2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Puna, motiv për realizimin e ëndrrave

Më të lexuarat

Intervistë me Arbnora Fejza – Idrizin, autoren e tri rekordeve Guinness

Ju keni arritur që për herë të tretë të hyni në librin e rekordeve Guinness me punime origami. A jeni ju gruaja e parë me mbulesë dhe gruaja e parë në Kosovë dhe Shqipëri që e arrin këtë rekord?

Është e vërtetë që për herë të tretë po e mbajë rekordin Guinness. Jam gruaja e parë në Kosovë dhe Shqipëri, si dhe jam e para me mbulesë, për çka jam shumë e lumtur që kam arritur këtë sukses përkundër vështirësive. Thënë të drejtën, mbulesa nuk më ka penguar aspak që të arrijë këtë sukses, përkundrazi, unë falënderoj Krijuesin e Gjithësisë që nuk ma humbi mundin.

A ka pasur paragjykime nga institucionet shtetërore dhe shoqëria për shkak të mbulesës, dhe a ju kanë penguar këto paragjykime në punën tuaj?

Paragjykimet janë pjesë e jona, po që tek unë nuk kanë ndikuar asnjëherë, nuk u kam kushtuar fare rëndësi atyre. Shoqëria dhe institucionet publike më kanë trajtuar me respekt dhe dashuri, por paragjykimi ka filluar në momentin që kam kërkuar punë. Edhe pse kam të përfunduar Fakultetin e Edukimit, asnjëherë nuk jam pranuar në punë. Por, unë kam vazhduar dhe kam punuar si moderatore, edukatore, menaxhere, farmaciste dhe tashmë kohën e fundit merrem me punimet origami. Puna ka qenë motivi për të realizuar ëndrrat, e vështirësitë dhe sfidat janë forca e secilit nga ne për të arritur te caku.

Si lindi ideja e këtyre punimeve dhe nga kush keni mësuar të punoni me letër origami?

Në Fakultetin e Edukimit kam pasur në lëndë “punë dore”, të cilën e ka ligjëruar profesoresha Arife Kurti. Aty kam mësuar teknikat e para të artit origami, për të cilin kam shprehur një interesim të madh, pasi që mënyra e punës ishte interesante dhe mjaft e veçantë. Kam hulumtuar shumë në faqe të internetit për të mësuar më tepër për këtë art, sa që arrita ta perfeksionoj. Këtë art e kam praktikuar në institucionet parashkollore me fëmijë, ku kam realizuar edhe ekspozita të shumta.

Cilat kanë qenë dy punimet e para me të cilat keni hyrë në librin Guinness, çfarë ka qenë e veçantë tek ato dhe çfarë mesazhi keni dhënë përmes tyre?

Punimi i parë ka qenë lulja më e madhe në botë, me një letër 13×13 m dhe diametër 8.70. Këtë rekord e mbanin disa persona në Francë. Në vitin 2018 unë arrita ta thyej këtë rekord. Rekordin e dytë e realizova me vazon më të madhe në botë, e cila u realizua me lule dhe me flamujt e shteteve që e kanë njohur Kosovën, me 80 mijë copa letre pa ngjitës, me lartësi 2.70 m dhe gjerësi 2.38. Këtë rekord e arrita në vitin 2019. Në punimet e mia kam paraqitur teknikën e veçantë të këtij arti.

Sa ishte kostoja e lartë e këtyre punimeve, dhe a keni gjetur mbështetje financiare për këto punime nga institucionet tona publike dhe ato private?

Për të realizuar rekorde, sigurisht që duhet një kosto, por gjithnjë kam gjetur mbështetje dhe përkrahje. Në rekordin e parë kam gjetur mbështetje nga kryetari i Komunës, z. Bekim Jashari, i cili i ka mbuluar të gjitha shpenzimet për këtë projekt. Pastaj në rekordin e dytë kam gjetur mbështetje te Komuna e Skenderajt, kryetari Jashari, Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, e po ashtu në këtë rekord më ka përkrahur edhenjë zonjë e nderuar, drejtoresha e QTA-së, znj. Rema Durmishi, të cilën dua ta falënderoj përzemërsisht.
Ndërsa në projektin e tretë për flamurin më të madh, përsëri mbështetje kam gjetur te Komuna e Skenderajt, kryetari Jashari, Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, z. Burim Piraj, menaxher në “Meka Halal Food”, Europrinty, PKF nga Gjermania, Hamdi Ahmetaj nga Gjermania, butiku “Aksa” me pronaren Gentiana Avdullahu Hasani, si dhe një përkrahje të madhe e kam pasur Shabani, Bislim Elshani, Gazmend Hamiti, Rexhep Uka, si dhe 25 nxënës dhe studentë. Puna ka qenë mjaft sfiduese dhe e mundimshme, por me ndihmën e Allahut e realizuam. Gjithë materialin e kemi dërguar tek zyrtarët e Guinness-it, pastaj ata pas 5 ditësh verifikimi, na e kanë dërguar njoftimin se ne jemi fitues.

Cilat janë planet për të ardhmen, na trego pak për qendrën që po planifikoni ta hapni për artin origami?

Planet janë të hap qendra edukative, ku synoj që të zhvilloj këtë teknikë arti, pasi që është shumë e rëndësishme për zhvillim te fëmijët. Projekti është hartuar dhe shumë
shpejt planifikoj hapjen e tyre. Nëse gjendja me pandeminë në vend shkon drejt  përmirësimit, planifikoj që në verë të këtij viti të hap qendrat edukative. Porosia dhe mesazhi yt për rininë e Kosovës, e në veçanti për femrat me mbulesë në Kosovë dhe në trojet shqiptare në përgjithësi. Mesazhi im për të gjitha femrat dhe për gjithë ata që kanë ëndrra dhe ambicie është që të mos dorëzohen asnjëherë, ngase Allahu nuk e humb mundin e askujt. Falënderime të pafundme për të Madhin Zot dhe respekt e nder për të gjithë ata që më përkrahën. Nuk jam vetëm unë fituese, por fitues jemi të gjithë ne.
______________________________________________________
Intervistoi: Mr. Muzaqete Kosumi

DITURIA ISLAME

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit