Qëndrimi i LHSH për lëndën e fesë nëpër shkollat publike

0
87

Të nderuar besimtarë!

Këto ditë në Kuvendin e Shqiperise është diskutuar projektligji “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë” ku ndër të tjera është diskutuar edhe mundësia e futjes së ndonje lënde me karakter të informimi rreth fesë dhe besimeve fetare. 

Eshte e çuditshme, por jo e paimagjinueshme, që shteti ynë i cili përgjithsisht nuk ka treguar lartësinë e duhur në trajtimin e çështjeve me ndjeshmëri fetare, sidomos kur bëhet fjalë për sa i përket muslimamanëve, të duket kaq i interesuar për futjen e një lënde të tillë!

Duke u nisur nga praktika dhe historia e këtyre njëzet viteve të mardhënieve të këtij shteti me besimet fetare në përgjithësi dhe komunitetin musliman në veçanti, ne kemi të drejtë të dyshojmë se kjo nismë mbart në vetevete prapaskena që kanë të bëjnë me agjendën tashmë të dukshme prej vitesh të qarqeve të caktuar për zhbërjen e pjesës së identitetit islam të shqiptarëve të këtij trualli.

Ndërkohë që shteti shqiptar me gjithe kërkesat e vazhdueshme të muslimanëve nuk nxjerr një ligj të qartë që të sanksionojë të drejtën për mbajtjen e shamisë nëpër shkolla, por e lë atë evazive duke e lënë të lirë në interpretimin praktik të drejtueseve të shkollave, sot bëhet flamurtar i futjes së një ligji që do lejojë mësime dhe njohuri rreth besimeve fetare nëpër shkolla!

Duke parë gjendjen tonë si muslimanë dhe mungesën e një vizioni të qartë rreth këtij problemi, që pasqyrohet -për fat të keq- mjaft qartë edhe nga diskutanti që përfaqësonte muslimanët në këtë diskutim, si dhe nga mungesa e kuadrove, kurrikulave, propozimeve konkrete dhe të gjitha mjeteve të nevojshme për t’iu përgjigjur kësaj sfide, është më e sinqertë nga ano jonë dhe më e realiste që të mos i bëjmë fresk kësaj inciative të qeverisë apo opozitës, por ta shohim atë me sy skeptik, por jo duke bërë sehirxhiun.

Më poshtë mund të lexoni diskutimin për këtë projektligj, zhvilluar në komisioni parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.

http://www.parlament.al/web/pub/ligje_25_04_2012_11940_1.doc

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik

Dokument parlamentar

PROCESVERBAL

Datë 25.04.2012, ora 11:30

Drejton mbledhjen:

Valentina Leskaj – kryetare e komisionit

Rendi i ditës:

1.    Miratimi procesverbalit.

2. Seancë dëgjimore për projektligjin “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë” me përfaqësues të komuniteteve fetare.

Marrin pjesë:

Valentina Leskaj, Mark Marku, Ismail Hoxha, Fatmir Toçi, Adriana Gjonaj, Gjergji Papa, Fatbardh Kadilli, Rajmonda Bulku, Agim Leka, Alfred Dalipi, Enkelejda Shkreli, Fatmir Toçi, Fidel Ylli, Luiza Xhuvani dhe Paulina Hoxha.

Mungojnë:

Gent Strazimiri, Edi Paloka, Kreshnik Çipi dhe Gerti Bogdani.

Të ftuar:

Teuta Bula – koordinatore pranë Konferencës Ipeshknore Shqiptare- Komuniteti Katolik.

Andon Merdani – episkop i Krujës, ndihmës i Kryepeshkopit Anastas-Komuniteti Ortodoks.

Ali Kurti – zëvendëspresident i “Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë”.

Bujar Spahiu – nënkryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Komuniteti Bektashian Shqiptar.

HAPET MBLEDHJA

Miratohet procesverbali.

Valentina Leskaj – Fillojmë mbledhjen, meqenëse është kuorumi dhe kanë ardhur të ftuarit. Sipas njoftimit dhe kalendarit të punës, sot janë ftuar në këtë seancë dëgjimore përfaqësuesit e komuniteteve fetare. Janë ftuar përfaqësues nga të gjitha komunitetet fetare: nga Komuniteti Mysliman, Komuniteti Katolik, Komuniteti Ortodoks, Komuniteti Bektashi, si dhe nga Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë.

Diskutimi i sotëm ka të bëjë më tepër me nenin 7, por ne jemi të hapur për komente, sugjerime, propozime edhe për nene të tjera që lidhen me çështjen e arsimit.

Për shkak të kohës, prezantimet duhet të kenë një lloj limiti. Kjo do të thotë që çdo prezantues ka në dispozicion 5-7 minuta. Propozimet tuaja janë të mirëpritura me shkrim. Ato mund të lihen në sekretarinë teknike, por edhe në versionin elektronik.

Fillojmë menjëherë me dëgjimin e përfaqësuesve të komuniteteve të cilët do të japin komentet e tyre lidhur me projektligjin. Pastaj kalojmë te pyetjet nga ana e deputetëve, nëse ka të tilla.

Radhën për të folur mund ta zgjidhni vetë.

Përpara se t’ju jap fjalën, dua t’ju falënderoj për prezencën dhe përpjekjen për të dhënë kontribut në këtë proces!

Teuta Bula – Ne po ndjekim reformat që nga viti i kaluar, pasi Kisha Katolike ka 51 institucione të arsimit, duke filluar që nga kopshtet dhe universiteti, në nivele të ndryshme në të gjithë Shqipërinë. Kemi ndjekur debatin që po bëhet ditët e fundit dhe kemi sjellë edhe propozimet tona. Disa prej tyre janë teknike, pasi kanë të bëjnë me sistemin 6+3+3+3+3 ose për vlerësimin e nxënësve dhe gjëra që nuk do të ishte vështirë të pranoheshin, pasi janë probleme praktike në lidhje me cilësinë e arsimit. Sot donim të ndaleshim në dy nene. Njëri është neni 7 dhe tjetri është neni 39.

Te neni 7, ku flitet për laicitetin e arsimit parauniversitar: ai është laik përveçse në shkollat private, kur zhvillohen edhe lëndët fetare. Ne kemi debatuar shumë në komisionin tonë, pasi i formuluar kështu, edhe pse është i përmirësuar në krahasim me versionin e parë, mund të lërë vend për shumë debate dhe paqartësi, pasi koncepti i laicitetit në vetvete është i ekspozuar edhe ndaj interpretimeve të ndryshme, ndoshta edhe personale. Me kalimin e viteve dhe të ndryshimit të situatave mund të interpretohet dhe të kufizojë shprehjet që janë tipike për besimet fetare.

Ne kemi bërë dy propozime te formulimet: “Arsimi parauniversitar publik është laik” dhe “Arsimi parauniversitar është laik.

Ne propozojmë: “Në shkollat private ku zhvillohet lënda fetare, nuk është laik, ndërsa në shkollat private ku nuk ka lëndë fetare, kur këto shkolla janë të themeluara dhe të administruara nga bashkësi fetare ose ente të tyre, të lejohet shprehja e identitetit dhe e përkatësisë fetare në përputhje me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut”.

Cila është në thelb ideja? Ne nuk duam që të anashkalojmë ligjet e shtetit. Një shkollë që dëshiron të bëjë formim fetar ose të jetë thjesht fetare duhet të marrë vendimin e Këshillit të Ministrave, ashtu siç është bërë deri tani. Në shkollat tona ne kemi vetëm 2 nga 51 institucione, të cilat kanë këtë leje. Të gjitha të tjerat janë shkolla publike për sa i përket shërbimit dhe private për sa i përket organizimit. Në këto shkolla, në të shumtën e mësimeve ne nuk kemi kërkuar dhe nuk kemi dëshirë të kërkojmë të bëjnë mësim fetar, sepse nuk bëjnë një gjë të tillë, por dëshirojmë që në shkollë mund të shprehet identiteti i personit dhe identiteti i tij fetar. Kjo është ajo që dëshirojmë të nënvizojmë.

Kemi edhe diçka tjetër që lidhet me subvencionin e shtetit, pra në nenin 39, ku flitet për mbështetjen financiare që shteti mund t’u japë shkollave jofitimprurëse, që janë edhe tonat, por me disa kufizime për nxënësit shumë të mirë, për rezultate të mira nëpër olimpiada e kështu me radhë. Ne mendojmë që shteti është mirë të ndihmojë dhe të mbështesë, sepse kjo gjë është në të mirë të formimit të qytetarëve të tij edhe të arsimit privat, në veçanti atij që është pa qëllim fitimi, por nuk duhet të vendosë disa kritere mbi ekselencën e nxënësve, si edhe për përdorimin e këtyre fondeve, sepse një nxënës i shkëlqyer nuk ka nevojë për një mbështetje ekonomike, por ka një nxënës tjetër me nevoja të ndryshme sociale. Ne mendojmë se do të ishte më e pakta që ky nen të formulohej: “Ministria mbështet financiarisht institucionet arsimore private vendase të cilat janë jofitimprurëse dhe kanë të paktën 5 vjet që funksionojnë në institucionet private”.

Dua të theksoj edhe diçka tjetër. Shteti do të ishte mirë të investonte edhe për arsimin privat. Kjo nuk do të thotë që ai ta mbështesë dhe ta financojë plotësisht, por t’i krijojë qytetarëve të vet mundësinë të zgjedhin: arsimin privat apo atë publik. T’i jepet një ndihmesë familjeve, jo shkollave. Këta qytetarë që frekuentojnë shkollat tona, janë qytetarë që paguajnë taksat. Për më tepër të gjitha institucionet ne i kemi të siguruara. Ne tani për tani jemi kufizuar duke hequr klauzolat që ishin bërë në projektligjin e aprovuar nga qeveria.

Ju faleminderit për vëmendjen dhe për durimin!

Ali Kurti – Dua t’ju falënderoj për ftesën! Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë së fundi është e njohur nga shteti. Për këtë i jemi shumë mirënjohës, por në drejtim të sferës së edukimit dhe të arsimimit ne jemi pak më mbrapa se komunitetet e tjera. Ne mbështesim laicizmin në sistemin arsimor. Sistemi arsimor publik duhet të jetë laik, por ne kemi një mendim i cili ka lidhje me një lëndë që ndoshta sot mund të jetë e bashkëngjitur në ndonjë lëndë tjetër që studiohet në arsimin e mesëm. Mund të shikohet mundësia e një lënde të veçantë: Njohuri mbi fenë, ku të trajtohen probleme historike të feve në Shqipëri përgjatë 2 mijë vjetëve. Mund të jepen edhe disa ide për të ndryshuar pak kuptimin e nxënësve lidhur me çështjet e besimit. Dua të them se prej dekadash në sistemin arsimor studiohet teoria e evolucionit. Mund të them sot këtu se ky nuk është një fakt. Nuk është diçka e vërtetuar përfundimisht dhe megjithatë përsëri studiohet. Nuk jepet një alternativë tjetër, ajo e besimin për sa i përket krijimit. Duke iu referuar edhe eksperiencës së disa vendeve të Europës Perëndimore, për shembull, Gjermania që në klasën e 6-të ka një lëndë që quhet Religjion. Kjo vazhdon deri në klasën e 12-të. Për sa i përket përmbajtjes që duhet të ketë kjo lëndë, është një çështje që ia vlen të diskutohet me njerëz të fushës, por ne mendojmë se disa njohuri duhen dhënë, në mënyrë që nxënësi të ballafaqojë jo vetëm çështjet që lidhen me evolucionin, por edhe ato që lidhen me krijimin dhe besimin.

Një pikë që dëshiroj të prek është edhe ajo që ka të bëjë me problemet e etikës. Kohët e fundit, këto norma janë shkelur në sistemin tonë arsimor, në sistemin 9 – vjeçar, e mesme e ulët dhe në gjimnaz. Ne shikojmë të rinjtë me një paraqitje dhe etikë jokorrekte. Kjo nuk është një dëshmi e mirë për shoqërinë tonë. Në një nen thuhet se kjo punë lihet në dorë të Komisionit të Etikës edhe Sjelljes në institucionin arsimor. Ai përbëhet nga mësues, prindër dhe nxënës. E vërteta është se mësuesit dhe prindërit janë edhe sot prezentë në shkollë në mënyra të ndryshme organizimi, por fakt është që problemet e etikës janë shqetësuese. Ky komision nuk besoj se do të sjellë atë ndryshim që presim. Unë mendoj se kjo mund të sanksionohet në një nen të këtij ligji. Unë mendoj se ky komision nuk do të nxjerrë ndonjë gjë në pah.

Lidhur me fëmijët shqiptarë jashtë vendit. Të jemi realistë se në një masë të madhe ata janë duke humbur gjuhën amtare. Unë e di se është bërë një punë e mirë në këtë drejtim, por mendoj se mund t’u jepet mundësia këtyre fëmijëve që të ndjekin nga vendi ku janë shkollën, me programet dhe tekstet tona. Prindërit mund të marrin tekstet dhe programet. Jashtë shtetit ka edhe mësues që mund t’u bëjnë një trajnim atyre. Kur të vijnë këtu, t’i nënshtrohen një provimi dhe të marrin një diplomë të rregullt nga shkollat tona.

Në përfundim dua të them një gjë, për të cilën ky komision i nderuar duhet të ketë një vëmendje shumë të madhe. Unë vij nga arsimi, por dua që ju të njihni më realisht gjendjen e sistemit tonë arsimor sot. Duhet të shikoni me shqetësim të madh disa kompetenca. Të shikoni çdo rrugë dhe mundësi për të shkëputur arsimin nga politika, sepse deri tani unë e shikoj sistemin arsimor në një rrugë të rrezikuar.

Valentina Leskaj – Ju falemnderit!

Andon Merdani – Zonja kryetare e komisionit, ju falënderoj për ftesën dhe për ndjeshmërinë që patët për të na ftuar në këtë seancë dëgjimore! E shikojmë me shumë interes ligjin që po përgatitet. Aq më tepër kur ka të bëjë me çështjet e edukimit. Ende nuk i kemi propozimet tona me shkrim që t’i depozitojmë, por shpresoj që në ditët në vazhdim ta bëjmë këtë gjë.

Do të them 2-3 gjëra të përgjithshme, por që kanë ndjeshmëri për ne. Mbështes mendimin e Komunitetit Katolik lidhur me shkollat private që hapen nga komunitetet fetare nëpërmjet fondacioneve tona. Kisha Ortodokse ka disa institucione që bëjnë këtë punë, duke filluar nga të gjithë shkallët e arsimit dhe të edukimit. Ne do të donim që ligji të parashikonte për komunitetet fetare, për shkollat dhe institucionet e edukimit që hapen prej tyre, që mundësia e paraqitjes së lëndëve fetare ose të një edukimi fetar të jetë më e lirë dhe në bazë të dëshirës. Këtu kam parasysh atë gjë që vetë nxënësit marrin përsipër nëpërmjet prindërve të tyre, të zgjedhin nëse dëshirojnë të ndjekin në mënyrë fakultative këto lëndë fetare që i ofron institucioni nëpërmjet programeve të ndryshme. Në bazë të ligjit ekzistues duhet të merret një leje vetëm nga Këshilli i Ministrave që të mund të japim edhe lëndë fetare. Duket sikur ka një rrezik të madh kur japim lëndë fetare. Duhet të kemi parasysh se këto janë institucione janë hapur nga komunitetet fetare. Prindërit dhe fëmijët që marrin pjesë në këto komunitete nuk kanë frikë dhe dyshime, as janë të paqartë se ku po i çojnë ata, por të lihet opsioni i ndjekjes në mënyrë fakultative me dëshirën e prindërve dhe të nxënësve, pasi ndonjëherë krijohet një lloj dileme. A mund t’u flasim diçka rreth besimit fëmijëve? A mund të paraqitet një klerik në këto institucionet tona? Mos konsiderohet kjo një shkelje e të drejtës? Pra, krijohet një frikë e tepruar ndonjëherë. Ne jemi publikë. Jemi të njohur. Jemi të respektuar dhe aq më tepër kur besimet përcjellin një moral dhe vlera.

Çështja tjetër ka të bëjë me kurrikulat në shkollat publike për sa i përket çështjes së besimit. Shpeshherë ato formulohen nga komisione të caktuara, që ndoshta shfrytëzojnë materiale që ata vetë studiojnë, por ajo që ka munguar është një konsultim nga afër me vetë komunitetet fetare, në mënyrë që ato që shprehen, cilësimet, shpjegimet ose formulimet të mos jenë gjëra shabllone të kopjuara. Është për t’u respektuar puna që bëjnë dhe nuk e vë në dyshim, por duhet të respektohemi edhe ne që të shprehim mendimin e drejtë për atë që u mësojmë nxënësve në shkollat publike. Një konsultim me komunitetet fetare do t’i bëjë edhe formulimet më të qarta, duke shmangur keqkuptimet dhe gabimet në disa raste. Duhet të parashikojmë që në kurrikulat të vendosim një informacion më të plotë dhe më të qartë, si për shembull: cilat janë besimet tona? Cili është historiku i tyre? Cilat janë parimet kryesore? Cilët janë personazhet kryesore? Është një edukim që domosdoshmërish do të duhet. Ne kemi mësues që japin këto mësime dhe na pyesin, sepse vetë ata nuk janë të qartë se cilët janë personazhet, ngjarjet, si mund të cilësojmë një mister ose shpeshherë nuk kuptojnë se ky mister është i Kishës Katolike, Ortodokse apo aq më tepër i Komunitetit Mysliman. Ka një konfuzion. Kur janë mësuesit në këtë konfuzion, aq më tepër do të jenë të çoroditur edhe fëmijët.

Mendoj se kjo është një hapësirë që duhet ta rregullojmë. Nuk e di se mund të bëhet ligjërisht. Këto ishin ato çështje që doja të parashtroja.

Ju falënderoj për ftesën dhe dëgjimin!

Valentina Leskaj – Ju falemnderit!

Bujar Spahiu – E nderuar zonja kryetare! Ju falënderojmë për ftesën për të marrë pjesë në këtë mbledhje për të diskutuar rreth këtyre tematikave shumë të rëndësishme të edukimit të fëmijëve tanë në përgjithësi!

Komunitetet fetare tradicionale, aktiviteti dhe mënyra e veprimtarisë së përgjithshme të tyre, në aspektin e edukimit kanë qenë pishtarë dhe çdo gjë e kanë bërë në përputhje dhe brenda kornizave të ligjeve në fuqi të shtetit tonë, si edhe udhëzimeve të qarta të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Ne kemi medresetë e nivelit të përgjithshëm, shkollat e mesme dhe ato 9 – vjeçare tani për tani, të cilat ushtrojnë një veprimtari me gjithë kurrikulat që ka vetë Ministria e Arsimit në programin që zbatohet në gjimnaze dhe shkolla të përgjithshme jo profesionale dhe disa lëndë fetare me një përqindje pothuajse minimale. Deri tani, shkollat tona kanë treguar një sukses shumë të qartë në lidhje me ecurinë dhe edukimin. Vetë prindërit i kanë sjellë dhe këta njerëz kanë ardhur me dëshirën e tyre dhe vazhdojnë mësimin në institucionet e medreseve. Në lidhje me nenin 7, ne jemi të vetëdijshëm që Shqipëria dhe sistemi arsimor janë laike, jemi orientuar dhe kemi theksuar gjithmonë në propozimet tona ndjeshmërinë tonë që asnjë nxënës, flas për shkollat laike, qofshin ato të nivelit 9-vjeçar dhe atij të mesëm, pavarësisht përkatësisë së tyre, të mos privohet nga edukimi, sepse është edukim i detyruar. Ne kemi thënë që pavarësisht se ata kanë diçka fetare në individualitetin e tyre, si shami, kryq apo diçka tjetër, nuk u lejohet të propagandojnë me të tjerët. Kemi theksuar që, në bazë të ligjeve në fuqi dhe konventave ndërkombëtare, qofshin ato të BE-së apo të Kombeve të Bashkuara, asnjë nxënësi në botë, pavarësisht nga gjinia, raca, feja nuk i ndalohet të shkollohet në shkollat publike. Duke iu drejtuar Kryetares së Kuvendit dhe deputetëve të nderuar të Republikës së Shqipërisë, Ministria e Arsimit ka shprehur qartë mendimet e saj që kjo plagë të kurohet. Shpresojmë që do të shërohet. Parafolësit e mi u shprehën qartë për religjionet. Unë mund t’ju them një lëndë që flet mbi njohuritë fetare, që mund të futet në të ardhmen kur të formohen kushtet. Të gjithë nxënësit, si ata që studiojnë në shkolla private (që mund të marrin diçka nga feja) ashtu dhe ata që studiojnë në shkollat publike, duhet të dinë se kush janë, pse kanë ardhur, çfarë kërkohet prej tyre, si dhe t’u jepet në mënyrë përmbledhëse një kulturë fetare në një lëndë të caktuar. Ne vazhdojmë të jemi me këto mendime, kjo është për të mirën e vendit tonë, sepse institucionet dhe komunitetet fetare ndihen shumë mirë. Roli i tyre është shumë i rëndësishëm, ka qenë dhe është për pajtimin dhe harmonizimin e të gjitha sferave sociale e njerëzore. Ka qenë i rrënjosur në këto pika dhe shumë i devotshëm për t’i mbrojtur, që të mos hapet asnjë lloj plage. As ne e as ju nuk dëshirojmë që këto plagë të hapen, por të mbyllen sa më mirë dhe të gjithë të jemi të kënaqur, sepse shteti ynë është demokratik, i lirë, i cili i ka të gjitha kompetencat për t’i dhënë zgjidhje çdo problemi që del. Ky është mendimi ynë si Komunitet Mysliman i Shqipërisë, dhe besoj se me të njëjtin mendim janë edhe komunitetet e tjera. Pavarësisht se mund të ndryshojmë në gjëra dytësore, në parim jemi të gjithë njëlloj. Kjo është krenari për të gjithë kombin. Meqë jemi në një vit jubilar, i cili tregon qartë kontributin e institucioneve fetare në pavarësinë e vendit tonë, natyrisht që lind e drejta që kjo e drejtë të mos na privohet. Të mos hapet më debati që të mos pranohet dikush në shkollë apo të përjashtohet. Këto gjëra nuk i shkojnë një vendi që aspiron të anëtarësohet në BE, pjesë e së cilës jemi edhe ne gjeografikisht. Pas rekomandimeve që do të përmbushim, do të hyjmë atje si njerëz të lirë dhe të vlerave universale.

Falemnderit!

Valentina Leskaj – Falemnderit!

Nuk e di nëse ka pyetje nga kolegët deputetë. Nuk ka.

Së pari, unë dua t’ju falënderoj për prezencën tuaj dhe për mendimet që dhatë. Siç e thashë dhe në fillim, do të jenë të mirëpritura të vijnë në formën e propozimeve me shkrim ose në versionin elektronik. Nëse do të donit mendimin tim, pa dyshim që unë i qëndroj asaj që shkolla shqiptare dhe arsimi në përgjithësi janë laike dhe duhet të mbeten laike. Duhet të konsiderojmë jo vetëm faktin që duhet të mbeten laike, dhe këtë e them meqë do të sillni propozimet, por, në radhë të parë, faktin që po flasim për arsimin parauniversitar, i cili ka të bëjë me një grup moshe që nuk është në gjendje të marrë vetë vendime. Këtu përfshihet duke filluar nga kopshti e deri te arsimi i lartë. Edhe në raport me simbolet, që u diskutuan këtu, duhet të kemi parasysh laicitetin e shkollës. Gjithsesi ky projekt do të diskutohet nen për nen në komision, duke konsideruar të gjitha propozimet që vijnë nga të gjithë aktorët e interesit. Të jeni të sigurt se të gjitha propozimet do të konsiderohen me seriozitet dhe, në procesion e shqyrtimit, do të kemi një vendimmarrje.

Falemnderit!

Jemi në pritje të propozimeve tuaja. Shpresojmë t’i sillni brenda javës!

Edhe një gjë për kolegët e komisionit: nga qeveria kanë ardhur propozime të reja në lidhje me projektligjin “Për arsimin parauniversitar”, kështu që na duhet kohë që të shihet ky material, pastaj relatorët do të vendosin, qoftë edhe për kalendarin. Në mbledhjen tjetër do të procedojmë me ministrin e Arsimit për projektligjin në fjalë, pastaj do të vijojmë.

Ju falemnderit për pjesëmarrjen!

Mirupafshim!