17.4 C
Pristina
Thursday, May 2, 2024

Shëndeti dhe Ramazani

Më të lexuarat

Lavdërimi i takon Allahut për mirësitë e Tij. Falënderimi i takon Atij për suksesin dhe mirënjohjen. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin për Pejgamberin tonë të dashur, Muhamedin, familjen, shokët e tij si dhe për të gjithë ata që ndjekin rrugën dhe traditën e tij.

Më lart kemi folur rreth disa mësimeve të Ramazanit, ndërsa në vijim do të ndalemi me një mësim prej këtyre mësimeve madhore, të përfitojmë nga ky muaj plot urtësi dhe fshehtësi.

Po, vëllezër të nderuar!

Muslimanit i mjafton në nxitjen për agjërimin dhe bindje të tjera ti thuhet atij: Allahu të ka urdhëruar me agjërim, duke mos i numëruar dobitë dhe urtësitë e tij, për faktin se nga muslimani kërkohet nënshtrimi dhe përulja e plotë ndaj Allahut të Lartësuar. Megjithëkëtë, Allahu i Lartësuar na ka mësuar fshehtësinë e shumë adhurimeve dhe urtësinë e tyre, me qëllim që të ndalemi tek ato, duke medituar, vepruar e perceptuar se ky legjislacion hyjnor është i ngritur mbi një bazë, e cila i realizon interesat e njerëzve dhe i largon prej tyre dëmet. Për këtë shkak, gjejmë se Allahu i Madhërishëm në shumicën e ajeteve që shpjegojnë dispozitat, ato i pason me përmendjen e urtësisë së tyre. Kësisoj, kur i urdhëron besimtarët me ruajtjen e shikimeve të tyre, i paralajmëron në dobinë e kësaj, duke thënë:

“Kjo është më e pastër për ta!” (Nur, 30)

Duke u bazuar mbi këtë, hulumtuesi i kujdesshëm në agjërim gjen se ndër urtësitë e tij madhore është: ruajtja e trupit dhe e shëndetit. Në vijim do të ndalemi me disa prej ndikimeve shëndetësore të agjërimit:

Ndalesa e parë:

Në disa transmetime nga Pejgamberi i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, sipas asaj që shënon Imam Ahmedi nga Ebu Hurejra, kënaqësia e Allahut qoftë me të, është transmetuar se Pejgamberi ka thënë:

“Udhëtoni do të fitoni, agjëroni do të jeni të shëndoshë, luftoni do të zini plaçkë lufte.”[1]

Ky hadith, edhe pse në zinxhirin e tij të transmetuesve ka dobësi, veçse domethënia e tij është e drejtë. Ibën Kajimi ka potencuar vërtetësinë e kësaj si dhe ka shpjeguar disa gjurmë shëndetësore të agjërimit duke thënë: “Agjërimi ka ndikim të habitshëm në ruajtjen e gjymtyrëve të jashtme dhe forcave të brendshme, në mbrojtjen e organizmit nga dëmet që i vijnë si pasojë e përzierjes së lëndëve të ndryshme të dëmshme, të cilat në një moment mund të mbizotërojnë organizmin dhe ta shkatërrojnë atë. Agjërimi mundëson zbrazjen e këtyre lëndëve si dhe lëndëve të padobishme që pengojnë një shëndet normal. Agjërimi mbron shëndetin e zemrës dhe të gjymtyrëve, u rikthen atyre atë çfarë ishte e rrëmbyer nga epshet dhe tekat, ndaj agjërimi është ndihmësi më i mirë për devotshmëri siç ka thënë i Lartësuari: “O ju të cilët keni besuar u është bërë obligim agjërimi ashtu siç ishte për ata para jush ashtu që të jeni të devotshëm.” (Bekare, 183), ndërsa i Dërguari i Allahut thotë: “Agjërimi është mburojë.”[2], dhe i orientonte të rinjtë, të cilët ndjenjë epsh dhe nuk i kanë mundësitë për t’u martuar që të agjërojnë ashtu që t’u shërbejë agjërimi si mburojë”[3] përfundon fjala e tij.

Ndalesa e dytë:

Nëseshikojmë me vëmendje në legjislacionin islam vërejmë se ai ka vënë për muslimanin një metodologji të përsosur në bashkëveprimin e tij me trupin e tij, dhe këtu po përmend diçka nga karakteristikat e kësaj metodologjie:

Së pari: S’ka dyshim se shëndeti është prej dhuntive të Allahut të Lartësuar, ku shumica e njerëzve neglizhojnë lidhur me këtë dhunti, nuk e shfrytëzojnë në atë që u sjell dobi dhe përfitim. Për këtë shkak, në hadithin e saktë thuhet:

“Në dy begati shumica e njerëzve janë mashtruar, në shëndet dhe në kohën e lirë.”[4]

Gjithashtu ka ardhur edhe inkurajimi se lutja më e vlefshme është: Të kërkuarit Allahut faljen, shëndetin e mirë dhe shërimin në këtë botë dhe në botën tjetër. Shënon Tirmidhiu dhe të tjerët nga Enesi, kënaqësia e Allahut qoftë me të, se një burrë erdhi te Pejgamberi dhe i tha:

O i Dërguar i Allahut, cila është lutja më e vlefshme? Ai i tha: “Lute Zotin tënd për falje, shëndet të mirë dhe shpëtim në këtë botë dhe në botën tjetër” Më pas i erdhi ditën e dytë dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut, cila është lutja më e vlefshme? Ai i tha njëjtë, më pas i erdhi në ditën e tretë dhe i tha të njëjtën gjë, kurse Pejgamberi i tha: “Nëse të jepet shëndeti i mirë në këtë botë dhe të jepet në botën tjetër, ke shpëtuar.”[5]

Shëndeti i mirë në këtë botë konsiderohet gjëja më e shtrenjtë që mund ta kërkojë dhe shpresojë njeriu. Prej gjërave që e shtojnë shëndetin është agjërimi, sepse me të ruhen gjymtyrët e jashtme dhe të brendshme.

Së dyti: Pa dyshim se njeriu në këtë botë i ekspozohet sprovimit të Allahut të Lartësuar dhe në varësi të imanit të njeriut bëhet edhe sprovimi i tij. Sëmundjet me llojet e ndryshme konsiderohen prej formave të sprovimit, ndërsa Islami na ka mësuar rrugë të shumta për t’u mbrojtur dhe parandaluar nga ato sëmundje, ndër më të rëndësishmet janë:

1) – Pastërtia e vazhdueshme e trupit nga aspekti i jashtëm dhe i brendshëm, pastërtia e shtëpive, xhamive dhe e rrugëve, ashtu siç pastërtia e brendshme nga mëkatet konsiderohet mbrojtje e madhe nga sëmundjet lëndore dhe ato shpirtërore. Në hadithin që e shënon Hakimi dhe të tjerët, transmetohet se i Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë:

Nuk është përhapur imoraliteti në ndonjë popull derisa ta shfaqin hapur, e të mos përhapen në mesin e tyre murtaja (sëmundjet ngjitëse) dhe sëmundje të tjera, të cilat nuk kanë ekzistuar te të parët e tyre.[6]

Sa e sa sëmundje përhapen për shkak të kundërshtimit të ligjit të Allahut dhe kryerjes së ndalesave të Tij? Sa e sa lloje të fatkeqësive kanë ndodhur për shkak të përzierjes së dy gjinive me përzierje të paligjshme?

2) – Prej formave të parandalimit: Kujdesi ndaj ushqimit dhe pijes, në krye të tyre, ato të jenë të lejuara, të mos jenë të dëmshme për trupin dhe mendjen. Me këtë rast i drejtoj një thirrje të sinqertë atyre që i ka sprovuar Allahu i Lartësuar me konsumimin e drogës ose pijeve dehëse e të ngjashme me ato si duhani, sa për ilustrim, dhe këtë e kanë bërë zakon dhe janë pasionuar pas tyre, u drejtoj atyre një thirrje me rastin e këtij muaji fisnik që të orvaten seriozisht të largohen nga këto gjëra të ndaluara, duke shfrytëzuar këtë muaj të bekuar, i cili i obligon ata me thyerjen e epshit të vetvetes, duke shfrytëzuar kohët e pranimit të lutjes, t’i ngrenë duart e tyre e ta lusin Allahun e Lartësuar që t’i shërojë nga ajo që i ka sprovuar me të. Allahu i Madhërishëm i përgjigjet lutjes së nevojtarit të këputur kur i lutet. Ua drejtoj thirrjen e sinqertë që të tregojnë dhembshuri ndaj vetvetes, ndaj trupit, pasurisë, nderit dhe ndaj fëmijëve të tyre. Rrezikshmëria e këtyre gjërave është jashtëzakonisht e madhe dhe dëmi i tyre përhapet gjithkund.

Muslimanë të nderuar! Prej formave të parandalimit gjithashtu është edhe: Mesatarja gjatë të ushqyerit dhe pijes. Është transmetuar nga i Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, se ai ka thënë:

“Ena më e keqe që e mbush njeriu është stomaku i tij.”[7], gjithashtu:

“Ruhuni nga ngopja, sepse ajo prish fenë, trashëgon sëmundje dhe është motiv i përtacisë në adhurim.”[8], gjithashtu fjalët e tij:

“Kur të pijë ndokush mos të fryj në enë.”[9] dhe argumente të tjera të shumta, që nuk lejon hapësira për t’i përmendur.

3) – Metodologjia shëndetësore e Islamit: Imani i plotë se ajo që i ka ndodhur njeriut, sëmundjet e të ngjashme me to, pas marrjes së shkaqeve, është përcaktim nga Allahu i Lartësuar dhe këtë sëmundje nuk e largon veçse Allahu i Madhërishëm. Nëse e përballë këtë sëmundje me këtë besim, sëmundja e tij shndërrohet në kompensim dhe shpërblim për të. Shënon Buhariu dhe Muslimi nga Abdullah bin Mes’udi, kënaqësia e Allahut qoftë me të, se Pejgamberi ka thënë:

“Çdo musliman që e godet ndonjë e keqe, si sëmundja e të ngjashme me të, Allahu me të do t’i pastrojë gjynahet, ashtu sikurse lëshon pema fletët e saj.”[10]

Gjithashtu Muslimi shënon nga i Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, se ai ka thënë:

Çudi me besimtarin! E tërë puna e tij është e mirë (hajr), dhe kjo veti nuk është përveç se për besimtarin, nëse e godet ndonjë e mirë, e falënderon Allahun, e nëse e godet ndonjë e keqe, duron dhe kjo është në të mirën e tij.[11]

Megjithëkëtë Allahu na ka urdhëruar në marrjen e shkaqeve para goditjes së sëmundjes me parandalimin e saj, ndërsa pas goditjes së saj me shërim me atë që na ka lejuar Allahu i Madhërishëm për ne. Imam Muslimi shënon nga Xhabiri, kënaqësia e Allahut qoftë me të, se i Dërguari i Allahut ka thënë:

Për çdo sëmundje ka ilaç, e nëse gjendet ai ilaç, me lejen e Allahut, sëmundja do të shërohet.”[12]

Argumentet në këtë kontekst janë të shumta, ndërsa prej formave më të rëndësishme të shërimit para sëmundjes dhe pas saj është agjërimi i detyrueshëm (farz) dhe ai vullnetar (nafile). Allahut i përket Urtësia e Madhe. Ai është i Gjithëdijshmi dhe i Urti.

Muslimanë të nderuar!

Në kulmin e përfundimit të muajit tonë, duhet të shikojmë me vëmendje në gjëra të tilla, me qëllim që të forcohet imani ynë dhe lidhja jonë me Zotin e Lartësuar. Të jetojmë këtë jetë me vendosmëri dhe sinqeritet duke u kapur për fenë tonë. E lus Allahun e Madhërishëm të na furnizojë faljen, shërimin dhe shëndetin e mirë gjithnjë në këtë botë dhe në tjetrën. Ai është Dëgjuesi, Pranuesi i Lutjeve, Atij i kërkohet ndihma.

Autor: Dr. Falih Muhamed es-Sugajr

Përgatiti: Almedin Ejupi

/Krenaria.com/


[1] Shënon Ahmedi në Musned, 3/380.

[2] Shënon Buhariu me Fet’hul Bari, 4/118 nr. 1904. Muslimi 2/806 nr. 1151.

[3] Shprehja e hadithit është:O ju të rinj! Kushdo prej jush që ka mundësi për martesë, le të martohet, sepse kjo është mënyra më e mirë për uljen e shikimit dhe mënyra më e mirë për mbajtjen e dëlirësisë. Ndërsa kush nuk ka mundësi të martohet, atëherë le të agjërojë, sepse agjërimi është ndrydhës (i epshit). Shënon Buhariu me Fet’h, 9/106 nr. 5065. Muslimi 2/1018 nr. 1400.

[4] Shënon Buhariu 11/229 nr. 6412.

[5] Shënon Tirmidhiu, 5/499 nr. 53120, Kapitulli nr. 85. Ibën Maxhe, 2/1265 nr. 3848.

[6] Ibën Maxhe, 2/1332, nr. 4019. Hakimi, 4/540.

[7] Tirmidhiu, 4/510 nr. 2380. Ahmedi 4/132. Ibën Maxhe nr. 3349.

[8] Shënon Ibën Hibani, 2/35.

[9] Buhariu 1/253, nr. 153. Muslimi 1/225 nr. 267.

[10] Buhariu, 10/120 nr. 5659. Muslimi 4/1991 nr. 2571.

[11] Muslimi, 4/2295 nr. 2990.

[12] Buhariu me Fet’h ul Bari, 10/134 , nr. 5678. Muslimi 4/1728, nr. 2203.

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit