0.7 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Pastrimi i flokëve gërsheta gjatë xhunubllëkut

Më të lexuarat

Pyetja:

A është e lejuar që të bëhet vetëm pastrimi i trupit e jo i flokëve nga xhunubllëku? Mua më duket që kam lexuar një hadith (nëse jam gabim Allahu më faltë!) që në kohën e Muhamedit alejhis selam gratë të cilat kanë pasur flokë shumë të gjatë dhe i kanë mbajtur ato të lidhura gërshet, për shkak të vështirësisë së larjes kanë hedhur vetëm një grusht ujë në maj të kokës ndërsa trupin e kanë pastruar të tërin. A është e vërtetë kjo? Nëse po, a mund edhe unë të veproj ashtu sepse unë kam flokë shumë të gjatë dhe të trashë dhe e kam shumë vështirë me i mbajt dhe është shumë vështirë me i ter.

Përgjigja:

Me gusël nënkuptojmë pastrimin e tërë trupit, përfshirë këtu edhe kokën. Madje kërkohet që të përfshihet në pastrim çdo vend në trupin e njeriut që ndoshta vështirë mund të depërtojë uji në ato vende si kërthiza, veshët etj.
Sa i përket femrave, që kanë flokë të gjata, ju lejohet që mos t’i shprishin flokët e tyre apo gërshetat përgjatë pastrimit – guslit prej xhunubllëkut, por kërkohet nga to që ta përcjellin ujin me majat e gishtave tek rrënjët e flokëve dhe mbi tubën e flokëve të qesin tri herë grushte me ujë. Pra, ashtu sipër flokëve të lidhura të hidhet ujë dhe kjo do të mjaftonte.

Ummu Seleme, (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ka treguar se i kishte thënë të Dërguarit të Allahut, ﷺ, se unë jam një grua që i shtrëngoj gërshetat e flokëve, a duhet t’i shprish ato kur pastrohem nga xhunubllëku? I Dërguari i Allahut, ﷺ: “Jo, të mjafton të hedhësh mbi kokën tënde tre palë grushte me ujë, pastaj ta përfshish veten me ujë dhe pastrohesh.” [1]

Nga ky hadith përfitojmë këtë lehtësim që nuk ka nevojë të shprishen flokët e gjata, por mjafton që të arrijë uji në rrënjët e flokëve dhe t’i përshkon gërshetat nga sipër. Disa dijetarë mendojnë se nëse uji nuk depërton fare nëpër flokë për shkak të dendësisë së tyre, atëherë duhet shprishur ato, sepse përfshirja e flokëve në gusël është gjë e domosdoshme. Për të mos mbetur flokët të papërfshira në larje, atëherë kërkohet që uji të depërtohet deri tek rrënjët e flokëve.

A vlen kjo gjë edhe kur pastrimi – gusli bëhet me rastin e përfundimit të ciklit menstrual, apo vetëm nga xhunubllëku? Dijetarët kanë mendime të ndryshme lidhur me këtë dhe një pjesë e konsiderueshme e tyre mendojnë se kjo vlen vetëm për pastrimin nga xhunubllëku, sepse është gjë më e shpeshtë, kurse pastrimi nga menstruacionet është një herë në muaj në përgjithësi, andaj kërkohet shprishja e flokëve me atë rast. Sikur që lejohet që femra në abdesin ditor t’i jep mes-h kokës sipër shamisë në raste të caktuara e nuk lejohet gjatë pastrimit.

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dermaku

——————————–

[1] Muslimi

The post Pastrimi i flokëve gërsheta gjatë xhunubllëkut appeared first on Pyetje dhe përgjigje nga feja islame.

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit