23 C
Pristina
Sunday, May 19, 2024

Skënderbeut dhe babanë ia quanin Ivan, Puto dhe Shmid: asgjë për t’u tmerruar!

Më të lexuarat

Nëna serbe e Skënderbeut “zbuluar” nga Mustafa Nano vijon të mbajë ende të ndezur një debat publik. Një ushtri e madhe patriotësh nuk mund ta pranojnë këtë fakt. Sipas tyre nuk ka gjasë që një shqiptar e bir shqiptari, siç ka qenë heroi ynë kombëtar, të ketë patur ndër deje edhe gjak sllav. Në raste të tilla, ofrimi i një të dhëne të ftohtë shkencore për ta konsideruar si normale këtë gjë, për një kohë më të tjera rrethana, të tjera kushte, të tjera kontekste, për gjaknxehtët nuk vlen.

Por ky nuk është i pari rast. Afro 10 vite më parë, do ishte Jens Oliver Shmid, një historian zviceran, që do i jepte një goditje historiografisë shqiptare më një tjetër Skënderbe të ofruar prej tij, në një vepër me të njëjtin titull, ku krahas vënies në dyshim të motiveve atdhetare të Gjergj Kastriotit në përballjen e tij me osmanët, shkruan se dhe të atin ja quanin Ivan, pra jo Gjon siç ne e kishim mësuar.

Por si mbrohet kjo e dhënë nga gjakftohtët e historibërjes, përfshirë dhe vetë Shmidin?

 

Artan Puto, një nga emrat e rinj në historiografinë shqiptare, një metodist tërësisht ndryshe në të shkruajturit e historisë, i pari që ka promovuar tezën e osmanëve jo-pushtues por sundues, sqaron se nuk ka asgjë për t’u alarmuar nga “Ivani” në biografinë e Skënderbeut.

“Emri Ivan i të atit nënkupton një përkatësi ortodokse, pra dyfishohet rreziku i serbizimit të Skënderbeut. Kjo tezë nuk qëndron sepse thjesht armiqësitë serbo-shqiptare të shekujve 19, 20 projektohen të kenë ekzistuar dhe në shek.15. libri thekson se kulturat dominuese në atë kohë në rajon ishin ajo latine dhe ajo sllavo-bizantine, gjë që reflektohet dhe tek emrat e njerëzve. Por lidhja e emrit të një sundimtari të shek.15 me përkatësinë e tij etnike është një arkaizëm. Të njëjtat fjalë mund të thuhen dhe për ta konvertuar Skënderbeun në grek, serb, maqedonas etj. Për një sundimtar të shek.15 nuk kishte rëndësi parimi etnik, por ruajtja e sundimit të vet dhe për këtë ai lidhte aleanca me sundimtarë të ndryshëm, sipas interesave, qofshin këta serbë, bullgarë, maqedonas etj.” – shkruan Puto.

 

Po ashtu, është dhe vetë Shmidi që jep një sqarim mbi Ivanin që u bë “i tmerrshëm” ndër shqiptarë me gjak të ndezur nacionalist, duke na u shfaqur si babai i Skënderbeut kuqezi.

“Në burimet mesjetare gjen një spektër të gjerë formash të ndryshme të emrit të pagëzimit të krishterë ‘Johannes’. Për këtë mjaft të hidhni një sy në regjistrat e taksave venedikase dhe veçanërisht ato osmane” emrat Gjin, Gjon, Jani, Jovan dhe Ivan i gjen në zonat nga Himara në Shkodër dhe në Rrafshin e Dukagjinit. Njerëzit regjistroheshin në versionin që u jepnin autoriteteve venedikase dhe osmane, të cilët nuk kishin interes të ndryshonin emrat personalë. Atyre nuk u interesonte etniciteti por taksat”, shkruan ndër të tjera Shimd, ku më tej si për t’i qetësuar gjakrat e nxehur të shqipeve që “jua ka bërë pis” Skënderbeun e shenjtë, ai shkruan: “Përsa i përket përcaktimit të identitetit unë kam përdorur letrat e vetë Skënderbeut – identiteti i tij politik është i qartë (zot i Shqipërisë) dhe në disa letra që ai i ka dërguar Venedikut dhe Papës e quan veten të krishterë”.

Pra, gjithçka po ndodh është një përplasje mes një forme të menduari mbi të djeshmen, gatuar më shumë me folklorizëm, me atë që e sheh të gatuar me shkencë. Vetë historia është shkencë, jo dhe aq e lehtë, dhe si të gjitha shkencat jo çdokush mund ta lëvrojë atë. Spartak Ngjela aq më pak. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit