar të fushave islame dhe ekspertë të medicinës. Pas gjurmimeve dhe analizave të bëra, është miratuar fetva se lejohet për bashkëshortët, njërit apo të dy, t’i shfrytëzojnë mundësitë që ofron sot shkenca për ta ndihmuar procesin e lindjes, mirëpo, me kusht që spermatozoidi të jetë i burrit dhe qeliza vezë e gruas, dhe mos ndërhyjë asnjë palë e tretë në mes tyre. Kjo njihet te njerëzit si “Fëmiju i epruvetës”.
Nëse spermatozoidi është prej një mashkulli i cili nuk është bashkëshort i gruas, pa marrë parasyshë a dihet se kush është apo jo, kjo është pa diskutim haram.
Po ashtu, të njejtin tretman e ka edhe nëse qeliza vezë është prej një femre tjetër e jo prej bashkëshortes.
Po këtë status e ka edhe nëse qeliza vezë është prej femrës, mirëpo mitra është prej një gruaje tjetër. Do të thotë, edhe kjo formë është e ndaluar. Kjo, ngase këtu lind një pyetje konfuze:Cila do të jetë nëna? A do të jetë nëna, gruaja prej së cilës është marrë qeliza vezë e cila i mban veçoritë gjenetike-gjenet, apo do të jetë gruaja e cila e ka mbajtur barrën dhe i ka përjetuar dhimbjet e lindjes?
Bile, edhe nëse këto dy gra janë ortake, pra të martuara për të njejtin burr, kjo nuk lejohet, ngase me këtë humb vërtetësia e amësisë ndërmjet këtyre dy grave, ashtu që parashtrohet pyetja se cila është nëna e vërtetë? Cilës grua do t’i atribuohet fëmija:Asaj nga e cila është marrë qeliza vezë, apo asaj që e ka mbajtur në mitër?
Vetë juristët islamë nuk janë të një mendimi, për atë se cila është nëna e vërtetë, nëse ndodh me të vërtetë diçka e tillë. Disa kanë thënë se nëna e vërtetë është ajo prej së cilës është marrë qeliza vezë, e edhe unë jam më afër këtyre; ndërkaq disa tjerë kanë thënë se nëna e vërtetë është ajo që e ka mbajtur barrën dhe e ka lindur. Kuptimi aparent i ajetit Kur’anor është me këta: “…nënat e tyre janë vetëm ato që i kanë lindur ata..” (Muxhadele: 2)
Sido që të jetë, të gjithë juristët islamë e ndalojnë një veprim të këtillë dhe e cilësojnë të ndaluar-haram. Nëse disa gra janë sprovuar me atë që nuk prodhojnë qelizë vezë, ato konsiderohen si gra të cilat nuk kanë mitër. Edhe burrat të cilët nuk prodhojnë spermatozoide të gjalla, apo prodhon spermatozoide të vdekura apo gati të vdekura, janë sprovuar me sterilitet të cilin Allahu i Madhërishëm e ka përmendur në librin e Tij:
“Ose u falë çift, meshkuj e femra, por atë që do e lë pa fëmijë (steril); Ai është i dijshëm, i fuqishëm.” (Shura: 50)
Pra, ka disa që ka qenë vullnet i Allahut t’i bëjë steril, dhe nuk ka kush e kthen vullnetin e Allahut të Madhërishëm, dhe nuk ka shërim për këtë pos durimit në këtë sprovim nga Allahu dhe pajtimit me caktimin e Allahut. Të qenit baba dhe nënë, ata mund ta ushtrojnë duke marrur në mbikëqyrje jetima dhe fëmijë pa prindër, të gjuajtur në rrugë. Në këtë ka shpërblim të madh. Në hadith autentik qëndron se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: ”Unë dhe mbikëqyrësi i jetimit, në Xhenet do të jemi si këto dy.”, dhe tregoi me dy gishtat e tij:gishtin tregues dhe gishtin e mesëm.
Paqa, shpëtimi dhe përshëndetjet e shumta të Allahut qofshin mbi zotëriun tonë Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij.
Jusuf El-Kardavi
Përktheu: Dr. Bashkim Aliu