26.8 C
Pristina
Wednesday, July 24, 2024

TABELA E ZEKATIT – Ramazan 2024 / 1445 h.

Më të lexuarat

TABELA E ZEKATIT – Ramazan 2024 / 1445 h.

…ata që dhanë zekatin i pret shpërblim i madh te Zoti i tyre...” el-Bekare: 277

Zekati në ari

Nisabi i zekatit në ari është 91 gram. Personi që posedon 91 gram ari e më shumë, duhet të japë 2.5% të arit apo kundërvlerës së tij.
Sot, vlera e një grami të arit është 64.57€, kur arrin kuotën në 91 gram, kap vlerën e 5,875€, atëherë nga kjo shumë e përgjithshme obligohet nxjerrja e zekatit 2.5%.

Zekati në argjend

Nisabi i zekatit në argjend është 700 gram. Kur arrin kuotën prej 700 gramëve, obligohet të ndajë 2.5% gramë argjend apo kundërvlerën e tij.

Zekati në vlera monetare

Edhe për valuta monetare për bazë merret ari, konkretisht çmimi i arit sipas berzës botërore. Çdo gjë që konsiderohet valutë, nëse e arrin nisabin, duhet të jepet zekat për të.

Nëse personi gjatë një viti ka pasur 5,875€, ai nga ajo shumë duhet të japë zekat 2.5%.

Zekati në mallra të tregtisë

Ky lloj përfshin: mjetet, veglat, rrobat, orenditë e ndryshme, gjërat ushqimore, tokat, makinat, ndërtesat etj. Me fjalë tjera: gjithçka e nxjerrur për shitje, që konsiderohet prej pasurisë së tundshme apo të patundshme, me kusht që të kalojë një vit (vlerësimi bëhet në fund të vitit), nxirret prej tij 2.5% nëse realisht arrihet nisabi (kuota e përcaktuar prej 5,875€).

Zekati në bagëti

1. Për dele, dhi e të ngjashme nëse janë më pak se 40 krerë, nuk ka zekat.

Nga 40-120 dele/dhi, jepet zekat një dele.
Nga 121-200, jepen zekat dy dele.
Nga 201-300, jepen zekat tri dele.
Nga 301-400, katër dele.
Nga 401-500, pesë dele.

(Shënim: Delja që jepet për zekat duhet të ketë mbushur një vit. Kur delet janë në numër të madh (mbi 200), në çdo 100 dele, jepet një dele zekat)

2. Për lopë, buall(ica) e të ngjashme nuk ka zekat nëse janë më pak se 30 krerë.

Nga 30-39 lopë-buall, jepet zekat një viç që ka mbushur një vit
Nga 40-59 jepet zekat një viç që ka mbushur dy vite.
Nga 60-69, dy viça njëvjeçarë.
Nga 70-79, një viç njëvjeçar dhe një viç dyvjeçar.
Nga 80-89, dy viça që kanë mbushur dy vjet.
Nga 90-99, tre viça që kanë mbushur nga një vit.

(Shënim: Për çdo 30 krerë jepet nga një viç që ka mbushur një vit, apo në çdo 40 krerë nga një viç që ka mbushur dy vjet)

Zekati për të mbjellat

Për të mbjellat (si gruri, misri, tërshëra, thekra, elbi e të ngjashme) nëse arrijnë masën prej 653 kg, atëherë sasia e zekatit prej tyre është 10% në rast se rendimentet e tilla janë ujitur nga shiu (ujitje natyrore), ndërsa në rast se ujiten artificialisht, atëherë sasia e zekatit të tyre është 5%.

 

TABELA E ZEKATIT – Ramazan 2024

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit