Jo të gjitha arritjet në sektorin ekonomik, që i përmend Qeveria e Kosovës, shihen si reale dhe si rezultat i punës së saj.
Një prej të arriturave të pretenduara, ku hidhen dyshime, është rritja e eksportit si rezultat i politikave qeveritare.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për periudhën janar-gusht 2022, eksporti i produkteve “Made in Kosova”, apo të bëra në Kosovë, ka arritur vlerën e mbi 600 milionë eurove.
Në vitin 2019, për shembull, kjo vlerë ka qenë afër 400 milionë euro.
Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili ka marrë detyrën në fund të marsit të vitit të kaluar, rritja e eksporteve është rezultat i “politikave të duhura” dhe “qeverisjes së mirë”.
“Me Qeverinë tonë, eksportet në këtë periudhë janë rritur trefish më shpejt, në krahasim me vitet kur kanë udhëhequr qeveritë e kaluara”, ka thënë Kurti gjatë një prezantimi më 8 tetor.
Kompania “Frutex” nga Suhareka, e cila merret me prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjike, është prej atyre që kanë shënuar rritje në eksport.
Pronari Shaqir Palushi thotë se rritja ka qenë mbi 20 për qind këtë vit, krahasuar me vitin e kaluar.
Megjithatë, ai ia atribuon suksesin, siç thotë, angazhimit që është bërë brenda kompanisë. Nga Qeveria, përkatësisht Ministria e Tregtisë, thotë se është ndihmuar për pjesëmarrje në panairet ndërkombëtare, por kjo, sipas tij, nuk është e mjaftueshme.
“Për të ndihmuar në rritjen e eksportit, Qeveria duhet të subvencionojë pjesën e tatimit në fitim për vlerën e eksportuar. Kjo do të na ndihmonte që të jemi edhe konkurrentë në tregun e jashtëm”, thotë Palushi për Radion Evropa e Lirë.
Kosova eksporton më së shumti mallra të përpunuara dhe destinacionet e saj kryesore janë vendet fqinje dhe ato të Bashkimit Evropian.
Së voni, ka pasur rritje të konsiderueshme të eksportit edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas të dhënave të ASK-së, eksporti i Kosovës në SHBA ka arritur në mbi 120 milionë euro në vitin 2021, nga 2.3 milionë euro sa ka qenë në vitin 2019.
Sipas Odës Ekonomike Amerikane në Prishtinë, kjo ka ndodhur pasi eksportuesit nga Kosova kanë nisur ta shfrytëzojnë të ashtuquajturin Sistem i Përgjithësuar i Preferencave (GSP).
Ky sistem, pjesë e të cilit Kosova është nga viti 2012, mundëson eksportimin e mbi 3.000 produkteve nga Kosova pa iu nënshtruar detyrimeve doganore në SHBA.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se Qeveria nuk mund të thotë se ka ndërmarrë ndonjë masë apo politikë të caktuar që ka ndikuar në performancën e eksportit.
“Suksesi për rritje të eksportit u takon kompanive private dhe performancës së tyre”, ka shkruar Rukiqi në llogarinë e tij në Facebook më 8 tetor.
Kurti: Pesëmbëdhjetë mijë vende të reja pune
Për kryeministrin Kurti, një arritje tjetër e Qeverisë së tij është rritja e punësimit. Nga janari deri në gusht të këtij viti janë hapur mbi 15 mijë vende të reja pune, sipas tij.
Të dhënat e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), dërguar Radios Evropa e Lirë, flasin po ashtu për rritje.
Sipas tyre, numri i të punësuarve në Kosovë në periudhën janar-korrik të vitit 2022 ka qenë 387.565, krahasuar me 369.540 në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Pothuajse të njëjtat të dhëna për numrin e kontribut-paguesve jepen edhe nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës.
Por, sipas përfaqësuesve të Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, shtim të numrit të punëtorëve në Kosovë nuk ka pasur.
“Ata punëtorë që thuhet se janë punësuar këtë vit, kanë qenë duke punuar… vetëm se kompanitë i kanë regjistruar në Administratën Tatimore të Kosovës. Janë formalizuar për shkak të subvencioneve që kompanitë kanë marrë nga shteti”, thotë për Radion Evropa e Lirë Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat.
Qeveria e Kosovës, vitin e kaluar, ka miratuar një pako prej 420 milionë eurosh për, siç është thënë, rimëkëmbje ekonomike, pas pasojave që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit.
Nga kjo pako, Qeveria ka ndarë disa herë mjete për t’i subvencionuar bizneset.
Gushtin e kaluar, ajo ka ndarë 150 milionë euro për rikthimin në punë të disa punëtorëve që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë.
Përmes ndihmës për bizneset, synim i Qeverisë ka qenë edhe të rrisë formalizimin e punëtorëve.
Për këtë qëllim, edhe Administrata Tatimore e Kosovës, vitin e kaluar, ka nisur projektin e ashtuquajtur “Punësimi joformal 2021-2022”.
Në kuadër të tij, ATK-ja ka kryer disa aktivitete për identifikimin e personave që nuk i përmbushin detyrimet për regjistrimin e punëtorëve.
ATK bën të ditur për Radion Evropa e Lirë se numri i punëtorëve të formalizuar në këtë periudhë – që do të thotë se paguajnë kontribute dhe tatime – ka arritur në 4.413.
Parashikimet për rritje ekonomike
Nxitur kryesisht nga eksportet dhe investimet, Qeveria e Kosovës ka parashikuar rritje ekonomike për vitin 2022 nga 4.5 deri në 5.7 për qind.
Sipas një deklarate të mëhershme të ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve të Kosovës, Hekuran Murati, rritja reale ekonomike do të arrijë në 5.7 për qind këtë vit.
Ky parashikim është më i lartë se ai i mekanizmave financiarë ndërkombëtarë.
Në një raport të publikuar më 4 tetor, Banka Botërore ka parashikuar rritje ekonomike për Kosovën deri në 3.01 për qind.
Në vitin 2021, rritja ekonomike në Kosovë ka qenë 10 për qind, krahasuar me 5.3 për qind në vitin 2020.
Megjithatë, dinamikat pozitive që kanë karakterizuar edhe ekonominë globale në vitin 2021, pas përmirësimit të gjendjes pandemike dhe rihapjes së ekonomive, janë përmbysur në muajt e parë të vitit 2022, kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës.
Lufta mes dy vendeve – të dyja ndër eksportueset kryesore të drithërave dhe produkteve të tjera – ka shkaktuar çrregullime të mëdha në tregje dhe rritje të inflacionit.
Në Kosovë, sipas Agjencisë së Statistikave, inflacioni në muajin shtator ka arritur në 12.7 për qind, krahasuar me 0.2 për qind sa ka qenë në shtator të vitit të kaluar.
Sipas raportit të Bankës Botërore, presioni nga rritja e inflacionit pritet të ulë fuqinë blerëse dhe të ngadalësojë rritjen e konsumit privat.
Banka Qendrore e Kosovës (BQK), në një raport të publikuar në gusht, ka vlerësuar po ashtu se lufta në Ukrainë, përveç se ka ndërprerë trendin e rritjes ekonomike, ka rritur konsiderueshëm rreziqet e përgjithshme ndaj stabilitetit financiar.
Sipas BQK-së, shkalla e lartë e inflacionit është duke ndikuar në rënien e fuqisë blerëse të familjeve, me theks të veçantë të atyre me të ardhura më të ulëta. /REL/