12.2 C
Pristina
Thursday, May 16, 2024

SHBA dënon dhunën por jo edhe qeverinë e Mianmarit

Më të lexuarat

Departamenti Amerikan i Shtetit të mërkurën denoncoi dhunën kundër civilëve Rohingya në shtetin e Arakanit, megjithatë nuk e dënoi drejtpërdrejt qeverinë e Mianmarit

WASHINGTON (AA) – Departamenti Amerikan i Shtetit të mërkurën denoncoi dhunën kundër civilëve Rohingya në shtetin e Arakanit, megjithatë nuk e dënoi drejtpërdrejt qeverinë e Mianmarit, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne kemi parë sigurisht abuzime dhe shkelje të përsëritura të të drejtave të njeriut nga ana e forcave të sigurisë dhe civilëve. Ato kanë qenë shqetësuese”, u tha gazetarëve në një konferencë për media zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Heather Nauert. “Ne jemi të mërzitur nga ajo që po ndodh”, shtoi ajo.

Nauert tha se qeveria Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka zhvilluar shumë biseda me qeverinë e Mianmarit të cilat do të vazhdojë edhe më tej, duke shtuar se SHBA-të do të vazhdojnë ta vëzhgojnë situatën nga “shumë afër”.

Në përgjigje të një pyetjeje nëse Departamenti i Shtetit e konsideron atë që ka ndodhur në rajon si genocid, Nauert tha: “Unë nuk do ta karakterizoj në atë mënyrë. Ne po zhvillojmë shumë diskutime në shumë nivele me qeverinë. Kështu që unë nuk do të përpiqem t’i tejkaloj ato biseda private diplomatike”.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, të mërkurën i bëri thirrje Mianmarit të ndalojë operacionet ushtarake dhe përndjekjet kundër muslimanëve Rohingya në Arakan, duke thënë se dhuna e vazhdueshme nga forcat e sigurisë kundër pakicës muslimane është “krejtësisht e papranueshme dhe katastrofike”.

E pyetur pse qeveria amerikane nuk e ka dënuar ende qeverinë e Mianmarit, Nauert tha se ka raportime për vrasje jashtëgjyqësore, dhunë seksuale, fshatra të djegura të muslimanëve nga forcat e sigurisë dhe gjithashtu nga civilë jashtë komunitetit Rohingya. Ajo shtoi se Departamenti e ka dënuar dhunën në të gjitha nivelet dhe se ky denoncim nuk do të mund të ishte më i fortë se kjo.

Ndryshe, që nga 25 gushti, më shumë se 370 mijë muslimanë Rohingya janë arratisur në Bangladesh nga shteti perëndimor Arakan i Mianmarit, ka njoftuar OKB-ja.

Refugjatët janë duke ikur nga një operacion i ri i sigurisë në të cilin ata kanë thënë se forcat e sigurisë dhe turmat budiste kanë vrarë meshkuj, gra dhe fëmijë, kanë plaçkitur shtëpitë dhe kanë djegur fshatrat e muslimanëve Rohingya.

Sipas qeverisë së Bangladeshit, rreth tre mijë Rohingya janë vrarë nga sulmet e ushtrisë dhe budistëve radikalë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit