Ese – Olta Shehi
Të jesh një udhëheqës do të thotë të kesh aftësinë për të drejtuar një grup njerëzish ose një organizatë.Nuk mund të jesh udhëheqës thjesht duke qenë në një pozicion më të lartë se njerëz të tjerë, por është diçka që ekziston brenda personalitetit të individëve që synojnë të përmbushin një vizion të caktuar. Arsimi i duhur është dera drejt të qenurit një udhëheqës i mirë,jo vetëm në shkollë apo universitet, por në çdo fushë të jetës apo në komunitet.
Si mund të arrihet një lidhje e konsoliduar midis arsimit dhe udhëheqjes apo qeverisjes së mirë?
Një nga problemet që haset më shumë në institucione arsimore është mungesa në masë e dëshirës dhe vullnetit nga nxënësit për të qenë në krye të diçkaje apo për të çuar deri në fund një synim apo detyrë që i jepet. Ka shumë faktorë që ndikojnë, por mendoj se faktori kryesor që sjell këtë problem është mosekzistenca e një shtyse të përshtatshme për ti njohur nxënësit më nga afër me sfidat me të cilat do të përballen në të ardhmen.
Një nismë pozitive,sidomos në arsimin e mesëm të ulët, do të ishte që t’i kushtohej një rëndësi e veçantë dhe më e detajuar,jo vetëm kuptimit të konceptit udhëheqje apo qeverisje, por edhe zbatimit të tyre. Udhëheqja, në këtë fazë, mbetet në kufijtë e prezantimit dhe drejtimit të punës në projekte apo organizimit të aktiviteteve të ndryshme. Sigurisht, ky mbetet një hap i cili në njëfarë mënyre e njeh nxënësin me teknikat e duhura për të qenë në krye, por diçka më efektive,që do t’u mësonte atyre se udhëheqja nuk mbetet brenda këtyre kufijve, por ka si qëllim kryesor sjelljen e një ndryshimi dhe implementimin e një ideje apo vizioni tek të tjerët, do të ishte zhvillimi i orëve ekstrakurrikulare të përgatitura për të shpjeguar në mënyrë induktive qeverisjen apo udhëheqjen.
Sipas meje, një udhëheqje e mirë nis në komunitet dhe mund të arrihet në tri hapa. Këto tri hapa janë të arritshme në momentin kur individi njeh dhe arrin të vendosë në praktikë njohuri,aftësi dhe vlera të fituara në institucionet arsimore. Çdo institucion arsimor mund të mendohet si një komunitet i madh dhe ky komunitet merr formën e një rrethi ku çdokush që synon udhëheqjen e imagjinon veten si qendra e këtij rrethi. Vendosja e një ekuilibri mes qendrës dhe pjesës së harkut do të ishte synimi kryesor dhe ajo që do të bënte dikë një udhëheqës të denjë.
Tri hapat që sjellin qeverisjen e mirë përbëjnë pikërisht mënyrën induktive për ta shpjeguar këtë të fundit dhe janë themelore për t’u mësuar,duke filluar nga institucionet arsimore.
Hapi i parë është ai që përcakton atë që të tjerët në komunitet do të mendojnë për ju. Është shumë e rëndësishme të shfaqet vlerë njerëzore dhe kulturë, në atë që përfaqëson.
‘Përshtypja e parë është përshtypja e fundit’.
Ky është momenti kur të tjerët prezantohen me personalitetin tuaj. Ajo që e bën dikë një udhëheqës të mirë është të qenit një njeri mendjehapur, me parime dhe morale të tilla që nuk e lejojnë atë të shohë dikë tjetër si më pak të rëndësishëm. Duke menduar për komunitetin në shkollë(por jo vetëm) si rreth, duhet të bëhet e mundur që të gjithë të ndihen të barabartë, sepse qëllimi i bashkëpunimit të tyre është i njëjtë,një e ardhme dhe një Shqipëri më e mirë. Të mirëpresësh idetë e të gjithëve, të cilat, duke qenë kaq të ndryshme, krijojnë diçka të madhe ; të rrezikosh për të arritur qëllimet, sigurisht në mënyrë të hapur dhe të drejtë; të flasësh të vërtetën dhe gjithashtu t’i japësh rëndësi të madhe punës në grup, ku fuqia e organizimit të njerëzve dhe marrëdhëniet shoqërore me anëtarët e komunitetit janë të nevojshme, janë kryesore për një qeverisje të mirë dhe mirëfunksionimin,në këtë rast,të institucioneve shkollore. Pra,duket qartë që këtyre cilësive dhe vlerave, të mësuara në pjesën më të madhe në bankat e shkollës, duke iu dhënë një rëndësi më të madhe, do të rritej mundësia për të pasur udhëheqës të rinj dhe për t’i njohur ata që në moshë të vogël.
Hapi i dytë është mënyra si drejtohet dhe vizioni i krijuar për të ndihmuar komunitetin. Nuk është e lehtë për të bindur një komunitet të tërë për një ide apo vizion të caktuar. Është e rëndësishme të përhapen në mënyrën e duhur idetë, në mënyrë që anëtarët e komunitetit t’ju ndjekin me dëshirë në zbatimin e këtyre ideve. Këto ide mund të kenë të bëjnë me ndryshime që ne,si nxënës, duam të sjellim në arsim për ta bërë atë sa më efektiv dhe të prekshëm nga të gjithë, apo për ndryshime që gjithkush i sheh si të nevojshme dhe të justifikuara për t’u bërë. Një karakter i përshtatet një udhëheqësi, kur ekziston vendosmëria dhe aftësia për të bindur njerëzit duke dhënë argumente dhe fakte që mbështesin atë që thua, në të njëjtën kohë duke barazuar idetë e gjithsecilit në mënyrë që të mos ketë konflikt mendimesh. Është e rëndësishme që çdo ide që mbështet vizionin tënd t’i përshtatet çdo individi në komunitet. Duke u kthyer te rasti i drejtimit të një grupi në projekt, shihet qartë se si mënyra e vetme që projekti të jetë i suksesshëm është duke bashkëpunuar,duke qenë sa më objektiv në saktësimin e punëve dhe më e rëndësishme të zotërosh vlerat e sipërpërmendura.
E fundit por jo më pak e rëndësishme është se si mund të luhet roli i liderit në komunitet. Në të vërtetë kuptohet nëse ke arritur qëllimin, kur merren në konsideratë përshtypjet e
individëve në komunitet dhe rezultati përfundimtar i një pune të gjatë, që duhet të jetë
pozitiv. Ajo që e bën dikë një udhëheqës të mirë është kur ai nuk vendos nëse është një udhëheqës i mirë apo jo, por puna e vështirë dhe gjykimi i drejtë i komunitetit e vendos.
Kjo është pikërisht kur idetë, të hartuara më parë në mendje dhe në letër, kthehen në realitet. Në të njëjtën mënyrë si reforma në arsim apo çdo ide e hartuar dhe e zbatuar më parë nga nxënësit, secili nga ne mund të arrijë të sjellë ndryshim në atë që ne e konsiderojmë si pjesën më të rëndësishme e cila sjell formimin tonë, arsimin.
Këto tri hapa të menduar shpesh si të konsoliduar apo që ndoshta nuk marrin rëndësinë që duhet,sjell që shumë të rinj të njohin konceptin e udhëheqjes,por të mos dinë të sjellin një ndryshim të caktuar .
Arrihet në një përfundim,se jo gjithçka ka të bëjë me të qenit në krye, por të jesh në gjendje të udhëheqësh në mënyrë të barabartë, të ndikosh te të tjerët dhe të sjellësh një ndryshim. Kur ky ndryshim,i sjellë nga perspektiva e një nxënësi, ndikon pozitivisht në të ardhmen e të rinjve të tjerë, merr vlerë të madhe duke ditur që me të vërtetë do të jetë një hap drejt një arsimi dhe një të ardhmeje më të mirë. Kjo e ardhme në Shqipëri përfshin çdo anëtar të bashkësisë në mënyrë të barabartë, sepse komuniteti është i të gjithëve dhe të jesh në krye të të gjithëve, ti duhet të respektosh dhe të shohësh veten si një prej tyre.
Duhet një punë e palodhshme dhe një bashkëpunim rigoroz midis të rinjve dhe institucioneve arsimore përkatëse, që ndryshimi të fillojë që këtu, por kjo mund të arrihet kur nuk mungon dëshira dhe vullneti i një udhëheqësi për të sjellë një ndryshim. Ai udhëheqës mund të jetë kushdo.