25.1 C
Pristina
Saturday, June 15, 2024

Liria dhe vetëkontrolli, liberalizmi dhe besimi – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Ky shkrim, edhe pse është përgjithësues për konceptet që trajton, merr shkas nga një debat skajor, që lind shpesh mes besimtareve të mbuluara dhe shoqërisë liberale, që zgjedhjen e mbulesës e konsideron si skllavëri ndaj burrit apo normave sociale të Islamit. Shumë besimtarë e besimtare bien pre e këtij debati, duke u munduar të provojnë lirinë e tyre të zgjedhjes, ndërkohë që debati duhet zhvendosur tek koncepti modern liberal i lirisë, nga ku nis edhe problemi.

Shumica e njerëzve sot në botë, mes tyre edhe besimtarët, nuk e kuptojnë se ideologjia që mbizotëron sot në Perëndim dhe iu imponohet mbarë njerëzve, përmes 1001 formave të dukshme e të padukshme, është liberalizmi. Liberalizmi si pikëpamje mbi jetën dhe botën, e vë theksin tek liria individuale e çdo njeriu, qoftë kjo liri objektive, fizike dhe trupore, apo subjektive, mendore e emocionale. Aq e shenjtë dhe sublime është liria për këtë ideologji, sa praktikisht ajo është kthyer në një idhull, apo në një fe ekskluziviste që nuk pranon asnjë besim tjetër veç saj. Madje edhe pranimi i tjetrit që beson ndryshe nga kjo “fe”, bëhet vetëm në kuadër të zgjedhjes së lirë individuale. Pra, nëse dikush zgjedh të besojë në Islam, Krishterim, Komunizëm apo Paganizëm, dhe një femër zgjedh të mbulohet apo zbulohet, apo dikush tjetër t’i falet Zotit apo të mëkatojë, të gjitha këto duhet t’i bëjë duke qenë plotësisht i lirë në zgjedhjen e tij si individ, përndryshe, nëse ai ndjehet i imponuar nga familja, shoqëria apo ligji, liberalizmi e dënon këtë akt si sakrilegjin më të madh. Sipas kësaj pikëpamjeje, as familja, as shoqëria e as ligji nuk duhet t’i imponojnë individit bindjet dhe konceptin mbi jetën dhe veprimtarinë e tij. Ajo që duhet të flasë në fillim dhe në fund, dhe e vetmja që duhet të marrë vendimet, duhet të jetë vetëm ndërgjegjja individuale e çdo njeriu, e çliruar nga çdo kompleks mëkati dhe vetëkontrolli, sepse sipas kësaj ideologjie, njeriu nuk është as engjëll dhe as djall dhe mbart brenda vetes vetëm një qenie unike, që shprehet përmes dëshirave të tij më të thella. Ndaj dhe slogani primar i kësaj “feje” është: “Ji vetvetja, bëj atë që ndien”, përndryshe do të jesh hipokrit me veten dhe kjo do të të sjellë vuajtje dhe do të privojë nga lumturia. Me pak fjalë, kjo është fryma nga e cila karakterizohet gjithmonë e më shumë shoqëria njerëzore, sidomos brezi i ri, ndaj dhe parësore për shoqërinë e sotme është afirmimi i vetvetes, përmes shprehjes së ndjenjave dhe mungesës së vetëkontrollit dhe vetëcensurimit.

Kjo frymë shfaqet përmes himneve që i thuren lirisë së ndjenjave, përjetimeve dhe përvojave individuale të shprehura në të gjitha format e artit dhe shprehjes njerëzore, i cili e vë theksin pikërisht tek individi dhe ndjenjat e tij. Për liberalizmin, bota shihet përmes syve dhe ndjenjave të çdo individi, përmes egocentrizmit, përmes larmisë së pafund të frymorëve që ngrihen nga toka për të vështruar qiellin. Për këtë arsye, liberalizmi në teori nuk pranon të ketë një vizion unik për botën, për jetën, për njeriun, apo edhe për Krijuesin. Çdo njeri duhet të jetë i lirë, edhe brenda një përkatësie të caktuar identiteti, qoftë ky fetar apo ideologjik, kulturor apo social.

Por ndërkohë, mjafton të meditosh pak, për të kuptuar se e gjithë kjo lloj lirie është thjesht një iluzion dhe se ndërgjegjja e njeriut, që sipas liberalizmit duhet ta dirigjojë njeriun në jetë, nuk formësohet në zbrazëti. Atë e formojnë si karakteri i tij i lindur, ashtu edhe mjedisi i jashtëm, të cilët nuk janë aspak zgjedhje e lirë e individit. Kështu që duam apo nuk duam, në thelb, zgjedhjet e njeriut nuk janë plotësisht të lira dhe liria që trumbeton liberalizmi është thjesht një demagogji që besohet si e vërtetë. Kështu që në realitet, bota liberale me gjithë pretendimin e saj për bashkëjetesën e të kundërtave, e me gjithë pretendimin e saj për promovimin e multikulturalizmit, nuk bën gjë tjetër, vetëm se po e tret gjithmonë e më shumë diversitetin kulturor e fetar të bashkësive njerëzore në detin e modelit të saj liberalist, sepse kulturat, besimet dhe fetë nuk janë një panair gatimesh apo një bufe e hapur kulinare nga e gjithë bota, ku çdo ushqim ruan origjinalitetin e shijes së tij, apo përzierja mes tyre nuk është fatalitet, por ato kanë të bëjnë me parime dhe themele që shpesh bien ndesh me njëra-tjetrën. Por ndërkohë, kuzhina e botës moderne perëndimore praktikisht kërkon t’i gatuajë të gjitha kulturat dhe besimet në tenxheren e saj, me ujin dhe lëngun e saj, që nuk është aspak neutral, por përçon shijen e saj të liberalizmit dhe individualizmit në çdo kulturë, fe dhe besim.

E këtë nuk arrijnë ta kuptojnë edhe shumë besimtarë, të cilët pa e kuptuar i thurin lavde liberalizmit, edhe me terma e tekste fetare! Liberalizmi dhe konceptet e tij moderne iu kanë hyrë aq shumë në gjak njerëzve, saqë shpesh, edhe ata që kritikojnë modernitetin dhe ndikimin e tij mbi fenë dhe kulturën, alternativa që japin, nuk është vetë tradita të cilës i thurin lavde, por vetë moderniteti liberal nën petkun e pretendimit të traditës.

Përkundrejt kësaj pikëpamjeje moderne, feja i mëson njeriut vetëkontrollin, sepse ai në themel është një qenie dyjare, që mbart brenda vetes edhe engjëllin edhe djallin, edhe pse në thelb nuk është asnjëri prej tyre. Dhe liria që Krijuesi i ka dhënë është pikërisht tek zgjedhja mes këtyre dy natyrave të ndryshme, që shpesh luftojnë brenda tij. Kështu që ideali më i lartë i një besimtari është pikërisht devocioni ndaj Krijuesit, sepse vetëm kështu njeriu mund të kontrollojë më së miri ligësinë që ndillet brenda tij dhe t’i hapë rrugë engjëllit të kthehet në karakterin e tij dominues.

Kështu që nëse i lirë quhesh kur zgjedh të ndjekësh ndjenjat dhe të mos i kufizosh ato, po kështu i lirë je, edhe kur zgjedh vetëkontrollin. E nëse nuk je i lirë kur zgjedh vetëkontrollin dhe ndrydh ndjenjat e brendshme individuale, atëherë nuk je i lirë as kur zgjedh t’i çlirosh ato, sepse në të dyja rastet, nuk je ti ai që i krijon zgjedhjet, por vetëm ai që vendos se cilën prej tyre do të marrësh.

Kur Allahu i ofroi Profetit të zgjidhte të ishte Profet Mbret apo Profet Rob, ai me modesti zgjodhi të ishte Profet Rob. Fjala rob në shqip korrespondon me fjalën abd në arabisht, që në një përkthim pak më të qartë do të thotë skllav. Zoti e ka lëvduar Profetin tonë pikërisht për shkak të kësaj cilësie, që ai ishte rob/skllav i Allahut (Abdullah), ndërkohë që kundërshtarët e tij dënohen, sepse ishin robër/skllevër të idhujve dhe idhull është çdokush tjetër veç Krijuesit. Mes këtyre idhujve qëndron edhe egoja individuale njerëzore, kështu që njeriu mund të jetë rob/skllav edhe i egos, apo tekave dhe dëshirave të tij. Kështu që në thelb, çdo njeri vjen në këtë jetë duke qenë skllav, dhe liria e këtij skllavi qëndron vetëm tek zgjedhja, se skllavi i kujt do të jesh? A do t’i përulesh e nënshtrohesh të Përjetshmit, Atij që zotëron dijen dhe fuqinë absolute e krijuese të gjithësisë, apo do t’i përulesh e nënshtrohesh një skllavi vdekatar, të paditur dhe të dobët si ti?

Njeriu çlirohet nga makthi i skllavërisë, pikërisht kur e kupton se është skllav, ndërkohë që skllevërit e tjerë jetojnë me iluzionin e lirisë pa e kuptuar. Dhe siç thuhet se Gëte ka thënë: “Nuk ka skllavëri më të pashpresë, se skllavëria e atyre skllevërve që e konsiderojnë veten të lirë nga prangat.”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit