2 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Si e konsideron feja islame surrogacinë?

Më të lexuarat

Pyetje: Surrogacia konsiderohet zina apo është e ndaluar për shkaqe të tjera?

Përgjigje: Surrogacia është një procedurë e riprodhimit mjekësor të asistuar, ku konceptimi “in vitro” i një çifti, që nuk mundet të bëjë fëmijë, lindet nga një femër tjetër, e cila quhet nëna zëvendësuese. Pra nëna zëvendësuese (surrogate) mbetet shtatzënë nëpërmjet një embrioni të krijuar me fertilizim invitro, dhe mban në uterusin e saj deri në lindje një fetus për llogari të një çifti tjetër, i cili e ka të pamundur të lindë fëmijë në rrugë normale.

Kjo nuk mund të quhet zina e vërtetë sepse nuk konsiderohet marrëdhënie seksuale e mirëfilltë, mirëpo ajo është e ndaluar gjithsesi për shumë arsye të tjera.

Dëshira për t’i ardhur në ndihmë një çifti tjetër që nuk mundet të bëjë fëmijë, nuk mund të përdorë një femër tjetër e cila duhet të ruajë dinjitetin njerëzor individual, familjar dhe shoqëror. Pra për përmbushjen e dëshirave të të tjerëve të prishet dinjiteti, rendi familjar dhe shoqëror duke përdorur një femër tjetër si vegël është e papranueshme.

Nuk lejohet që një femër (si nënë biologjike e vërtetë) të përdoret për riprodhim për një femër tjetër e cila nuk ka asnjë lidhje me fëmijën. Pra një nënë biologjike të përdoret për një nënë tjetër jo biologjike.

Vetë emri; nënë zëvendësuese (surrogate), është e mjaftueshme për të kuptuar që këto praktika riprodhuese nuk janë të rregullta dhe morale. Nuk ka si të jetë morale kur sperma e babait vendoset në një mitër të një femre të huaj me të cilën nuk është i martuar. Andaj fëmija i lindur në këto kushte, edhe pse jo nëpërmjet zinasë në formë të drejtpërdrejtë, ai konsiderohet fëmijë jashtë martese.

Në rastin kur nëna zëvendësuese (surrogate) përdoret me pagesë është akoma më e rëndë, sepse kjo nënë biologjike po shet fëmijën e saj për një femër tjetër e cila nuk ka asnjë lidhje biologjike me fëmijën.

Si do të reagojë fëmija kur të rritet dhe të marrë vesh se nëna biologjike është tjetër dhe nëna që e ka rritur nuk ka asnjë lidhje biologjike me të? Nëse do t’i mbahet fshehur ky fakt i është bërë padrejtësi duke ia mohuar amësinë. Nëse do t’i tregohet e vërteta dhe ai dëshiron të ruajë kontaktet dhe të lidhet me nënën e vërtetë do krijojë çrregullime familjare me prindërit që për lindjen e fëmijës nëna biologjike ishte thjesht një vegël, ose ndikimi familjar do bënte që djali mos të kishte asnjë interes për nënën biolgjike që është përdorur thjesht si vegël, gjë e cila çon në mohimin e amësisë ose shpërfilljen e saj nga vetë djali ose vajza. Të gjitha këto të çojnë jo vetëm për të kuptuar se kjo gjë është krejtësisht e ndaluar fetarisht, por njëkohësisht ndikojnë për të prishur rendin e vërtetë familjar dhe shoqëror.

Edhe në rastin kur fekondimi bëhet nga qelizat vezë të gruas që do të jetë nënë, me spermatozoidet e burrit që do të jetë babai, duke i vendosur në mitrën e nënës zëvendësuese nuk lejohet dhe nuk është morale për shumicën e arsyeve që përmendëm më sipër. Gjithashtu si mund të jetë morale kur nëna e cila e mban fëmijën nëntë muaj në barkun e saj për të kaluar fëmija në të gjitha etapat e krijimit dhe formimit, duke u ushqyer me të dhe duke marë gjithçka prej saj, të quhet nënë zëvendësuese, e cila pas lindjes nuk duhet të ketë më lidhje dhe të drejta për fëmijën? Dhe cila do konsiderohet nëna e vërtetë, ajo që dha qelizën vezore apo ajo që e mbajti nëntë muaj në barkun e saj duke dhënë prej gjakut, mineraleve ushqyese e deri të kalciumi i kockave të saj? Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: “E mandej, pikën e farës e bëmë droçkë gjaku, pastaj e bëmë copëz mishi pa formë, mandej me atë mish bëmë eshtrat, pastaj i veshëm eshtrat me mish dhe pastaj e bëmë krijesë tjetër (duke ia futur shpirtin). I lartësuar është Allahu, Krijuesi më i përsosur.” Surja el-Mu’minun 14.

Pra edhe shpirti futet te fëmija pikërisht në barkun e nënës zëvendësuese kur ai kalon fazat e formimit pas 120 ditëve siç përmendet në hadithin e Abdullah ibn Mes’udit transmetuar nga Buhariu nr 3208 dhe Muslimi nr 2643.

Në një ajet tjetër Kuranor thuhet: “Ne e kemi urdhëruar njeriun që t’i nderojë prindërit e vet. Nëna e ka mbartur atë, duke duruar mundim pas mundimi, e ndarja e tij (nga gjiri) është brenda dy vitesh. Ne i thamë atij: “Bëhu falënderues ndaj Meje dhe prindërve të tu!” Surja Lukman 14.

Për kë do të jetë fëmija falënderues, respektues dhe me cilën meriton të ketë marrëdhënie trashëgimie, me nënën që dha vetëm qelizën vezore apo me atë që u krijua, u formësua dhe iu fut shpirti në barkun e saj, duke hequr mundim pas mundimi deri në lindje? Pra në të gjitha këndvështrimet ky mund të quhet një krim njerëzor dhe një çrregullim e shkatërrim i institucionit familjar, pa futur këtu abuzimet për shkaqe përfitimi që ky proces u hap derën.

Nga sa thamë më sipër këshillojmë dhe mjekët gjithashtu të mos ofrojnë shërbime të tilla të cilat janë të ndaluara dhe për ata.

Për fekondime të tilla të palejuara janë mbajtur sesione të ndryshme shkencore, nga të cilat Akademia e Fikhut Islam ka dalë me vendime të qarta për ndalimin e tyre fetarisht, sic është dhe Rezoluta (Nr. “4” D 3/07/86) e Akademisë së Fikhut Islam të mbajtur në sesionin e tretë të konferencës në Aman, kryeqyteti i Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, nga 8 deri më 13 Safar 1407 Hixhri, që përkon me 11 deri më 16 Tetor të vitit 1986.

Për më tepër shih fetvanë e publikuar më parë nëpërmjet linkut të mëposhtëm.

A lejohet fekondimi artificial – in vitro?

Allahu e di më së miri!

/Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH/

The post Si e konsideron feja islame surrogacinë? appeared first on Pyetje dhe përgjigje nga feja islame.

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit