Barcelona bën “vetëvrasje” në 68 sekonda

0
50

Barcelona ka harruar të fitojë në La Liga. Pas barazimit me Girona-n, të besuarit e Valverde-s kanë pësuar disfatën e parë të sezonit ndaj vendit të fundit Legane-s, që ka fituar 2-1 falë një gafe trashanike të Pique. Ndeshja e 700-të e Messi-t do të mbahet mend si triumfi historik i Legane-s.

Barcelona gjen golin e avantazhit shumë herët. Philippe Coutinho zhbllokon rezultatin me një gol magjik nga distanca. Mesfushori brazilian stopon topin dhe godet me të parën duke mposhtur portierin kundërshtar. U duk sikur do të shihnim një tjetër goleadë të miqve, por niveli i lojës ishte i dobët. Loja kryesisht përqendrohej në mesin e fushës, me Barça që bënte shumë pasime në prapavijë në pamundësi për të gjetur hapësira përpara. Bie në sy mungesa e Suarez, me Messi që luan në një rol më qendror. Pas pushimit ndodh çudia.

Leganes përmbys rezultatin brenda 68 sekondave duke befasuar botën e futbollit. Ishte El Zhar ai që barazon rezultatin, dhe pas një minute ishte gabimi trashanik i Gerard Pique që i dha mundësinë vendasve të kalonin në avantazh. Barcelona mundohet të reagojë por mundësitë për gol mungojnë. Lojtarët e Leganes luajnë me zemër dhe vetëm në 10 minutat e fundit miqtë arrijnë të rrezikojnë seriozisht portën e tyre. Në fillim ishte Coutinho, pastaj Rakitic, por goditjet e tyre priten mrekullisht nga portieri Cuellar. Barça mundohet të shmangë humbjen por e ka të kotë, Leganes merr një fitore që do ta mbajë mend përjetësisht.